Bota e poetit është kështjella e dashurisë ndërmjet njeriut dhe universit

Kultura

Bota e poetit është kështjella e dashurisë ndërmjet njeriut dhe universit

Nga: Baki Ymeri Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 23:47
Kopertina

Poezia është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Remzi Basha është një poet origjinal, vargjet e të cilit janë jashtëzakonisht të frymëzuara dhe të ndjeshme. Autori i kësaj vepre të re është misionar i qëndresës shqiptare në trojet e Skandinavisë. Vështirë se mund të gjesh në realitetin shqiptar një zë të tillë, ku pjatat e lirisë të jenë të plota dhe të hapura, ku autori din të këndojë përtej derteve të perditëshme, të cilat përbëjnë një fushë të vërtetë beteje. Remzi Basha me prodhimtarinë e tij të pandërprerë, i prezanton lexuesit dashurinë ndaj femrës dhe ndaj atdheut, gjithmonë duke shpërndarë mesazhe të bukura jete, të mbushura me të vërteta, të cilat njeriu din t’i pranojë.

Poezia e Remziut është një lirikë meditative, ku ndjenja fshihet mbas një cipe të vetëpërmbajtjes, duke krijuar një poezi moderne në këtë kuptim. Ajo e ruan qartësinë dhe nuk tërhiqet aspak nga errësira si modë. Kjo poezi karakterizohet nga një varg i lirë me një ritëm ku mendimet dhe ndjenjat gërshetohen dhe alternohen si trokitje të shpejta me një diapazon të gjerë. Remzi Basha shquhet për thjeshtësinë dhe çiltërsinë e ndjenjës së hapur. Ai e ka përpara syve botën e sotme urbane, por kulloshtra që derdhet në poezinë e tij është tejet e lashtë dhe e ëmbël. Ky tribun i vlerave lirike të dashurisë, shkruan me shpirt të lirë. Shpirtin e vargut të tij e flladit era e krejt botës shqiptare. Poeti kosovar i botës nordike i shndërron poezitë e veta në pasqyra të shndritshme, ku herë pas here çdo njeri, veçanërisht femrat, shohin botën e tyre të gjerë me gjithë thyerjet e natyrshme, me lulëzimin e dashurisë dhe të familjes.

E kemi thënë paraprakisht dhe vlen ta ripërsërisim faktin se poeti është i zgjedhuri i Zotit, ndërsa poezia balsam i shpirtit dhe univers energjishë hyjnore. Poezia është testamenti i jetës, mbretëresha e arteve, një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta. Poezia është zëri i zemrës, dhurata e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon në shpirtin tonë dhe jetën tonë. Vëllimi respektiv vjen para nesh si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e ndjeshmërisë dhe të mençurisë. Poeti shkruan për jetën, për dashurinë, për atdheun, për botën, për kuptimin e jetës dhe për pavdekësinë e shpirtit. Poezia e Remzi Bashës është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës dhe të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të poetit Remzi Basha.

Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është kryeengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës së mbushur me fjalë, lule dhe flutra. Vlen ta ripërkujtojmë faktin se poeti dhe poezia shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Ai është një verigë që e ndërlidh botën e sotme me botën e ardhmërisë. Poeti është një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Ai është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Poezia është jeta e shpirtit tonë. Ajo është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezia e Remziut është një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.

E kemi thënë paraprakisht se Zoti na ka krijuar që të shkruajmë libra! Ky libër u kushtohet gjithë shqiptarëve që e donin apo e duan Shqipërinë si gjithë vendet perëndimore me demokraci të zhvilluara! Remzi Basha shkruan me zërin e zemrës dhe me dritën e shpirtit. Ai din ta nxjerrë shpirtin prej vetes dhe t’ia dhurojë personazheve që kërkon t’i përjetësojë. Kështusoj, ai din të meditojë, krijojë dhe begatojë bibliotekën e sentimenetev letrare me një libër të dashur për lexuesin. Duke deshifruar thelbin e mendimeve të tij, metaforikisht kuptojmë se fjalët kapen dorë për dore dhe ngjiten shkallëve të qiellit, për të vajtur në planeta tjera, duke na mahnitur me kuptimin e kohës, me kuptimin e jetës dhe me dritën e së vërtetës. Para nesh kemi një botë ideshë të përlindura ku fjalët nusërohen me fjalë. Kuptimi i kohës është guximi dhe aftësia për të vajtur nga drita në dritë. Duke e shkundur pluhurin e fjalëve, autori din të lexojë, të meditojë dhe të krijojë një tufë të bukur fjalësh që nuk vdesin kurrë.

Poeti shkruan për njeriun, për jetën, për fëmijët, për prindërit, për motrën, për atdheun, për botën, për dashurinë dhe pavdekësinë. Poezia është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është fuqia e parë dhe subjekti elementar i frymëzimeve të poetit Remzi Basha. Shëmbëlltyra e dashurisë është drita hyjnore që e shemb errësirën, duke i shndërruar bjeshkët në anije fluturuese.

Bota e Remzi Bashës është kështjella e dashurisë ndërmjet njeriut dhe universit. Mendimet e tij premtojnë mirësi, harmoni, ndjeshmëri dhe dashuri. Dashuri ndaj Zotit, ndaj librit, ndaj familjes dhe atdheut. Faltorja është ndërmjetësuesja mes Zotit dhe njerëzve. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon në shpirtin tonë dhe jetën tonë. Dashuria dhe poezia janë Drita e Përjetësisë. Vëllimi respektiv vjen si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e ndjeshmërisë dhe të mençurisë. Me realitet dhe sensibilitet, poeti bëhet mbret.

Poeti duket si një fëmijë i degdisur nëpër etapat e epokës së tokës që fluturon në univers. Shpirti i fjalës së tij e zbulon qiellin dhe ik edhe përtej diellit fjala e tij, për të zbuluar ndonjë univers të ri. Autori vjen me ujëvarë fjalësh të denja për arkivim në rafte bibliotekash. Shpirti i tij luan si loti në syrin e fëmijës. Aq plak duket poeti kur mbetet pa fjalë, saqë asnjë vdekje s’mund ta prekë. Thonë se janë të çmendur poetët! Por asnjë spital s’ia jep këtë diagnozë. Gjaku i fjalëve të tij e skuq universin, dhe vjen pajtimi me faljen e harresën. Fjala e poetit e kurdis besimin e shpresën. Lulet, femrat, idealet dhe fjalët janë pjesa më e bukur e natyrës. Remzi Basha din ta shndërrojë çastin në përjetësi. Bota e poezive të tij është bota e ndjenjave që e lidhin tokën me qiellin. Arti është jetë dhe jeta është art. Krenaritë e artistëve janë aq të mëdha, saqë edhe Himalajet janë të vogla para tyre. Remzi Basha din të vallëzojë me përjetësinë Duke ëndërruar një botë të përmbushjes së plotë, ku nuk ka dhimbje, shqetësime, pleqëri e vdekje, por vetëm dashuri.

Remzi Basha vjen para lexuesit me brishtësianë e ndjeshmërisë poetike. Ai është kosovari që mediton për Kosovën, shkruan për flamurtarin e pavarësisë, për Ibrahim Rugova, për Jusuf Gërvallën, dhe klith nga ngazëllimi i çrobërimit të Dardanisë. Poeti shkruan për muzgun e Prishtinës dhe qytetin që të jep energji shpirtërore, duke i përkujtuar dëshmorët e kombit dhe zërat e dëshmorëve që janë mbledhur lart në qiell. Remziu është poeti i emigracionit ku grimcat shkëlqejnë drejt brigjeve të reja. Kënga e tij është vallja e fjalëve dhe vajza e valëve që e priste dashurinë në brigjet detit.

Remziu është një meteor i shkëputur nga qielli i brishtë i Atdheut. Poeti e ka zgjedhur fjalën si instrument për ta afirmuar Kosovën dhe Shqipërinë tejmatanë brigjeve të tyre. Ku e gjen poezinë kjo pendë e frymëzuar! Remzi Basha është një botë fjalësh që pyet botën: Ç’po bëj unë këtu? Ai është zëri i zemrës, shpirti dhe ndërgjegja e nusëruar me frymëzim fjalësh që e mbështesin kokën në gjoksin e malit. Remziu e dëgjon gurgullimën e krojeve atje ku ndjen se bulojnë miliona këngë. Autori i kësaj vepre ndjen pemët si lëshojnë sythe, ndjen aromën e nënës e të motrës, dhe pranverën që e rriti me këngë. Edhe pse mban mbi supe një turmë pranverash të frymëzuara, Remzi Basha është një këngë e re e lirikës shqipe në mërgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat