Dy kroje të një fshati

Kultura

Dy kroje të një fshati

Nga: Nexhat Halimi Më: 5 prill 2021 Në ora: 13:51
Nexhat Halimi

Në shkëmbin gjysmë të çarë, në bregoren e theksuar mbi T., në një fragment bisede me malësorin e mbështjellë kokës me maramë, do të bëjmë fjalë për përpjekjen e secilit, që me zor ta sjellin të renë.

Fshatin e mbanim sikur në pëllëmbë të dorës. Në rrugicat mes shtëpive, me dritare të vogla lëviznin njerëz e kafshë. Fëmijët me torba në shpinë ngarendnin për në shkollë

-Të etur e të uritur për të ecur krahas tufash të dritës, natyrisht, ëndërrojmë të arrijmë në gjithësinë e mësimit të shkronjës shqipe, të ndërtimit të urës, të gjuhës së përhirtë të rrugës, të vegimit të dritës në secilën shtëpi, të shërimit të dhembjes e lidhjes së plagës në ambulancën e fshatit... të ecjes me të arriturat, të cilat bota tashmë i ka prekur kaherë.

Gjatë ecjes nëpër fshat do të mësojmë të vërtetën, e cila e vret tërësisht atë që e tha malësori.

-Pse s'qëndron në furinë e fjalës së thënë... Pse flet dhe e harron traditën e fjalës, të besës , për të cilën gjë na njeh gjithë bota.

-Natyrisht, e thashë në atë mënyrë, ngaqë dua e reja të arrijë mes nesh me rrjedhë më të furishme. Gjatë kohë e kemi pritur të uritur për të dhe të etur, ndërsa krejt afër kroit të gurit me ujin bilur, që rrjedh nga veriu, ku ishim, e bashkohet me ujin e kroit tjetër, që rrjedh nga jugu dhe takohen aty, në mes përmes fshatit. Uji i pastër, ta përdorësh për ilaç, ikën dhe e shuan etjen. Duhet ngrehur vetëm një urë të bukur përbri të vjetrës dhe uji nga dy krojet të bëhet një aty e të nis rrjedha e njënjëshme, deri sa të lidhet në gjithësi më të madhe, siç do të duhej të kishte synim dhe gjaku ynë

Ecim nëpër vijat e udhës nëpër fshat, herë afër e herë tjetër larg shtëpive të vjetruara në lugjet e bregoret vite më parë. Të thjeshta, me nga rrugicë që zgjatet deri te pragu i tyre. Aty frymojnë burrat e gratë, fëmijët e ngazëllyer me ndonjë lojë të tyre.

Era, që frynte egër nga majat e bjeshkës nën mjegull dhe ende nën borë, ashpër e prekte në zemër korrikun, i cili shtrihej në copëzat e gurit e arat e rënduara me kallinjtë të artë të grurit. Përkundeshim në shalët e lodhura të këmbëve, kureshtarë të shikonim çdo gjë, rrugës gjarpërore që përpihej ndërmjet gurësh, në roje të përmotshme të botës së fshatit , me shtëpi të shkapërderdhura kurrizeve e luginave, ndërmjet drurëve të vjetër e të gjatë, e krojeve, uji i të cilëve ndrit ngjashëm me dritat në qiell.

Në këtë kohë të verës, këtu në bjeshkë bën më ftohtë.

Vetëm mbasi të na është afruar fare, thuaja i shpikur nga gjysmë harku i bregut, njeriu që na përshëndet me dorë mbi zemër, na thotë, i lumtur. –Ja, pak-pak, çdo ditë e sjellim me zor të renë.

... Këtë fjalë gur e dëgjuam tashmë.

E, ç' të keqe ka kjo? Duhet pandërprerë ta përsërisim këtë fjalë.Pa fjalë nuk ka zbërthim të ndonjë sekreti, të ndonjë vigme...

Fjalët nuk e ndërtojnë atë që synoni, veç punët ,mik. Fol ndonjë gjë tjetër.

-...Ndoshta, doni të shkruani për shkollën e fshatit, atë s'e kemi. Nxënësit mësojnë në një shtëpi private, gjysmë të rrënuar!

Ndoshta doni të shkruani për dritën elektrike, që afër e kemi e prapë s'e kemi. Shumica e fshatrave përreth kanë dritë.

Apo ndoshta, për këtë rrugë, që sa herë merr mot i ligë do të jetë dhe e pakalueshme.

Ndoshta, mund të jetë, doni të shkruani për rrjedhat e jetës, këtë nën hije të maleve. Për fshatin, për peizazhin e bukur që e ka, për drurët me kurore të shpeshta, për degët e tyre , të cilët ngjajnë në qerpikë të ndonjë gruaje të bukur, apo ngjasojnë në krah të ndonjë shpendi që e ik qiellin me furi.

... për llambat e lashta të vajgurit, ndoshta, për to doni të shkruani?!

Apo, për të rënë, që pak ka hyrë, e – besa, duhet të hyjë më shumë, e sa më parë dhe rrënjët e malësisë, e për gjëra e gjëra që mund të radhiten për këtë të përditshme... E sidomos për jetëmbetjen, shkëmb... – Ja, kryesisht merremi me shitje drurësh, veç fshatin nuk e lëshojmë.

E, gjithë kjo,- meditoj në vete- është a s’është jeta ajo, siç e tha malësori .

- Ka hyrë apo jo e reja në të?- gërshetohen dy zëra për njëherë të malësorit dhe të tjetrit malësor.

Çfarë pritet më?

-Kush pritet t'ua sjellë të renë që nuk e keni. Çfarë keni bërë ju për të... për të renë, duhet luftuar dhe vetëm atëherë ajo do të vijë t'iu prek!

ka prekur, ka prekur. Po ende jo sa duhet...-ndërhyjnë të dy malësorët me një zë.

-E reja agoi me kohë, - thotë i pari.

-Ajo megjithatë nuk lulëzoi vetë, si pema, - thotë i dyti.

-As nuk e solli kush në krah të gatshme. Ajo lindi ndërmjet mëngjesit e mëngjesit, nga djersa e derdhur në këtë tokë të ashpër e të egër, - folën në një zë, ndërsa me kureshtje sodisnim , dritaret e vogla të shtëpive me pullaze të përhirta .

-Në atë tjetrën kohë jetonim pa shkollë e pa rrugë që na lidhte me botën, - ndërhyri i pari prapë.

-Rruga është dashur të jetë pak më e mirë, veç i vjen radha dhe ta rindërtojmë, - thotë i dyti.

Shkapërderdhen fjalët e malësorëve, që ngjitën rrugës, e cila vend-vende merr kthesë e ik atje tek majat e malit puqen me qiellin, atje tek mjegullat krijojnë mozaik përrallor.

Secili i ngarkuar me vitet e hallet e veta, me gëzimet e hidhërimet që i shkruan jeta, ngjitet për në fshat ndonjëri ka blerë lakra, tjetri ndonjë laps e fletore për fëmijën e vet shkollar, i treti diçka tjetër...

Përsëri tirren fjalë.

- Ja, po dalin nga orët e mësimit dhe nxënësit e nxënëset e vogla dhe shpërndahen nëpër rrugët e fshatit pak të shkelura. E ndjekin mësimin me rregull, mësojnë gjëra të reja... Vashat e kohës së ikur – të mbuluara me perde fytyrës, tashmë i gjeni vetën në përralla të lashta. Femra më nuk e fsheh vetveten nga hija e vet, s'e fsheh më freskinë e bukurinë nën mbulesë të zezë. Ajo tashmë ka vërshuar në shkollim, në shtigje të reja, megjithatë ende nuk është arritur sukses në këtë hporizont.

Kjo gjë ende i ka dhembjet e veta, - ndërhyjnë malësorët.

Fëmijët e ndërrimit të pasditës, me të na vërejtur, mblidhen dhe na shikojnë me kërshëri.

-Çfarë keni mësuar sot , a do të na tregojë ndonjëri?

-Në dy orët e gjuhës shqipe mësuam për foljet... – thotë njëri.

-Në orën tjetër mësuam për mënyrën e shkrimit të dramës. Për dialogët, për monologët ... -ndërhyn tjetri.

-Orën tjetër e mbyllën duke mësuar matematikë, më pastaj mësuesja na e shpërndau dhe revistën për fëmijë Pionieri. E shfletova dhe ndala te vjersha. e cila më pëlqeu mjaft shumë. Poezia Mbrëmje në Ulqin, - thotë një tjetër dhe e nxjerr revistën nga torba. E shfleton dhe nis të lexojë, -

Mbrëmje në Ulqin

Kalaja e vjetër. Dhe rojet prej guri.

Porta dru i djegur dhe një copëz muri.

E deti i pafund nën yje, gjithë kaltri.

E vreshti me bistak rrushi të ri.

E një ulli lart në gur. Dhe një shegë.

E qielli - flakë, apo zemër shalqini,

Kaq larg e afër, i derdhur ndër degë,

Në gjithësi nga përkundet Ulqini.

Mes vreshti kasollja. Lart hëna fanar;

Vendit thua` njëmend aspak s` lëviz.

Ty të pret, or. A e zure, paç verë të mbarë!

- Jo, s` zihet dot, pa e qëlluar me shtizë.

(Deti e qielli tashmë bien në qetësi.

Sall kohë e ikur pik gjak në kala.

Valët puthin muret, tresin në largësi,

E yjtë ndrisin të qeshur mbi lima`.)

Ja dhe varkat vijnë nga deti menatë,

E floçka e bukur sykaltër del e shëtitë.

- Pse s` ia vjedh këmishën e gjatë,

Pse Petrit nuk ia vjedh fshehtësitë?!

Papritur në qiellin mes shkëmbit të Veriut dhe shkëmbit të Jugut, shfaqet një xhitë me ngjyra ylberi. Xhita lëviz mbi fshatin, ndërmjet shtrihen udhët, dy krojet dhe shtëpitë e vogla me dritare të ndritshme, drunjtë e vjetër, aty-aty ndonjë rrip toke i mbjellë me kallinj të artë. Fshati nën xhitën me ngjyra ylberi ngjet në një anije, e cila prajshëm udhëton me ritëm ndër kohë.

-... kemi, mjaft shkollarë. Fëmijët e T., kanë zbritur dhe në qytet, në shkolla të mesme mësojnë, ka dhe në fakultete. Ata, ndoshta, do të sjellin të renë, edhe më shpejt. Ka T., edhe mësuesit e vet, nga gjiri i saj dolën, fliste njeriu që s'ia dinim as emrin e as mbiemrin. $E aty, afër, nxënësit e ndërrimit të parë tashmë loznin me

-E, po qe, sesi sillet, mik – kjo është e reja, ndërhyjmë.

–E “hë”, dhe femra nga ka mësyrë qytetin, të mësojë në shkollë të mesme, e nesër dhe në fakultet . Ja, sesi s'e kam ditur, e reja po lulëzon, është gjithnjë e pranishme edhe këtu.

T., ka pak, ose fare pak, tokë buke. Buka e njerëzve të këtushëm është plumbi, ai i galerive të Stan Tërgut. Kjo pasuri gjendet dhe nën themelet e shtëpive të tyre. Aty, nëpër gojën e madhe të xeherores zbresin për çdo ditë, punëtorë nga fshati. S'i kursejnë djersët, aty e kanë bukën, jetën.

Shpreson njeriu, që s'ia dinim as emrin, as mbiemrin, bashkë me gjithë malësorët se Trepça, ku ata derdhin djersën, do t'u del në ndihmë: ta ndërtojnë rrugën, që do t'i lidh me qytetin e botën, t'i ndihmojë në elektrifikimin e fshatit, në ndërtimin e shkollës së re, e të ngjashme... S'do të ishte hera e parë kjo. Trepça , veproi në këtë mënyrë dhe në shumë fshatra të Shalës.

- Jeta nën hije të maleve tirret ngadalë, veç bindshëm. Kush shet drurë. Kush tjetër shet pemë, e kush nxjerr në pazar ndonjë bagëti. Fshati kështu nën hije malesh, dita me ditë ecën nga vetja, të dal nga mbyllja, të hyjë gjelbër në rrjedhat e bardha...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat