U shënua 31 vjetori i celulës së parë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit

Kultura

U shënua 31 vjetori i celulës së parë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit

Nga: Sadri Rexhepi Më: 1 mars 2021 Në ora: 23:04
Sadri Rexhepi

Në Prishtinë më 25 shkurt 2021 u shënua 31 Vjetori i themelimit të celulës së parë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Kosovës, ku morën pjesë disa nga themeluesit e asaj kohe të vitit 1990 dhe një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish. Në këtë Akademi shënimi të cilën e udhëhiqte jashtëzakonisht mirë poeti Rudi Berisha, veç të tjerëve me kumtesat e tyre u paraqitën Prof. Dr. Musa Limani, Prof. Dr. Sadri Rexhepi dhe Prof. Shefki Krasniqi etj. Prof. Musa Limani foli për rëndësinë dhe rolin e themelimit të celulës së parë të Sindikatës së Pavarur të Arsimit në mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor që nga cikli i ulët e deri te Universiteti.

Ai i përmendi edhe shumë emra që ishin aktiv në çështjet e lëvizjeve kombëtare që kishin të bënin edhe me avancimin e proceseve të pavarësisë së Kosovës. Prof. Limani e përshëndeti edhe ideatorin e parë të themelimit të celulës së parë të SPA, z. Sadri Rexhepin, me ç’rast e çmoi lart kontributin dhe angazhimin e tij në atë kohë tepër të vështirë nga dhuna e regjimit serb, që nuk ishte fare e lehtë dhe madje e rrezikshme për t’u marrë iniciativa të tilla. Ai foli edhe për kontributin e Prof. Dr. Xhafer Xhaferit, pas themelimit të celulës së parë mori iniciativën për themelimin e Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, Prof. Limani foli edhe për kontributin e Prof. Dr. Hajrullah Goranit, i cili më vonë u bë kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Kontribut kanë dhënë edhe udhëheqësit e Shoqatës së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” të Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Eshref Ademaj, Prof. Dr. Mujë Rugova, etj. Limani foli edhe për kontributin e atyre që i patën lëshuar shtëpitë e tyre për mbajtjen e mësimit apo siç i kanë quajtur shtëpitë-shkolla, me theks të veçantë foli për familjen Zhushi, në shtëpinë e së cilës ka mbajtur mësim Fakulteti Ekonomik.

Musa Limani foli edhe për rolin e kishave dhe xhamive ku janë mbajtur tubime të ndryshme me karakter humanitar dhe kombëtar. Ndërkaq, Sadri Rexhepi foli për rrethanat e vështira të themelimit të celulës së parë të sindikatës së pavarur të arsimit, kur si ideator kishte përgjegjësi të madhe në mbarëvajtjen e punimeve dhe për të mos ndodhur ndonjë eksces. Ai tregoi se i kishte njoftuar të gjithë drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Prishtinës për të marrë pjesë në themelimin e celulës së parë të SPA. Mirëpo, thirrjes iu kishin përgjigjur vetëm tre drejtorë e këta ishin Kadri Zeqiri, drejtor i SHF “Asim Vokshi”, Sylejman Salihu, drejtor i SHF “Emin Duraku” dhe Rrahman Jashari, drejtor i SHF “Zenel Hajdini” në Prishtinë. Pos këtyre tre drejtorëve në tubimin themelues të mbajtur në SHF “Emin Duraku” në Prishtinë, kanë marrë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i arsimtarëve të këtyre tri shkollave, ku u mor vendimi unanim për dhe u themelua celula e parë e SPA.

Ndërkaq, Shefki Krasniqi tha se në momentin se kur na ka njoftuar Sadriu për këtë ide të gjithë jemi habitur se nga i ka lindur kjo ide. Mirëpo, se kishte pas shumë të drejtë, sepse përmes sindikatës u realizuan shumë procese që kishin të bënin edhe në pavarësimin e Kosovës. Nga kjo sindikatë është kryer edhe financimi i mësimdhënësve nëpër shkolla pas tri vjetëve të punës në arsim pa pagesë. Në fund, të pranishmit shtruan shumë pyetje lidhur me rrjedhat e sindikatës deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës, ndërsa përgjigjet i dhanë Prof. Dr. Musa Limani dhe Prof. Dr. Sadri Rexhepi. Në këtë tubim u lexuan edhe tri telegrame përshëndetëse të dërguara nga Prof. Dr. Mujë Rugova, Halim Hyseni dhe poeti afirmativ dhe Zymer Mehani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat