Vdekja e Lorës

Kultura

Vdekja e Lorës

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 17:31
Frederik Rreshpja

Poezi nga: Frederik Rreshpja

Rri në muzg sikur të janë rrëzuar kohërat përsipër,
gati për përjetësi.
Nuk më flet. I ke premtuar vdekjes, e kuptoj.
Por ti në këtë botë erdhe për mua, jo për qiejtë.
Kemi qenë përhere bashkë, që të rinj,
dhe tani më le!

Mua më trishtojne stinët. Ti e ke ditur,
dhe me botën më ndan një udhë me kilometra vetmi.

Kemi thënë gjëra që s’kanë për t’u kuptuar kurrë.
Kemi ecur ne tërë shekujt, para piramidave.
Emrat tanë kanë qenë gdhendur
edhe kur nuk kishim shkëmbinj.

Por këto s’kanë për t’u përsëritur më kurrë.
Si ungjijtë.

Të dy kemi qenë gjithmonë të bukur, por ti tani,
je akoma më e bukur, kështu, me pak vdekje në sy…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat