Bajram Muharremi-Bistrica, në vlerësimin e lexuesit

Kultura

Bajram Muharremi-Bistrica, në vlerësimin e lexuesit

Nga: Kadri Tarelli Më: 9 prill 2021 Në ora: 23:56
Kadri Tarelli

Bajram Muharremi-Bistrica, botues i shumë librave, poet, shkrimtar dhe publicist, me rrënjë nga Mitrovica e Dardanisë, i cili prej kohësh jeton e punon në Suedi, më dërgoi me E-mail, tre librat e tij të fundit: “VLERËSIMET E MIQVE”. Prishtinë 2021, “MBI KRAHË TË ËNDRRËS”. Poezi, dhe “NËPËR SHTIGJET E JETËS SIME”.

Më erdhi mirë, dhe pasi e urova dhe e falënderova, i thashë: - “Cilin libër e ke më përzemër, që të përpiqem t’i bëj një shkrim vlerësimi?”. Përgjigja erdhi, ashtu siç do të kisha thënë edhe unë: “Zgjidhe cilin të duash, pasi të tre janë të dashur për mua”.

Dhe unë pëlqeva “Vlerësimet e miqve”, sepse kam të njëjtin hall, që dua të ndaj me autorin dhe këndonjësin e zellshëm. Fjala është për mënyrën e kompozimit të përmbajtjes që vendoset në libra të tillë, si një lloj monografi vlerësimi nga shkrimet e miqve dhe lexuesve.

Meqë edhe unë shkruaj dhe lexoj ndeshem me dy forma:

E para: Vetë autori i mbledh të gjitha shkrimet dhe i vendos në libër, madje ashtu thjesht, pa bërë asnjë koment, duke e lënë lexuesin të mendojë e të gjykojë. Kështu ka vepruar Bajram Muharremi-Bistrica, po në këtë formë të ngjashme ka vepruar edhe shkrimtari i njohur, studiuesi dhe dramaturgu durrsak, Shpendi Topollaj, i cili të gjitha shkrimet i ka përmbledhur e botuar në tre libra të tillë. Kështu mund të ketë edhe shumë të tjerë. Unë e vlerësoj këtë formë. Mbledhja e shkrimeve në një libër, është një veprim i mirë dhe i dobishëm, pasi në të kundërt, në kushtet e shumë gazetave dhe portaleve elektronike, të shpërndarë nëpër botë, shkrimet mund të humbasin, apo harrohen. Më pëlqen të përsëris një fjalën time: “Kokrrat e grurit që bien në tokë, nëse s’mblidhen në thes, kalben ose i hanë mizat”. Me një fjalë s’i vlejnë askujt.

Forma e dytë: Janë të tjerë autorë që merren me këtë lloj “Monografie krijuese’, duke kërkuar ndihmë për materialin kryesor, por edhe duke vënë në libër gjetje dhe copëza kujtimesh e shkrimesh nga vetja. Si të thuash, e bën librin më të ngrohtë, por më të ngarkuar, shpesh edhe me hollësi të panevojshme. Kështu kam vepruar unë në monografinë: “Hytbi Tarelli, Mjeshtër i daltës dhe penelit”, po kështu ka vepruar Viron Kona kur ka shkruar: “Ju dua më shumë se veten”, kushtuar leksikologut Sadulla Zendeli-Daja, shqiptar nga Gostivari i Maqedonisë, hartues i fjalorëve madhor Shqip-Suedisht, ose libri “Kur vjen Sokoli”, kushtuar mësuesi, gazetarit dhe shkrimtarit Sokol Demaku, shqiptar nga Drenica, që jeton dhe vepron në Suedi, dhe më tej librin ”Marigoja shqiptare në Norvegji”, kushtuar znj. Emine Hoti, stiliste dhe poete nga Drenica e Dardanisë, që prej shumë vitesh banon në Norvegji.

Një shembull të tillë ka ndjekur edhe publicisti Ibrahim Hajdarmataj, me librin: “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”. Përmbledhje artikujsh studimorë, kritikë dhe vlerësime për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Viron Kona. Në këtë hulli ka ecur edhe shkrimtari dhe publicisti Bashkim Saliasi me librin voluminoz “Parnasi sheh me bisht të syrit”, kushtuar krijimtarise dhe veprmtarisë së studiuesit Viron Kona. Me këtë lloj përvoje po ecën edhe kritiku Sejdo Harka, i cili mendon që, së shpejti të botojë librin kushtuar krijimtarisë letrare dhe publicistike të z. Bardhyl Xhama, “Mësues i merituar”. Në shembuj të tillë mund të zgjatemi shumë. Ajo që dua të theksoj, është se të dy format kanë përparësitë dhe dobësitë e tyre, ndaj zgjedhja është në dorën e autorit. Ndërsa vlerësimin e jep gjithmonë lexuesi.

Libri “Vlerësimet e miqve”, ku janë derdhur krijime të shumë autorëve, pena të njohura në gazetari, shkrimtari, poezi dhe studime të mirëfillta letrare dhe historike, është ndarë në disa kapituj: -1. Vlerësime për veprat e Bajram Muharremit. -2. Opinione. -3. Reportazhe. -4. Intervista dhe -5. Përgëzime. Mundësi e mirë që lexuesi të zgjedhë ç’të dojë dhe t’i rikthehet më pas të lexojë në shkrime të tjera. Me nderim mund të përmend disa prej tyre

Fetah Bahtiri, është ai që e nis kapitullin e parë, me shkrimin: “Një libër i pasur me materiale dhe vlera”. Bajram Muharremi – BISTRICA në librin: ”Gjurmë atdhetarie”, 2015, ku ve në dukje: - Autori nuk është mbështetur vetëm në kujtesën e tij, por ka bërë hulumtime e gjurmime të mirëfillta të ngjarjeve historike, të gjeografisë, folklorit e të fushave të tjera që kanë të bëjnë me Shalën e Bajgorës, pra të mjedisit ku ai ka jetuar dhe vepruar, që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme.

Viron Kona. Anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi, me shkrimin: “Vargje me tingëllim dashurie dhe krenarie atdhetare”, kushtuar librit me poezi “Vullkani i fjetur” dhe “Dashuri e shprehur me gjuhën e shpirtit dhe të zemrës”. kushtuar librit “Vullkani i shpërthithur”, duke cituar dy vargje: “E shtrenjta Dardani!” “Stuhia u mundua dhe rrënjët t’mi shkulë/ Por unë i fortë qëndrova, pa u përkulë!”

Nuri Dragoi. Anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi, me shkrimin: “Poeti që përgjërohet për Kosovën”, kushtuar librit me poezi “Vullkani i fjetur”.

Kadri Tarelli. Anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi, me shkrimin “Vullkani u zgjua”, kushtuar librit me poezi “Vullkani i fjetur”.

Prof. Dr. Sheqir Kutllovci, me shkrimin: “Profili i shkurtët biografik dhe poetik i Bajram Muharrem-Bistrica”, rrëfen: - Bajram Muharremi është shkrimtar mërgimtar, një poet i palodhur i cili ka shkruar disa vepra. Ato i kam lexuar me ëndje dhe me përkushtim e vëmendje të madhe. Gjëja e parë që të bie në sy, është tematika, malli për Kosovën e vendlindjen, mjeshtëria artistike, gjuha e përdorur, etj.

Libri vazhdon me “Opinione”, ku po veçoj disa autorë:

Sokol Demaku ka kushtuar një shkrim: “Bajram Muharremi, shembull i angazhimit në mërgatë”, ku vazhdon fjalën: - Të flasësh për Bajram Muharremin, duhet të mendosh se flet për njeriun e sakrificave, për një mërgimtar intelektual, që në ditët e sotme zë vend të rëndësishëm në letrat e shkruara shqipe, në punën e arsimit shqip, në prezantimin e kulturës dhe gjuhës shqipe në mërgatë.

Xhavit Çitaku, në shkrimin: “Krijues i suksesshëm dhe kontribues i madh për komb e atdhe”, shprehet: - Të jesh krijues në mërgatë asesi nuk mund të mbetesh indiferent për asgjë që është motiv i reflektimit dhe shtytjes për të bërë diç, që atë që të mundon ta shprehesh në letër, në këngë apo në forma të ndryshme të komunikimit. Pra, ai vihet në qendër të veprimit për ta mbajtur të ndezur shkëndijën e atij veprimi që gjallëron e forcon shpirtërisht, për aksione praktike që aq mirë i pret lexuesi dhe publiku në përgjithësi”.

Elhame Gjyreci, që jeton në Danimarkë, në shkrimin: “Jeta e një krijuesi e lidhur me atdheun dhe artin”, thekson: - Njerëzit si Bajram Muharremi i duhen shoqërisë dhe vendit tonë në çdo kohë.

Hyrë Tejeci – Murati, me shumë ngrohtësi, ve në dukje: - Në poezinë e Bajram Muharremit, çdo lexues mund të gjejë diçka nga vetja e tij.

Flakron Bugaçkiu, pa ngurim shprehet: - Një miqësi që do të vazhdojë deri në përjetësi (Si u njoha me Bajram Muharremin – Bistricëa), etj.

Më pas zenë vend disa reportazhe me vlera letrare, njohëse dhe historike. Nuk po ndalem te të tjerët, duke u mjaftuar me Dr. Nuri Dragoj, me shkrimin “Një udhëtim historik nëpër trevat shqiptare”, (Reportazh). ……. “Dje ishin shqiptarët që e shihnin Kosovën me dylbi nga Morina, sot janë serbët që venë dylbitë matanë Mitrovicës”.

Nuk mund të le në heshtje kapitullin “Intervista”, ku kam qenë edhe vetë i pranishëm. Një ndodhi e paparashikuar nga grupi ynë: Viron Kona, Zyhdi Dervishi, Nuri Dragoj dhe Kadri Tarelli, të ftuar të vizitojnë qytetin e Mitrovicës. Ishte Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI. Albani”. Suedi dhe z. Bajram Muharremi-Bistrica, që krahas mikpritjes dhe vizitës në qytet, na vunë para një të papriture të këndshme: Intrevistë në televizionin lokal të Mitrovicës me gazetarin e njohur Fazli Muharremi – Tali.

Po mjaftohem vetëm me pak fjale të shprehura me shumë sinqeritet dhe dashuri zemre nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi, i cili thotë: - Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI - Albani”, në Suedi, po bën një punë të mirë në afirmimin e vlerave të kulturës shqiptare. Këtë bashkëpunim e konsideroj si një nga vlerat më të vyera të punës sime profesionale shumëvjeçare.

Urime autorit Bajram Muharremi-Bistrica, për libra të tjerë, me peshë të madhe atdhetarie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat