Sa vështirë

Kultura

Sa vështirë

Nga: Rizah Sheqiri Më: 16 prill 2021 Në ora: 16:05
Rizah Sheqiri

Sa vështirë të jesh i shurdhër

në koncert bilbilash,

të jesh i verbër

në paradën e bukurisë,

të jesh i vetëm

midis shtatëdhjetë e shtatë zemrash,

të jesh agonik

në bulëzimin e jetës.

Sa vështirë të jesh i huaj

në shpirtin tënd!

POROSIA E NËNËS

Nisu, bir,

veç bëj kujdes,

të ndjekin hijet e vjeshtës,

macezezat ta prejnë rrugën,

të lehin qentë e padukshëm...

Bëj kujdes, bir,

e mos iu ndaj rrugës së harruar,

ku dielli të bëhet busull,

hëna fanar,

mos iu ndaj rrugës së harruar, bir,

të çon tek vetja.

GURISHTA

Gurishta është gjaku im i valë,

gjuha e njerëzimtë,

besa ime hyjnore.

Ajo është ujë i bekuar dhe ajër i rrallë,

diell

e tokë pjellore.

E unë,

unë jam pjesë e saj,

gur i Gurishtes së çmuar.

Nëse bishës i thyhen dhëmbët,

dijeni:

trupin tim ka kafshuar!

HISTORI

Të mëdhenjtë, si të mëdhenj, e mbajnë veten fitimtarë.

Fitimtarët e shkruajnë siç duan historinë.

O Zot, kur do të fitojnë të vegjlit vallë,

të shkruhet e vërteta, që s’e dimë?

DASHURIA... URREJTJA...

Dashuria është magjia, që e bën zemrën të amshimtë,

mban në jetë kujtimin dhe lind kohën që s’ka ardhur,

urrejtja nuk është gjë tjetër – veçse krimb,

krimb që e kthen zemrën në një mollë të kalbur...

NËSE...

Nëse s’don të jesh i verbër

dhe emrin don ta mbash Njeri,

tjetrin shihe me zemër,

peshoje me dashuri!

Shënime për autorin:

Rizah Sheqiri u lind në vitin 1961 në Brainë të Kosovës. Për shtatë vjet punoi në Radio Prishtina, por për shkak të trazirave në vend, u detyrua të largohej nga Kosova. Më 1991 emigroi në Suedi.

Në Kosovë ka studiuar për letërsi kurse në Suedi ka përfunduar masterin në Pedagogji pranë Universitetit të Jönköpingut.

Në Suedi ka punuar kryesisht si mësues dhe shkrimtar. Që nga viti 1994 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë, i PEN klubit suedez dhe anëtar i Shoqatës Suedeze të Shkrimtarëve Ndërkombëtar. Punon edhe si lektor pranë rrjetit bibliotekar të Suedisë BTJ në Lund.

Ai shkruan poezi dhe prozë për të rriturit, të rinj dhe fëmijë. Deri më tani, ai ka botuar mbi 40 libra në gjuhën shqipe. Gjithashtu është përfshirë në shumë antologji në gjuhë të ndryshme anembanë botës. Disa nga veprat e tij letrare janë përkthyer në suedisht, gjermanisht, anglisht, turqisht, italisht, rumunisht etj Dhjetë nga librat e Sheqirit janë përkthyer në suedisht. Ai është bashkautor i dy teksteve shkollore për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të botuar nga Enti Kombëtar Suedez për Arsim dhe është bashkpërpiulues i 19-librave libra të përshtatur për lëndën e gjuhës amtare në shkollën fillore në Evropë.

Sheqiri shkruan komente, kronika dhe artikuj e recensione rreth librave dhe rreth problemeve kulturore dhe arsimore në shtypin fotot e periodik suedez.

Është shumë aktiv në jetën kulturore dhe letrare. Është edhe redaktor i revistës kulturore Groblad të Klubit të Krijuesëve Letrar të Blekinges në Suedi.

Momentalish punon si mësues i specializuar në Uddevalla dhe në mënyrë alternative punon si autor, poet, gazetar, redaktor, fotograf, përkthyes dhe ligjërues.

Sheqiri nga kritika letrare në atdhe po edhe në Suedi është cilësuar si një nga poetët më të shquar shqiptarë në kohët moderne. Përmbledhjet e tij më të sukseshme në gjuhën shqipe e suedeze janë: "Zemër plot dashuri", "Nëse patjetër të duhet e vërteta", “Këngëvaji... "," Vetëm zemra është poet ", " Merimangë e dritës "etj.

Për krijimtarinë e tij letrare kanë shkruar shumë gazetat suedeze, recensione, kritika letrare e ese. Këto ditë njëri nga autorët suedez në eseun e tij për dhembjen si ndjenë që i prek gjithë njerzimin e ka vlerësuar poezinë e tijë Kur në atdhe i vdes nëna mërgimtarit” si një nga realizimet më të arrira në këtë temë. Pra krijimtaria e Rizah Sheqirit edhe në gjuhën suedeze është vlerësuar shumë lartë. Recensionet dhe vlerësimet e këtilla i kanë bërë nder të vecantë autorit por edhe gjithë letërsisë shqipe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat