Një koncert në kohë pandemie

Kultura

Një koncert në kohë pandemie

Më: 29 mars 2021 Në ora: 20:59
Foto ilustrim

“Këtë mund ta përjetoni vetëm sonte – ndaj shijojeni”, iu drejtua pesëmijë spektaktorëve, moderatorja e koncertit të grupit “Love of Lesbians”, në sallën “Palau de Sant Jordi” të Barcelonës, ku normalisht mund të futen deri në 24 mijë mysafirë.

Koncerti u u mbajt në kuadër të një projekti pilot dhe u miratua zyrtarisht nga autoritetet spanjolle. Sipas organizatorëve, kjo ishte ngjarja më e madhe e këtij lloji që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Qëllimi ishte të testohej nëse një ngjarje e tillë mund të jetë e sigurt pavarësisht pandemisë dhe nëse mund të ketë masa të mjaftueshme parandaluese.

Edhe për këngëtarin e grupit, Santi Balmes, ky ishte një moment i papërsëritshëm: “Mirësevini në një nga koncertet më prekëse të jetës tonë!”

Mbrëmja ishte padyshim sukses i plotë për fansat.

“Ishte e mrekullueshme. Në fakt ishte edhe më mirë sesa para koronavirusit, sepse të gjithë ishin tepër të lumtur që më në fund mund të ishin përsëri në një koncert. Shumë vallëzuan dhe kënduan edhe me maska”, thotë një vizitor për agjencinë e lajmeve DPA.

Para dhe gjatë koncertit, ishin vendosur masa të rrepta mbrojtëse, të cilat u monitoruan nga një ekip mjekësh. Të gjithë spektatorëve iu desh të bënin një test të shpejtë të shtunën nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 4:00 pasdite, në një nga tre qendrat speciale për teste. Vetëm gjashtë nga pesëmijë testet ishin pozitive, shkruan gazeta “La Vanguardia”. Sipas organizatorëve, vetëm vizitorët e regjistruar të moshës 18-65 vjeç që kishin një celular të ri u lejuan të shkarkonin një program për rezultatin e testit. Për më tepër, shikuesit duhej të pranonin që të dhënat e tyre të krahasoheshin me ato të autoriteteve shëndetësore.

Më parë, pak para Krishtlindjeve, është mbajtur një koncert nga këngëtari i muzikës pop Raphael, në Madrid. Edhe në këtë koncert ka pasur rreth pesëmijë pjesëmarrës, por pa mbështetje shkencore. Publiku duhej të ulej dhe të mbante distancën. Në Holandë, studiuesit kohët e fundit zhvilluan një manifestim në një diskotekë të madhe për të studiuar sjelljen e pjesëmarrësve – një test negativ ishte gjithashtu një parakusht për pjesëmarrjen këtu. /DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat