Në Prizren me Qazim Bllacën

Kultura

Në Prizren me Qazim Bllacën

Nga: Rexhep Shahu Më: 20 prill 2021 Në ora: 15:35
Qazim Bllaca, Rexhep Shahu dhe Salajdin Krasniqi

Faleminderit Salajdin Krasniqi për këtë foto të rrallë historike.

Në foto jam me fisnikun e rrallë Qazim Bllaca, ish zëvendës ministër i Punëve Botore në qeverinë e Rexhep Mitrovicës, deputet i Suharekës në parlamentin shqiptar, kryetar i parë i Bashkisë së Prizrenit, njëri ndër 7 themeluesit e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, njeriu që bëri 31 vite burg dhe internim, në Shqipëri, njëri nga 16 fëmijët e Ramë Bllacës - deputeti shqiptar i Jugosllavisë që ndërtonte kullën e tij që ta shihnin shqiptarët që kishin marrë udhët me ike për Turqi...

Adem Dërguti më ka takuar me të dhe i kam shkuar në shtëpi në Prizren. Qazimi më telefononte nga Prizreni në Kukës. Vinte në Kukës me marrë pensionin e burgut që kishte bërë në Shqipëri, e shoqëroja, e lehtësoja dhe më rrëfente jetën e tij të jashtëzakonshme.

Ishte e sillej si mbret, ndoshta aristokrati i fundit që kam njohur në jetë.

Miku i çmuar Kastriot Dervishi me ka ndihmuar me një dosje të jashtëzakonshme të Qazim Bllacës të cilën shpresoj ta botoj bashkë me rrëfimin për tij që na e ka dhënë me shkrimin e vet.

Këtë foto nuk e di kush na e ka bërë, por ma ka sjellë miku im prizrenali Salajdin Krasniqi qe e falënderoj përzemërsisht.

Në të majtë të Qazimit është e shoqja e tij. Unë me cigare në dorë jam në mes të Qazimit dhe Salajdinit. Të tjerët nuk i njoh.

Kishim bërë një libër monografi Bllaca me Adem Dërgutin.

Më kishin ftuar të flisja në Prizren në sallën e shtëpisë së kulturës për Lidhjen e dytë shqiptare të Prizrenit.

Isha i ulur në radhën e parë të sallës me Qazim Bllacën. Oratorët ligjëronin për Lidhjen e dytë shqiptare të Prizrenit, e krijonin Lidhjen, tregonin se si ishte krijuar, nga kush dhe pse, e fusnin në veprim, i caktonin detyra, ia shikonin zbatimin e detyrave Lidhjes së dytë shqiptare të Prizrenit.

Unë digjesha aty në karrige në krah të Qazimit që dëgjonte dhe shihja në sytë e tij një nënqeshje e tallje ndaj nesh. Ndoshta ishte shumë i penduar pse gjendej aty. Ndoshta më mallkonte pse kisha këmbëngule të vinte aty.

Po flisnin për punën e veprën e tij njerëz që nuk dinin asgjë edhe pse kishin prof e dr para emrave dhe një barrë thinja mbi krye, njerëz që kishin lexuar letra e shënime të Qazimit e të shokëve të tij që themeluan apo krijuan Lidhjen e dytë shqiptare të Prizrenit dhe askush nuk po fliste për Qazimin dhe askush nuk e ftoi të fliste Qazimi.

Teksa digjesha në vete, me thirrën emrin, tani e ka fjalën Rexhep Shahu.

U ngrita dhe gati vrapova deri në podium të mikrofoni në foltore. Salla plot e përplot. Njerëzit e kishin vlerësuar veprimtarinë. Nuk mbaj mend se çfarë kam folur por di se, pas fjalës, përshëndetje të gjithëve, kam thënë, ju ftoj për një duartrokitje për fisnikun Qazim Bllaca, që kemi fat që e kemi në sallë, dëshmitarin e vetëm të gjallë, njëri nga shtatë themeluesit e Lidhjes së dytë shqiptare të Prizrenit.

Shpërthyen duartrokitje, mu duk se e plotësova atë qe desha, sikur e hoqa barrën nga supet, barrën që ai që e ka bërë historinë rri e dëgjon pallavrat tona që as nuk e kemi bërë historinë as nuk e kemi jetuar, por as nuk e shkruajmë drejt, sepse ne shkruajmë çfarë ka dashur e do partia, Serbia e Jugosllavia pa e pyetur për historinë Qazimin që e ka bërë atë histori e që për fat është gjallë.

Mu duk se po flisja edhe për Qazimin që nuk e kishte llogaritur askush që të fliste e të na përshëndeste.

Nuk arrita ta kuptoja as atëherë e as sot se pse nuk e ftuan Qazimin të fliste në atë veprimtari. Ai nuk ishte nga ata që rend të flasë pa e thirrur të flasë. Së ai ishte mbretëror gjithsej.

Pasi i thashë fjalët e pallavrat e mia nga foltorja, shkova dhe u ula në vendin tim. Sapo u afrova të ulem, Qazimi u ngrit në këmbë. U hutova nga ai nder. Ai si mbret i vërtetë po sillej me mua me sjellje e gjeste fisniku. Ma dha dorën dhe me të majtën hoqi kapelën e u përkul pak në drejtim timin. Nuk e di por u ndjeva i lumtur. Këtë që po ndodhte po e shihnin mjaft njerëz, ndonëse salla nuk ishte e ndriçuar në pjesën e spektatoreve pasi ndriçimi ishte për presidiumin në skenë.

U ula në krah të majtë të Qazimit ku kisha vendin. Zgjati dorën dhe ma dha përsëri ashtu ulur dhe pasi e largoi dorën, e vendosi të parakrahu im dhe e mbajti gjatë aty.

Ktheu kokën nga unë dhe shqiptoi, Faleminderit zotni Rexhep!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat