Shqiptimi i rrokjeve

Kultura

Shqiptimi i rrokjeve

Nga: Eroll Sejdiu Më: 12 prill 2021 Në ora: 23:36
Eroll Sejdiu

Në procesin e të folurit një rrokje të fjalës e shqiptojmë me fuqi, me lartësi dhe me gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera. P.sh., në fjalën: lum-tu-rí, rrokjen e fundit -ri e shqiptojmë më me fuqi dhe me gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera.

Pra, shqiptimi i një rrokjeje të fjalës me fuqi dhe gjatësi më të madhe se rrokjet e tjera quhet theks, ndërsa rrokja, që spikat nga të tjerat për nga shqiptimi quhet rrokje e theksuar e të tjerat rrokje të patheksuara.

Në gjuhën shqipe mund të theksohet vetëm një rrokje e fjalës dhe këtë rrokje e karakterizon më tepër fuqia, që do të thotë është theks dinamik dhe se rrokja e theksuar shqiptohet me fuqi shumë më të madhe se rrokjet e patheksuara. P.sh.: gëzím, këmíshë, kalá, rrëké, punój etj.

Me përjashtim të një numri të kufizuar, të gjitha fjalët: emrat, mbiemrat, numërorët, foljet, ndajfoljet etj., kanë theks. Por disa fjalë njërrokëshe të pandryshueshme, nuk kanë theks. Këto janë: nyjat: i, e, të, së; trajtat e shkurtra të përemrave vetorë: më, të, i, e, ju, u; parafjalët njërrokëshe: me, më, në, te etj.; pjesëzat: le, mos, mu, ja etj.; përemri pyetës: ç’ dhe përemri lidhor: që, si dhe një numër i lidhëzave njërrokëshe: e, se, si, ku etj.

Në gjuhën shqipe theksi nuk bie vetëm mbi një rrokje të caktuar. Ai mund të bjerë në rrokje të ndryshme: mbi rrokjen e fundit: alfabét, babá, puním, shtëpí etj., dhe këto quhen fundore ose oksitone; mbi rrokjen e parafundit: aníje, bésë, mótër, shkóllë etj., dhe këto quhen parafundore ose paroksitone; mbi rrokjen, që ndodhet dy ose më shumë para asaj të fundit: flútura, plúhuri, fshéhurazi, kúmbulla etj., dhe quhen tejfundore ose proparoksitone.

Por pasi të bjerë mbi një rrokje, theksi bëhet i qëndrueshëm, do të thotë nuk lëviz brenda fjalës te pjesët e ndryshueshme: mál, máli, i málit, i máleve; láj, láva, lája, kam lárë etj.

Te togjet e zanoreve theksi bie mbi elementin e parë të togut: díell, qíell etj.

• Theksi kalon nga morfema rrënjore në atë prapashtesore te fjalët me anë të prapashtesimit: qytét - qytetár, lúftë -luftëtár, spórt - sportíst, shkóllë - shkollór, mál - malór etj. Por theksi NUK KALON te prapashtesat: -as, -ës, -je, -të. P.sh.: Gjilán - gjilánas, nxë - nxënës, bléj - blérje, ár - i ártë etj.

• Rrallë theksi kalon dhe mbi prapashtesën trajtëformuese të shumësit të disa emrave: dhëndër - dhëndúrë, gjárpër - gjarpërínj, shkëmb - shkëmbínj etj.

• Në bazë të gjatësisë ndonjëherë bëhet edhe dallimi kuptimor i disa fjalëve, si, p.sh.: dhe (lidhëz), dhé (emër), para (parafjalë), pará (emër) etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat