Remzi Basha shkruan me zërin e zemrës dhe dritën e shpirtit

Kultura

Remzi Basha shkruan me zërin e zemrës dhe dritën e shpirtit

Nga: Baki Ymeri Më: 1 mars 2021 Në ora: 21:05
Kopertina

Poeti dhe poezia shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Ai është një verigë që e ndërlidh botën e sotme me botën e ardhmërisë. Poeti është një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Ai është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Poezia është jeta e shpirtit tonë. Ajo është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezia është një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.

E kemi thënë paraprakisht se Zoti na ka krijuar që të shkruajmë libra! Ky libër u kushtohet gjithë shqiptarëve që e donin apo e duan Shqipërinë si gjithë vendet perëndimore me demokraci të zhvilluara! Remzi Basha shkruan me zërin e zemrës dhe me dritën e shpirtit. Ai din ta nxjerrë shpirtin prej vetes dhe t’ia dhurojë personazheve që kërkon t’i përjetësojë. Kështusoj, ai din të meditojë, krijojë dhe begatojë bibliotekën e sentimenetev letrare me një libër të dashur për lexuesin. Duke deshifruar thelbin e mendimeve të tij, metaforikisht kuptojmë se fjalët kapen dorë për dore dhe ngjiten shkallëve të qiellit, për të vajtur në planeta tjera, duke na mahnitur me kuptimin e kohës, me kuptimin e jetës dhe me dritën e së vërtetës. Para nesh kemi një botë ideshë të përlindura ku fjalët fejohen me fjalë. Kuptimi i kohës është guximi dhe aftësia për të vajtur nga drita në dritë. Duke e shkundur pluhurin e fjalëve, autori din të lexojë, të meditojë dhe të krijojë nga të një tufë të bukur fjalësh që nuk vdesin kurrë.

Mendimet e Remziut premtojnë mirësi, harmoni, ndjeshmëri dhe dashuri. Dashuri ndaj Zotit, ndaj librit, dashuri ndaj familjes dhe dashuri ndaj atdheut. Faltorja është ndërmjetësuesja mes Zotit dhe njerëzve, poeti është i zgjedhuri i Zotit, ndërsa poezia balsam i shpirtit dhe univers energjishë hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta. Poezia është mbretëresha e shpirtit dhe një zog, fluturimi i të cilit nuk mund të ndërpritet, aq kohë sa drita e ndriçon në shpirtin tonë dhe jetën tonë.

Dashuria dhe poezia janë Drita e Përjetësisë

Poezia është boshti kurrizor që e ndërlidh qiellin me tokën. Ajo është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është kryeengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës së mbushur me fjalë, lule dhe flutra. Poezia është mbretëresha e arteve kurse poeti një flutur që fluturon, fluturon dhe bie në zjarr duke u djegur pa u djegur.

Vëllimi respektiv vjen si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e mençurisë. Poeti shkruan për njeriun, për jetën, për fëmijët, për prindërit, për atdheun, për botën, për dashurinë dhe pavdekësinë. Poezia e Remzi Bashës është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Dashuria është subjekti elementar i frymëzimeve të poetit Remzi Basha. Dashuria është fuqia e parë. Shëmbëlltyra e saj është drita që e shemb errësirën, duke i shndërruar bjeshkët në anije fluturuese.

Poeti duket si një fëmijë i degdisur nëpër etapat e epokës së tokës që fluturon në univers. Shpirti i fjalës së tij e zbulon qiellin dhe ik edhe përtej diellit fjala e tij, për të zbuluar ndonjë univers të ri. Remziu vjen me ujëvarë fjalësh të denja për arkivim në rafte bibliotekash. Shpirti i tij luan si loti në syrin e fëmijës. Aq plak duket poeti kur mbetet pa fjalë, saqë asnjë vdekje s’mund ta prekë. Thonë se janë të çmendur poetët! Por asnjë spital s’ia jep këtë diagnozë. Gjaku i fjalëve të tij e skuq universin, dhe vjen pajtimi me faljen e harresën. Fjala e poetit e kurdis besimin e shpresën. Lulet, femrat, idealet dhe fjalët janë pjesa më e bukur e natyrës. Poeti din ta shndërrojë çastin në përjetësi. Bota e poezive është bota e ndjenjave, që e lidhin tokën me qiellin. Arti është jetë dhe jeta është art. Krenaritë e artistëve janë aq të mëdha, saqë edhe Himalajet janë të vogla para tyre. Remzi Basha din të vallëzojë me përjetësinë Duke ëndërruar një botë të përmbushjes së plotë, ku nuk ka dhimbje, shqetësime, pleqëri e vdekje, por vetëm dashuri.

Flamurtar i lirikës shqipe të mërgimit

Remzi Basha shquhet për thjeshtësinë dhe çiltërsinë e ndjenjës së hapur, aq sa të habit me theshtësinë dhe sinqeritetin. Ai e ka përpara syve botën e sotme urbane, por kulloshtra që derdhet në poezinë e tij është tejet e lashtë. Poeti kosovar në brigjete e mëndafshta të Skandinvisë shkruan me shpirt të lirë. Shpirtin e vargut të tij e flladit era që flet për vreshta me rrush të ëmbël, për kope me kuaj e turma shpendësh që i sodit në botë. Poeti nuk e harron kurrë Sllapuzhanin e tij ku u lind. As Beratin dhe as Tiranën, Korçën e Mallmon nuk i harron. Poezia e Remzi Bashës vjen më e pjekur si poezi lirike meditative ku ndjenja fshihet pas një cipe vetëpërmbajtjeje, një poezi moderne ku ruan qetësinë dhe nuk tërhiqet aspak nga errësira si modë. Poeti nuk e përbuz qartësinë si mungesë thellësie e supozuar. Kjo poezi karakterizohet nga një varg i lirë me ritëm të matur ku mendimet dhe ndjenjat alternohen si trokitje të shpejta me një diapazon të gjerë. Vargu i tij ngre tema të përjetshme, njëra nga to duke qenë dashuria.

Remzi Basha është flamurtari i lirikës shqipe të mërgimit që mediton për Kosovën, shkruan për Ibrahim Rugovën e Jusuf Gërvallën, shkruan për plisin e bardhë dhe klith nga ngazëllimi i çrobërimit të Dardanisë. Poeti shkruan për qytetin që të jep energji shpirtërore, duke i përkujtuar dëshmorët e kombit dhe zërat që janë mbledhur lart në qiell. Remzi Bsha është poeti i emigracionit, ndërsa kënga e tij është vallja e fjalëve dhe vajza e valëve që priste dashurinë në brigjet e detit ku pulëbardhat dhe dallgët vajtonin me zë. Ai është një meteor i shkëputur nga qielli i brishtë i Atdheut të çrobëruar nga demonët e pansllavizmit.

Ku e gjen poezinë kjo pendë e frymëzuar! Remzi Basha është një botë fjalësh që pyet botën. Ai është engjëlli që e bën atë që ia dikton zëri i zemrës, shpirti dhe ndërgjegja e nusëruar me frymëzim fjalësh që mbështesin kokën gjoksin e malit. Remzi Basha dëgjon gurgullimën e krojeve ku ndjen se bulojnë miliona këngë. Ai i ndjen pemët si lëshojnë sythe, ndjen aromën e nënës e të motrës, fëmijët e tij, Afërditën dhe pranverën që e rriti me këngë. Edhepse mban mbi supe një turmë pranverash të frymëzuara, Remzi Basha është një këngë e re e lirikës shqipe në mërgim. Remzi Basha është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare që digjet për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe ndaj fjalës dhe hijeshisë së saj. Në këtë kontekst, duke shfletuar librin e tij, konstatojmë se poezia është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me dritë dhe emocion.

Remziu njihet me një numër të konsideruar vëllimesh letrare të botuara në Shqipëri, Kosovë dhe Bukuresht. Ja lista e veprave të tij të deritanishme: Zëri i Atdheut, Fire in My Hands,, Zëri i Kosovës Ringjallja e Atdheut, Nusja nga Çamëria, (Dy)Ademat, Në tokën amë, Zjarr në duart e mia, Testamenti i dashurisë, Gëzimi i ëndrrave, Trimat e Dardanisë, Merrmë me vete, Drita e dashurisë, Gjeografia e atdheut dhe alfabeti i atdhedashurisë, Poezi bashkëkohore shqipe, Mbretëria e dashurisë, Fuqia e dashurisë, Bota e bekuar e dashurisë, Fuqia mgjike e dashurisë, Pranvera e dashurisë, Parajsa e dashurisë, Shpirtluanesha e Dardanisë, Perandoria e dashurisë, Porta e lumturisë, Me ty vjen pranvera, Vetëm për ty jetoj, Afërdita ime, Shpirti im i shenjtë, Ti je mrekullia ime, Dallgët e dashurisë, Lumturi hyjnore, Delta e dashurisë, Shtrati i dashurisë, Zjarri i dashurisë, Mosha e artë e dashurisë, Nuset e fjalës, Shija e dashurisë, Zanat e dashurisë, Nektari i dashurisë, Dallgët e dashurisë, Mjalti i buzëve tua, Lumturia, Perëndesha e dashurisë, Zemërzana a dashurisë, Stina e Dashurisë, Perlat e Shpirtit, Dashuri e pakufishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat