Flet ish –ushtaraku, poeti dhe publicisti Ibrahim Gani

Kultura

Flet ish –ushtaraku, poeti dhe publicisti Ibrahim Gani

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 10 prill 2021 Në ora: 18:06
Ibrahim Gani

-Si më ndryshuan këngën me muzikë të Avni Mulës kënduar nga Alida Hisku

- Na kishin lavdëruar Hito Çako dhe Mehmet Shehu më pas erdhi furtuna

- Ramiz Alia ndaj poetëve ushtarakë kishte një ftohtësi të dukshme.

(Këto ditë është ndarë nga jeta poeti dhe publicisti Ibrahim Gani. Ai iku në heshtje por la pas botime me shumë vlerë. Njihej si një krijues rrebel në sistemin monist. Për lexuesit po sjell në formë homazhi intervistën e fundit me të.)

Me origjinë nga Progonati i Tepelenës, Ibrahim Gani mbetet një ndër poetët dhe publicistët më rebel të sistemit monist. Shkrimet dhe poezitë e tij kanë lënë gjurmë në shtypin e kohës. Në krijimtarinë e tij ai shquhej edhe për poezitë e këngëve të ndryshme në Festivalet e RTSH por edhe në koncerte të ndryshme.

Ishit një ndër ushtarakët me prodhimtari të madhe poetike në regjimin monist por jua ndaluan të shkruanit në gazetat qendrore dhe të shkruanit tekste për RTSH, pse erdhi ky dënim?

Ai regjim ka pasur shumë kufizime, ka pasur përgjime, por edhe kërkesë të madhe llogarie për nivelin e krijimtarisë. Pra kishte shumë kontrolle derisa të shkonte diçka për botim. Askush nuk mund të botonte me miqësi. Por kryesorja ishte të shkurje me partishmëri pra nën frymën e mësimeve të PPSH. Unë nuk shkruaja nën këtë frymë, pra shumë arsye, që mua mu ndalua të shkruaja por kryesorja është sepse mua dhe disa prej poetëve të asaj kohe bashkëmoshatarë të mi na kishin lavdëruar Hito Çako apo Mehmet Shehu. Dënimi i tyre doemos do të sillte dhe goditjen tonë pasi mendohej se, ne ishim miq të tyre, pra të “puçistëve”. P.sh, poetin e talentuar Lirim Deda për një poezi të tij që mori pjesë në festival e uroi drejtpërdrejt Mehmet Shehu. Madje, Mehmeti e vizitoi dhe në shtëpi Lirimin. Kjo vizitë bëri bujë në atë kohë. Pasi Mehmeti ishte shumë i kursyer në lëvdata. Por dihet ç’ndodhi më pas me Lirim Dedën. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut atë e çuan oficer në një zonë të thellë dhe me gradën më të ulët dhe pse ishte një poet i shkëlqyer dhe kishte mbaruar studimet shkëlqyer. Ndërsa unë Hito Çakon e kisha fshatar, nga Progonati dhe lidhjet e mia me të më pas shiheshin me dyshim. Nga ana tjetër poezitë tona ishin të sinqerta. Poezi zemre. Ishin poezi patriotike. E rëndësishme dhe më se e domosdoshme sipas gjykimit tim, këngët që u kënduan në ato vite, që përcjellin mesazhe lirie, dashurie, qëndrese, atdhedashurie dhe heroizmi, të ringjiten me dinjitet, dashuri e krenari nga brezi i ri i këngëtarëve, dirigjentëve, grupeve muzikore, etj., në skenat dhe shfaqjet e ditëve tona. Pra kisha tjetër ide për poezinë kisha tjetër dëshirë për të krijuar, doja poezi me hapësirë...

Diku në një bisedë shumë kohë më parë më keni thënë se ndaj ushtarakëve të gjithë kanë pasur një ftohtësi, por më të madhe e ka pasur Ramiz Alia, pse? Çfarë frike kishin udhëheqësit nga ushtarakët?

Pas shumë zbulimeve të ashtuquajtura grupeve puçiste u vu re se udhëheqësit kishin frikë apo diçka që nuk ju krijonte komoditet me ushtarakët. Mund të them se atë periudhë kishte shumë ushtarakë që ishin ndër poetët më të mirë shqiptarë, më të mirët. Kishte dhe gazetarë shumë shumë të talentuar. Madje shumë gazetarë nga ushtria kaluan në organet e tjera në jetën civile. Ushtarakët kishin mësuar në shkolla të huaja dhe kishin kulturë, ishin shumë të formuar. Pra ndoshta kjo i trembte udhëheqësit. Ndër ta ishte dhe Ramiz Alia që ndaj nesh kishte një ftohtësi të dukshme. Por konkretisht nuk di se çfarë e shtynte Ramizin të kishte këtë ftohtësi ndaj nesh atë e dinte më mirë Ramiz Alia vetë..

Mos vallë lidhet me krijuesit ushtarakë?

Besoj se po. Sipas mendimit tim, e theksoj këtë Ramizi kishte frikë nga letërsia e ushtarakëve, sepse ajo ishte një letërsi patriote, e sinqertë. Të gjithë ushtarakët në krijimtaritë e tyre shkruanin plot ndjenjë dhe nuk bënin pazare me atdheun, nuk falin tradhtinë dhe kanë qenë kokretë. Ramizit, ndoshta nuk i duheshin letrarë të tillë me këtë frymë. Ai nuk i donte patriotët e vërtetë por donte njeriun liberal. Ne ishim edukuar me betimin ndaj atdheut. Ne nuk falnim dhe nuk falim asgjë para atdheut. Ky është betimi ynë për tërë jetën. Ramizi nga natyra ishte shumë liberal, shumë i papërqënduar dhe nuk e kishte qef rregullin dhe disiplinën ndaj ai trembej nga ushtarakët..

Atë kohë shumë krijime thuajse redaktoheshin fund e krye kur nuk kishin partishmëri, juve ju ka ndodhur një redaktim i tillë radikal?

Po më ka ndodhur, më ka ndodhur dhe jam gjendur në një situat të ëvshtirë. Në një nga koncertet e muajit maj të dekadës 1980-‘90, së bashku me artistin dhe kompozitorin e shquar Avni Mula, unë-tekstin, ai-muzikën; paraqitëm motivin “Nënë Kosovare”.

I mirënjohuri Avni Mula, atë vit do të shkonte në Kosovë, më pat thënë se tekstin e kompozuar e kishte dhënë në institucionin përkatës.

Në vazhdim të koncerteve që transmetoheshin nga TVSH direkt nga Teatri Opera-Baletit, prezantuesja përmendi emrin e Avni Mulës dhe emrin tim. Për habinë time, të njerëzve, shokëve e miqve të mi, titulli dhe përmbajtja ishin ndryshuar. Nga “Nënë Kosovare” “kompetentët” e kishin “pagëzuar” “Vajza Shqiptare”. Nga teksti origjinal pothuajse s’kishte mbetur asgjë përveçse disa vargje të refrenit. Kënga u këndua nga këngëtarja zëëmbël e atyre viteve Alida Hisku, që siç dihet mbas një denoncimi për përmbajtjen e fletëve të ditarit të saj, u syrgjynos në “gjirin e ngrohtë të klasës punëtore” dhe që më vonë u pasuan më ngjarje tepër të dhimbshme në jetën e saj familjare.

Sqarimet që kërkova nga ish shefi i kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, R.H ishin shumë “domethënëse” dhe shumë të “sinqerta”. Sipas tij, ishte më mirë t’i këndohej “Vajzës shqiptare” se sa “Nënës kosovare” që me siguri, sipas arsyetimit të tij, mund të ndezte një debat që mua mund të më kushtonte shtrenjtë, edhe për faktin se… “juve shoku Ibrahim nuk mund të botoni më asnjë shkrim në “Zërin e Popullit” dhe gjithashtu, “juve u është ndaluar pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të dhjetorit. Ju nuk duhet të harroni, – vazhdoi shefi – se shoku Ramiz Alia, në analizën që i bëri grupit puçist në mbledhjen e Drejtorisë Politike për ju është shprehur tekstualisht: Ka tendenca mendjemadhësie edhe në këto sektorë. Te shkrimtarët ushtarakë kjo gjë është më e theksuar, si Lirim Deda, Ibrahim Gani, etj.. Shkrimtarët ushtarakë mendojnë se ata janë partia, se ata luftojnë për një çështje të madhe, etj..” (Nga mbledhja e Drejtorisë Politike të MMP në të cilën mori pjesë Ramiz Alia.) “Tribuna Demokratike” fq.4, 13 janar 1996.)

“Sqarimet” e shefit, ndonëse të vjela nga burime të sakta, s’meritojnë asnjë koment.

Poezia për Kosovën

E kam ruajtur atë poezi. E kam ruajtur tërë kohën si gjë të shenjtë. Më ksihte rrëmbyer ajo poezi. E kisha si të veçantë. Unë si kam ndryshuar asnjë germë. Nga ky këndvështrim e gjykim edhe kënga kushtuar “Nënës Kosovare”, duhet të zërë vendin e merituar në skenat tona edhe sot. Koha këto këngë dhe tekste nuk duhet t’i sfumojë. Kosova e meriton statusin e sotëm falë sakrificave së saj sublime, qëndresës heroike dhe edukimit të fëmijëve të saj me dashurinë e besnikërinë e pashoqe ndaj mbarë popullit e kombit shqiptar, e ka merituar në rrjedhjen e shekujve duke sfiduar heroikisht çdo stuhi dhe okupator.

Ja dhe teksti i këngës:

Muzika: Avni MULA .

Teksti: Ibrahim GANI

Këndoi : Alida Hisku

 

NËNË KOSOVARE !

Valë Drini derdhet kënga

Për ty Nënë Kosovare.

Këndon shpirti, këndon zemra

Amazonë shqiptare.

Udhëve të historisë

Në beteja nëpër mote,

Flatra trimash jep Lirisë

Shtatdafinë e kësaj toke.

Kur në ballë bien djemtë

Ti s’e derdh pikën e lotit,

Hapdrenushë shkel rrufetë

Moj, Shqiponjë e Kastriotit!

Rreze e bukur e Lirisë

Përmes flakës edhe plumbit

Të puth ballin nur e dritë

Shqipja jonë mes flamurit!

Refreni

 

Nënë Kosovare,

Ti lind e rrit trima,

Në çerdhe shqiponjash,

Përmes vetëtimash.

Më buzëqeshjen tënde

Çelin trëndafilat,

Kur ia nis ti këngës,

Iso mbajnë bilbilat

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat