Të shkruajmë shqip

Kultura

Të shkruajmë shqip

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 15 prill 2021 Në ora: 21:30
Eroll Sejdiu

Bukurinë e një teksti të shkruar ia jep jo aq leksiku sesa sintaksa e tij, lidhja e fjalëve në sintagma, e këtyre në fjali të thjeshta dhe e fjalive të thjeshta në fjali të përbëra sipas rregullave sintaksore të shqipes, mënjanimi i fjalëve parazite që nuk i shtojnë gjë të re përmbajtjes, rendi i natyrshëm i fjalëve, fraza e ngjeshur në përmbajtje dhe stili i rrjedhshëm.

Kur këto kërkesa nuk zbatohen, teksti bëhet i mërzitshëm për t’u lexuar e dëgjuar dhe, kur kjo ndodh në tekste shkollore, sidomos të gjuhës shqipe, atëherë kjo ndikon për keq te nxënësi, pasi i japin atij modele të gabuara të ligjërimit të shkruar.

Sintaksa është sot sistemi gjuhësor më i rrezikuar i gjuhës shqipe nga ndikimi i gjuhëve të huaja. Rreziku është më i madh në fushën e sintaksës, sepse, ndërsa fjalët e huaja bien lehtë në sy si të tilla, ndërtimet e huaja sintaksore nuk janë aq të lehta për t’u vënë re dhe, si rrjedhim, mund të përdoren nga ai/ajo që flet a shkruan pa e ditur se ka të bëjë me një ndërtim që nuk është në natyrën e shqipes.

Ia bjerrin bukurinë gjuhës edhe shprehjet e ndërtuara me një fjalë të huaj dhe një shqipe, si: në realitetin e përditshëm; komunikoj anglisht; sferë e jetës; reflektoj në sjelljen time; riformuloni fjalët; nxirr mesazhin; ç’kuptim transmetojnë ato; pjesë integrale e lëndës; në raport me postën tradicionale; marr në konsideratë; identifikim i tipareve etj.

Këto shprehje mund të shihen si gjysmëkalke të panevojshme, përderisa shqip dhe bukur mund të thuhen: në jetën e përditshme; flas anglisht; fushë e jetës; pasqyroj në sjelljen time; rindërtoni fjalët; nxirr idenë; ç’kuptim përcjellin ato; pjesë përbërëse e lëndës; në krahasim me postën tradicionale; marr në shqyrtim a marr parasysh; gjetje e tipareve etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat