Të lumtë Armend!

Kultura

Të lumtë Armend!

Nga: Driton Gashi Më: 4 mars 2021 Në ora: 16:11
Armend Rexhepagiqi

Gjithmonë më ndryshe se masa.

Më kreativ. Më i kulturuar. Më i arsimuar. Më njerëzor.

Më modest se shumë kolegë të tij, të cilët çdo ditë i sheh në televizione të cekëta dhe kanë shumë pak për të thënë.

Me ide shumë të veçanta, tekste shumë mbresëlënëse, me kompozime të rralla në skenën e muzikës shqiptare. Me një zë aq të papërsëritshëm e aq të bukur, nëpërmes të cilitarm që nga vitet e tetëdhjeta ka bartur emocionin e mesazhin e muzikës së mirëfilltë te gjeneratat e reja.

Kështu e njohim të gjithë artistin e rrallë dhe të kompletuar Armend Rexhepagiqin.

Me brezin tim jemi rritur me këngët e tij të para në fillim të tetëdhejtave, të cilat i këndonte me motrën e tij tani të ndjerë, artisten e madhe kosovare Violeta Rexhepagiq. Pastaj më vonë me bashkëshkorten e tij Aida Baraku, e cila krijoi aq shumë tekste të bukura për këngët e tyre, por edhe për artistë tjerë shqiptarë. Me këngë dashurie, vuajtje, këngë ironike, këngë për fëmijë e shumë të tjera ky çift mbajti gjallë skenën e muzikës së lehtë gjatë okupimit serb në Kosovën e viteve të nëntëdhjetë. Me paraqitjen e tyre në Festivalin e Këngës në Tiranë me këngën „Ti nuk më meriton“ ata i dëshmuan edhe publikut në Shqipëri se në Kosovë ka patur dhe akoma ka art të mirëfilltë, sidomos në kushtet e vështira të asaj kohe. Kreativiteti, muzikaliteti i lindur, shumëllojshmëria e kompozimeve, qasja bashkëkohore ndaj artit e jetës e shumë veti tjera Armendin e Aidën i bëjnë unik në Kosovë e Shqipëri.

Sa shumë u gëzova për koncertin e para disa ditëve!

Me sa emocion e përcolla!

Jo vetëm unë, të gjithë kishin po atë përshtypje të mirë dhe atë ndjenjë të veçantë, atë nostalgji të viteve të arta të muzikës shqiptare, të sjellur në skenë me aranzhman modern të mjeshtrit Florent Boshnjaku, kitaristit Valon Gashi etj. Baladat përrallore „Dashurinë ku e kam“ dhe „Edhe një herë“ padyshim se janë e do mbesin pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Poashtu këngët më të reja si „Shkel“, „Tavolina e mërzisë“ dhe „A don hala“ kanë arritur ti pushtojnë edhe zemrat e gjeneratave më të reja, çka dëshmon se Armendi e Aida gjithmonë janë në lëvizje, duke ecur me kohën, duke krijuar diçka të re, për të mos ngecur e u mburrur vetëm me sukseset nga e kaluara.

Kulminacioni i emocioneve ishte padyshim kënga „Nuk të harroj“, me të cilën Armendi përkujton motrën e ndjerë Violetën. Këtë këngë Violeta e pat kënduar në përzgjedhjen e këngës së Eurovizionit në vitet e tetëdhjeta. I shoqëruar me piano nga Florent Boshnjaku, Armendi shpreh me vargjet në vijim dashurinë e dhimbjen e madhe për motrën e tij, duke na bërë të gjithëve të qajmë:

„Nuk të harroj,

mundohem, e di se çdo gjë mbaron,

por nuk harroj, kujtohem se do të kujtoj, kujtoj

në lartësi, sërish të shoh,

buzëqeshem dhe kujtoj.“

Ky koncert padyshim se ia ktheu dinjitetin muzikës së mirëfilltë shqiptare. Shpresojmë se kjo ngjarje kulturore do lë gjurmë dhe do jetë një fillim i ri për të gjitha mediat, duke ju lënë hapësirën e duhur dhe duke ju dhënë përkrahje artistëve të vërtetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat