“Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit Kadare 2021

Kultura

“Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj, fitues i Çmimit Kadare 2021

Nga: Gani Mehmetaj Më: 1 mars 2021 Në ora: 08:27
Gani Mehmetaj

Romani “Zogjtë e qyqes” do të vijë së shpejti në duart e lexuesit nga shtëpia botuese UETPREES, ndërsa ceremonia e dorëzimit të këtij Çmimi do të organizohet në datë 12 mars 2021.

Romani “Zogjtë e qyqes” i autorit Gani Mehmetaj shpallet fituesi i Çmimit letrar “Kadare” 2021, ndërsa 5 finalistët e kësaj gare me dorëshkrime në prozë ishin autorët Behar Jacaj, Ballsor Hoxha, Arbër Ahmetaj  dhe Marcel Hila. Ceremonia e dorëzimit të këtij Çmimi do të organizohet në datë 12 mars 2021.

“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet  kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme, si edhe shpërfaqja e tyre dinamike. Romani “Zogjtë e qyqes” trajton me vlera të spikatura letrare artistike, urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjellta, dashurinë e pa realizuar  që e intrigon lexuesin, ndërsa pasuron letrat shqipe.

Gazetar, publicist, shkrimtar, dramaturg dhe kineast, Gani Mehmetaj, (1955), ka lindur në Pejë, ndërsa është autor i mirënjohur i një numri veprash të spikatura.

Në edicionin e gjashtë të këtij konkursi, nismë e Institutit Pashko, morën pjesë me veprat e tyre në dorëshkrim në gjininë e prozës 30 autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, duke shenjuar një produkt të lavdërueshëm në shkrimtarinë shqip.

Juria e kryesuar nga shkrimtari Preç Zogaj, kishte në përbërje të saj profesorin e filozofisë Blerim Latifi, shkrimtarin Loer Kume, shkrimtarin Ermir Nika, si edhe studiuesen e letërsisë Genciana Abazi.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Preç Zogaj veçoi në mbyllje të kësaj gare: “Mund  të them se me edicionin e tij të gjashtë, Çmimi “Kadare”  vijoi  përmbushjen e  qëllimeve dhe synimeve të veta: të nxisë të shkruarit letrar në shqip, të zbulojë, identifikojë dhe promovojë cilësinë e  të shkruarit në prozë. Autorë të rinj  mjaft të  talentuar, emra pak të njohur apo të panjohur ende  por me potenciale krijuese, autorë të afirmuar  që  kanë tashmë një  numër  veprash të botuara,  vendosur në Shqipëri, në Kosovë dhe në vende të ndyshme të botës, banorë në atdheun e  gjuhës shqipe – kjo ishte galeria e autorëve.  Subjektet nga  aktualiteti, e shkuara apo edhe futuriteti aty-këtu, si dhe stilet e larmishme, paraqitën një mozaik  të letërsisë  klasike  e neoklasike dhe asaj  eksperimentale – të gjitha këto  nën një emërues të përbashkët, që është  kultura e  mirë e të shkruarit.

E drejta e autorit të veprës fituese është e Botimeve UET PRESS, si pjesë e Kolanës Leteratura. I gjithë projekti i çmimit “Kadare” ka një vlerë prej 10 000 eurosh, ku përfshihen: Kontrata individuale me autorin, botimi i veprës, promovimi, e drejta e autorit dhe organizimi i Shkollës Dimërore të Humaniteteve, një aktivitet me tryeza debati mbi tema të ndryshme me fokus letërsinë shqipe, ku marrin pjesë shkrimtarë, përkthyes, studiues, profesorë e personazhe të botës së librit dhe mendimit.

Autori fitues, sipas Statutit të këtij Çmimi, do të jetë pjesë e tryezave letrare, promovimeve apo takimeve me lexues dhe median që i shërbejnë promovimit të librit dhe çmimit “Kadare”. Instituti Europian “Pashko”, përmes Botimeve UET PRESS dhe kolanës Leteratura, një kolanë kushtuar letërsisë shqipe, ka të drejtë për të përzgjedhur për botimin edhe dy vepra të tjera mes pesë finalistëve.

Me një traditë të konsoliduar tashmë me 5 autorë fitues që prej vitit 2015 kur nisi, Çmimi “Kadare” është një konkurs letrar që ka në fokus letërsinë shqipe dhe nxitjen e mbështetjen e autorëve shqiptarë.

Fituesit e Çmimit “Kadare” ndër vite:

Çmimin “Kadare” 2019, e fitoi Loer Kume si përfaqësuesi i një brezi të ri shkrimtarësh, me përmbledhjen me tregime “Amygdala Mandala”.

Në vitin 2018, fitues i Çmimit “Kadare” ishte shkrimtari Virgjil Muçi, me veprën “Piramida e shpirtrave”, ndërsa shkrimtari Musa Ramadani është fitues i këtij Çmimi  për vitin 2017, me romanin “Profeti nga Praga”.

Autori Shkëlqim Çela me librin me novela “Embriologji” ishte fituesi i Çmimit “Kadare” për vitin 2016, ndërsa fituesi i parë i Çmimit “Kadare” 2015, ishte shkrimitari Rudolf Marku me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N.”

Nga prononcimi i kryetarit të jurisë pas shpalljes së autorit fitues

Çmimi “Kadare”, përmbushje në vazhdimësi 

Preç Zogaj

Kishim disa vështirësi kësaj radhe.  Këtu nuk kam parasysh vetëm atë që na shkon menjëherë në mendje të gjithëve – kohën relativisht  të shkurtër,  e cila  diktoi një  përkushtim të shtuar në leximin dhe shqyrtimin e veprave të paraqitura në konkurs nga secili prej anëtarëve të jurisë. Kam parasysh edhe faktin se në këtë edicion pothuajse nuk pati  dorëshkrime te dobëta, nga ato që  dërgohen  për hobi apo thjesht për të marrë pjesë.

Shumica dërmuese e dorëshkrimeve  startonin nga një  nivel i  kënaqshëm cilësie. Ky fakt fatlum shndërrohet në  vështirësi, ndërsa  duhet të shkosh  drejt përzgjedhjes  së listës së shkurtuar dhe fituesit, gjë që automatikisht  ka si pasojë  eliminimin e veprave  konkonkurente në garë. Dua të them se anëtarët e jurisë më shumë  përzgjodhën kush kalon, se sa eliminuan. Përzgjodhëm  në bazë të shijeve  dhe kryqëzimit të mendimeve për secilën vepër, në një konkurs ku fituesi është një  dhe i vetëm. Juria ishte e bashkuar rreth veprës së shkrimtarit Gani Mehmeti.

Në konceptimin e tij nga Universiteti  Europian i Tiranës, Çmimi letrar “Kadare”  ka për qëllim të nxisë të shkruarit letrar në shqip, të zbulojë, identifikojë dhe promovojë  cilësinë e  të shkruarit në prozë.  Shkrimtari  Ismail Kadare ka vendosur  një standard shumë të lartë kombëtar e ndërkombëtar  të mjeshtërisë së të shkruarit. Çmimi me emrin e tij, në këtë kontekst aspiron që autorët dhe letërsia shqipe,  që shkruhet në vazhdimësi,  të mbajë si pikë referimi pikërisht këtë standard që garanton letërsi të mirë e  shumë të mirë. Duke kuptuar këtu jo imitimin a  plagjiaturën,  por ekzigjencat e larta që mund të shprehen në një larmi stilesh e eskplorimesh letrare origjinale.  Mund  të them se me edicionin e tij të gjashtë, Çmimi “Kadare”  vijoi  përmbushjen e  qëllimeve dhe synimeve të veta.  Autorë të rinj  mjaft të  talentuar, emra pak të njohur apo të panjohur ende  por me potenciale krijuese, autorë të afirmuar  që  kanë tashmë një  numër  veprash të botuara,  vendosur   në Shqipëri, në Kosovë dhe në vende të ndyshme të botës, banorë në atdheun e  gjuhës shqipe – kjo ishte  galeria e autorëve.  Subjektet nga  aktualiteti, e shkuara apo edhe futuriteti aty-këtu, si dhe stilet e larmishme, paraqitën një mozaik  të letërsisë  klasike  e neoklasike dhe asaj  eksperimentale – të gjitha këto  nën një emërues të përbashkët, që është  kultura e  mirë e të shkruarit.

Njëherë e një kohe, siç mund të  shohim në ditaret e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi, shkrimtari lindte me predispozitën për të qenë shkrimtar dhe duhej të bëhej përmes të shkruarit. “ Duke shkruar përsoset stili”, nënvizonte  Tolstoi që shtonte: “Punë, punë, sa i lumtur jam kur punoj”.

Me ndjesinë se Çmimi “Kadare” u shërben autorëve për t’u  rritur e përsosur përmes punës mbi  dorëshkrime, kemi arsye të ripohojmë edhe nga ky këndvështrim se qëllimi i tij është një përmbushje në vazhdimësi.

Mbi romanin fitues “Zogjtë e qyqes” të shkrimtarit Gani Mehmetaj

Blerim Latifi

“Zogjtë e qyqes” është rrëfim intrigues për njerëzit dhe kohën, për dashurinë dhe urrejtjen, për shpresat dhe zhgënjimin. Një kolon serb, ndërsa mund të jetë kolon i cilitdo komb, përmes situatave e veprimeve, dialogut e përsiatjeve, paraqet  kronikën dyzetvjeçare të ngjarjeve, fatin e ardhacakëve dhe fatkeqësitë e vendësve. Ai përpiqet të bëhet objektiv, megjithëse ndonjëherë druan se është subjektiv, apo sikurse thotë vet, mos po mendoj si serb.

Ndërthurjet dhe konfliktet pastaj e zgjerojnë narracionin, e pasurojnë intrigën, e bëjnë dramën me dinamike, e ngrenë tensionin, i bëjnë të larmishme situatat. Ngjyrimet lokale janë të dukshme, koha është korniza që ia shton sharmin, e pasuron strukturën e brendshme të romanit.

Galeria e personazheve është e gjerë, etnitë e ndryshme: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë, komuniteti egjiptian. Ka edhe familje hebraike, ashtu sikurse është një familje e çuditshme hungareze, me vajzën e  bukur, në të cilën janë dashuruar të gjithë djemtë e lagjes. Në këtë mozaik është intrigues bjellogardisti i ardhur pas Luftës së Parë nga tundrat e Siberisë me laboratorin eksperimental.

Familjet e kolonëve janë interesimi kryesor i rrëfimtarit, por vendësit janë kureshtje dhe e panjohura e tij. Ai interesohet për ta, përpiqet të afrohet, t’u flasë, t’ua mësojë gjuhën, zë miqësi me njërin prej tyre, por rezervat e armiqësia e vjetër me paragjykimet e ngjyrimet etnike, rri pezul në ajër.

Personazhet e tij, serbët dhe shqiptarët janë mosbesues, paragjykues, me armiqësi të vjetra e të reja. Shpërthimet e konflikteve gjithnjë kërcënojnë që të marrin përmasa  të padëshirueshme.

Mbi këto rrethana e situata ndërtohet romani me shtrirje epike, përpjekje për portretizime psikologjike, fragmente të luftës, me të kaluarën e dy etnive që rëndon mbi ta si mallkim. Pastaj sikur nuk mjaftoi një luftë, së shpejti do të shpërthejë një luftë tjetër edhe më e egër, edhe më shkatërrimtare.

Nga frika e një shpërthimi, por edhe bezdia e konfrontimeve të vazhdueshme, protagonisti shpërngulet nga qyteti ku e kaloi fëmijërinë dhe rininë. Rrëfimtari është dëshmitar i drejtpërdrejt i ngjarjeve, vuan me viktimat, ndjek situatat, asnjëherë nuk largohet me shpirt dhe me mendje nga qyteti që e braktisi.

Romani “Zogjtë e qyqes” trajton urrejtjen në mes të serbëve e shqiptarëve, marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, dashurinë e pa realizuar  që e intrigon lexuesin.

Çunit të zgjuar që në fillim, përderisa udhëton me tren nga vendlindja në qytetin e ri, i bëhet fiksim kapiteni polak i kavalerisë, i vrarë nga malësorët, ndërsa nuk e kuptonte ç’deshi kapiteni polak në luftën e serbëve kundër malësorëve. Gjyshi ia kishte treguar rrëfimin e kapitenit polak, kurse ky e krijon mitin për të. Djaloshi jeton e fantazon rrëfimet e gjyshit, dëgjon pamje nga lufta, me sy të nxjerrë kafke, koka të prera e trup të gjymtuar. Secili nga pleqtë e ka nga një rrëfim për luftën me vendas dhe për betejat e fituara.

Babai i tij është ndryshe, i heshtur dhe i zymtë. Ai e mitizon edhe të atin, derisa kupton se ai nuk i ndjek të këqijtë nëpër male e kufij,  por torturon njerëz. Dhe këtu nis zhgënjimi i madh i djaloshit. Ai është djali i një torturuesi.

Kronika e tre brezave të familjes: gjyshit që e dërgojnë xhandar në tokat e reja, ndërsa me fillimin e Luftës së Dytë kthehet në vendlindje, pastaj babait që i ndjek hapat e gjyshit dhe bëhet milic i pushtetit popullor, nipi që kthehet prapë për  të vazhduar traditën, paqësimin e vendësve. Dhe bie në luftë…

Romani me shprehjet letrare dhe situatat e larmishme që na sjell, shenjon dramën e ndërlikuar të marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërnjerëzore në Ballkanin e mbizotëruar nga projektet e nacionalizmave të etur për territore, gjatë shekullit të kaluar, si dhe vështirësitë po aq të ndërlikuara për të hapur perspektiva të reja për paqen dhe për shndërrimin e dallimeve nën një shumësi vlerash, që nuk kërcënon të kthehet në pluralitet të urrejtjes, i mbajtur peng përgjithmonë nën kthetrat e përgjakura të historisë.

 Kush është fituesi i Çmimit “Kadare” 2021

Gani Mehmetaj (1955) është publicist, shkrimtar, dramaturg e kineast nga Peja. Mehmetaj ligjëron si profesor në Fakultetin e Arteve e njëherësh mban pozitën e drejtorit të Kosovafilm-it qysh prej vitit 2003. Gjatë viteve 1997-1999 ai ka punuar si redaktor e më pas kryeredaktor në gazetën “Rilindja”.  Është ndër krijuesit dhe intelektualët më të angazhuar në trajtimin e problemeve e fenomeneve devijante që e karakterizojnë kohën e tranzicionit, përkatësisht periudhën traumatike të pasluftës.

Veprat letrare:

“Kujtime të trishta”, tregime, (2010),  “Dardania press”, Prishtinë,

“Qyteti në ankth”, roman (2011)  “Dardania press”. Prishtinë,

“Aventurat e Lulisë” (Kalorësja e arratisur e bashkimit kombëtar), roman (2012),

“Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë (2014).

“Ilirianët”, tregime, 2015, “Dardania press”, Prishtinë,

”Ëndrra e madhe”, kujtime, Dardania press, 2015, Prishtinë,

“Zhvarrimi”, roman 2016, Dardania press, Prishtinë,

“Boritë e Apokalipsit”, roman 2017. “Dardania press”, Prishtinë,

“Kalorësit e Dardanisë”, roman 2019.

Ese filmi e publicistikë:

“Magjia e ekranit”- Kritikë filmi  (2005), “Kosovafilmi”, Prishtinë.

“Për shtetin e Dardanisë”, intervista me personalitetet politike, (2006), “Faik Konica”, Prishtinë.

“Dardani a Shqipëri etnike“, analiza, ese (2007),  “AIKD”, Prishtinë.

“Udhëkryqet pas Rugovës”, komente, ese (2007), “Dardania press”.

“Shqiptarët në vlimet ballkanike-1990-1999” (2008), shqyrtime, botoi “Titanic”, Prishtinë.

“Sfidat e pavarësisë “ (2009) analiza,

“Sharmi i filmit”, (2010) historia e kinematografisë në Kosovë dhe Shqipëri, “Kosovafilmi”.

“Kosova: Sfidat e pavarësisë” (2010), studim, Universiteti Ndërkombëtar i Strugës.

“Ëndrra e madhe”, kujtime (2015).

“A di zoti shqip”, ribotim i plotësuar 2016.

“Adaptim filmi, si të shkruash skenar origjina ose të frymëzuar nga romani, drama e kronika sociale e gazetës”, dedikuar studentëve të Akademisë së Filmit, botues Akademia Evolucion, Prishtinë, 2014.

“Kolosët e filmit” – pjesë nga historia e filmit, libër për studentë dhe për filmofilët.  botues Fakulteti i Arteve Mediale, Akademia Evolucion.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat