Ëndrrat e Remzi Bashës janë dashuria dhe Shqipëria

Kultura

Ëndrrat e Remzi Bashës janë dashuria dhe Shqipëria

Nga: Baki Ymeri Më: 31 mars 2021 Në ora: 00:11
Kopertina

Ëndrrat më të bukura të remzi Bashës janë Dashuria, atdhedashuria dhe Shqipëria Natyrale. Historia është një analizë e së shkuarës me qëllim për të kuptuar tanishmërinë dhe për ta konsoliduar arrdhmërinë. Sipas Nolit, shqiptarët janë raca më e vjetër e Evropës. Faik Konica ka thënë se flamuri shqiptar, me lashtësi 500 vjeçare, është flamuri më i vjetër i Ballkanit. B. Kushner: Shqiptarët janë të mbyllur, por ata janë të fuqishëm dhe të patrembur kur duhet të përballen me kundërshtarin, varfërinë apo arrdhmërinë.

Artisti edhe prej gjërave të rëndomta mund të bëjë mrekullira. Dashuria e rilind njeriun. Poeti përkulet vetëm përpara dashurisë. Dashuria nuk është diçka e rëndomtë. Ajo është një mrekulli magjike që e vërtit botën. Dashuria është rreze dielli që depërton në gjak. Jo më kot kemi thënë se bota rrotullohet rreth diellit, kurse dielli vërtitet përreth femrës. E kemi thënë paraprakisht dhe vlen ta rithemi: Femra është si llokumi. Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç për shpirtin kurse beli i bukur është ushqim i mirë për ndjenjat. Poeti përulet vetëm para gruas. Edhe në këtë vepër të re defilon drita, fryma dhe shpirti i fjalëve! Fjalët lindin nga drita, ndërsa poezitë e librave të Remzi Bashës i shoqërojnë fotografi aktoresh të famshme botërore si: Ingrid Bergman, Brigite Bardo, Marylin Monroe, Ava Gardner, Lana Turner etj.

Aq shumë e ka dashur Remziu atdheun, saqë e ka harruar vetveten! Nga të gjitha shekujt që i ka përjetuar shqiptarizmi, neve na duket se shekujt më të paharruar mbeten: Mesjeta e Skënderbeut, periudha e Rilindjes, dhe kjo e betejave përfundimtare, për çrobërimin e trojeve shqiptare nga agresioni pansllavist. Partitë politike janë kuajt e artë të historisë së shqiptarëve, por kur ato bëhen banale, populli i çon në kasaphane, siç vepruan gjermanët me Partinë Nacional-Socialiste të Fyhrerit. Populli shqiptar, në pikëpamje politike, ka një lavdi të çuditshme. Sikur t’i mbledhim krejt politikanët tanë që e krijuan Shqipërinë, Egjyptin, Turqinë, Rumaninë, duke ua shtuar edhe ministrat shqiptarë të Kosovës dhe Maqedonisë, do ta kishim furnizuar edhe qeverinë gjermane me një numër të atillë ministrash, që do t’i shpallnin ilegale vendimet e Kongresit të Berlinit (1878), dhe ato të Konferencës së Londrës (1913). Përmes një akti të tillë, Albano-Maqedonia, Çamëria dhe Kosova Lindore, ç’prej moti do ta gëzonin pavarësinë totale, dhe mirëqenien ekonomike të Perëndimit.

Shpirtluanesha ime, Me muguj e mbërthej pallton, Pasqyra e ujit, Duke e pritur Afërditën, Ilaçet e dashurisë, Rrugica, Kusari, Mbretëresha, Fjalët e dashuruara, Rrobat e brejtura, Këndojmë së bashku, Në botën e ëndrrave të mia, E vadiste vjeshtën me fjalë, Një përrallë në mes të ditës, Fytyra e gruas, enigmë e zbuluar, Dhimbje e përfolur, Urtësi, Ëndërra fluturimtare, janë disa nga poezitë më të bukura të kësaj vepre që e sheh dritën e botimit në kryeqendrën e mërgimtarëve tanë të famshëm: Nikolla Naço, Lasgush Poradeci, Asdreni, Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) etj.

Cili është shëndeti I shportit? Shpirti është shkenca supreme. Asgjë nuk mund të qëndrojë përmbi këtë shkencë. Qenja e shpirtit është tejet e thellë. Sipas Heraklitit, atë s'mund ta gjesh, edhe po qe se e kërkon përgjatë krejt rrugëve të botës. Shpirti është qenësi e Krijuesit. Trupi është qenësi e tokës. Njeriu është krijuar prej dy përbërjeve: shpirtit dhe trupit. Sipas vargjeve të Remzi Bashës, shpirti është i përhershëm dhe i pavdekshëm. Trupi është nga dheu dhe kthehet në dhe sipas përcaktimit të Zotit. Cili pra qenia më e rëndësishme? Është shpirti që e lëviz trupin dhe që është i përhershmëm, apo trupi që detyrimisht shpërbëhet dhe i kthehet tokës? Ushqejeni sa më shumë shpirtin nëse e dëshironi pavdeksinë dhe lumturinë e përhershme! Trupin sa do që ta ushqeni tokës do t'ia ktheni!

Ja disa vargje briliante: Erdhi me flatra të arta/ Të ma zgjasë jetën/Unë sot jetoj me ajrin/ Dhe frymëmarrjen e saj/ Kryezonja e vatrës sime/ Është shpirtluanesha trime/ Dhunti hyjnore e botës/ Kryeengjëlli i zemrës sime/ Frymëzim i shpirtit tim. (Shpirtluanesha ime). Dhe më tej: Afërdita zbriti nga qielli/ Si dhuratë e Perëndisë/ U shkëput nga dielli/ Si një engjëll i bekuar/ Erdhi me flatra të arta/ Të ma zgjasë jetën/ Unë sot jetoj me ajrin/ Dhe frymëmarrjen e saj/ Kryezonja e vatrës sime. Remzi Basha vjen para nesh me një energji të mrekullueshme hyjnore që ia ka dhuruar Zoti. Na e merr mendja se në Ballkan mund të bëhesh filozof, edhe pa e studjuar filozofinë. Qëllimi elementar i saj është fisnikërimi i shpirtit dhe shëndeti i tij.

Hareja, gëzimi, kënga dhe muzika ishin veti e përditshme e dardanëve. Arti lind nga imagjinata ndërsa muzika është kënaqësia e shpirtit. Thonë se leximi ushqen trurin, poezia shpreh shpirtin e njeriut, ndërsa letërsia shpreh shpirtin e kohës. Sytë janë pasqyra e shpirtit. Ato janë mjet i jashtëzakonshëm, për të depërtuar në shpirt. Shpirt i trazuar, shpirt i frymëzuar, shpirt i shenjtë. Thonë se edhe fjala ka shpirt. Nuk të shërojnë ilaçet, sa të shërojnë fjalët. Shqiptarit i ka hije fjala dhe pushka. Fjalët e bukura janë si një hoje mjalti: të mira për shpirt dhe të shëndetshme për eshtra. Libri është shëndeti i shpirtit. Shpirti i fshatit, shpirti i gjumit, trupeshpirt, shpirt’ i dashurisë. Cilat janë specialitetet e shpirtit? Po e ripërsërisim ngase përsëritja është nëna e kujtesës: Shpalimi i gjirit të femrës është ilaç i mirë për shpirtin, ndërsa beli i bukur, ushqim i shijshëm për ndjenjat.

Ja edhe një gamë vargjesh që e justifikojnë këtë subjekt: Fjalët na dashuroheshin në tryezë/ Pranë filxhanave të kafesë/ Nën sytë tanë zaliseshin/ E dridheshin trupat fërgëllimtarë/ Krejt tingujt u mbusheshin me diell/ Dhe shkriheshin e bëheshin/ Matejre derdhëse/ Kur kuptimet iu përzjeheshin/ Fjalët tua i gllabëronin/ Fjalët e mia deri në tingullin e fundit/ Deri në shenjën e fundit/ Dhe në këtë përqafim dridheshin e ngjanin/ Më parë me një nokturno të Shtrausit/ Apo me një gjuhë të folur/ Nga hyjnitë e inventuar atypëraty. (Fjalët e dashuruara).

Der Kraft kommt aus dem Herzen, thonë gjermanët. Thonë e ç’nuk thonë. Thonë se ilaçet bëhen nga shpirtërat e njerëzve të mirë. Vallëzimi është sport, meditim, shpirt dhe poezi, rruga më e mirë për të arritur në shpirtin e një femre. Mjeti më i mirë për përsosjen e shpirtit, është nxitja e trupit. Edhe vetura ka shpirt, po qe se e parkon para diskotekës së Dan Dinit në Shipkovicë. Po qe se i hedh ca vaj, ajo e lyen shpirtin e saj. Po ku je mor shpirt, i thot gruaja burrit kur kthehet nga kurbeti me limuzinë. Po ti ku je moj loçka jeme, ia kthen mërgimtari i përmalluar, për ta ndjerë shpirtin e saj, para se ta shohë shpirtin e fshatit. Shpirti i fshatit është shpirti i kombit. Kaq sa për shpirtin sot, ngase mund të preket dikush që ende se ka kuptuar se shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore, apo ndonjë pasanik i varfër që nuk e hap kuletën për një gazetë shqipe apo për një libër shqip! Përsëeri po ia japim fjalën autorit:

Mëngjesi me freskun e tij/ Troket në kanatat e dritareve/ Përmbi fshehtësinë e natës./ Nusja ime me fustan të bukur/ Hyn në shtëpinë e ilaçeve./ Mes gjetheve të zverdhura/ Krijon vend për ditën e re. Dhe më tej, në poezinë Ilaçet e dashurisë: Nuk ka sëmurje pa ilaç/ As ilaç pa Zot/ Dhe as jetë pa vdekje./ Ilaçet e Dashurisë/ Janë dhuratat e bekuara/ Të lumturisë së përjetshme. Shqiptari ngado që shkon, vendin e vet s’e harron. Shpirti shqiptar është një vlerë hyjnore. Kurrë s’trembet shqipëtari, që ka në zemër dhe gjak si zjarri. Shka bojn shqyptarët e mjerë? - pyeste Fishta për dembelat e Ballkanit. “Hanë fiq e qesin petlla n’ujë. Dhe e shikojnë ushtarin e huj. Pale a e ka fesin qyp apo kapelë. Pale a e ka kalin at apo pelë.” Të këtillë na duken sot, ata që i hedhin më shumë lekët për cigare e kafe, se sa për shtyp e për fe. Me çikto njerëz nuk dritohen brinat e dashit, na thoshte Efraim Tasini një ditë, derisa Përtac Trishtimi kalonte nëpër Mirditë. Shqiptarët dikurë digjeshin për Shqipërinë. Ku janë ata shqiptarë të hatashëm, që i kishim në kohën e Xhelal Gjurës dhe Lazim Rexhepit? Burra e shkuar burrave, për nderë e për shpresë, për trimëri e për besë. Ku është zemërgjerësia karakteristtike, e atyre që shkriheshin për komb e atdhe, siç ishin rilindasit tanë, atëherë kur toska e gega, myslimani e i krishteri, hidheshin në flakë të barotit, për t’ia shpëtuar trojet Shqipërisë, nga hazërxhinjtë e Turqisë dhe derrat e Rusisë!

Duke deshifruar poezitë e Remzi Bashës, kuptojmë se shpirti shqiptar është shpirt i shenjtë. Skënderbeu përleshej me Islamin, ndërsa Adem Jashari me Sllobodanin. Njëra palë me ata që na e ngulfatën dembelizmin dhe fanatizmin, ndërsa tjetra palë, me ata që na bënë gurabi, kompira, apo myzevira. Falënderojmë Zotin që iku ajo kohë kopiliste, kur shqiptari e shiste shqiptarin! Vetëm në kohën e komunizmit, njeriu shkonte në burg, për një fjalë goje. Shyqyr Zotit që bota shqiptare, tashmë ndërlidhet me Perëndimin katolik, siç ka qenë edhe ajo dikurë, që nga Presheva e Kodrës, e deri te Universiteti Katolik i Shkodrës. Që nga Suli i sokoleshave që hidheshin nga shkrepat, për të mos rënë në kthetrat e fanatikëve të Azisë, e deri te trimëreshat e Drenicës, që rrokullisnin shkrepa malesh, kundër bishave të Serbisë. Ato sot e kësaj dite mbajnë do emra fanatikësh, dhe do mbiemra katolikësh: Gjura, Gjergji, Gashi, Sokoli, Pashku, Antoni, Krasniqi etj. Dil o Skënderbe nga varri, ta shikosh si ia jep sot dërmën shqiptari, edhe palës dembeliste, edhe bushtrës komuniste! Shpirti shqiptar është shpirt i punës. Jo më kot, Enver Prifti, e pagëzoi partinë e tij, Partia e Punës, edhepse paralelisht me punën, e praktikonte edhe dhunën. Shqipëri moj Nëna ime, ndonëse jam i mërguar, Zërin tënd moj Zemër, nuk e kam harruar! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat