Letër një shkrimtari të ri me talent

Kultura

Letër një shkrimtari të ri me talent

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 17:58
Foto ilustrim

Së pari, harro faktin se je shkrimtar i pabotuar. Shihe veten si shkrimtari i vetëm në këtë botë. Kjo është shumë e rëndësishme. S’është krenari, s’është egoizëm, por thjesht pikëpamje e domosdoshme për një shkrimtar serioz. Duhet të besosh se je i vetmi ndër të gjithë shkrimtarët e botës që janë duke shkruar histori për të gjallët. Kujtohu që të jesh së brendshmi i qetë. Kujtohu të shohësh gjithçka ka jeta, të mirën dhe të keqen, më sy të kthjellët, vështrim të përkorë.

Kujtohu të jesh pjesë e botës me një zemër të pastër. Kujtohu të jesh i qeshur. Kujtohu të jesh bujar. Dhe mandej kujtohu që tek ajo që është më tragjikja gjithmonë ka diçka komike dhe tek ajo që është më e keqja gjithmonë ka jo pak mirësi. Kujtohu që t’i bashkosh në veprën tënde të dyja skajet: njërën dhe tjetrën anë.

Dhe kujtohu të qeshësh… Unë dua që të shkruash në një mënyrë që s’ka shkruar askush më parë. Çdo shkrimtar që është i tillë mund ta bëj këtë. Ke një gjuhë të re brenda teje. Ndoshta ende s’është zhvilluar, por do të zhvillohet nëse bën nisjen e duhur. Nëse nuk bën nisjen e duhur, kurrë s’do të mundesh të shkruash. Do të të kritikojnë si i ndikuar prej të tjerëve dhe ky do të jetë fundi yt. Nëse e bëjnë këtë për tregimet dhe librin tënd të parë, s’do të mund të çlirohesh ndonjëherë prej gjykimit të tyre.

Rruga për të mos shkruar si askush para teje është të shkosh te bota vetë, te jeta vetë, te shqisat e trupit të gjallë dhe të përkthesh në mënyrën tënde atë çka sheh, nuhat, shijon, ndien, imagjinon, ëndërron dhe bën. Të përkthesh sendet, ose veprimin, ose mendimin, gjendjen shpirtërore në gjuhën tënde. Unë dua që të bësh nisjen e duhur sepse, nëse bën nisjen e duhur, kurrgjë në botë s’mundet më të të ndalojë. S’po tregohem i butë gjatë shkrimit të kësaj letre dhe s’dua që të më jesh mirënjohës. S’dua që të duket sikur po të jap kurajë.

Ti s’mund të ndihesh borxhli kundrejt ndokujt dhe të jesh një shkrimtar i madh. Të duhet të jesh pak i pasjellshëm për sa i përket kësaj pune, pak hidhërak, njëherësh po aq bujar dhe tolerant. S’do të tregohesh bujar ndaj ndonjërit në veçanti, por ndaj idesë, ndaj idesë abstrakte: gjithçka bën, ti e bën për vete, jo për ndokënd. Për të jetuar të duhet me qenë egoist. Kjo nuk është për të ardhur keq: ka të bëjë me çfarë dhe si do të shkruash. Pasi ta lexosh këtë letër dua që të zgjohesh dhe të gogësish, mandej të bësh një shëtitje dhe t’i thuash vetes: “Në djall çfarë thotë ai dhe në djall shkofshin të gjithë”, sepse vetëm atëherë do të mundesh të fillosh.

S’vendos dot unë nëse duhet të shkruash, porse në pastë ndonjë gjë në botë: lufta, murtaja, zia e bukës, uria personale, ose çfarëdolloj gjëje që mund të të pengojë të shkruash, atëherë mos shkruaj, s’duhet të duash të shkruash, harroje këtë. Ji një nëpunës i ndershëm, shko në kinema, shih ëndrra dhe fli si të gjithë njerëzit, sepse nëse ka ndonjë gjë që fillon të të pengojë të shkruash, ti nuk je shkrimtar dhe do të jesh në pikë të hallit derisa ta kuptosh. Nëse je shkrimtar, prapë do të jesh në pikë të hallit, por do të kesh arsye më të mira për këtë. Urimet më të mira dhe paç fat të mbarë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat