Çupa me buzëqeshje të artë

Kultura

Çupa me buzëqeshje të artë

Nga: Nexhat Halimi Më: 25 mars 2021 Në ora: 12:17
Nexhat Halimi

Pandërprerë bie shi i imtë. Ikin bula uji, ngjashëm me lotët fytyrës, rrëshqasin njëjtë për xhama të dritares... Heshtja, me qerren e vet të mallëngjimit, ik e kthehet përgjatë vetvetes, e thyhet, digjet, humb. Prapë shfaqet. Dëgjohet vetëm fër-fër nga përpëlitet gjysma e një fluture e dalë nga gjaku im, gjysma tjetër nga zemra e një vajze, të bëhet një e tërë e të fluturojë, të fluturojë... Ja, fluturon, fluturon, fluturon... E kërkon qiellin e vet, lart, të bëhet yll. E kërkon qiririn e vet brenda heshtjes.

– Secili ka zemër. Ka gjak, peri i të cilit i mban në jetë!

– Ama, megjithatë, s` mund t`i ndodh secilit njëjtë. Çdo njëri ka rrëfim të veçantë, fat të veçantë, udhë të veçantë në jetë...

E kujtoj këtë ngjarje e njëjtë bie shi.

Bie shi i imtë. Para meje ec një vogëlushe. Me një shportë prej xunkthi në dorë.

– Do njeri vezë të ziera? – ngadalë e thellë, sikur me teh të thikës, bie zëri në mua. E shikoj, pak e hajthme në fytyrë, me flokë të ndritshme, të krehura me kujdes. – Vezë të ziera, - thotë e një buzëqeshje e lehtë-me një nuancë të pikëllimit, i varet në buzë.

- Po, unë dua, - i them.

- Një, dy... Sa kokrra i do? - me shikon me kërshëri, e frikësuar, mos do të ndërrojë mendje. – Sa kokrra i do, - e përsërit prapë.

–Dua të flas pak gjë me ty, - i them.

- Jo, - më shikon e ec me nguti.

ta zë.

– Prit, prit...

– Fol, çfarë do? – është e vogël , e lag shiu i imtë.

- Më parë të më tregosh, pse e bën këtë gjë, – dua ta zë për dore.

– Harroje, - flet e xhindosur.

Cila je ti? këmbëngul të flas me të, i ec krah për krah.

– Lindia V., - ul kokën. Mësyn të ikën prapë, e skuqur.

– Çfarë ke, - ia bëj.

- Nuk ndihem mirë, natyrisht, s`është kjo punë për mua!

– S`ke aspak pse turpërohesh.

– Jo, jo... – ec me shikim para vetes. – Ngutem, më pret mësimi. Ndoshta shes diçka e kthehem menjëherë në shtëpi.

– Në cilën klasë mëson?

– Në klasë të katërt, në shkollën e Zatriqit, në kryeqytet. Tash e sa kohë, kam harruar lodrat, kam harruar lojën, kam harruar argëtimin. Veç mësimit dhe daljes rrugë më rrugë, shesh më shesh, të shes ndonjë kokërr ve të zier, s` bëj gjë tjetër.

– Prit, unë do të të blej ca kokrra vezë...

- Sa i do? - ndalet, e lëshon shportën prej xunkthi në trotuar, ia heq mbulesën, e më sheh në sy.

– Merri, atëherë... sa kokrra do?

– I dua dhjetë, - i them. – A s`i ke shumë, - qesh e gëzuar. – Kjo s` më ngjet shpesh. Çdo paradite, në kohën deri në fillimin e mësimit në shkollë, vërvitem nëpër qytet, ndoshta fitoj ndonjë metelik për familjen.

– Kaq e vogël, të bartësh barrë hallin e gjallërimit të familjes? – i them i mbytur në hidhësinë e të përditshmes së vogëlushes.

– Jo vetëm unë...por dhe vëllai më i madh, por dhe motra më e vogël. Babai është i sëmurë rëndë...

- Çfarë ka?

– Ai ka një lëndim...

- Tashmë është i palëvizshëm.

-çfarë ndodhi kështu kaq rëndë?

- Një copë mali me drurë të dendur, e priste. I priste, një po, një jo. Të mos e dëmtonte kaq shumë malin. I priste drurët me mjete primitive, me sharrë dore e sëpatë e i shiste. Ngjau, papritur, një dru i vjetër, i gjatë, të binte e ta lëndonte.

– E zuri druri?

- Ai bëri përpjekje t`i ikte, ama druri ia zuri këmbën. Kjo gjë e lidhi për shtrat tash e një vit. Varra iu infektua...

- E dërguat në spital?

- Zgjidhje tjetër s' kishte, Ose t`ia presin këmbën,- thanë mjekët, - ose nuk do ta ketë të gjatë!

– I dëgjoi mjekët?

– Jo. Nuk pranoi ta humb këmbën. E mbushëm dhomën me lloje e lloje barërash, e kot.

- A ka ndonjë përmirësim.

– Aspak.

– Natyrisht, i është thyer këmba, apo jo?

– I është thyer!

– Kjo nuk mund të përfundojë mirë... – e shikova ndërmjet një pikëllimi e dhembje të thellë.

-Ka ilaç, ka... – ndërhyri papritur në bisedë një plak nga Gallapi, i cili kalonte aty.

-A mund të flas ndonjë gjë për këtë...

-Pse jo?

të brengoset për këmbën...- tha ai. – Unë njihem me një mjeshtër të mjekë sisë popullore. Mjeshtër në zë. Ai do t'ia punojë një jaki...

– Ç` është jakia?

- Llapë e punuar me të bardhën e vezës, me sapun, me lesh, me qepë e vaj, e cila lihet të ngurtësohet në një kohë të shkurtër dhe me disa dërrasa shumë të holla vihet më pjesën e ndrydhur a të thyer të një gjymtyre; për ta shëruar.

– E me kohë i kalon, pa i lënë ndonjë shenjë dhembjeje, për asgjë?

-Do të shërohet, thuaja se nuk do të ketë asgjë, - tha me entuziazëm çupa me flokë të ndritshme, mbi të cilat binin pika të imta të shiut, të ngjanin në margaritarë.

Burri me mustakë ia mori adresën dhe i premtoi të vinte me mjeshtrin ditën tjetër. Çupa qante e qeshte nga gëzimi. Më shikoi mua dhe tha ndër lot.

– Ja pse unë shëtis rrugët, me ca vezë të ziera.

Me çdo mëngjes, patjetër, çdo ditë... sa për ndonjë kothere të bukës

.- Nuk ndihmon ndopak kush tjetër? – më mbushen sytë me lot. - Në derën e shtëpisë trokitën njerëz të mirë. Na sollën ndihmë një herë, dy herë... të tretën herë babai u tha të mos vinin më. Nuk i pëlqente dot të mbante vesh, kush do të trokiste në derë të na jap ndonjë send për mëshirë. Nuk dëshironte ndihmë!

– Dilni, - tha babai, - blini vezë të freskëta në treg. Do t`i ziejmë e të dalim t`i shesim... – më shikoi e habitur çupa.

- Çfarë u bë, - i them i befasuar.

– Sa është ora? – më shikon. I tregoj.

– Kam dhe ca kohë, - qesh.

– Në ora dymbëdhjetë më fillon mësimi. Më duhet të ik...

– M`i jep vezët, - i them.

– Dhjetë, apo jo?

-Të gjitha m`i jep! Ai fshatari me mustakë tha se mjeshtri që do ta punojë jakinë nuk do të kërkojë ndonjë shpërblim, nuk kërkon as mjete materiale...

Ajo hesht. Më shikon e hutuar, më pastaj i vë vezët në një qese e m`i afron. Ia paguaj e ajo me mirënjohje merr të ik.

– A mund të të shoqërojë dhe pak, - e shikoj. Ajo tund kokën, e ngashëryer pse shiti vezët pa humbur shumë kohë. Ecim krah për krah gjatë një pjese të rrugës.

– E do puna, deshëm a s`deshëm, të ngarkohemi kështu dhe në këtë moshë, - thotë e ngutet për në shtëpi, t`i marrë librat e të ikën për në shkollë. Unë e ndoqa me dhembje përderisa më humbi nga fusha e shikimit e në të njëjtën kohë ndieja një shtrëngim të fortë, një ftohtësi në zemër...

Pandërprerë bie shi i imtë. I mbyll sytë. E ik mendjes dhe një herë vogëlushen me shportën prej xunkthi në dorë-në vërtitje qytetit t`i shes vezët e ziera e prapë ndiej shtrëngim në kraharor. I çel sytë, prapë hija i përhihet nga ngarend, ngado - në secilin send shfaqet e vogël, flokë ndritur, më pastaj më ik sysh, humb...

– Ç`u bë me ty Dre`, a nuk të kujtohem... - më përmend zë i afërt. Ngreh kokën. Ajo qesh. E njëjta vashë e buzëqeshur. Ka kaluar kohë që s'e kam parë. Është e njëjta çupë, veç këtë herë pa shportën prej xunkthi.

-I ndihmoi babait tënd jakia e plakut... ndoshta do të jetë shëruar!...

Ajo hesht e hutuar, në kujtim.

- Hë, ç`u bë...

Asgjë. Ngjau mrekullia. Babai u ngreh prapë në këmbë... e ia filloi të punonte për familjen, - fliste ajo e qeshte prapë.

– Eh, -qesh dhe unë, - s`dihet kurrë kush është e kush s` është, mund të jetë e të mos shihet, mund të shihet e të mos jetë...

-Ai plaku nuk qe i padukshëm. Më ndihmoi mua, të mos bredhja qytezës me shportë në dorë të shes ndonjë vezë të zierë... I ndihmoi dhe mbarë familjes. Kam dalë ndoshta e takoj dhe t'i fale nderohem...

-Ka njerëz bë mirës, ka.

-Falë atyre jeta në këtë botë është kaq e bukur.

-Tashmë ti ndjek shkollën.

-I kam të gjitha notat pese, - buzëqeshi dhe iku buzëqeshjes së vet të ngrohtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat