Dehja nga një libër, nga një film dhe një këngë magjike

Kultura

Dehja nga një libër, nga një film dhe një këngë magjike

Më: 19 mars 2021 Në ora: 14:18
Fadil Sahiti

Nga: Fadil Sahiti

Kur një gazetar i kulturës së një televizioni publik më ftoi të jem mysafir në emisionin e tij, kisha dyshime nëse duhet ta pranoj ftesën ose jo. Kërkesa e tij ishte të mos nxitoj me refuzimin, para se t’i dija temat e bisedës. I kishte propozuar tri tema: ta lexoj dhe t’i rrëfej pastaj përshtypjet e mia për librin e novelistit britanik Herbert George Wells, “The invisible man”; ta shikoj filmin “The Short Big”; si dhe, ta dëgjoj këngën e bendit britanik Dire Straits, “The Sultans of Swing”. Edhe pse duhej ta rilexoja librin, ftesën e pranova.

Nga libri duhej ta zgjedhja pjesën më intriguese. U përcaktova për pjesën ku personazhi Griffin shëtitet në një prej rrugëve më të njohura të Londrës, në “Oxford Street”. Ngjarja ma përkujtonte debatin mes Sokratit dhe Glaukonit, kur ky i fundit e rrëfen historinë e Gigës i cili përmes unazës magjike bëhej i padukshëm dhe kryente krime të tmerrshme: vrasjen e mbretit, çuarjen e dashurisë dhe martesën me mbretëreshën e shumë poshtërsi tjera.

Ngjashëm, edhe personazhi i Griffinit, meqë ka fuqi magjike, ecën rrugëve si i padukshëm. Kjo ia shton lumturinë, euforinë dhe ekzaltimin, por pushtohet nga dëshira për t’u bërë hile të tjerëve. Gëzimi i tij nuk zgjat shumë, meqë duhet të shqetësohet jo vetëm nga përplasja me njerëzit tjerë, por edhe për nevojat elementare si veshja dhe transporti, të cilat papritmas bëhen më të vështira për t’u arritur. Edhe kur i afrohet fati dhe mundësia për t’u futur në taksi, kjo nuk është ide e mirë meqë të tjerët e kuptojnë ekzistencën e tij. Telashet i shtohen sidomos me qentë që e nuhasin e lehin pas tij, ndërsa në ikje e sipër i lë pas gjurmët e veta…

Lëndimet që i ndodhin kur ndeshet me të tjerët, mërdhitja nga të ftohtit, dhimbja që ndjen në këmbë dhe në fyt, e nuhatja nga qeni… i shërbejnë shkrimtarit për të na kujtuar se aftësia njerëzore për të manipuluar natyrën përmes magjisë apo shkencës do të jetë gjithmonë e kufizuar. Wellsi na thotë se njeriu, pavarësisht nivelit të kamjes apo të dijes, është qenie e vdekshme dhe tokësore; qenie e kufizuar, ndaj kurrë nuk mund të jemi as omniscentë e as omnipotentë. Edhe kur përmes hileve, magjive e mjeteve arrijmë përkohësisht të shmangim disa ligje morale apo natyrore, kurrë nuk mund t’u shpëtojmë të gjithëve. Jemi të detyruar ta bartim kryqin e të qënit njeri gjatë tërë jetës tonë.

Filmi “The Big Short” i regjisorit Adam McKay, e përshkruan krizën financiare globale të viteve 2007-2009. Një grup i profesionistëve, në heshtje dhe veç e veç konstatojnë se ekziston një problem me kreditë hipotekare. Por, skena më intriguese për mua është biseda mes Mark Baumit dhe gruas së tij Cynthia. Baumi haptas dhe me zemërim e shpreh zhgënjimin se si “njerëzit e thjeshtë, me të ardhura mesatare, po shkatërrohen nga bankat”. Ai çuditet se sa shumë njerëz e dinë të vërtetën, por shtiren sikur nuk po ndodhë asnjë gjë.

Për krizën, njerëzit gjithmonë e akuzojnë sistemin financiar. I gjithë tregimi është se sistemi funksionon në mënyrë të gabuar, ndërsa asnjëherë nuk përmendet fakti se e gjithë shoqëria ishte përgjegjëse për rrëmujën që ndodhi në ShBA e shumë shtete tjera. Mungon konstatimi i përgjegjësisë së shoqërisë. Filmi thotë se ekziston një pakicë e vogël e njerëzve që janë të vetëdijshëm se ku po shkon shoqëria dhe se çfarë mund të ofrojë e ardhmja, por ata duken si mizat të cilave askush nuk ua kushton vëmendjen derisa të jenë materializuar parashikimet e tyre.

Kënga e “Sultans of Swing” është një nga ato këngët që shkruhen, kompozohen dhe interpretohen rrallë e përmallë. Ajo e zhvendos imagjinatën e njeriut në një pasdite të së premtes, apo në një mbrëmje me shi të ftohtë të qytetit magjik të Londrës, kur befasisht e sheh veten duke ecur pranë Temzës, pranë “Syrit” apo në një ndër parqet e shumta, kur papritmas e dëgjon një muzikë që vjen nga një pab diku afër. Është tingulli që të tërheq të shkosh atje. Të bën të ndihesh mirë. Futeni brenda dhe sheh se aty ka njerëz të lagur nga shiu. Tingujt që vijnë nga instrumentet janë magjepsës. Muzikantët nuk shqetësohen nga prezenca e publikut; ata e kryejnë punën e tyre dhe ndjehen të lumtur. Tutje, në një qoshe, mund të ketë një turmë të rinjsh të dehur e të çrregullt. Krejt kjo ngjan me një natë magjike, ku më shumë se nga alkooli, njeriu dehet nga muzika. Dhe, të gjithë ndjehen sulltanë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat