Përsëri dy fjalë për alfabetin e shqipes

Kultura

Përsëri dy fjalë për alfabetin e shqipes

Nga: Prof. dr. Eshref Ymeri Më: 26 mars 2021 Në ora: 08:17
Prof. dr. Eshref Ymeri

Tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, në portalin “Zemra Shqiptare” të datës 14 nëntor 2018, fare rastësisht hasa në artikullin me titull “Kongresi i Manastirit - Faqe e lavdishme në historinë e popullit shqiptar”, me autor zotërinë Zymer Mehani, i cili shkruan:

“Nuk mund të themi se alfabeti i autorëve të vjetër ka qenë mbështetje për alfabetin e sotëm.... E përbashkëta e tyre qëndron se, si alfabeti i tyre, si alfabeti i sotëm, u mbështet në alfabetin latin… Me 22 nëntor 1908, përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, i cili, e miratoi alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.

Po si t’ia bëjmë natyralistit të famshëm romak që thotë diçka krejt tjetër për “origjinalitetin” e alfabetit “latin”?

Një figurë e njohur e diplomacisë shqiptare, shkruan:

“Miku im i mirë, erudit dhe njohës i historisë shqipe, Gjergji, më dërgonte para dy ditësh, nga Nju Xhersi i Amerikës, pasi kishte lexuar shkrimin tim botuar te “Koha Jonë” mbi “Arbanasit” në brigjet e Dalmacisë, një mesazh në e-mailin tim:

“Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.r. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar “Naturalis Historia”. Në vëllimin VII, ai shkruan: Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”” (Citohet sipas: Alfred Papuçiu. “Duke iu rikthyer mitit të gjuhës. Gjuha shqipe dhe raportet e saj me gjuhët e tjera në kohë dhe hapësirë”. Faqja e internetit “Zemra shqiptare”. 15 shkurt 2009).

Në një tjetër burim thuhet:

“Gaius Plinius Secundus, i njohur si Plini Plaku (23-79 e.r.), një natyralist romak i famshëm që botoi në vitin 77 e.r. serinë madhështore prej 37 vëllimesh për historinë natyrore të titulluar “Naturalis Historia”. Në vëllimin VI të këtil libri ai shkruan:

Latin: “Ex quo aparet aeternum litterarum usum. In Latium eas attulerunt Pelasgi”.

Italian: Da questo risulta l’uso perpetuo delle lettere dell’alfabeto. Nel Lazio le portarono i Pelasgi (le lettere dell’alfabeto)”.

English: “This results in the perpetual use of the letters of the alphabet. Inm Lazio (the letters of alphabet) were carried by the Pelasgians”.

Albanian: “Nga kjo rezulton një përdorim i vazhdueshëm i shkronjave të alfabetit (gjuhës së shkruar). Në Lazio ata që i sollën ishin Pellazgët (shkronjat e alfabetit)” (Citohet sipas: “Gaius Plinius Secundus (Plini Plaku - 23-79 e.r.) “Naturalis Historia”. Vëll VI. f. 95”. Faqja e internetit Brunilda Ternova. Giovedi, 23 maggio 2013).

Një tjetër shkencëtar i njohur, profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në një libër të vetin që ua ka kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavishtes së vjetër, të botuar në Sofje, në gjuhën bullgare, në vitin 1981, thekson se, gjatë punës për krijimin e atij alfabeti, ata u mbështetën në shtatë burime. Mes këtyre burimeve, burimi i tretë (f. 60 e librit në fjalë) ishte staro allbansko pismo (shkrimi i vjetër shqip). Dihet që Kirili dhe Metodi e krijuan alfabetin e sllavishtes së vjetër në shek. IX (viti 860). Ta quash shkrimin shqip të vjetër në shek. IX, do të thotë që “mosha” e tij duhet të jetë mijëravjeçare dhe nuk besoj se profesori Toth duhet të dyshohet për “shqiptarocentrizëm”, as filologu Catapano që thotë se ilirishtja është folur mëse 12000 vjet më parë. Por dokumente të shkruara të periudhës iliriane nuk gjenden, sepse rrënimin e kulturës mijëravjeçare iliro-epirote e nisi gjenerali romak Paul Emile, i cili, në vitin 168 p.e.r., rrafshoi 70 qytete ilire, i vuri zjarrin të gjithë kulturës ilire dhe shiti si skllevër 150 mijë banorë vendës. Dhe senati romak e festoi me bujë të madhe pushtimin e Ilirisë. Veç kësaj, dokumente të shkruara të periudhës së Ilirisë, fatkeqësisht, nuk gjenden se edhe “kamillafi” grek i ka kërkuar pilë më pilë me pishë në dorë, për t’i zhdukur nga faqja e dheut.

Pikërisht gjuhën shqipe, këtë simbol të kombit shqiptar, kisha shoviniste greke e ka vlerësuar si armikun kryesor të saj. Prandaj ajo dërgonte në trojet shqiptare një emisar të vetin me emrin Kozma, me fermanin e agait të Stambollit në xhep, një bashkëpunëtor i djallit ky, të veshur me petkun e “shenjtorit”, i cili mes shqiptarëve kërkonte të bënte predikime prej armiku të urryer të kombit shqiptar:

“…Perëndia e quante veten të fyer kur dëgjonte lutje me lavde në gjuhën shqipe” (Citohet sipas: Nuri Dragoj. “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”. Tiranë 2009, f.64).

Prandaj, në burime të tjera, të cituara prej studiuesit dr. NuriDragoj, thuhet se autorë të huaj “japin argumente bindëse për mënyrën se si janë shkatërruar të gjitha arkivat e primatisë ilire dhe të gjitha pjesët përkatëse të marrëdhënieve kanonike, të cilat ilirët i kishin pasur, deri në atë kohë, me Romën. Sipas tyre, ka pasur dokumente të çmuara edhe në Manastirin e Shën Naumit, të ndërtuar në shekullin XII, të cilat u shkatërruan me urdhër të patrikut grek në vitin 1850 ose 1851. Në këtë rast, ata citojnë murgun Serafim, autor i këtij akti vandalizmi, i cili, më 1856, i thoshte peshkopit Popov dhe tre shokëve të tij (një dhjaku dhe dy priftërinjve francezë): “…Sa më ka kushtuar për t’i shkatërruar të gjitha këto! Por patriku më ka urdhëruar tri herë radhazi. Më së fundi, ai më shkroi: “Është hera e fundit që ne të urdhërojmë. Nëse në këtë kohë nuk janë djegur të gjitha arkivat, ti do të zëvendësohesh dhe atë që nuk do ta bësh ti, do ta bëjnë të tjerët’. Vetëm atëherë arrita në përfundimin që të bëja një pirg me to para manastirit dhe t’i vija flakën. Por sa keq më vinte”” (po aty, f. 49).

Është e çuditshme që delegatët e Kongresit të Manastirit, të cilët organizuan atë Kuvend me rëndësi të jashtëzakonshme për kombin shqiptar, nuk e kanë pasur informacionin e duhur për lashtësinë e alfabetit pellazgoilir, prandaj edhe alfabetin e shqipes në atë kongres e pagëzuan padrejtësisht si alfabet latin.

Para se të bënin atë pagëzim, kuvendarët e Kongresit të Manastirit le të sillnin në kujtesë vargjet e famshme të Naimit:

Bota që kur është zënë,

Shqipëria gjall ka qenë!

Pellazgë u thoshin më parë,

Më së fundi Shqipëtarë.

Gjuh’ që flisjin Perënditë,

Atë flisjin pellazgitë;

Atë kanë Shqipëtarët,

Si q’e kishin dhe të parët.

Greqishten ajo e polli,

Latinishtja andej doli...

Mirë është që kur dikush merr penën për të hedhur në letër mendimet e veta për alfabetin e shqipes, të mundohet paraprakisht të bëjë “gërmime minerare”, në mënyrë që këtij alfabeti të mos i japë “atësi” të huaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat