Libri i Besnikut

Kultura

Libri i Besnikut

Nga: Ditar Kabashi Më: 24 prill 2021 Në ora: 14:53
Ditar Kabashi

Dyqanin e tij modest, në të cilin përgatiste qoftet ndër më të mirat në qytet, shumica prej nesh e konsideronim epiqendër ku mblidheshim për të vajtur diku bashkë a për ta gostitur ndonjë mysafir nga vendet tjera. Ishte një lloj magneti për ne, shoqërinë e tij të ngushtë e që ishim plot. Kushdo që i njeh raportet tona e di se në fjalinë paraprake s’bëhet fjalë për oksimoron.

***

I njihte me emër hallexhinjtë e qytetit. Sytë e tyre e lypnin nurin e tij. Kurdoherë që e shoqëroja në shpërndarjen e ndihmave, mësoja rrugica të reja të qytetit tim dhe habitesha se si nuk i kisha ditur më parë. Ishte disi e çuditshme ngase ne nuk jetojmë në një metropol. Me kalimin e kohës kuptova që ta njohësh një qytet nuk domethënë t’i dish përmendsh rrugët e tij. U dashka të frymoje më të në çdo cep. Të dish se në cilën lagje ç’njerëz jetojnë dhe çfarë preferenca a brenga kanë. Këtë të mos e bësh me refleksin e një pushtetari, por të një bashkëqytetari që ndan me tjetrin territorin, ujin, bukën e blerimin e natyrës. Përtej të gjithave: fatin. Edhe këtë e kisha mësuar nga ai.

***

Gjatë vapës verore djersitej dhe kishte zakon të ankohej për ca kilogramë të tepërt që duhej t’i hiqte. Ende pa i dhënë fund vetëkritikës, frynte në gushë e gjoks për të freskuar veten. E gjithë kjo skenë merrte përmasa komike për të pranishmit. Pasonin shakatë në llogari të tij dhe ai, me qeshjen karakteristike – duke lëvizur poshtë e përpjetë shpatullat - nuk ndalej deri sa i përloteshin sytë. Në kristalizimin e lotit të tij kundrohej çiltërsia dhe çdo herë e më shumë bindeshim se ia jepte hakun emrit që mbante.

***

Shumë vite më parë, kur po organizonim një tubim festiv, unë kisha për ta udhëhequr programin, kurse ai do të ishte njëri ndër mikpritësit e të ftuarve te dera hyrëse e sallës. I pata thënë të vendoste kravatë me garancinë se do t’ia lidhja mirë me duart e mia. Ndërkaq ai, duke i rrudhur vetullat me një shqetësim kinse po i kërkoja ta përmbyste botën, më ishte drejtuar: “Lene bre, allahile, fort nxehtë tash verës!”. Kjo fjalë e tij nuk do të ishte qortuese. Sakaq, vetullat i patën marrë ngjyrë dhembshurie. Edhe pse kishim dallim të dukshëm në moshë, nuk më kishte refuzuar me sigurinë e një të pjekuri. Kur insistova duke i thënë se ai do të qe imazhi ynë atë natë sepse mysafirët do ta krijonin përshtypjen fillestare për krejt neve duke e parë atë në hyrje, ai nuk e zgjati dhe më pati pyetur: “A bën bile mos me e mbyllë pullën e fundit të këmishës?”. Kjo pyetje dëftonte se ai e kishte mbajtur gjallë fëmijën brenda vetes.

***

Një karakter i tillë mbase do të mund ta ngacmonte imagjinatën e shkrimtarëve për të nisur një roman. Ndonëse, vetë ai kishte qenë kryepersonazh e që tanimë u bë edhe autor.

Duke shfletuar faqet e librit të tij do të takohesh me personazhe të llojllojshme; që nga shokët (të cilët parapëlqente t’i quante “vëllezër”), qytetarët e panumërt (pothuaj s’kishte njeri të mos e njihte), lista e gjatë me skamnorët (të cilët nuk i publikonte për t’ua ruajtur dinjitetin), myshterinjtë e vet (prej të cilëve stresohej kur grumbulloheshin) dhe kë tjetër jo se...

tej gjen kujtimet e rifreskuara nga koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pastaj nga rinia e dikurshme, nga pelegrinazhi, nga puna, nga familja. Por jo edhe nga argëtimi. Kjo ishte arsyeja pse e kritikonim miqësisht ndonjëherë. I kredhur në angazhimet ditore, harronte se njeriu ka nevojë edhe për dëfrim.

***

E kreu kapitullin e fundit. Tashmë i vuri pikën të vetmit libër që e ka përgatitur me zell por pa e derdhur në germa: librin e quajtur “jetë”. Me aq sa mundi e sa diti, gjithnjë me vetëdijen mbi betimin për lapsin.

Lapsi është si stafeta; duhet të kalojë nga një dorë në tjetrën për të arritur cakun. Pra, për t’u qëndisur me bojë faqet e reja duhet marrë shembull kryeveprat si libri i tij, i cili e ka një të metë të vetme: ishte fare i shkurtër. Dhe kjo na mërzit.

Tash e mbas duhet ta ruajmë krenarinë e të qenët pakëz personazhe e pakëz lexues të librit të tij dhe ta bartim mbi supe përgjegjësinë e rrëfimit në atë libër. Me një fjalë, të jemi të palëkundur në garën e drejtë, të cilën na e përkujtonte më shpesh se akësecili. Të vijojmë ta ndjekim me admirim kryepersonazhin dhe autorin e parapëlqyer.

Mbi të gjitha, të jemi besnikë ndaj faqeve të librit porsi Besniku ynë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat