Sot një vit vdiq Leze Qena, artistja meritore e kombit

Kultura

Sot një vit vdiq Leze Qena, artistja meritore e kombit

Më: 25 mars 2021 Në ora: 17:43
Leze Qena

Aktorja ndërroi jetë muajin mars vitin e kaluar.

Elizabeta Spaqi (emri i vërtetë) e njohur si Leze Qena ndërroi jetë me 25 mars në vitin 2020-të.

Në moshën 85 vjeçare ajo i dha lamtumirën përfundimisht skenës teatrale, publikut dhe të afërmeve të saj.

Leze Qena ka lindur me 2 mars në vitin 1935 dhe ishte një nga personazhet e njohura për publikun duke qenë pjesë e ekranit televiziv shumë vite.

Ndryshe, duke filluar nga viti 1954, si aktore në Teatrin Popullor Krahinor (TPK), ajo u shqua me shkathtësitë e saj interpretuese në shfaqjet e zhanrit komedi. Kreacionet më të suksesshme i dha në shfaqjet “Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”, “Pjata e drunjtë”, “Kur është gruaja memece”, “Hanka”, “Miu në xhep”, e të tjera. Ka interpretuar edhe role jo të pakta dramatike, ku shquhet për rolin e Ana Frankut te “Ditari i Ana Frankut”.

Në role kryesore ka interpretuar edhe në shfaqjet gjatë viteve ’60 si: “Fjala është për banesë”, “Kvej Llan” (në gjuhën serbe), “Kushëriri prej Amerike”, “E shoqja e Hasan Agës”, “Familja e pikëlluar”, “Autobiografia”, “Nuk martohem me pare”, “Tartufi”, “Duart e papastra”, “Othello”, “Antigona”. Në dekadën pasuese, Qena ka interpretuar edhe në inskenime të tjera si “Perkolgjinajt”, “Të ngujuarit”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Hotel Kashta”, “Zëri i ndërgjegjes njerëzore”, e të tjera.

Pos përvojës së gjatë në skenën teatrore në vend, aktorja Qena do të bënte emër edhe në miniseri televizive e komedi. “Po e zëm, po e zëm” (1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (1975), “I ikuri” (1980), “Qesh e ngjesh” (1982), dhe “Shkolla e fshatit” (1987) ishin disa prej performancave të njohura të Qenës me të cilat bëri për vete simpatinë e publikut.

Ishte e martuar me aktorin Xhevat Qena me të cilin u njoftua gjatë interpretimit në skenën e Teatrit Kombëtar, në shfaqjen “Macja mbi çatinë e nxehte”. Së bashku çifti u bë i njohur për një audiencë të gjerë të teatrove.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat