Në dy kohë, guri

Kultura

Në dy kohë, guri

Nga: Nexhat Halimi Më: 16 prill 2021 Në ora: 10:24
Nexhat Halimi

Në një kohë tjetër, të perënduar, çastet, datat e ngjarjet në këtë rrjedhë vetëm mbaheshin mend, vetëm tregoheshin ndër kujtime e mjegullat e rënda binin përmbi maja maje malesh e  historitë e ngelura ndër borë, të treguara me fjalor prralle. Një letër e dërguar nga ndonjë mërgimtar, apo ushtar, duhej ecur me orë për ta lexuar kuptimin e porosinë e saj deri në fund. Herë –herë duhej pritur për ta takuar ndonjë të shkolluar, i cili do ta zbërthente enigmën e letrës, që nuk i lente të qeta zemrat.

Në një tjetër kohë, të ikur, nëpër këtë shkallëzim guri, njerëzit mund të zbritnin e të ngjiteshin vetëm me kalë apo me gomar. Ndërkohë dikush do të shpërngulej, do të zbrisnin në rrafshinë, më afër rrugës  e dritës, me afër ujit e lidhjes me botën, veç megjithatë çdo gjë nuk humbi deri me hi. Mbeti etja dhe ëndrra e të vetmuarve nëpër faqe te gurta, në kurrize bjeshkësh, ngeli njeriu me shpresë se nesër do ta ndërtojë të nesërmen e vet në këtë hark të jetës.

Perënduan vjet e vjet. Valë të ashpra uji rrodhën nga malet e mësynë në det.

Në këtë trevë, i rrahur nëpër brigje të egra të jetës, zemra e njeriut i mundi të gjitha me jetë-mbetjen e vet guri dhe të pamundurën e bëri rrjedhë të rëndomtë...

... Shkëputemi nga gjuha e hirtë e asfaltit, që ikën buzë Ibrit të lashtë, e ngjitemi nëpër rrugën nga guri, që gjarpëron si bisht gjarpri lart, thuaja deri atje larg në qiell - e thyer nëpër kurrize, qafa e shpatulla tek zgjohet i lasht lumi i Shalës, deri vonë botë e këputur, pjesë që jetoi jetë në vetminë e vet të thellë. E mbyllur ndërmjet brigjeve nga guri-guacë, me vetëm yjet lart mbi të.

-... e, guri peshon rëndë vetëm në vendin e vet, - do të na flasë Ismet Hasani, punëtor i vyeshëm i arsimit.  – Njëjtë, në këtë mot, me kaçikun që kemi, morëm të ecim krahas me botën, pse jo, e jona këtu nuk ka vdekur, nuk është më rrugë pa krye!

E pak këtu e pak atje, e reja me kohë agoi nga dita në ditë, por-ajo, megjithatë, nuk lulëzoi vetë, si pema.  Askush nuk e solli në krah nga ndonjë botë tjetër, të gatshme. Ajo lindi ndërmjet mëngjesit  e mëngjesit,  nga djersa e përditshme e derdhur për bukë, për jetën e harkuar në këtë pjesë tokë të pëlleshme sa të gurtë, në jetë mbetjet e jetë vdekjet, nga brezi në brez.

Shtëpitë ndërkohë nuk ngelnin të zbrazëta...  pa asnjë zë të jehonte ndër gjërat e lashta të botës dhe traditës shqiptare... Fshatarët nuk zbresin më si motit nga malet me nga një kalë e gomar dru, e gjithë ditën e lume në diell, shi e borë, në qytetin e largët, e – kuptuan, se nuk e paguan qiranë.

Tash, bukën e kanë aty tek u pushojnë këmbët dhe me e ëmbël është se cilado kafshatë. Kjo pjesë e shkëputur, deri vonë u lidh me jetën në rrafsh, me botën përtej gurit, vetëm nëpërmjet këmbësoreve, nëpër rrugica të pakalueshme, nëpër dhiare. Këtu, ndërkaq, nën hije të maleve, tirret tjetër jetë.

Asfarë rruge nuk na lidhte me botën, -do të flasë Ismeti, - te ne shpien vetëm dhiare, dhe ato të humbin mbas çdo shiu të madh, apo nga dimrat e vështirë. Sidoqoftë, e e lidhnim jetën këtu, nën pullazet e mbuluare me kashtë thekëre, duke  shpresuar ne agun e një mëngjesi, që patjetër do te arrijë të na afrojë me botën - dhe, e jona agoi... me mëngjes  ndërkohë, të gjithë dolëm i madh e i vogël, të ndërtonim rrugën, e krahas e ndriçuam dhe fshatin, i cili, tash, kuqon nga pullazet e  shtëpive të reja, që si yje nëpër faqe brigjesh i lidhin njerëzit për këtë pjesë të ashpër e të dashur, të afërt.

E, rruga e re u krye, ajo që për fshatrat Bistricë, Cerajë e Koshtovë ështe avaz i ri, ritëm melodik-historik, është dritare e hapur kah bota...e, në vend te  llambave të vajgurit, syri i dritës elektrike ndrit në çdo shtëpi.

 Dy skaje, këto që shënuan kaptinë të re të jetës në këtë pjesë të trevës së Leposeviqit, dhe secili tash hovshëm e ndien nën lëkure si rrjedh e reja. U zgjat kolona e shkollareve, nge secila shtëpi nge një anëtar është i punësuar, shkolla e re e stolis fshatin, ne oborre rrjedh uji i sjellë nga majat e bjeshkëve.. Mëngjese me diell lindin dhe shkëpusin vargoin e shpërnguljes së malësorëve nga këtu. Edhe ata, qe dikur ikën, tashmë përsëri dëshirojnë te kthehen, pse jo? Mund të jetojnë këtu më mirë se në qytet. Çdo e dyta familje ka televizor. Shkolla është e pajisur me të  gjitha, aty është dhe biblioteka tek radhiten dhe botimet më të reja...

Në raftet e bibliotekës radhiten librat e autorëve të atyre që frymuan në këtë pjesë të botës, siç janë Jakup e Ejup dhe Brikenë Ceraja...

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të vdekjes së poetit Jakup Ceraja, në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Leposaviqit, është përuruar pllaka përkujtimore e këtij poeti dhe atdhetari. Nismën për ngritjen e pllakës përkujtimore e kishin ndërmarrë ditë më parë bashkëfshatarët dhe miqtë e tij të shumtë. Komuna e Mitrovicës, qytet ky ku poeti e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, duke punuar e vepruar.

Me këtë rast,  Jusuf Haliti, bashkëfshatarë e bashkëmoshatar i poetit, do të thotë para cerajasëve të ndjehen më krenarë se kurrë.
Tani e tutje pllaka përkujtimore e poetit Jakup Ceraja do të qëndroj këtu dhe do të na frymëzoj  të ndjekim rrugën e Jakupit, e ajo ishte rruga e lirisë, rruga e Pavarësisë, rruga e shkollimit dhe edukimit, rruga e krijimit të vlerave të mirëfillta kulturore dhe letrare, ashtu sikur që bëri ai vet.

Afër tre vjet punoi mësues në vendlindje dhe shkrimtari i njohur për fëmijë Ejup Ceraja. Nuk e kurseu veten t'ua mësojë fshehtësitë e krijimit letrar  në Shkollën fillore në fshatin Bistricë.

 

Nga Ejup Ceraja

 

Pastërtia e yllit të vogël

 

- Të kesh kujdes, Ylli i vogël

T’i pastrosh dhëmbët e fytyrën

Sapo shiu atje lart nga retë

Si me sheke ta ujis natyrën.

 

- Po u pastrove mirë, Ylli

Do ta kesh peshqesh për veti

Do të jesh i pastër si ylli tjetër

Që jeton thellë brenda në deti.

 

- Do të shkëlqesh patjetër, Ylli

Sikurse lulet e trëndafilit

Si shkëlqejnë natën e kthjellët

Yjtë e tjerë në kupë të qiellit.

 

- Kush s’e mban pastërtinë

Nuk i shërben për mirë vetit

Se pastërtia sa më e mirë

Është vetë çelësi i shëndetit.

 

- Sapo Ylli për pastërti

Ti kryesh të gjitha obligimet

Para se të dalësh jashtë për lojë

Kryej detyrat e përsëriti mësimet!

 

(Korrik, 2013)

 

 

Këtë rrugë me sukses tashmë po e ndjek dhe Brikena, e bija e poetit Jakup.

Në fshat, s'do të vonojë e do të nisë nga pune dhe ambulanca, e cila do ta shkurtojë rrugën e gjatë të fshatarëve që mësynin qytetin vetëm për një  injeksion apo vizitë mjekësore.

Çdo gjë tash është afër. Bota dhe jeta.

E të gjithë, që në atë tjetrën kohë, qenë vetëm ëndrra të mira po dhe aq të largëta.... megjithatë, një plagë ende i ka dhembjet e veta të thella: Njerëzit ende e marrin botën në sy, derdhin djersë për kafshatë goje në botën e jashtme, por - edhe kjo plagë do të shërohet. Sapo ta kuptojmë se buka më e ëmbël për secilin është ajo e gurit të vet, e fituar nga dheu i tokës së vet, me djersë. Secila gjë e do kohën edhe durimin e vet, do të më flasë Ismeti, ndërsa prek ballin fushëdiell, përpiqet ta zë qafën e rrugës atje në thyerje, atë që humbet diku lart thuaja në qiell, e i bart njerëzit në gjirin e vet.

 Kthimi do të jetë i madh, pikërisht si e reja, që këtu po hyn dita me ditë sigurt dhe në çdo pore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat