‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’, romani më i fundit i shkrimtarit Skifter Këlliçi

Kultura

‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’, romani më i fundit i shkrimtarit Skifter Këlliçi

Më: 21 shkurt 2021 Në ora: 17:19
Kopertina e librit

Pas romanit ‘Shtatori i gjëmës së madhe’, kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit në kullat binjake të Nju Jorkut, në të cilën   midis 3000 viktimave ishin dhe e tre shqiptarë, personazhe të romanit, shkrimtari Skifter Këlliçi del para lexuesve me romanin ‘C 35 US rënë në tokën shqiptare’ këtë radhë me temë shqiptaro-amerikane. Romani merr shkas   nga një ngjarje e vërtetë:

Në nëntor të vitit 1943 një avion ushtarak amerikan   po drejtohej për në Bari, për të marrë ushtarë amerikanë të plagosur rëndë   në luftime kundër nazistëve gjermanë dhe për t’i shpënë në Spitalin Ushtarak Amerikan në Katania. Por për   shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe prishje së radiomarrësit, avioni u detyrua të ulej në Belsh të Elbasanit, ku u prit me ngrohtësi nga banorët vendas. Që aty, për dy muaj nis aventura e grupit të mjekëve dhe infermierëve, djem dhe vajza amerikane, që të ndihmuar nga fshatarë të viseve të   Shqipërisë së Jugut, iu shmangën ndjekjeve të njësive të pushtuesve  gjermanë,kaluan në fshatra të Korc$ës, Gjirokastrës dhe Vlorës,të mbrojtur dhe nga formacione partizanësh dhe ballistësh, që lanë kundërtitë midis tyre, dhe   arritën në brigjet e Karaburunit, ku u morën nga një anije angleze dhe u derguan në Bari. 

Po botojmë fragmentin e fundit te romanit.

Hodoja se bashku me Abazin dhe disa trima të tjerë të tij, po ktheheshin nga Dhërmiu ku kishin shoqëruar amerikanët, për në Dukat. Ballistët e tjerë ishin bashkuar me forcat gjermane. Por, kur dëgjuan krismat e armëve, u ndalën dhe kthyen kryet andej nga vinin ato krisma, andej nga deti, andej nga ishte duke ardhur anija, ajo që do të merrte grupin e amerikanëve, por vetëm nëse partizanët, dhe ata vetë, do të mposhtnin dhe asgjësonin gjermanët.

 – Hodo, i pritëm amerikanët sipas zakonit si miq dhe i shoqëruam deri te caku ynë si të tillë, – tha Abazi me një zë që shprehte ndërdyshje, lëkundje, ngurrim. – Tani ata dhe partizanët, gjithashtu sipas zakonit, janë armiqtë tanë.
 Ai heshti, si të kishte frikë të shprehte atë pezëm që po mposhtte në vetvete, por pastaj ndrojturazi tha: 
 – Por mua nuk ma thotë zemra t’i quaj armiq.
 Hodo nuk bëzani.

 – Hodo, po hidhem të luftoj krahas tyre, – vazhdoi pastaj Abazi.

– Por tok me ta po luftojnë partizanët?! – nënqeshi përvuajtshëm Hodoja.

– Unë do të luftoj që të mbroj amerikanët, – tha Abazi.

Nuk priti se ç’do t’ i thoshte Hodoja, që mund ta qortonte, që mund t’i kanosej, që mund t’i dilte përpara dhe të rrekej ta ndalte. 
Nga ana tjetër, Hodoja u mat pastaj të shtonte se po ai po bënte gabim të rëndë, por u rrëkut i tëri, kur pa se edhe ballistët e tjerë ndoqën Abazin. Me sy të vëngëruar deshi t’i ndiqte, deshi të klithte, të sokëllinte, të ulërinte si shtazë e egër, por nuk bëri gjë tjetër, veçse vështroi nga bregdeti, atje ku lufta vazhdonte, atje ku ballistët e tij ishin tani bri amerikanëve dhe partizanëve, kundër gjermanëve, në shërbim të të cilëve ai vetë ishte vënë.

Dhe ashtu mbeti…

Amerikanët vazhdonin të luftonin. Djem dhe vajza. Me ta si ngaherë edhe Kosta, së bashku me partizanët. Ata, djem dhe vajza e kuptonin se ky ishte rasti i fundit për të shpëtuar, sepse, nëse nuk fitonin në këtë betejë, nuk do të ishin më të ndjekur nga gjermanët, por skllevërit e tyre. Ndaj duhej të asgjësonin së pari artiljerët e topave kundërajrorë gjermanë. 
Javë më parë strukeshin dhe luteshin atje në avion që ai të mos goditej nga predhat që lëshonin artiljerë armiq kundër tij. Tani ata nuk strukeshin dhe as luteshin, tani pas guroreve, ata goditnin, së pari artiljerët, që do të qëllonin kundër anijes, e cila po vinte, anijes që do të sillte lirinë e tyre. 

Disa gjermanë, duke ecur të kërrusur dhe pastaj duke u zvarritur, arritën t’i dilnin pas krahëve grupit të partizanëve, bashkë me të cilët vazhdonin të luftonin amerikanët. 

Ishin çaste të mynxyrshme. Por lëvizjet e tyre i pikasi Rikardoja, i cili i ndoqi me sy, i strukur pas shkëmbinjsh dhe me mitralozin e tij që nuk e kishte ndarë kurrë nga dora, që kur kishin zbritur nga avioni në Belsh, me breshëri të shtënash arriti t’i rrëzonte të vdekur.

Erdhi një çast dhe beteja mbaroi. Gjermanët, duke parë se po pësonin humbje të mëdha, u tërhoqën dhe autokolona e tyre u kthye andej nga kishte ardhur.

Në të dy anët e rrugës shiheshin tani të vrarë të forcave ndërluftuese. Midis tyre Gareth Tejlori, radisti anglez. Kishte mbetur i vrarë edhe Diegoja, italiani, që edhe ai me aq dëshirë ishte bashkuar me amerikanët. Kishin mbetur të vrarë dhe plagosur ballistë dhe partizanë. Kishin mbetur të plagosur rëndë edhe Billi me Polin. 

Çarlsi po ndihmonte një partizan të plagosur, i cili, ngaqë nuk fliste dot nga dhembjet e plagëve në kraharor, bëri me dorë, diku tutje nga shkëmbinjtë. Çarlsi vështroi andej dhe shqoi një ushtarak shtatlartë gjerman, një gjeneral me trup dhe me sy të mbërthyer tek ai. Dhe nuk po ia ndante. Me automatikun të ngrehur zuri t’i afrohej deri sa u ndodh vetëm disa hapa larg tij.

Çuditërisht, gjenerali gjerman nuk lëvizi, nuk u kthye, nuk ia dha vrapit, ashtu siç ndodh zakonisht ne beteja ku humbësit marrin arratinë, për t’u shpëtuar ndjekjeve të armiqve ngadhënjyes, të cilët nuk e kanë të vështirë t’i arrijnë, t’i kapin dhe, ajo që është më e tmerrshmja, t’i vrasin mizorisht. Dhe e kishte këtë mundësi. Prapa shpatullave të gjeneralit gjerman nderej një hapësirë e pamatë, një pyllishtë veshur me drurë, shtigje, e monopate, ku ai mund të depërtonte, mund të humbte gjurmët dhe natës së thellë dhe të nxirosur, të kaptonte brigje e gërxhe dhe, ndonëse i uritur, i etur, i çartur, të arrinte i shpëtuar tek të tijtë, që po ndereshin paprashëm në krahinat e jugut të këtij vendi. 

Jo, ai qëndronte dhe dukej sikur po priste atë vetë, Çalsin, si ta kishte mik të hershëm, me te cilin, befas një ditë kishte pasur grindje kaq të ashpra, për çështje sedre a nderi, që duhej të shoshiteshin vetëm me dyluftim.

Por Çarlsi pikasi që ai nuk kishte armë në dorë. Për më tepër, mbante krahët të lëshuara poshtë, sikur të dëshmonte se nuk kishte ndërmend të luftonte, as edhe të përleshej trup me trup me të, ashtu si në mundjet e kahershme greko-romake. 
 Ai qëndronte para tij i ngurtësuar, si shtatore e gjallë, me sy të prushitur, vështrim të bishëruar, si të ( si të donte të tregonte se) arma e tij e fundit ishte goja, nga buzët e tij të zhuritura të së cilës do të shpërthenin fjalë të serta, përzhitëse, që do ta goditnin atë, po me fuqinë e predhave. 

Dhe ashtu ndodhi.

– Zoti amerikan, jam gjenerali nazist Henkel, – tha pastaj me përçmim dhe krenari. – Siç e shihni, po ju pres i çarmatosur, ndonëse kisha mundur që nëpër këta shkëmbinj dhe pyllit pas të zhdukesha dhe kështu të shpëtoja, por me turp. Pata premtuar t’ju kapja, ose ndryshe do të vrisja veten, t’ju kapja ju dhe shokët tuaj, që ratë nga një avion juaji këtu, në tokën shqiptare por, për habi të gjithkujt, u mbajtët nga populli i saj, që kaq shumë ju mbrojti dhe tani po ju shpëton. Nuk dua kurrsesi të bëhem rob juaji… 
Çarlsi nuk arriti të kuptonte se ç’po ndodhte, por kur vuri re se gjenerali diç shtrëngoi brenda gojës, se pastaj fytyra iu ngërdhesh dhe u plandos pa lëvizur përtokë, besoi se ai i kishte dhënë fund jetës së tij.

 Barka të lëshuara nga anija po merrnin me ngut amerikanët në bregdet. Në barkën e parë Rikardoja me shokët ngjitën me vig Billin dhe Polin, të cilët nga plagët rënda kishin humbur ndjenjat, pastaj zemërsfilitur edhe kufomën e Tejlorit dhe të Diegos. 
Kur barka e dytë po i afrohej anijes, Violeta dhe Çarlsi u habitën kur në kuvertë shquan Xhonin që ua bënte me dorë.

– Xhon, ti këtu? – tha pastaj Violeta duke u përqafuar plot mall me të.

– Po, Violetë, unë i tëri, – iu përgjigj Xhoni.

Pasi u përqafuan dhe me Çarlsin, Xhoni u tha:

– Solla me avion në Bari teknikë që të ndihmojnë forcat tona për ndërtimin e disa fortifikatave. Dhe gjeneral Kallageri me dha leje të nisesha me këtë anije angleze, që të ktheheshim bashkë.
Pa mbaruar mirë këto fjalë, ai e përfshiu Violetën në krahët e tij dhe e puthi sërishmi.

– Po puthu dhe ti, Donikë me Rikardon, paçka se gjithnjë keni qenë bashkë, – tha Çarlsi, që nuk e kishte zakon të bënte shaka.

– Nuk po ta prishim, Çarls, – tha Rikardoja dhe nisi ta puthte Donikën. 

Ndër amerikanet e fundit që kishte mbetur në breg, ishte Agnesi. Ajo ktheu kryet nga Kosta. Pastaj iu afrua dhe qëndroi përballë tij. Pa ia ndarë miklueshëm sytë, pa shqiptuar asnjë fjalë. Vetëm zgjati dorën; gishtat e saj prekën ballin, fytyrën e Kostës. Pastaj edhe ai zgjati kokën dhe buzët e saj u puthitën me buzët e tij.
Atëherë ai nderi të dy duart dhe i vuri pas shpatullave të saj; të dy u ngjeshën pas njeri- tjetrit, aq sa u duk sikur ata po treteshin, si të ishin një trup, një shpirt, një zemër e vetme.

 E kredhur tani në një përhumbje dalldisëse, ajo vazhdoi ta puthte edhe më dendur, në sy në ballë, përsëri në buzë, si të donte të shuante me këto puthje tërë atë afsh dashurie dhe përmallimi që kishte ndrydhur në shpirt gjatë atyre javëve që ata ishin njohur. 
 – Të dua shumë, shumë, Kosta, – mundi të thoshte, megjithëse e kuptonte që me ato puthje zhuritëse kishte shprehur gjithçka
– Edhe unë, Agnes.
 Të dala nga goja e tij ato fjalë tingëlluan si shushurimë.

 – Atëherë, përse nuk vjen me mua në Amerikë?
 Kosta heshti një grimë.

 – Të kujtohet ç’më the atë ditë kur po bisedonim në spitalin partizan?- e pyeti me aq drojë dhe me aq brishtësi, thua se pa dashur po e fyente.

 Edhe ajo heshti një grimë dhe e mbështolli me një vështrim sylëbyrës.

 – Po, Kosta, – mërmëriti pastaj dhe sytë iu venitën: “Për dashurinë jap jetën, për lirinë jap dashurinë”. Petëf.

E puthi sërishmi, pa mundur të mbyste në vetvete një thirravajë. Edhe Kosta. 

Dhe ashtu siç shkëputet me vështirësi një magnet nga një magnet tjetër, ata gjetëm fuqi të shkëputeshin nga njëri-tjetri. Agnesi hipi në barkë dhe nuk e ktheu kokën pas.
Kosta mbeti vetmitar në breg dhe i bëhej se ndiente ende erëmimin e trupit, fytyrës dhe buzëve të saj.

– Pa na rënë në sy, u dashuruan në heshtje gjatë këtyre javëve që u ndodhëm në Shqipëri, – tha Çarlsi, që po i ndiqte me vështrim të përkorë nga barka tjetër.

– Dhe po në heshtje po ndahen, – tha nga Margareti pranë tij. – Ky qe dhe fati i dashurisë së tyre të trishtë.

Kur anija u nis, të gjithë në kuvertë përshëndetën edhe një herë Kostën, që vetmonte ende në bregdet. 

– Kosta Stefi! – tha Çarlsi dhe iu bë se një mallëngjim drobitës po zgavronte qenien e tij. – Ç’njeri i mahnitshëm! Bëri tërë atë rrugë dhe vuri kokën në rrezik që ne të shpëtonim!

– Po Hasani, – tha Davidsoni, – të cilit u shtrëngova t’i prisja një këmbë, pa anestezi, ai që për pak dha jetën, që të na lidhte me misionin anglez! Pastaj edhe ai bashkëfshatari i tij dhëndër, që la gruan përjetësisht kërcure natën e parë të martesës, që të na gjendej neve pranë. 

 – Po ata fshatarë që edhe shpirtin ishin gati te jepnin për ne! – tha Bergmani.

– Po Kamberi, ai fshatari që u vu përballë atij oficerit gjerman dhe u vra për të më shpëtuar mua dhe dhe Agnesin! – tha Margareti.

– Po ata partizanë që na dhanë zemër edhe neve, vajzave, të luftonim kundër gjermanëve! – shtoi Gertruda.

 – Po Tejlori, radisti anglez, që na lidhi me Katanian, që na shoqëroi deri këtu dhe u bë edhe ai theror për ne! – tha Billi, që, ashtu si të tjerët nuk mbajti dot lotët.

– Nuk do të harrojmë kurrë edhe ata ballistë me Hodo Memon, që na pritën dhe na përcollën, – tha pastaj me gulç Donika. – Besoj, Agnes, i ke mbajtur shënim të gjitha këto ngjarje, që përjetuam në këtë vend kaq të vogël, në atdheun tim, të quajtur Shqipëri?

– Po, Donikë, të gjitha i kam mbajtur shënim, – iu përgjigj Agnesi ende e mbytur në lot, gjithnjë pa e kthyer kryet nga bregdeti. 

Edhe Kosta pa se si anija më së fundi u imtësua dhe iu tret nga pamja. Atëbotë, ndjeu se dikush e preku nga pas. Ishte Hodo Memo.

Pasi Abazi dhe ballistët e tjerë e kishin lënë vetëm, kishte zbritur edhe ai në bregun e detit, që edhe ai t’u jepte amerikanëve një lamtumirë, por nga larg.

– Çështja për shpëtimin e amerikanëve na bashkoi edhe ne, ballistë e komunistë, – i tha Hodoja, si të rënkonte. – Doemos, sepse ata janë aleatët më të mëdhenj në këtë luftë, kundër fashizmit gjerman, që rrezikon botën, – tha Kosta. 

– Dhe që nga ky çast ne ndahemi, për t’u bërë përsëri armiq. Përse, Kosta? – pyeti i trandur Hodoja dhe sytë iu muguan. 

– Sepse ju po bashkëpunoni me gjermanët, Hodo, – iu përgjigj Kosta edhe ai trandur. 

– Vetëm e vetëm që të mposhtim komunistët, për të bërë më pas një Shqipëri demokratike. Kurse ju jeni bërë palë me komunistët serbë, që në Shqipëri të vendosni një diktaturë të egër, si në Rusi!
 Kosta mbeti i shugatur.

– Ke hak, – tha pastaj zemërlavosur. – Sidoqoftë, ne, vëllezër të një gjaku, duhej të ishim bashkë në këtë luftë të madhe dhe të përgjakshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat