Drejtpërdorimi i përemrave në ligjërim

Kultura

Drejtpërdorimi i përemrave në ligjërim

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:49
Prof. Eroll Sejdiu

Në ligjërimin e folur dhe të shkruar vihen re përdorime të gabuara të trajtave rasore të përemrave vetorë. Më të shpeshta janë rastet e përdorimit të trajtave: neve, juve për: ne dhe ju, pra përdoret gabimisht trajta e rasës dhanore në vend të trajtave të rasës kallëzore dhe emërore. P.sh.: Neve e filluam punën (për: Ne e filluam punën).

Me veglat që kemi neve (për: Me veglat që kemi ne). E njëjta dukuri ndodh edhe kur përdoren me parafjalë. P.sh.: Nga neve priten suksese (për: Nga ne priten suksese).

Po kështu, vihet re që pas parafjalëve nga e te(k), përdoren format e rasës dhanore. P.sh.: Eja tek mua (për: Eja tek unë). Nga mua mos prit gjë të keqe (për: Nga unë mos prit gjë të keqe). Gabime hasen edhe gjatë përdorimit të trajtave të shkurtra. P.sh.: I tha atyre (për: U tha atyre). Ia dha atyre (për: Ua dha atyre). Na i dha fjalën (për: Na e dha fjalën).

Në ligjërim ka dhe përdorime të gabuara të përemrave pronorë. Kështu, dihet që përemri pronor vihet në rasën e emrit që përcakton, por ndodh që përdoret rasa kallëzore në vend të trajtës së dhanores ose rrjedhores. P.sh.: Iu përgjigj pyetjes time (për: Iu përgjigj pyetjes sime); prej shkollës time (për: prej shkollës sime); motrës time (për: motrës sime); kopshti i gjyshes tënde (për: kopshti i gjyshes sate).

Po kështu te përemrat pronorë vihet re dhe mospërshtatja në gjini. P.sh.: Qyteti jonë (për: Qyteti ynë). Rrethi jonë (për: Rrethi ynë). Mendimi jot (për: Mendimi yt).

Duhet pasur parasysh se përemrat: im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj: nuk marrin asnjëherë nyja të përparme. P.sh.: Shoku i im (për: Shoku im). Shoqja e ime (për: Shoqja ime). Miku i yt (për: Miku yt). Mikja e jote (për: Mikja jote). Shoqja e jonë (për: Shoqja jonë). Shoqja e juaj (për: Shoqja juaj) etj.

Edhe përemri pyetës “kush” shpesh përdoret gabim kur shoqërohet me emra: Kush nxënës mungoi? (për: Cili nxënës mungoi?); Kush roman të pëlqen (për: Cili roman të pëlqen?; po ashtu kur përdoret për të pyetur për frymorë në numrin shumës; Kush(!) erdhën? Duhet: Cilët erdhën dhe jo kush erdhën(!)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat