Kënga e ëndrrës së muruar

Kultura

Kënga e ëndrrës së muruar

Nga: Rexhep Kasumaj Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 12:13
Rexhep Kasumaj

Atdhe Geci,

poet i rrëkesë së gjakut dhe

vesës së luleve,

i ëndrrës së muruar

dhe, ah, dhimbjes së bukur,

i ofshâmës së atdheut dhe

Poet sallonesh të frakut të zi,

i kujtesës së ndaluar

dhe heshtjes së varreve,

i dashurisë fluturake dhe

shiut, i shiut të vjetër, të trishtë...

 

Poet i pritjeve të muzgëta

dhe i takeve që s'vijnë,

i lirisë së pazot dhe fëmijës

në udhë bote,

kryengritës kundër zotave

tokësorë

dhe i lutjes për mrekullinë tek humbet

në udhëkryq,

poet i lumnive të vogla

ngujuar në Urnën

mbi komodinë dhe

agut kur dielli mungon...

Poeti i vargut mnerisht të bukur

t'besës së prerë dhe

pëndesës mashtruese

në Altar,

 

poet i udhëtimit të shkronjave

drejt zemrës

dhe qiellit të mugët,

zogjëve shteghumbur

ndër rè e stuhira dhe korbave të zisë,

pastaj...ngaherë...

Poet i Fjalës së Muzës që, ah,

ndonjëherë, mëkaton...

dhe pra, këndoje këngën

e ëndrrës së muruar,

ti, përjetësisht poet kryengritës

i Dhèut të Arbërit!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat