7 Marsi që më solli zhgënjim

Kultura

7 Marsi që më solli zhgënjim

Nga: Hajdar Mallaku Më: 6 mars 2021 Në ora: 20:29
Hajdar Mallaku

Sa herë vjen 7 Marsi - Dita e Mësuesit, gëzohem. Jo vetën pse e kisha profesion gjatë tërë jetës edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj, por edhe pse ky profesion e heq perden e errësirës dhe ia shtron me dritë rrugën e ardhmërisë njerëzore. Me këtë rast më dalin përpara të gjitha ato vite të sakrificës që bënë mësuesit e të gjitha brezave e sidomos ata të periudhës më të lavdishme të historisë sonë, të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, e cila u lartësua me hapjen e shkollës së parë shqipe me program kombëtar, shkollë e hapur në Korçë më 1887, me mësuesin e parë, Pandeli Sotirin. Më del përpara përgatitja ime shkollore në Normalen e Prizrenit, praktika pedagogjike në Prizren dhe Rahovec, kryerja e Fakultetit Filologjik, regjistrimi i studimeve posdiplomike dhe pamundësia materiale për t’i kryer ato, dhënia e provimit profesional, ndjekja e të gjitha trajnimeve për mësim bashkëkohor dhe puna 41-vjeçare në Lugishtë, në Zym, në Gjonaj dhe Prizren. Kujtimet nga puna më janë shumë të freskëta: kujtime të dhimbshme, të hareshme por gjithnjë krenare, me falenderim nga nxënësit, nga prindërit dhe nga shoqëria. Unë bashkë me shumë shokë e shoqe ishim njëra prej shtyllave kryesore të luftës për Pavarësi. Dhe kjo u arrit me lavdi.

Por mjerisht, duke shikuar diçka në ditarin tim personal, hasa dhe në këtë shënim. Shënimi fliste për 7 Marsin e vitit 2008, ditë që më solli njërin nga zhgënjimet më të madha në jetën time. As sot e asaj dite nuk më hiqet nga mendja si ndodhi kjo. Si patën mundësi pa kurrfarë brejtjeje ndërgjegjeje, as njerëzore, as profesionale, as politike të veprojnë ashtu me mua.

Isha në prag të pensionimit, kur më ftoi nga ora e mësimit, atëherë drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku”, Sadik Çoça dhe më tha:

“- Profesor Hajdar, më 7 Mars 2008, Ditën e Mësuesit, duhet të shkosh në Prishtinë bashkë me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë, atëherë zoti Florim Metaj, në manifestimin qëndror dhe do ta marrësh një shpërblim me rastin e 120 vjetorit të shkollës së parë shqipe; mirënjohje prestigjioze nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës për vitin shkollor 2007/2008. Prej çdo qyteti është propozuar nga një person dhe nga Prizreni jeni propozuar ju. Kjo është konfirmuar. Urime! Dhe kaq”.

“-Ju faleminderit për këtë!”- i them dhe kthehem në orë të mësimit.

U befasova për të mirë dhe u gëzova. Ja, thashë, më në fund i paskësh rënë në mend dikuj edhe për mua në fund të karrierës sime profesionale.

Atë ditë i përgatitur si për raste solemne udhëtuam me veturë të Komunës së Prizrenit për në Prishtinë, me drejtorin e Drejtorisë, Florim Metajn. Hymë në sallën ku po mbahej manifestimi solemn dhe për habi u ulëm me kërkesë të atij dhe ministrit të atëhershëm të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjitsë, zotit Enver Hoxhaj, në vende prestigjioze. Fill para meje ishte presidenti i Kosovës, zoti Fatmir Sejdiu, afër tij Steven Shook me përkthyes, ministra, zyrtarë të lartë të Drejtorive Komunale, punëtorë shkencorë që do të lexonin kumtesa etj.

Shoqëruesit e mi më patën ulur në skaj të rreshtit, në mënyrë që mos ta trazoja askë kur do të dilja për ta marrë mirënjohjen. U lexuan kumtesa për shkollat shqipe, u bënë vlerësime për rëzultatet e viteve të pasluftës, u bënë dhe përshëndetje për këtë ditë të shënuar dhe më në fund i erdhi radha ndarjes së mirënjohjeve. U thirrën emra nga qytete të tjera të Kosovës dhe kur erdhi radha te Prizreni, zotriu Florim Metaj më porositi që të bëhesha gati. Por u thirr një emër tjetër, jo unë. Ishte ky një emër që unë nuk kisha arsye të vlerësoja për të, as të krahasohesha me të, (tjetërkush i kish bërë këto vlerësime), por e kuptova nga thëniet e të tjerëve që nuk kishte punuar në arsim drejtpërdrejt, që ishte një vullnetmirë për pushtetin para luftës, që ishte konvertuar në “patriot” si do Zoti vetë dhe po i hante dy kohë.

U ndjeva tepër i fyer dhe i dëshpëruar. Mendova të reagoj publikisht para mikrofonit, por nuk reagova dot. Nuk isha ushtar i Kryqëzatave që të dilja me sëpatë dhe flamur për ta ndëshkuar dikë. Do të dilja si një person që lufton për lavdatë, do ta prishja imazhin e kësaj dite të shënuar, do ta ngjallja reagimin e dikuj kundër dikuj tjetër. Në të vërtet unë bashkë me shumë shokë e shoqe punuam me sinqeritet edhe në ditët më të vështira(kur policia serbe na hyri edhe në orë të mësimit, kur policia kish kërkuar nga një nxënës që ta hudhte një bombë në shkollë e të tjera të ngjajshme).Kurrë s’e kisha pritur që kjo do të ndodh.

Kur mbaroi manifestimi, në korridor ishte organizuar një koktej. Prapë në tryezë ministri dhe drejtori i Drejtorisë që më ftuan që të merrja diçka. Thashë se me këtë rast do të më kërkonin falje ose do të më jepnin ndonjë sqarim, por as kjo nuk ndodhi. Nuk mora asgjë nga ëmbëlsirat se më dukeshin si helm dhe e drejta unë nuk kisha shkuar në Prishtinë për koktej, as me kërkesën time, as nuk kisha konkuruar për mirënjohje. Së paku pse nuk më kishin lënë rehat në punën time. U ktheva në shtëpi me dinjitet të thyer dhe mezi u qetësova. Dhe sot 14 vjet nga ajo ditë, Dita e Mësuesit më kujton mua krenari, por ndryshk në zemër për papërgjegjësinë morale të pushtetit të atëhershëm dhe turp se si e bënë lodër moshën time me këtë marifet. Që të tre janë gjallë, fal Zotit dhe këtë mëkat le ta bartin vath në vesh. Unë atëherë shkrova një tregim pikërisht për këtë ngjarje. Reagoi vetëm një gazetar që më pyeti në telefon se a është shkrim letrar apo dhe ngjarje e vërtetë. Iu përgjigja se janë që të dyja. Por edhe ai heshti. Nuk reagoi as ai më. A ia mbylli gojën dikush apo e la se kështu e ka kjo botë shqiptare, nuk e di. Nuk reagoi as drejtori i shkollës, z. Sadik Çoça, as drejtori i Drejtorisë, Florim Metaj, as edhe vetë ministri, Enver Hoxhaj që diçka dinte, se më rrinte pranë mua që fare nuk e kisha njohur, as edhe Avokati i Popullit. Sot po reagoj se m’u ngjall si ankth ai veprim që nuk e kisha merituar. A më kanë brxh apo jo, këtë le ta vlerësojnë ata. Më ftuan për shpërblim e më ndëshkuan me hidhërim.

Po së paku sipas Hajdegerit “Fati mund të sfidohet” qoftë edhe vonë.

E shkuar, por e paharruar…

Megjithatë, të gjithë mësimdhënësve: Urime Dita e Mësuesit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat