Edukimi gjuhësor në shkollat tona

Kultura

Edukimi gjuhësor në shkollat tona

Nga: Zymer Mehani Më: 22 mars 2021 Në ora: 09:15
Foto ilustrim

I

Gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm nxënësit tanë marrin njohuri rreth gjuhës dhe vazhdimisht bëhen përpjekje për të zotëruar këto norma, por shkalla e zotërimit deri më tani nuk është e kënaqshme, pasi vërehen mjaft shmangie, gabime të shumta në përdorimin e mjeteve të ndryshme gjuhësore: në fonetikë, morfologji, sintaksë, leksikologji etj. Këto shmangie bëhen për shkak të njohurive të pakta që kanë nxënësit për sistemin gjuhësor dhe rregullat e gjuhës, por edhe për shkak të neglizhencës në përdorimin e rregullave të saj dhe moskujdesit të duhur nga nxënësit dhe mësimdhënësit. Shkeljet më të shpeshta që nxënësit ia bëjnë normës në shkollat e Kosovës shihen në të gjitha rrafshet: në rrafshin fonetik, sidomos në drejtshkrim; në rrafshin morfologjik, veçanërisht në përdorimin e trajtave të shkurtra të përemrave, në ngatërrimin e përemrave me mbiemra, në shumësin e emrave, në përdorimin e mënyrave dhe kohëve të foljes; në rrafshin sintaksor hasen fjali e thënie të një sintakse të huaj, mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin, përcaktorit me fjalën që përcakton – renditja e fjalëve në fjali, mungesë e kohezionit dhe e koherencës, ndërsa në rrafshin leksikor vërehet një numër i madh i fjalëve të huaja.

Në vazhdim po i japim disa nga shkeljet e normës, të cilat nxënësit i bëjnë më së shpeshti gjatë punës me shkrim, duke filluar nga përdorimi i shkronjës së madhe. I shkruajnë me shkronjë të vogël emrat dhe mbiemrat e personave, emrat e përveçëm, emrat gjeografikë, territorialë, emërtimet zyrtare, festat kombëtare, titujt e gazetave, revistave, shkurtimet e emrave të shteteve, organizatave, gradat shkencore etj. P.sh: kombet e bashkuara, lidhja e prizrenit, 8 marsi etj.

Shumë shenja të pikësimit nxënësit nuk i përdorin fare, apo i përdorin gabimisht, duke mos e ditur funksionin e tyre. Veçanërisht pika dhe presja përdoren vend e pa vend, ose mungojnë aty ku duhet, pastaj mungojnë thonjëzat, dy pikat, kllapat. Shumë fjali nuk kuptohen fare dhe në mungesë të tyre shpesh nuk dihet se ku fillon dhe ku mbaron fjalia. Duke mos e ditur funksionin e apostrofit, e përdorin gabimisht në shumë raste dhe nuk e përdorin kur duhet, si p.sh: te pjesëza mohuese ‘s pastaj te trajtat e shkurtra etj. I ngatërrojnë fjalët që shkruhen njësh, ndaras dhe me vizë në mes. Bëjnë gabime të shumta në përdorimin e trajtave të shkurtra e po ashtu edhe nyjat nuk i përdorin në rastet kur janë të domosdoshme.

Në shumë raste nxënësit e formojnë gabimisht shumësin e emrave dhe bëjnë ngatërrimin e mbiemrave me ndajfoljet. Nxënësit shpesh përdorin fjali në të cilat mbiemri nuk përshtatet me emrin, kryesisht në numër, por edhe në gjini, pastaj mospërshtatja e kryefjalës me kallëzuesin, zakonisht del kryefjala në numrin njëjës, kallëzuesi në shumës dhe anasjelltas.

Në fushën e morfologjisë gabime të shumta bëjnë edhe te përemrat, ngatërrimin e tyre me njëri-tjetrin, pastaj te foljet vërehet ngatërrimi i mënyrave, kohëve, vetave, por shkeljet më të mëdha bëhen në përdorimin e lidhores. E bëjnë ngatërrimin e kohës së tashme të dëftores me kohën e kryer të thjeshtë, apo vetën e parë me të tretën, por edhe gabime të tjera foljore.

Po ashtu, nxënësit janë të ndikuar mjaft nga fjalët e huaja, shkaku i kontakteve të vazhdueshme me gjuhët e tjera, sidomos me anglishten, dhe i përdorin shumë fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe.

II

Në jetën e përditshme njerëzit përdorin një trajtë ligjërimi, që përcaktohet nga shumë rrethana të familjes e të formimit të tyre. Për këtë arsye fëmijët, që pastaj bëhen nxënës mëkohen me gjuhën e nënës, e cila nuk është gjithnjë sipas standardit. Prandaj nevojitet lënda e gjuhës në shkollë.

Po të shikojmë gjendjen e sotme në shkolla nga aspekti i gjuhës standarde, pa dyshim se vërehet njëfarë shkujdesjeje tej mase ndaj disiplinës gjuhësore. Po të vështrojmë përdorimin e shqipes, qoftë në të shkruar dhe qoftë në ligjërimin e folur, hiq disa probleme që kanë të bëjnë me tipare të veçanta fonetike (mungesa e qiellzoreve q,gj; varietete të shqiptimit të ë-së së theksuar; elemente të hundorësisë tek e-ja e theksuar dhe e lëvizjeve tek shqiptimi i zanores a e ndonjë tjetër), po jo edhe te përdorimi i grupit të zanoreve ua, i fjalëve me rotacizëm, i përdorimit të ë-së së theksuar në kushte të caktuara, – tipare këto të shqipes standarde, bazuar te toskërishtja, në fushat e tjera – si në morfologji e në fjalëformim dhe në çështje kryesore të ndërtimit të fjalisë, – standardi i shqipes kryesisht është zotëruar në një shkallë të mirë nga gjeneratat e reja.

Trajta standarde e gjuhës mësohet në shkollë. Kjo është e vërtetë për cilëndo gjuhë të vendeve të tjera rreth nesh. Me gjuhën standarde zhvillohen të gjitha veprimtaritë shtetërore e publike.

Gjuha standarde jepet mësim në shkollë, domethënë norma e saj drejtshkrimore, e mbështetur me gramatikën dhe fjalorin. ‘’Gjuha standarde, kjo vlerë e lartë gjithkombëtare, në disa shtete me traditë të gjatë të arsimit, të kulturës e të shkencës, mbrohet me ligj nga shkarjet e ndryshme në përdorimin zyrtar të saj’’. Mendoj se kjo duhet të vijojë të jetë rruga e shkollës shqipe edhe në të ardhmen. Shqipja letrare që kemi shërben sot si shenja kryesore e identitetit kombëtar dhe me të do të përfaqësohemi si zë me peshë në familjen europiane, që do të jetë e përbashkët edhe për ne. Përndryshe do të ndodhemi përballë ndërlikimeve të mëdha.

E para, gjatë punës me tekstet, të cilat nuk janë plotësisht sipas normës, t’u shpjegohet qysh në fillim nxënësve, se aksh vjershë ose aksh copë në prozë ndryshon nga norma, por është përsëri gjuha shqipe me disa veçori dalluese. Për shembull, fare thjesht mund t’u tregojmë, se sipas normës kemi fjalën zëri, porse shqipe është edhe trajta zani. Kjo e fundit nuk është gabim, por bën pjesë në një të folme ose variant të shkruar, që ndeshet edhe në të folur, vetëm se nuk mundemi me shkrim të përdorim shumë trajta për të njëjtën gjë dhe do t’u përmbahemi zgjidhjeve sipas një sistemi.

E dyta, në klasat më të larta, u jepen nxënësve njohuri më të përgjithshme për gjuhën shqipe, duke përmendur edhe dialektet e stilet. Natyrisht, kjo bëhet në mënyrën e përshtatshme për nxënësit dhe praktikisht njohuri të tilla janë përfshirë në librin e klasës së tetë. Ndërsa mësuesit tashmë i kanë përgatitur nxënësit që ta ndiejnë veten të familjarizuar me këtë dukuri.

Është e nevojshme që fëmijët tanë të njohin diçka nga historia e gjuhës, nga ndarjet dialektore, duke i sistemuar hap pas hapi dallimet kryesore, jo vetëm për të përvetësuar mirë normat e gjuhës dhe përdorimin e saj në mjediset e ndryshme të komunikimit, por edhe si pjesë të kulturës kombëtare, për t’u rrënjosur idenë, se pavarësisht nga disa dallime, ne i përkasim në thelb të njëjtit identitet kombëtar. Kurse këto dallime janë pasuri e brendshme e këtij identiteti, siç janë kostumet e krahinave të ndryshme, këngët e vallet popullore sipas krahinave, e kështu më tej.

Qëllimi kryesor do të jetë kurdoherë një: t’i bëjmë të vetëdijshëm nxënësit se ka një normë standarde për nevojat publike, se pa zotëruar atë na mungon themeli e do të kishim vështirësi të padobishme komunikimi ndërmjet nesh. Por ta dinë se ka edhe variante, që nuk përbëjnë as gabime, as gjynahe, përkundrazi, duke pasur njohuri për to, do të na lehtësohet komunikimi me të gjithë bashkëkombasit kudo në botë dhe do të kemi një çelës për të shfrytëzuar gjithçka është shkruar në gjuhën shqipe gjatë shekujve. Ne duam që asnjë shqiptar të mos thotë se nuk e lexon dot Fishtën ose, anasjelltas, se i duket i pakuptueshëm Fan Noli.

‘’Në gjithë veprimtarinë e shkollës është e domosdoshme që të përdoret një gjuhë standard e përpiktë, e pastër dhe e kulluar, duke synuar që jo vetëm gjuha e teksteve të jetë plotësisht e normuar, e njësuar, por edhe që të folurit e mësuesit e të nxënesit të çlirohet nga të gjitha luhatjet e ndikimet dialektore, të vihet në përputhje të plotë me gjuhën e tekstit’’.

Një problem, që po diskutohet vitet e fundit, është vendi i gjuhës shqipe si lëndë mësimore në sistemin shkollor.

Problemet që dalin lidhur me nxënien dhe përdorimin e gjuhës standarde nuk janë vetëm tonat, dalin gjithandej dhe nuk mund të kapërcehen vetëm përmes mësimdhënies në shkollë.

Një çerek shekulli më parë gjuha shqipe u hoq nga shkollat e mesme si lëndë më vete. Ka vijuar vetëm në shkollat pedagogjike, që përgatisin mësues. Heqja e lëndës u argumentua me forcimin e lëndës së letërsisë shqipe, duke e quajtur se aty është shqipja e gjallë, e zbatuar konkretisht, dhe nuk ka nevojë për teori gramatikore. Mirëpo praktika ka dëshmuar se përgatitja gjuhësore e nxënësve që përfundojnë shkollat e mesme është mjaft e dobët dhe, si rrjedhim, ata që përfundojnë universitetet, paraqiten shumë keq në komunikimin publik dhe në fushën e punës së tyre me shkrim e me gojë. Përvoja e disa shteteve europiane është krejt e kundërt. Madje edhe në konkurset për pranime në degët e shkencave natyrore e teknike u bëhet provim për gjuhën amtare. Përfytyroni sikur të ishte e njëjta gjendje e pakënaqshme për zotërimin e anglishtes, çfarë do të bëhej atëherë me gjuhën angleze në internet dhe në të gjitha fushat e tjera në botën e sotme, çfarë vështirësish do të përftoheshin e madje edhe çfarë dëmesh të mëdha ekonomike e financiare do të shkaktoheshin.

Në këto rrethana, prej kohësh është ngritur zëri që gjuha shqipe të rikthehet si lëndë në shkollën e mesme. Përkrahësit e tezës se mjafton të forcohet mësimdhënia e letërsisë nuk gjejnë më mbështetje. Por ka një kundërshtim të fortë lidhur me metodën e mësimit të shqipes në shkollën e mesme. Shumica e quajnë krejt të pafrytshme përsëritjen pedante të rregullave të morfologjisë e të sintaksës. Kështu kanë nisur përpjekjet për një konceptim të ri të shqipes në shkollën e mesme. Është e kuptueshme, që do të vijë dita për një harmonizim tjetër të kësaj lënde si në nëntëtëvjeçare, edhe në të mesmen. Për ta dëshmuar këtë, po tregoj një rast. Në të vërtetë, disa elementë në tekstet që përdoren sot për shkollën nëntëtëvjeçare e kanë ngarkuar shumë lëndën për nxënësit. Ata janë marrë nga problematika, që do të ishte e përshtatshme vetëm për shkollën e mesme. Prandaj është shumë i vështirë si për nxënësit, edhe për vetë mësuesit që punojnë me të në klasë. Kjo gjë duhet të ndryshojë.

Nga praktika e tanishme e përdorimit zyrtar të gjuhës standarde në institucionet e ndryshme të shtetit mund të thuhet se edukimit gjuhësor, në shkollat tona, sikur nuk i kushtohet vëmendje e duhur, andaj, si rrjedhojë e kësaj papërgjegjësie, nuk duhet të habitemi se sot komunikimi në gjuhën standarde, në të gjitha nivelet e arsimit, ashtu sikundër edhe në fushat e tjera, karakterizohet nga një varg i gjatë veçorish të varieteteve gjeografike dhe sociale, të cilat u takojnë dijeve të ndryshme gjuhësore.

Përmes edukimit gjuhësor, ndër të tjera, duhet të bëhet e ditur se varietetet dialektore mund të përdoren në bisedat e lira të grupeve shoqërore, familjare etj, siç ngjet në çdo gjuhë tjetër, porse varietetet rajonale nuk duhet të përdoren në gjuhën standarde në situatën e komunikimit zyrtar, e cila përfaqëson themelin e kërkimeve sociolinguistike dhe dijesh të tjera gjuhësore.

Edukimi gjuhësor në shkollë dhe në institucionet e tjera, është shtysë me interes për t’i mënjanuar trajtat dialektore nga përdorimi zyrtar i gjuhës standarde. Edukimi gjuhësor duhet të kultivohet në të gjitha nivelet e shkollimit. Zgjimi i kërshërisë për t’u shprehur sipas kritereve estetike, stilistike e linguistike duhet të jetë standard i kulturës dhe i arsimit, i cili duhet të zhvillohet përherë.

Mund të thuhet se standardi mësohet duke ua mësuar fëmijëve format e normuara, më shpesh përmes tekstesh të hartuara për situata konkrete (me shkrim e me gojë), duke selitur kontrollin e vetëdijshëm gjuhësor gjatë prodhimit të të folurit apo të tekstit. Në të gjitha variantet parësor është prodhimi i tekstit.

LITERATURA:

Hasan Mujaj, Kërkime sociolinguistike, Faik Konica, Prishtinë, 2012;

Emil Lafe, Panorama, Tiranë, 2005;

Grup autorësh, Gjuha letrare shqipe (Elemente të normës së sotme letrare), Prishtinë, 1984.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat