Për dhimbjen tonë, të autorit dhe të gjithë atdhetarëve, për të pasur mundësi të gjykoni...

Kultura

Për dhimbjen tonë, të autorit dhe të gjithë atdhetarëve, për të pasur mundësi të gjykoni...

Nga: Prof. As. Dr. Nijazi Halili Më: 20 mars 2021 Në ora: 15:55
Kopertina e librit

Librin “Dromca jete”, të autorit Jakup Jahirit, e kam lexuar me kujdes dhe me shumë kënaqësi. Është për tu vlerësuar lartë.  Autori Jakup Jahri, profesori i nderuar për më se gjysmë shekulli, ka qenë shembull i një atdhetari dhe arsimdashësi në ngritjen e përgjithshme arsimore e kulturore dhe të vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar.

Me kontributin e tij autori në këtë libër pasqyron punën e pa kontestuar në fushën e arsimit në periudhat më të rënda nëpër të cilat kaloi populli shqiptar. Libri përshkon një material të ngjeshur me informacione të nduarndurta që për gjenerata do të shërbejë për të përforcuar bindjen dhe veprimtarinë e begatshme e të palodhshme.

I prirë nga një ideal i lartë dhe me një punë jashtëzakonisht të madhe në fushën e arsimit dhe edukimit të brezave autori prezanton me modesti ecejaket dhe të panjohurat e të qenit misionar i vërtetë i arsimit me të gjitha vështirësitë që i imponoi pushtuesi.

Nëse i referohemi Platonit, njeriu ka tri pamje. Një pamje është siç e njeh ai veten, një pamje siç e njohin të tjerët  dhe  pamja e tretë dhe më e vështira për t’u njohur, siç është njeriu në të vërtetë. E profesor Jakupi gjatë  gjithë jetës së tij është shfaqur si burrë, njeri me karakter të fortë, figurë e lartë morale në arsim, studiues dhe hulumtues i shkëlqyer, modest e shumë punëtor. Personalitetin e tij në punë e karakterizoi thjeshtësia dhe elokuenca e tij në të folur, njohuritë e thella që kishte jo vetëm në fushën e një fizikani, por edhe në atë të problemeve shoqërore të kohës. Erudicioni i tij bazë ishte libri, që nuk u shqit kurrë nga duart e tij. Dhe po të shprehemi përmbledhtas, del se në sistemin e punës së tij mësimore edukative, e ruajti me kujdes të madh raportin talent-punë, sepse udhëhiqej nga parimi se çdo gjë varet nga puna që bën njeriu.

Ai më së miri ka ditur të futet në botën e brendshme të nxënëseve, kishte guximin t’i mbajë ata afër e me dashuri njerëzore e të ecin bashkërisht në udhën e vështirë të dijes, gjithmonë duke ndihmuar të kuptojnë të fshehtat e shkencës dhe të jetës, duke zgjuar tek ata energjitë e tyre të brendshme dhe duke i drejtuar në fushat e begata të paqes, mirësisë, dashurisë dhe humanizmit. Shërbeu pa kursyer asgjë nga vetja, duke dhënë nga shpirti i tij i madh e bujar gjithçka për nxënësit dhe popullin. Rrezatoi kulturë dhe me plot pasion për vite me radhë u dha dije e kulturë brezave.

Të gjithë ne që e njohëm ruajmë respekt të veçantë për profesor Jakupin jo vetëm si profesor  e dijetar, por edhe si njeri i paqes, që me natyrën e tij të qeshur e tejet njerëzore, me idetë dhe njohuritë e thella për probleme të ndryshme, gjithmonë arrinte të na ndihmojë, e me atë të mbetet gjithnjë ndër figurat më të nderuara e ndër më të dashurat të kulturës sonë.

Vepra e profesorit do të jetojë gjatë, ndërkaq puna dhe entuziazmi i tij do të na shërbejnë si mësim dhe frymëzim i përhershëm në rrugëtimin tonë.

Autori librin e fillon me “Ty Kosovë ta kam borxh një jetë e ti mua vend për një varr” Dorëshkrimi në fjalë në fillim ka një simbolikë të veçantë të rrëfimit përmes ARIT DHE HEKURIT, për të vazhduar pastaj me dialogun mes ushtruesit të detyrës së drejtorit (malazez, Rade Vllahoviq, dhe krye personazhit, profesori Jakup Jahiri, të cilit i bëhet me dije se duhet të paraqitet në polici (e enjte 21 gusht 1980) kur edhe fillon  periudha e përndjekjes së tij nga sigurimi jugosllav.

Andaj jo rastësisht autori të jetë shprehur citoj: Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mundë të bëhej vetëm me dy mjete: Më vjedhje dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim. Autori zgjodhi  rrugën e kundërt: Luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda.

Autori i librit parqet në mënyrë shumë brilante gjendjen e tij, dhe presionin e ushtruar nga  sigurimi i asaj kohe jugosllave, dhe agjenturat vendore të cilët e kishin nën vëzhgim veprimtarinë dhe punën e tij,  duke i shërbyer agjenturave jugosllave, për të cilët autori ishte në dijeni.

Autori ka qenë jo vetëm i vëzhguar, por edhe i përndjekur, i burgosur, i izoluar dhe brutalisht i keqtrajtuar nëpër burgjet jugosllave.

Ka qëndruar burrërisht, ndonëse fizikisht i dërmuar, por i pathyeshëm dhe kurrë nuk iu ka shmangur idealit të jetës për Atdheun dhe për Lirinë e Kosovës.

Kaq munda, kaq bëra, duke cituar citatin e Mitrush Kutelit, “Kam dashur shumë, kam ditur pak dhe kam mundur të bëjë edhe më pak për vendin tim “ishte shprehur autori i librit. Me shumë dhembje paraqet vuajtjet, mundimet dhe torturat  të cilat ishin ushtruar ndaj profesorin dhe  ndaj  popullatës  shqiptare.

Autori, shpreh indinjatën e tij të ligjshme për mos përfilljen që ju është bërë, kur dihet kontributi shumë i madh i tij, i cili që nga vitet e ´80-ta  ishte përballur me padrejtësitë i cili për arsye të pikëpamjeve politike asnjëherë nuk u pajtuar me regjimin serbe, andaj jo edhe rastësisht ishte i dëbuar nga procesi arsimor, e pastaj i burgosur në burgun e Vranjës, ku në mesin e tij kishte edhe shumë të burgosur shqiptar e të keqtrajtuar...

Pasi e lexova librin me kujdes dhe përkushtim të lartë vlerësoj se libri i plotëson kriteret për botim, sepse përjetëson veprimtarinë arsimore dhe atdhedashurisë njëkohësisht.

Lexojeni këtë libër, për dhembjen tonë, të autorit dhe të gjithë atdhetarëve, për të pasur mundësi të gjykoni...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat