“Kritikë” për kritikat letrare të Shpendi Topollajit

Kultura

“Kritikë” për kritikat letrare të Shpendi Topollajit

Nga: Halil Rama Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 23:15
Kopertina

Publicisti, poeti, prozatori, dramaturgu e kritiku i mirënjohur letrar Shpendi Topollaj, festoi 74-vjetorin e ditëlindjes së tij (14 shkurt 2021) me një bilanc mjaftë të pasur. Në korpusin e tij krijues bëjnë pjesë më shumë se 60 vepra, ndër të cilët: dy drama, shtatë romane, tre novela, tetë libra me tregime, një monografi dhe disa libra me kritikë letrare.

Nisur nga mosha, po të konsiderojmë fillimet e krijimtarisë së tij kur ishte 14 vjeç, i bie që Shpendi Topollaj të ketë shkruar për çdo vit të jetës së tij nga një libër, por padyshim produkti i tij letrar i përket tri dekadave të fundit, duke filluar. me botimin e librit  “Lirikat e Zemrës” - poezi (përkthyer në italisht) më 1996. Duke qenë i pranishëm thuajse çdo javë në shtypin e kohës (Telegraf”, “Fjala”, “Nacional”, “Veterani”, etj) me profilet e personaliteve të shquara të Luftës, Ushtrisë, artit e kulturës dhe sidomos me kritikat letrare të disa librave të autorëve të njohur, Topollaj është ndër më të njohurit e lexuesit shqiptar.

Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri - Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu” (2014), “Liria e të shkruarit” (2009);  dhe “Kur mendja bashkohet me zemrën” (2020). Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura. Në një nga librat e tij, “Ishte koha kur…”, gazetari Kostaq Xoxa duke folur për të shkruan: “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë dhe veçanërisht të mitologjisë greke; në reportazhin artistik, në pasqyrimin dhe portretizimin e figurave të nëpërkëmbura nga një sistem totalitar gjysmëshekullor…”. Ndërkohë, për të mos i mbetur borgj” Kostaq Xoxës, këtij korifeu të publicistikës shqiptare, Topollaj, në librine  tij të fundit “Pesha e dinjitetit” (Kritika letrare” shkruan: “Pas vitit 90 – të Kostaq Xoxa ishte nga të parët që u angazhua me guxim në përpjekjet për shembjen e komunizmit në Shqipëri. E përkrahu si idealist i vërtetë demokracinë dhe aspiratën tonë evropianiste. Si gazetar e publicist, sidomos te gazeta “55”, ai shkëlqeu me penën e tij të mprehtë, duke shfaqur si pak kush mospajtimin e tij me atë ideologji që i solli aq dëme dhe vuajtje shqiptarëve. Stigmata e tij plot llogjikë dhe tërësisht e mbështetur në fakte dhe të vërteta të pa mohueshme, synonte të sqaronte dhe ndërgjegjësonte lexuesit dhe asnjëherë ai nuk denigronte ndokënd…..”. (fq.178).

Me librin e tij me kritika letrare “Pesha e dinjitetit”, Sh.Topollaji  vjen, jo vetëm si lexues, por edhe si studjues e vlerësues i zellshëm i krijimtarisë së disa autorëve të njohur shqiptar.

Duket fare qartë kjo te kritika letrare me titull “Dashuria e Lasgushit dhe përjetësimi i saj nga Ismail Kadare” (Rreth romanit “Ikja e shtërgut”, si pjesë e librit të Kadaresë “Përballë pasqyrës së një gruaje”, në të cilin qëndrojnë bashkë tre romane të shkurtër, ku veç atij të titullit, dhe “Kalorësi me skifter”, është përfshirë dhe një tjetër me titullin “Ikja e shtërgut” që i kushtohej dashurisë poetike të Lasgush Poradecit me bukuroshen Ana G). Në këtë rast Shpendi Topollaj, duke u kalamendur mes rreshtave, kujton shprehjen e M. Nekse për rëndësinë që ka në krijimin e veprës letrare  “Ngjeshja e skajshme e materialit…”. Ndër të tjera ai shkrian se “Në pak faqe, gjeniu ka thënë aq shumë. Dhe pa të lodhur e sforcuar fare. Përkundrazi, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar dhe i ripërtërirë shpirtërisht…Sidomos me shtjellimin mjeshtëror të asaj historisë olimpike të poetit tonë magjik, Lasgush Poradeci”. 

Sh.Topollaji ka spikatur me kritikën letrare edhe në vlerësimin e veprës së gjeniut të letrave shqipe Dritëro Agolli, i cili sipas tij “pati gjithë jetën si devizë gjithçka, pra edhe njerëzit, edhe natyrën, edhe të  mirën, edhe të virtytshmen, edhe të bukurën, madje edhe dashurinë e shihte me syrin e mprehtë të një vrojtuesi serioz e të pashoq, karakteristikë kjo që s`ju nda kurrë poetit tonë të shquar”. Për të arritur në këtë konkluzion Sh.Topollajit i mjaftojnë qoftë  dhe disa nga titujt e librave të Dritëroit me poezi si “Në rrugë dola”, “Hapat e mia mbi asfalt”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar” dhe do të bindesh për këtë. Po kështu edhe titujt e cikleve poetike: Udhëtoj me njerëzit, Udhëtoj me shqetësimet, Udhëtoj me poetët”.

E kemi parë Shpendi Topollajin të ligjërojë aq bukur në takimet promovuese të librit “Një legjendë në kufirin midis dy kohëve”, kushtuar gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit”, apo edhe për  librat serial shumë voluminozë "Skëderbegasit ndër vite" të autorëve Kujtim Boriçi e Maksim Fejzulla, nga ku ka marrë vlerësime jo vetëm për elokuencën, por pikësëpari për peshën e mendimit të tij dhe gjykimin me objektivitet për vlerat ideore e artistike të këtyre botimeve serioze.

Mendimin e kualifikuar të autorit Sh.Topollaji e gjejmë edhe në vlerësimet e tij për veprat: e shkrimtares së nderuar Vilhelme Vranari (duke evidentuar edhe burrin e saj plot humor dhe energji, Fitim Haxhiraj); të këngëtarit të ëmbël të dashurisë Zyhdi Morava; të Petraq Kote, këtë shkrimtar që na i sjell të gjalla baladat (Rreth tregimit “Ngjarje ndër Muzakë”); të  Dashamir Uruçit që vë dhimbjen e shpirtit në vargje (Rreth librit poetik “Në dritë të vetëtimës”) etj.

Tek “Pesha e dinjitetit”, kritiku letrar Topollaj shkruan për librin me kujtime të Saimir Malokut “Si mbijetova në Ferrin komunist” , duke e vlerësuat atë për të vërtetat rrëqethëse, që jo vetëm të trondisin, por edhe të vetëdijësojnë për kuptimin e vuajtjeve trupore e shpirtërore të njeriut të ndershëm gjatë luftës për mbijetesë. Parë nga kjo optikë ai e vlerëson autorin e këtij libri me kujtime si një shembull të rrallë në kundërvënien ndaj diktaturës komuniste, 

Në fokusin e kritikës letrare të autorit Topollaji është edhe libri “Biri” i Flutura Ackës –nënës shkrimtare me lotin e dhimbjes sa bota. “Në të gjithë morinë e krijimtarisë time me kritika letrare, më ka ndodhur që pas leximit të ndonjë libri, të kem pohuar se jam tronditur. Por nga libri i nënës - shkrimtare Flutura Açka, kushtuar ikjes në moshën më të bukur të Birit të saj, nuk e kam aspak për turp të deklaroj se kam vajtuar. E kam larë me lot çdo faqe të tij. Më është copëtuar shpirti dhe gati kam ulëritur: ‘Përsa jeta është kaq e padrejtë?!”, shkruan ndër të tjera Topollaj.

Në librin “Pesha e dinjitetit”  ai shkruan për sagën e Lukaçëve, (vlerësim për një ekspozitë pikture dhe skulpture në qytetin e  Durrësit), nisur nga një eveniment i bukur, kur në të njëjtën ekspozitë, paraqiten veprat e tre autorëve: gjyshit Nelo Lukaçi, djalit Romir dhe mbesës Leopoldina, që sikurse e thotë edhe emri i saj, që vjen nga gjermanishtja e vjetër, po tregohet mjaft guximtare.
Pjesë e librit “Pesha e dinjitetit” është edhe vlerësimi i veprës së Dritan Çokut “i cili ngre zërin për nevojën e ndërhyrjes konservuese dhe restauruese të objekteve të tilla që ai i sheh si elemente që na ndihmojmë të ecim në korridore të errëta, në tunelet pa fund të shekujve të shkuar”. Vlerëson kështu auori veprën e qytetarit beratas të sintetizuar në albumet e tij “Sahat Kulla e Kavajës”, botim i vitit 2016 dhe ”Kishat e Kalasë së Beratit”, me bashkautor Genci Samimin, botim i vitit. 2019. Për shkrimtarin dhe kritikun letrar Sh.Topollaj, këto ishin botime lluksi, respektivisht të “Ymeraj Print Fier” dhe asaj “Pegi”, por kuptohej menjëherë se brenda tyre përmbanin vlera të vërteta rreth historisë, arkitekturës, teknikës së ndërtimit, simboleve, arkeologjisë dhe restaurimit.

Kësisoj, për vetë misionin e kritikës letrare, me librin “Pesha e dinjitetit” Sh.Topollaj kryen mjeshtërisht funksionin e ndërmjetësuesit mes lexuesit dhe veprës letrare të disa autorëve të njohur.  Lënda e këtij libri me kritika letrare është vlerësimi i librave të dhjetra autorëve të njohur, nisur nga arti i të shprehurit të gjykimit në procesin e tyre krijues. Mjafton për këtë të lexojmë kritikat letrare “Një roman i Shefik Myftiut me shumë të papritura” (fq.93); “Delo Isufi – poeti që i këndon aq bukur dashurisë” (fq.91); “Një studim me vlera të mëdha shkencore i Vilhelme Vranari” (fq.115); “Dy fjalë rreth ‘librit “Ahu në mes të pyllit” (fq.121); “Diçka në vend të hyrjes për ‘Romancën me letra dashurie” (fq.124); “Pse e shkrova librin ‘Esse rreth shprehjeve mitologjike” (fq.139); “Për Halil Ramën dhe veprën e tij” (fq.143) etj.

Për këto vepra, Topollaj e ndërton dhe zhvillon Kritikën letrare jo vetëm mbi bazën e përshtypjeve individuale dhe mbresave nga leximi i tyre, por duke evidentuar  eksluzivisht vlerat ideore dhe letrare si dhe mesazhet qe ato përcjellin tek lexuesi.

Në librin “Pesha e dinjitetit” autori Topollaji ka përfshirë edhe profilin e Bashkim Koplikut, duke e vlerësuar si njeriun dhe politikanin me integritet të lartë, si dhe të njeriut të thjeshtë të vlerave të mëdha, Miftar Dedja.

Shpendi Topollaj nuk ka rreshtur së kryeri dhe detyrat shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, nënkryetar i Shoqatës kombëtare “Skënderbegasi”, kryetar i degës së kësaj shoqate në Durrës, anëtar i Kryesisë së shoqatës të miqësisë Shqipëri - Rusi, nënkryetar i degës së SHKUR - it, sekretar i shoqatës së Intelektualëve në Durrës, anëtar i Këshillit kombëtar të OBVL, etj.

Tani është zgjedhur kryetar i Bordit drejtues të teatrit “A. Moisiu”, është shpallur “Ambasador për Paqen”, i ështe dhënë titulli “Noble Peace Personality Aëard” nga ëorld Parliment For Peace, dhe njëkohësisht është zgjedhur nënkryetar i Federatës së Paqes Universale dega Durrës.

Pas viteve nëntëdhjetë, fillon të shkruajë dhe botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse të të gjitha zhanreve të letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publicistikë, kritikë letrare, drama etj. dhe qindra e qindra artikuj të shkruar e botuar nga ai, në shtypin e kohës, gjë që e bën të njohur kudo.

Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specializuar dhe lexuesit. Në Nëntor të vitit 2015 nga ana e Lidhjes dhe Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë i është akorduar çmimi “Pushkin” me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat