Hiddleston mund të jetë Bondi i ri

Kultura

Hiddleston mund të jetë Bondi i ri

Më: 15 prill 2021 Në ora: 19:49
Tom Hiddleston

Ka pasur spekulime të vazhdueshme se kush do të jetë agjenti i ri 007, pasi aktori Daniel Craig ka konfirmuar se pjesa e re “No Time To Die” do të jetë e fundit në të cilën do të paraqitet në rolin e James Bondit.

Garës për rolin e agjentit britanik i ka hyrë edhe aktori Tom Hiddleston, ndonëse i njëjti nuk ka dashur të flasë për këtë temë gjatë intervistës për revistën “Empire”.

Aktori i serisë së filmave Marvel dukej i dorëzuar, derisa ishte shprehur se çfarëdo që të thoshte do të konsiderohej nga fansat si shenjë se dëshiron ta marrë rolin.

“Është goxha interesante që jam në dijeni për çfarëdo që them. Sepse, çfarëdo që them kthehet në histori. Jo për ju, por për botën jashtë. Çfarëdo që them vetëm sa do të sjellë më shumë pyetje”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nuk ka në mendje ndonjë spiun britanik dhe nuk është i sigurt se si shikuesit kanë ardhur deri te kjo lidhje mes tij dhe rolit të agjentit 007.

Rolin e agjentit e luajti edhe në filmin “The Night Manager”, që ishte bazuar në romanin me të njëjtin titull nga John le Carré, i mirënjohur për romanet e tij: “The Spy Who Came In From The Cold” dhe “Tinker Tailor Soldier Spy”.

Le Carré, i cili ka vdekur në dhjetor në moshën 89-vjeçare, ishte i famshëm për shkrimin e romaneve më realiste të spiunazhit falë përvojës së tij në MI5 dhe MI6, ndonëse përsëri i ikte realitetit.

Ndërkaq, ylli i serisë “Bridgerton”, Regé-Jean Page, është në mesin e aktorëve që po konsiderohen nga fansat si “Bondi i ri”. Ai i ka mohuar thashethemet, por është shprehur i nderuar me vlerësimin.

Aktorët e tjerë që kanë qenë caqe të thashethemeve janë Tom Hardy, Cillian Murphy dhe Richard Madden, në mesin e shumë të tjerëve.

Projekti i madh i radhës për Hiddlestonin do të jetë rikthimi në “Marvel Cinematic Universe” në rolin e Lokit, nga trilogjia “Thor”.

Megjithëse personazhi i tij dukej se është vrarë një herë e përgjithmonë në “Avengers: Infinity War”, sikurse shumica e personazheve të Marvelit, ai është rikthyer falë një skenari të ndërlikuar.

Gjatë një pjese të udhëtimit në kohë, një version alternativ i Lokit e vjedh një pajisje të quajtur Tesseract dhe e përdor për ta krijuar një hapësirë kohore alternative, në të cilën ai është ende gjallë.

Sezoni i parë me gjashtë episode do të debutojë në “Disney+” në qershor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat