Dy copa të ftohta qielli

Kultura

Dy copa të ftohta qielli

Nga: Nexhat Halimi Më: 11 prill 2021 Në ora: 14:34
Nexhat Halimi

Të ngulitën  ndonjë herë në mendje fragmente të rëndomta, që në një mënyrë përsëri e përbëjnë ndonjë copëz të jetës. E,  s'mund t'u ikësh. Provon t'i harrosh, veç nuk ia del. Ato përbëjnë atë fletë të këputur ditari të një dite, të një udhëtimi, të një ore, atë fletë ditari që s'bëhet aspak më i parëndësishëm nëse shkruhet. Ndoshta, ku ta dish,  vetëm e shkruar e merr tërësinë e vet, është e vërtetë, ku ta dish, njëmend... ja, sesi më ndjek e ikura, e cila i ka mbyllur dyert e prapë tingëllon kujtimit. I mbyll sytë e më shfaqen inserte që nuk harrohen as i ngrirë, i vdekur... treni ndjek rrugën e vet,  me shpirtra të përvajshëm, me kujtime e vetëtima sysh, të atyre që ikin nga gjiri i familjes, nga toka e vjetër dhe varret e veta. Më ndjek gjatë tërë shpirtit   Kënga e patriotit nga Toplica, Fazli (Xhani) Përguri, me litar në fyt, më zgjohet  dëshira e tij e fundit. Ne dynden Shqiptarë duke ikur para falangës vrastare dhe piromane serbe nga trojet e tyre etnike të Nishit, Toplicës dhe Kazasë së Vrajës më 1877- 1878.

(Gjatë një udhëtimi,  pa datë)

 

As  idenë s'e kam çfarë dite mund të jetë.

Orët, minutat, sekondat ikin.  Edhe pak çaste akrepat e orës puthiten në njëzet e katër. Kufiri i ndërrimit të ditëve, aty ku nata e dita bashkohen dhe në të njëjtën pikë ndahen. E kjo më ka hutuar pak, ndoshta. Për këtë nuk e kam të qartë cila ditë është? Në stacionin hekurudhor ndahen e takohen njerëzit. Nëna përcjellë të birin në armatë,  babai pret të bijën që të kthehet nga studimet. Gëzim e lot, siç ngjet gjithmonë në stacione. Dikush kafshon ndonjë mollë, të freskohet pak, tjetri han ndonjë kafshatë bukë. Vonohet treni i mesnatës pak. Minutat shkelin në ditën e re,  ik një gjysmë ore. Në platenë, bien hapa me shqetësim. Përqafime dhe puthje. Ndarje dhe mallëngjime.

Fishkëllima e trenit. Kompozicioni arrin. Zbresin njerëzit, hipin njerëzit. Dhe, i zënë vendet. Nuk është tollovi, çfarë di të jetë. Ndoshta pse është shumë vonë, apo më mirë-pse është shumë herët. Akrepat lëvizin, shkelin numrat që shënojnë çastet e ditës së re. Përsëri  fishkëllima.  Lëvizin duart në përshëndetje: dikush ngel në stacion e dikush do të ik me trenin. Lëviz treni i mesnatës.  Dritat e neonëve të qytetit të madh gjithnjë e më shumë zbehën. Përballë, në kupe, është një grua  në moshë e një fëmijë që dremit. E ka lodhur pagjumësia dhe shëtia e gjatë nëpër qytetin e madh, nga i cili tash kthehet në shtëpi.

Gruaja, sa për ta thyer monotoninë e heshtjes, më pyet nga jam? Çka punoj, ç'më qiti në këtë rrugë, të më flas më pastaj për nëpunësit, për pritjet para dyerve të tyre që të nxjerrë një certifikatë e të ngjashme. Më flet për mungesën e detërxhentit, por s'harron të cekë  se ka detërxhent , ka kafe,  ka... ka sikur ato gjëra të mos shkonin dorë pas dore.  Dhe përsëri bie qetësia e thellë, të cilën e lëndon vetëm ritmi monotoni rrotave të trenit, që krijojnë, një përkundje të rëndë. Koha kalon ngadalë: sekondat bëhen minuta, e minutat orë.

Në kupenë ku po dremisnim, hyn një burrë në moshë me një fëmijë për dore. Vajzë. Ulët dhe hesht. Ndez më pas një cigare e çohet në këmbë, do të dalë jashtë...

-Nuk pengon, - flet gruaja, - mund të djegësh duhan këtu!

Ai s'do të ulet. Lëviz me shqetësim.

-Më është bërë aq i mërzitshëm ky tren, - flet plaku i Koshtovës së Mitrovicës, - shpesh po më bie të udhëtoj me të. E kam të sëmurë këtë vajzë, e dërgoj për analiza të ndryshme, te mjeku.

-Pse, nga çfarë lëngon vajza?

-S'di as vetë. Para një kohe, deri sa punonim në arë unë e gruaja ime, ngjau një e papritur. Vajza që kishte mësyrë të vijë tek ne, i ra trup lumit. Ajo as që e dinte se aty është uji i thellë. E bartën valët. U përmbys, po në atë çastet e fundit e shpëtoi bashkëfshatari im. Tash pandërprerë trembet. Është e sëmurë, frikohet.

Vajza hesht, ai shikon  peizazhet e errëta të malit.

-Kaq afër e kaq larg nga toka jonë e vjetër, nga varri i gjyshit e stërgjyshit... – thotë ai edhe e shtypë në dorë cigaren, të cilën nuk e ndez.

 

Treni ik përmes natës me ritmin e vet monoton, të rëndë. Përsëri, çdo gjë bie në heshtje të thellë, por jo gjatë. Prapë hapët dera e kupesë, e në të një njëri.

-A ka vend të lirë? – pyet i posa ardhuri.

-Ka,ka... - thotë plaku i Koshtovës.         

-Unë nuk jam vetëm. E kam edhe gruan dhe fëmijët. Kthehem nga larg, - flet njeriu me krevate të zezë, - nga Çikagoja.  Me mote nuk e kam parë dheun tim...

Në kupe tash ulen edhe fëmijët e gruaja dhe njeriu që kthehen nga larg, por- vajzat e tij, thua s'mund të rrinë për asnjë çast ulur: rrinë me kokë në dritare e psherëtinin: vendlindja, dheu im i dashur!

-Mirë fitonim atje, por... A mund të paguhet malli që kishim për vendlindjen? Kurrë. Me asgjë, - flet ai dhe na zgjat nga një pako cigare të huaja. – Lumturi është vetëm këtu dhe këtu...

Në kupenë fqinje këndohet nën përcjellje tingujsh të mallëngjyeshëm të violinës.

-Ai është me siguri Adnani, - flet plaku i Koshtovës.  – tash vjen edhe tek ne.

-Kush është Adnani?

-Burri në të dyzetat. Udhëton gjithnjë me tren. I bie violinës nga kupeja në kupe. S' kërkon para për këngën e vet, sa t'i jap kush. Jeton me ato para që i fiton me këngë. Po desh, mund ta porositësh këngën që të pëlqen. Ai i di të gjitha këngët. Është i verbër. Gjithnjë e përcjell një fëmijë i vogël, i cili ia hap dyert e kupeve, e mban për krahu derisa ai këndon e i bie violinës... vjen gjithnjë Adnani në kupe, me përshëndetje, me këngë. Dhe, mbasi i fshinë djersët nga balli, zë t'i bjerë violinës. Dritat i ka si dy copëza qielli, të ftohta, kushedi ç ‘sëmundje ia ka fikur. Sa të thellë i dukën sytë, por ç'dobi, ata janë pa jetë. Fare nuk sheh, por – ai, megjithatë, është i lumtur, - tjerr fjalë plaku i Koshtovës, - gjithnjë është me njerëzit, me këngën, në orët e vona të natës, në orët e hershme të mëngjesit – gjithnjë në tren, t'i argëtoj udhëtarët. Dhe, njerëzit e shpërblejnë për atë këngë, për tingujt e mallëngjyeshëm të violinës –e, me ato para, ai e mban vetën e familjen.

Dhe, po, mu si thoshte plaku i Koshtovës, Adnani e çel derën e  kupesë, hyn me përshëndetje e pa folur me zë t'i derdhë tingujt mallëngjyeshëm të violinës.  Flokët e zezë e të valëzuara i kanë rënë fushëballit të djersitur, janë lagur. Një buzëqeshje e lehtë ia shkruan fytyrën, e – sytë e kaltër, si dy copë të ftohta  qielli, rrinë të ngulur vetëm në një pikë.

Mëkat,  sa sy të bukur e të pajetë.

- I afrohemi Mitrovicës, - ndërhyn dikush.

-Adnan, a do t'ia dalësh t'i këndosh disa vargje për fatin e tokës sonë. Për prerjen me gërshërë të zemrës...

Ai shikon ngul në një pikë, me sytë e ngrirë. Ia shkund telat dhe nxjerr tingujt e gjallë nga violina e vjetër. Qesh e qan në të njëjtin ritëm... e këndon këngën e patriotit nga Toplica Fazli (Xhani) Përguri, me litar ne fyt, ia rikthen  dëshirën e tij e fundit. E mua më zgjohen turma shqiptarësh duke ikur para falangës vrastare dhe piromane serbe nga trojet e tyre etnike të Nishit, Toplices dhe Kazasë së Vrajës 1877- 1878.

 

"Ooo, ty o Berlin o t'u dridhtë toka,

Të rafshin në qafë, ooo gjyle e topa!

Të drejtën tonë na e nxjerrë në dritë koha,

Hakun tonë, ishalla, nuk na e humbë bota!

Falë me shëndet Bizmark, të marrtë ora!

Ty të plaqin të dy sytë e t'u thaftë dora!

Qysh qite gishtin të ndahen trojet tona?

Miskovit e Sulltanit, o u nuk iu lypi hak...

Ooo, më vrau Berlini edhe ti Bizmark!"

 

...Plakut para meje i dridhen këmbët. I pikin dy pikë lot dhe ka dhembje të thellë në vete. Shikon diku humbur në natë, mes malesh dhe gurit të paepur rrjedh gjaku i trimave në luftë për tokën nënë.

-Afër Mitrovicës jemi tash, - flet plaku i Koshtovës e ngrihet në këmbë. Ngrihet edhe njeriu që kthehet nga larg, ai është i një fshati afër Vushtrrisë.

-Më mirë dhe ne  të zbresim këtu. S'di a ndalet treni në Vushtrri?

-Herë po , herë jo.

-Si ashtu?

-Kush mund ta dijë këtë gjë.

Treni i mesnatës me ritmin e vet të përditshëm ik nëpër mëngjesin e kthjellët të maleve e fushave, të qyteteve; zbresin udhëtarët, hipin udhëtarët, e violina e muzikantit nuk pushon, shkrihen tingujt në ritmin e ditës së re, këndohet këngë e jetës, me dhembje të vjetër, të përhershme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat