Vështrim për romanin e Anton. N. Berishës

Kultura

Vështrim për romanin e Anton. N. Berishës

Nga: Izet Abdyli Më: 15 mars 2021 Në ora: 09:51
Ballina e romanit

Anton Nikë Berisha ,, Kush dëgjoftë e mos tregoftë ...." (Gruaja e Kacabashit), roman për fëmijë, botues ,,Faik Konica” Prishtinë, 2020

Krijimtaria popullore, përrallat, fabulat, gojëdhënat, shpeshherë u kanë shërbyer shkrimtarëve si lëndë për t'i shtjelluar ato në trajtën e tregimeve apo romaneve, duke i veshur me oreolin artistik.
Pikërisht nga kjo gurrë është shërbyer edhe shkrimtari Anton Nikë Berisha, i cili ka ndërtuar strukturën romanit të tij për fëmijë me titull ,, Kush dëgjoftë mos tregoftë...”. I ndërtuar me një kompozicion prej 12 rrëfimeve apo kapitujve romani krijon një lidhje harmonike duke ruajtur kronologjinë e ngjarjeve. Një fillim spontan siç është fillimi i një përralle nga gjyshja, ngase siç është e njohur edhe nga tradita jonë zakonisht gjyshet u rrëfejnë përralla nipërve. Ndaj dhe fillesa romanit fillon me: ,,Këtë përrallë ma ka treguar Gjyshja ime.

Asaj ja paskësh treguar Gjyshja e saj e asaj Gjyshja e saj: Gjyshe pas Gjyshe e brez pas brezi”. Veset si e mira dhe e keqja, me mjeshtri realizohen nga shkrimtari kur jep shembullin e djalit të mbrapshtë në këtë rast Lulmiri i cili pas qortimeve që merr nga babai i tij për punët e pamira që bënë dhe e bjerr kohën këtë, vendos t’i ndreq gabimet e tij duke hequr gozhdat nga muri, por në muri megjithatë vrimat mbesin, që nënkupton se disa gabime vështirë përmirësohen, pasi që pasojat veç janë shkaktuar. Ngjarjet e romanit zhvillohen me plotë dramacitet dhe imagjinata e shkrimtarit i vënë para sfidave dy kryeprotoganistet e romanit: Lulmiri si djalë i një bujari me pasuri të shumta dhe Delmeri si shërbëtor besnik i kësaj familje, të cilët ndonëse marrin një rrugëtim të rrezikshëm, vendosmëria e tyre për të realizuar misionin e marrjes së gruas së Kacabashit i vënë ata para provave dhe sfidave jo edhe të lehta.

Besnikëria si një virtyt tjetër shpërfaqet tek personazhi i Delmerit i cili si shërbëtor i mbretit jo vetëm që është i gatshëm t'i ndihmoi djalit të tij por edhe të sakrifikohet për të. Këshillat e Gjuetarit, Dardaneshës si Nënë e Bjeshkës së Madhe, e të tjerëve se misioni tyre mbart rreziqe të shumta, sikur i forcojnë ata edhe më shumë. Elementet mitologjike, fuqia e Zanave (orëve), mollës që si një magji u hap rrugën në situata të caktuara, shpeshherë na shpijnë të kujtojmë legjendat e mitet me të cilat është mjaft e pasur krijimtaria gojore e populli tonë, e që me mjeshtri shkrimtari ka arritur ti ngjizë në këtë roman. Ruajtja e fshehtësisë përmes fjalës ,,Kush dëgjoftë e tregoftë, gur mermeri u maroftë” është shumë domethënëse, madje shkrimtari e ka përdorur me sukses në zgjidhjen e situatave nganjëherë pa rrugëdalje, duke zgjidhur kështu dilemat e udhëtimit të rrezikshëm të dy kryepersonazheve.

Edhe ëndrra e mollës magjike që i dëftehet Delmerit bënë që ai me sukses t’í dalë në ndihmë mikut të tij të ngushtë Lulmirit. Ndonëse misioni i tyre i vështirë, përmbyllet me sukses siç ndodhë edhe në përralla elementet e dyshimit përherë mbartin në vete edhe rreziqe që nuk mund të riparohen lehtë, ndaj edhe tregimi i fshehtësisë nga ana e Delmerit që do t’í kushtoj me ngurtësimin e tij bënë që të kuptohet e vërteta e besnikërisë së tij. Sado që romani përmbyllet me një fund tragjik të rikthimit në jetë të Delmerit dhe ngurtësimit të Lulmirit në gur mermeri, megjithatë mesazhi për triumfin e të mirës është shumë kuptimplote. Shkrimtari Anton. Nikë Berisha përmes këtij romani ka arritur që jo vetëm të begatojë letërsinë për fëmijë me një vepër të mrekullueshme, por të realizojë atë në plotni si në aspektin rrëfimor por edhe artistik, dukë na dhënë një vepër me vlera që do t’í rezistojë kohës, madje edhe meriton të zërë vend në lekturën e literaturës shkollore.

15 mars 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat