Bota lirike e mërgatës shqiptare

Kultura

Bota lirike e mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 13 prill 2021 Në ora: 09:01
Kopertina e librit

Poezia është ilaçi i shpirtit, eliksiri i jetës dhe mjalta e fjalëve. Poezia e Ganimete Jakup Demirit është pjesë përbërëse e qenies së saj. Ajo krijon një dialog permanent dhe të mrekullueshëm me vetëveten, me botën, me njerëzit. Me przencën e poezisë në shpirtin e saj, autorja nuk ndjehet kurrë e vetmuar! Lirika meditative e Ganimetes është e gërshetuar edhe me subjekte kushtar dashurisë. Fjala dashuri për të është fjalë e bukur dhe madhështore. Pa këtë ndjenjë s'jetohet prore, thot autorja. Është një fjalë ku gjithçka që ndodhë në këtë botë. Pse? Sepse pa dashuri asgjë nuk arrihet në këtë jetë: Ne duam më shumë dashuri,/ Nuk duam të largohemi nga asnjëri,/ Duam përqafime, ngrohtësi,/ Duam të jetojmë në këtë botë, në liri,/ Kemi shumë dëshira për t’i plotësuar,/ Kemi shumë synime për të vazhduar. (Ky vit).

Poezia është testamenti i jetës, i dashurisë dhe miqësisë, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore. Vargjet e Ganimetes janë një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeteshe të talentuar të mërgatës shqiptare. Ajo tashmë e ka krijuar profilin e saj të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.

Poezia është një art i veçantë dhe i pakufishëm. Fjalët e Ganimetes nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi.

Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autorja vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ajo e fshikullon përtacinë dhe dyftyrësinë. Shkruan për Kosovën, për heshtjen që flet, për të vërtetat, për zogjtë shtegtarë, për kurbetin. Ganimetja i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë. Botimi i një vëllimi të ri apo i një reviste me vargje të reja, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë.

Lekturimi i një vepre të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie: Rri vetëm me muret!/ Qetësi që vret!/ Dëgjoj tik-taket e orës,/ Dhe ndihem në siklet! (Natë e qetë)

Nga vargjet e Ganimetes kuptojmë se ekziston një botë ku zemra ndjen dhimbje, dhe e cila me askënd nuk flet: Është pena që më shoqëron,/ Shpirtin ma qetëson. (Shkuarj). Dhe më tej: Shkrimi është pasqyrë e jetës,/ Ku e gjej forcën dhe mbështetjen,/ Kur fletën dhe penën i bëj bashkë,? Nga brendësia shkruaj për çdo çast. Sipas autores, jeta ka befasitë e veta: “Njerëzit që i duam më së shumti/ Njerëzit që i duam më së shumti,/ Në shpirt na lëndojnë,/ Ata që si duam – fare s’na interesojnë. (Duajeni vetëveten). Në vargjet e Ganimetes ekzistojnë shumë botë, bota e ndjenjës atdhetare dhe bota e sentimentit poetik. Lirikës së saj i mungon banaliteti dhe artificialiteti. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Në vargjet e saj reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik: E dua poezinë si zogu lirinë,/ Në çdo vend të botës vargjet dua të arrijnë,/ Të jap mesazhe paqeje e dashuri për njerëzinë,/ Të mos ketë asnjëherë kufij për letërsinë. (E dua poezinë). Dhe më tej: E dua poezinë, në shpirt e ndiej,/ Me të flas, qaj e qeshë – si artiste në skenë,/ Edhe natën kur të gjithë bëjnë gjumë,/ Unë poezinë e shkruaj si lumë./ Poezia të jep frymëzim për jetë,/ Këtë e ndien, e kupton secili poet.

Revista “Shqiptari” lindi nga një impuls fisnik, duke qenë i menduar si një befasi e re letrare dhe sentimentale. Veprat e këtilla e pasurojnë botën tënë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të bukura etike dhe estetike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë aktuale të sentimentalizmit shqiptar. Ky është misioni i krijimtarisë letrare në rradhë të parë, dhe të botës së bekuar të arteve në përgjithësi.

Ganimete J. Demiri është ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ajo është një poete e lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Lirika e saj që vjen nga zemra europiane e mërgatës shqiptare. Ajo përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të lirisë, të dashurisë dhe atdhedashurisë. (Bukuresht, 15 prill 2021)

BURIME BIOGRAFIKE

Ganimete (Jakupi) Demiri u lind në qytetin e Gjilanit. Ka jetuar në fshatin Sllatinë e Epërme, komuna e Vitisë. Shkollën fillore e kreu në fshat, të mesmen në Ferizajt, ndërsa studimet në degën "Edukim dhe mësuesi ", në Universitetin AAB, Fushë Kosovë. Është mësuese, ka punuar në Kosovë pothuajse 6vite, në Ferizaj dhe Viti me rrethinë, kurse nga viti 2015 jeton në Zvicër. Është e martuar dhe ka 3 fëmijë. Edhe në Zvicër punon si mësuese me fëmijët shqiptarë (mësim plotësues shqip në "Shkolla Shqipe Monthey-Chablais", në qytetin Monthey).

Pasioni i saj ishte gjithmonë që kur ishte fëmijë, për të shkruar poezi, prozë dhe shkrime të ndryshme. Ka marrë pjesë gjithmonë në programe të ndryshme shkollore, konkurse, si studente, dhe në manifestime të ndryshme kulturore. Poezit dhe shkrimet e saja u botuan në revista të ndryshme. Për një kohë të gjatë ka bërë pauzë me shkrime, por vitin e kaluar përsëri ka filluar të shkruajë vrullshëm, duke e kuptuar se shkrimet janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së saj. Pason të jetë vazhdimisht e inspiruar shpirtërisht për të shkruar për gjithçka që e ndjen, që e rrethon apo që e imagjinon Është mjaft aktive në portalet poetike dhe disa nga poezitë e saja janë botuar në disa antologji kombëtare e ndërkombëtare!

Tashmë është në fazën përfundimtare për të botuar një libër me poezi. I pëlqen të shkruaj shumë edhe prozë, si dhe artikuj publicistikë me tema sociale, sepse mendon që në prozë dhe artikuj tjerë mund të shprehemi më gjerësisht në lidhje me temën. Ka marrë shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare për letërsi dhe humanizëm nga faqe, nga grupe të ndryshme poetike, nga asociacione humanitare në mediat virtuale, duke i falënderuar dhe duke u ndjerë e nderuar për vlerësimin e tyre. Sipas saj, kjo është një mundësi e mirë që përmes mediave virtuale ne mund të shfaqim artin, kulturën dhe ndjenjat tona, secili në mënyrën e vet, pa dallime gjinore, kombëtare, racore dhe fetare.

NATË E QETË

Rri vetëm me muret!
Qetësi që vret!
Dëgjoj tik-taket e orës,
Dhe ndihem në siklet!

Nuk di ku je?
Pse s’më flet?
Je me dikë tjetër?
Apo je vetë?

Të thërras nuk lajmërohesh!
Mendja gjithkund më shkon,
Ndoshta s’je i gjallë?!
Pse nuk përgjigjesh në telefon!?

Më kujtohet fjala,
Që ndoshta edhe ti e kujton?
Dashtë Zoti më gjen

Çka mendon gruaja!
E jo nëna çka mendon!

SHKRUAJ

Kur zemra ndjen dhimbje,
Dhe me askënd s’mund të flet,
Është pena që më shoqëron,
Shpirtin ma qetëson.

Kur mërzitem e s’mund të flas,
Heshtja ime është parajsë,
Në një fletë të bardhë shkruaj,
Gjithçka që unë vuaj.

Shkrimi është pasqyrë e jetës,
Ku e gjej forcën dhe mbështetjen,
Kur fletën dhe penën i bëj bashkë,
Nga brendësia shkruaj për çdo çast.

DUAJENI VETEN

Çdo ditë takojmë njerëz të ndryshëm,
Shpeshherë zhgënjehemi nga disa,
Sa herë qajmë e pikëllohemi,
Pse ikin këta njerëz nga na!?

Ndonëse jeta ka befasitë e veta,
Njerëzit që i duam më së shumti,
Në shpirt na lëndojnë,
Ata që si duam – fare s’na interesojnë.

Për çdonjëri që largohet,
Nuk duhet të ndihemi ne si të pavlerë,
Se përgjigjja e Zotit është shpeshherë:
Të mirin dhe të keqin bashkë mos t’i lerë.

Andaj së pari duajeni veten ashtu siç jeni,
Para askujt s’duhet të përkulemi,
Të gjithë para Zotit jemi të barabartë,
Mos e përkuleni veten për askënd!

MONOLOG

Rrija në dritare dhe po shikoja,
Gjithçka që po shihja e analizoja,
Gjithë ato zhurma që dëgjoja,
Ashtu heshtas i mendoja.

Këto rrugë asnjëherë nuk pushuan,
Mendoja me vete njerëzit ku shkua’kanë,
Sa halle kanë njerëzit, e sa gëzime,
I bartë Toka pa dallime.

Cicërimat e zogjve pak pushuan,
Tani vjeshta, disa kanë ikur,
Në vende më të nxehta kanë shkuar,
Jetën e tyre për ta jetuar…

Po kafshët tani çfarë bëjnë?
Këtë ftohtë si e përballojnë?
Disa njerëz kujdesen për to,
E disa të tjerë I keqtrajtojnë!

Sa e fort qenka Toka!
Të gjitha i përballonë,
Çfarëdo që bëjnë nuk i dënon,
Edhe të vdekur, ngordhur i mbulon.


E DUA POEZINË

E dua poezinë në shpirt e ndiej,

Me të flas, qaj e qeshë – si artiste në skenë,

Edhe natën kur të gjithë bëjnë gjumë,

Unë poezinë e shkruaj si lumë.

Poezia të jep frymëzim për jetë,

Këtë e ndien, e kupton secili poetë,

Poezia të bën për vete,

Si eliksir shpirti çdo gjë e shkruan në letër.

E dua poezinë si zogu lirinë,

Në çdo vend të botës vargjet dua të arrijnë,

Të jap mesazhe paqeje e dashuri për njerëzinë,

Të mos ketë asnjëherë kufij për letërsinë.

Urime Dita e Poezisë!

Për ju që shkruani me pasion çdo ditë,

Poezia e juaj qoftë udhërrëfyesja më e mirë,

Për lexuesit që shfletojnë letërsi!

KY VIT

Ky vit ishte shumë I gjatë,
Me gjithë këto të këqijat,
Që i ka pas,
Në zemër secili duke vuajtur,
Athua çfarë do të ndodhë,
Sot, nesër e tutje?…
Çdo ditë pritëm tmerr,
Asnjë bashkë s’mundem me u mbledhë,
Njerëzit më të dashur,
Në botën e amshuar po na shkojnë,
Pa i parë, as pa i fol!
Na ikën pa iu thënë as lamtumirën,
Duke mbetur të vetëm me mërzinë!
Ik sa më shpejt ore vit i mbrapsht!
Këso vite ne si kem dashtë!
Jemi lodhur me këto rregulla,
E me këto rrethana,
Me distancë, dezinfektuesë e maska!
Ne duam më shumë dashuri,
Nuk duam të largohemi nga asnjëri,
Duam përqafime, ngrohtësi,
Duam të jetojmë në këtë botë, në liri,
Kemi shumë dëshira për t’i plotësuar,
Kemi shumë synime për të vazhduar,
Andaj ik më shpejt ore vit ters,
Po presim një Vit të Ri,
Me shpresë se do t’jet më i mirë se ky!

LUTEM

Lutem çdo ditë të ketë paqë,
Në çdo vend të botës të ketë lumturi,
Të ndalohen luftërat çdokund,
Njerëzit të kenë dashuri.

Lutem për të gjithë të varfërit,
Të kenë një jetë më të mirë,
T'i ndihmojmë të gjithë nga pak,
Mos të tregohemi pa mëshirë.

Lutem për të sëmurët të kenë shëndet,
Ku çdo ditë shoh të rinjtë përballen me jetë,
Uroj që Zoti secilin ta shëron,
Se vetëm Ai gjithçka përcakton.

Lutem që në këtë botë të ketë drejtësi,
Të ketë punë për çdo njeri,
Mos të ketë paragjykime për racë, komb, fe e gjini,
Në punë të Zotit dhe në të drejtën e tjerëve s'bën të përzihemi asesi.

MOTRA

Rritesh në një familje bashkë me motër,
Me ditë të mira dhe stuhi,
E kupton njëra-tjetrën për gjithçka,
S'ka si motra mrekulli.

Kur ke halle e s'ke me kënd të flasësh,
Motrës ia thua edhe fjalët e barkut,
Motra të don e ta qanë hallin,
Ajo është pas nënës që ta freskon ballin.

Edhe çdo fjalë ta mbyllë me çelës,
Zemra e motrës ruan një mori sekretesh,
Ndonëse jeta të ndan sipërfaqësisht,
Dashuria e motrës është ilaq për shpirt.

Me vite ndoshta nuk e takon,
Rrugët e jetës ndoshta larg motrës të qojnë,
Por bisedat e hallet me të askush s'i zëvendëson,
Sikur motra askush s'të kupton.
 

MËMËDHEU IM

Mëmëdhe sa shumë të dua,
Dashuria për ty asnjëherë s'ka për t'u shuar,
Ehhh, njeriu kur vete në vend të huaj,
E kupton rëndësinë e Mëmëdheut tuaj!

Gjithçka ndryshon që nga gjuha e traditat,
Nga natyra e kontradiktat,
Punë dhe vetëm punë ke për të punuar,
Përsëri je njeri i huaj - asnjëherë i vlerësuar.

Sa herë i thua vetes edhe pak këtu do të rri,
Derisa një ditë e kupton që erdhi e shkreta pleqëri,
Ndodhesh çdoherë fizikisht në mërgim,
E shpirtërisht, mendjen tek Mëmëdheu yt.

Çdo gjë duket paradoksale,
Si hije që venitet sa në diell e sa në male,
Rehati shpirtërore askund nuk gjen,
Vetëm në Mëmëdhe shpirti të flenë.

Edhe një ditë kur të vdesësh,
Eshtrat e tua don të pushojnë në Mëmëdhe,
Se Uni yt është i lidhur për atë tokë,
Ku aty je lindur dhe je rritur, aty pushon përjetë e mot!

NË PREKAZIN LEGJENDAR

Dëgjoheshin krismat hiq pa ndal,
Nga kullat e Jasharëve me plot atdhetarë,
Trima e trimëresha kishin marrë armë,
Duke luftuar për të shtrenjtin ideal.

Epope e lavdishme e UÇK-së,
Luftuan Hamza dhe Ademi bashkë me shokë,
Kënga e tyre nuk ndaloi asnjë moment,
Atë ditë ata kishin vendosur fatin e popullit të vetë.

Nga ajo ditë gjithçka ndryshoi,
Pushka dhe kënga e tyre gjithkah jehoi,
Dasmës së tyre ju bashkua gjithë Kosova,
Derisa në fund triumfoi fitorja.

Ranë shumë dëshmorë heroikisht,
Gra, burra e fëmijë u vranë padrejtësisht,
I lehtë ju qoftë dheu I Kosovës që aq shumë e deshën,
Ata nuk vdiqën, por në zemra tona mbetën.

Do t'i kujtojmë çdoherë të gjithë të rënët,
Dhe veprat e tyre me shumë krenari,
Fal gjakut të tyre ne jetojmë në liri,
Ata janë heronj të gjallë për tërë shqiptarinë.
LAVDI!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat