Monografia e publicistit, Prof. Qazim Berisha, “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në armatën jugosllave (1951 – 1993)”

Kultura

Monografia e publicistit, Prof. Qazim Berisha, “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në armatën jugosllave (1951 – 1993)”

Nga: Zymer Mehani Më: 1 maj 2021 Në ora: 20:27
Foto ilustrim

1.

Një ndër kapitujt më të dhimbshëm të historisë së shqiptarëve të Kosovës dhe të atyre që jetuan në viset e ish-Federatës Jugosllave, në dekadën e fundit të shekullit XX, është vrasja e të rinjve shqiptarë në Armatën e ish-Jugosllavisë.

Edhe libri monografik “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në Armatën Jugosllave” (1951-1993) i autorit të zellshëm, Qazim Berisha rrëfen tragjedinë e qindra të rinjve shqiptarë, të vrarë nga shërbimet sekrete serbe, derisa po e kryenin detyrimin ushtarak në ish -APJ. Bëhet fjalë për një segment të posaçëm të dhunës shtetërore serbe mbi shqiptarët, e që është si hyrje në vitet e luftë së përgjakshme që ata përjetuan me okupatorin serb, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar (1989-1999).

Mendojmë se autori Qazim Berisha me këtë monografi, të gjithë ushtarëve shqiptarë, të vrarë nga APJ-ja u ngriti një monument, ngase edhe ata janë pjesë (madje tejet e dhimbshme) e themeleve të shtetit të ri të Kosovës.

Këto krime dhe inskenime të vrastarëve serbë e jugosllavë, që ata i bënë edhe nëpër kazermat ushtarake ndaj ushtarëve shqiptarë, duhet të bëhen të ditura për tërë institucionet ndërkombëtare të botës demokratike.

Autori Berisha, në hyrje të këtij libri do të tregojë: “Ishte, pra viti 1996, kur fillova t’i publikoj shkrimet e mia për të gjithë ushtarët e vrarë me radhë, në dy gazeta shqiptare, që dilnin atëbotë në Prishtinë, (“Fjala jonë“ dhe “Gazeta shqiptare”)”. Pas botimit të këtyre shkrimeve (fejton) në disa vazhdime në gazetat e përmendura, Qazim Berisha me të drejtë e hodhi idenë, se duhet nisur një punë sistematike që materialet të cilat flasin për këtë temë të kompletohen dhe të botohen në një libër monografik.

2.

Libri “Ushtarët shqiptarë, të vrarë në Armatën Jugosllave” (1951-1993) përmban 12 kapituj, me gjithsej 133 zëra (biografi) të ushtarëve shqiptarë, që pësuan në APJ, ku paraqiten shënime biografike elementare të tyre ( si rritja, shkollimi e edukimi, thirrja për shërbim në armatë..) dhe data të rëndësishme (të lindjes dhe të vdekjes së tyre (vrasjes, helmimit, mbytjes me torturë…), duke u bazuar në të dhënat që autori i voli, kryesisht nga familjarët e të vrarëve, gjatë vizitave që ua bëri familjeve të tyre.

NË KAPITULLIN E PARË përfshihen ushtarët shqiptarë, të vrarë brenda periudhës 1951-1979: Ramadan Gashi, i lindur më 1930, në Vërbofc të Drenasit, i vrarë në korrik 1951, në Vishegrad të Bosnjes e Hercegovinës; Ibrahim Emini, i lindur më 1932, në Gllamnik të Podujevës, i vrarë më 1951, në Bihaq të Bosnjes e Hercegovinës; Ali Nasuf Hetemi, i lindur në vitin 1935, në Jashanicë të Klinës dhe i vrarë në nëntor të vitit 1956; Januz Asllan Tolaj, i lindur në vitin 1961, në fshatin Pobërgjë të Deçanit dhe i vrarë më 1962, në Sarajevë të Bosnjes e Hercegovinës; Shaban Isa Hoxha, i lindur më 15 maj 1963, në Batushë të Gjakovës, i vrarë më 21 nëntor 1963, në Lublanë të Sllovenisë; Rifat Qazim Boja, i lindur më 23 qershor 1941, në fshatin Kërnicë të Klinës dhe i vrarë më 14 dhjetor 1963, në Novo Mesto të Sllovenisë; Shaban Behram Deshishku, i lindur më 5 qershor 1942, në Bellopojë të Podujevës, i vrarë më 16 tetor 1964, në Shkup të Maqedonisë së Veriut; Raif Brahim Rrahmani, i lindur në vitin 1943, në fshatin Ballofc të Podujevës, i vrarë më 25 dhjetor 1965, në Rijekë të Kroacisë; Sadik Adem Haziri, i lindur më 1942, në fshatin Açarevë të Skënderajt, i vrarë në Çakovec të Kroacisë, më 1966; Bajram Zejnullah Krasniqi, i lindur në vitin 1944, në fshatin Bërnicë, Lagja Sinidolli e Prishtinës dhe i vrarë më 22 shtator 1966; Xhavit Mehmet Daka, i lindur më 1945, në Korishë të Prizrenit dhe i vrarë në vitin 1968, në Sarajevë të Bosnjes e Hercegovinës; Nuhi Sadik Tafaj,i lindur në vitin 1949, në Grejkoc të Suharekës, i vrarë më 28 shkurt 1971, në burgun famëkeq, në Goli Otok të Kroacisë; Azem Tefik Rexhepi, i lindur në vitin 1953, në fshatin Gjurkoc të Shtimes, i vrarë në shtatorin e vitit 1972, në Rajllovc, afër Sarajevës; Idriz Ahmet Krasniqi, i lindur më 1951, në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, i vdekur në Spitalin Ushtarak në Beograd, në m-ars 1975; Ramadan Shefki Bakiu, i lindur më 1956, në Bitinë e Epërme të Ferizajt, i vrarë në Sombor të Vojvodinës, më 1976; Nexhbedin Sulejman Osmani, i lindur më 10 janar 1957, në Tetovë, i vrarë në Dravograd të Sllovenisë, më 1979.

NË KAPITULLIN E DYTË i gjejmë ushtarët tanë, të vrarë gjatë vitit 1981: Besim Xhemë Bajraktari, i lindur më 1958, në Junik të Deçanit. Më 5 gusht 1981, pranë Aeroportit të Ri të Banjallukës e vrasin eprorët e tij; Shaban Sadik Prushi, i lindur më 1961, në Prush të Gjakovës. Në vitin 1981 u soll i masakruar nga ushtria dhe u varros pa u dhënë asnjë informatë për familjen; Qerim Abdurrahman Aliu lindi më 25 nëntor 1961 në Kumanovë. Më 1981 mobilizohet në Vitoviricë. Më 28 gusht 1981 dërgon një telegram në shtëpi që ta vizitojnë sepse ishte i sëmurë! Familjarët shkojnë menjëherë në Kazermë, por marrin përgjegjen nga komandanti: Ai ka bërë vetëvrasje; Halil (Habib) Hajrullahu, nga fshati Banullë i Lipjanit, u vra më 2 shtator 1981, gjatë kryerjes së shrbimit ushtarak në Banjallukë (Bosnje e Hercegovinë); Sami Ali Gashi, u lind më 1961, në Prishtinë. Në Armaten Jugollave është mobilizuar në shtator 1980, Garnizonin e Kikindes (Vojvodinë), e pastaj është transferuar në garnizonin Ushtarak të Vërshacit (Vojvodinë). Pas disa ditë bisedash në sigurimin ushtarak më 8 gusht 1981 vritet duke marrë një breshëri plumbash në gjoks; Naim Ramadan Ajgeri u lind më 1968. Në shtator 1987 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Ajdovçinë të Sllovenisë. Në emër të një fakti se Naimi paska thyer fotografinë e Titos në kazermë, torturohet deri në vdekje, më 14 prill 1988; Rrustem Bali Bejta, nga fshati Prekaz i Skënderajt, si pasojë e keqtrajtimeve të rënda, vdiq vetëm disa ditë pasi u lëshua nga shërbimi ushtarak, më 1981; Asllan Ukë Gashi, lindur në Suharekë më 17. 09. 1969. Rekrut në APJ më 12 shkrut 1980, në VP nr. 1266/20, Vipavë, Slloveni. Transfer më 3 korrik 1980 në VP nr. 2950, në Snezhanë. U vra më 9. 11. 1981. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje!

KAPITULLIN I TRETË i përfshin ushtarët që u vranë gjatë vitit 1982: Sami (Shani) Krasniqi, (1956), nga fshati Buqe i Sharrit, u vra më 16 shtator 1982, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Novo Mesto (Slloveni); Nazmi Abdullah Muja lindi më 25 maj 1962, në Gradicë të Drenasit. Në Armatën Jugosllave shkoi në shtator 1981, në Mostar të Bosnje e Hercegovinës, VP 7394/15. Më 25 maj 1982 oficerët e KOS-it e hodhën nga kati i tretë dhe thanë se bëri vetëvrasje. Vrasës të tij ishin officerët: Kapiteni Ante Allajbeg (VP 73-94 Mostar), nënkolonel Simeon Tumanoviç (VP 3945 Sarajevë), dhe nënkolonel Aleksandër Vasilieviç (VP 945 Sarajevë); Shefqet Avdyl Jashari (Prekazi), i lindur më 1952 në Prekaz të Skënderajt. Më 1982 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Novi Sad. Më 24 tetor 1982 policia speciale e godet në lift me një mjet të fortë dhe e hedh në gropën e tij; Ismet Muharrem Bojku lindi më 3 prill 1962 në Gjakovë. Jetonte në Deçan. Më 8 tetor 1981 e dërgojnë urgjentisht në shërbim në Garnizonin Ushatarak të Shtipit VP 444/4 VE-1, në Maqedoni. Më 19 shtator 1982 është helmuar nga komandanti Zvonimir Kostiq dhe me të ardhur në shtëpi, vërejti pasojat e helmimit. Komanda ushtrake nuk pranoi rishikimin as Spitali i Shkupit. Vdiq në përjekje për të jetuar më 7 tetor 1982 në spitalin e Pejës; Hasan (Telat) Sezairi (1959), nga Gostivari, u likuidua me 15 maj 1982, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Krivollakë të Kroacisë; Halil Halim Binaku u lind më 1952, në Gllobar të Drenasit. Më 1981 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Shibenik të Kroacisë. U tregua shumë i zoti në ushtri dhe mori gradën e dhjetarit. Në mesnatën e 26 nëntorit 1982, u vra në tradhëti; Latif (Mehmet) Zeqiri, u lind më 5 tetor 1959, në fshatin Kaçandoll të Mitrovicës, u vra më 4 qershor 1982, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Lubjanë (Slloveni); Rasim Ramadan Zeka u lind më 1.5.1961 në Metërgofc të Podujevës. Më 4 nëntor 1981 mobilizohet në Garnizonin e Komandës Ushtarake të Sinjit (Kroaci), në VP 2427/12. Më parëe familja kishte informata se ai po torturohej nga sigurimi ushtarak dhe shkojnë ta vizitojnë, por nuk u lejohet. Në natën në mes të 6 dhe 7 prillit 1982, ushtarakët kapiteni Filipoviç, koloneli Zdravko Barac, majori Janko Milobratiq dhe kapiteni Ivan Kovaqeviç e varën në kabllon e rrymës, në kuzhinën e kazermës; Izeir (Rrustem) Sadiku u lind më 25 janar 1957, në Rahovicë të Preshevës. Në vitin 1981 u dërgua për ta kryer shërbimin ushtarak në garnizonin “Lora” të Splitit. Me 12 prill 1982, sipas një informate të tërthortë të oficerit Franjo Tot, oficer i lartë i sigurimit ushtarak, Frane Dobravqiq e kishte ftuar Izeirin në raport. Me atë rast ai e ka hedhur nga kati i tretl, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Të njëjtit nuk i dihet varri; Musë (Ramadan) Hoxha, u lind më 10 qershor 1965, në fshatim Bellanicë të Suharekës. Në Akademinë Ushtarake të Aviacionit Musai shkoi më 1978, në Rajllovc të Sarajevës, në P.U.3395, ku aftësohej për pilot. Më 20 dhjetor 1982, kishte dalë në qytet me shokë dhe duke u kthyer në kazermë, diku rreth orës 21:00, një veturë e përplas për vdekje, në Bihaq të Bosnjes e Hercegovinës; Enver (Selman) Elezi (26. 04. 1964), nga fshati Sllatinë e Kaçanikut, që shtrihet në rrënjë të Sharrit. U vra më 4 qershor 1989, derisa po e kryente shërbimin ushtarak, në Divulle të Splitit (Kroaci); Mustafë Arif Pantina u lind më 13 shtator 1963, në Gllarevë të Klinës. Në prill të vitit 1963 mobilizohet në Garnizonin ushtarak të Derventes (Bosnje e Hercegovinë). Për katër muaj me radhë, sikur e shpjegonte në letra, iu nënshtrua presionit ushtarak, ndërsa më 1 gusht 1983, në poligonin e kazermës u vra me snajper. U tha se e vrau veten duke marrë një kokër mollë në degë!

NË KAPITULLIN E KATËRT hyjnë biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë viteve 1983-1984. Këtu përfshihen: Adem Binak Osmanaj, lindi më 29. 12. 1963, në Turbuhovc të Istogut. Më 9 tetor 1982 mobilizohet në Garnizonin e Lublanës (Slloveni). Me të arritur në kazermë fillon dhuna mbi të. Në një letër familjes, i njofton se nuk e di a do të mund të kthehet i gjallë në shtëpi. Në natën e 5 qershorit 1983 e hedhin në hekurudhën e trenit dhe e vrasin; Murat Isufi u lind më 1965, në Haraçinë të Shkupit, vritet më 4 qershor 1983, në Lublanë të Sllovenisë; Agron Haxhi Ferizi, u lind më 1957, në fshatin Kodrali të Deçanit. U mobilizua në Ushtrinë Jugosllave më 6 janar 1984 në Novi Sad. Më vonë e transferojnë në Baçka Topollë, ku vritet më 25 gusht 1984. Arsyetimi: Ka bërë vetëvrasje; Ejup Fejzë Sahiti u lind më 2. 2. 1961, në Papaz të Ferizajt. Më 1984 mobilizohet në shërbimin ushtarak në Valevë të Serbisë VP 2666. Ishte 24 tetori 1984, dymbëdhjetë ditë pa e kryer shëbimin ushtarak, kur vritet. Nuk kishte asnjë shpjegim nga ushtria. Edhe gjyqi ushtarak u mbajt, por nuk u dhanë informacione për familjen; Naser (Shaqir) Gashi (30. 08. 1962), nga fshati Kopiliq i Poshtëm i Skenderajt, u vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Shetinska Gora (Slloveni), më 10 qershor 1984; Beqir Sahiti, u lind më 29 qershor 1965, në fshatin Stubëll të Vitisë, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Maribor (Slloveni), më 6 gusht 1984.

KAPITULLIT TË PESTË i takojnë biografitë e ushtarëve të vrarë gjatë vitit 1985. Aty hyjnë: Abedin Selman Bala, u lind më 30. 12. 1960, në Korreticë të Epërme të Drenasit. Ishte njeri me një intelektualitet të jashtëzakonshëm. Njihte shumë gjuhë. Më 4. 1. 1981 mobilizohet në Maribor të Sllovenisë VP –3672/1. Më vonë e dërgojnë në Postonje (Slloveni) VP 1427. Ditën që lirohej u organizua një proces policor dhe u arrestuan 15 shqiptarë, gjoja të organizuar, të cilët pas nëntë muajve u dënuan nga 3 deri në 13 vjet burg të rëndë. Abedini mbajti burgun në disa vende të Jugosllavisë, deri në natën ndërmjet 11 e 12 janarit 1985 kur policia ushtarake hyri në qelnë e burgut dhe e mbyti përdhunshëm. U tha se bëri vetëvrasje; Malik Azizi u lind më 18 shkurt 1965, në fshatin Koritë të Gostivarit. Ai shkoi ushtar në vitin 1985, në Kazermën e Beogradit të Serbisë, prej nga në familje erdhi kumti i zi se “ka bërë vetëvrasje”; Mujë (Rexhë) Maqaj u lind më 27 korrik 1965, në fshatin Bregu i Zi (Cerabreg) të Lipjanit. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, më 16 qershor 1985, kur Muji ishte caktuar në roje, dhe kur u hap lajmi në kazermë se ushtari shqiptar bëri vetëvrasje, në Benkovc (Kroaci); Shemsi Shala u lind më 1965, në fshatin Rufci i Ri të Lipjanit. Ai shkoi ushtar në Kazermën e Mostarit të Bosnjes dhe Hercegovinës. Në versionin zyrtar thuhej se një shok i tij e kishte qëlluar me një plumb në ballë me pahir dhe e kishte shtrirë të vdekur në tokë; Fadil Selim Berdynaj lindi më 1963 në Radavc të Pejës. Më 7 maj 1985 mobilizohet në Armatën Jugosllave në Prilep të Maqedonisë. Më 23 qershor 1985, nga presioni psiqik e fizik, thuhej se Fadili bëri vetëvrasje, por fjala ishte për një vrasje me dhunë, sepse nuk kishte shenja të tjera; Rexhep (Ismet) Blakaj u lind më 1964, në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës. U vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në kazermën e Viroviticës (Kroaci), më 10 dhjetor të vitit 1985; Fadil Xhafer Gashi u lind më 21 dhjetor 1965, në fshatin Dobërdol të Podujevës. Në gusht të vitit 1984 mobilizohet në Garnizonin e Kralevës (Serbi), VP 8977/6. Më 7 maj 1985 e dërguan roje në Ratina, afër Vërnjaçka Banjës, ndërsa mbrapa e ndoqën dhe e vranë pas shpine, më 8 gusht të atij viti. U tha se bëri vetëvrasje; Enver Hasi, nga fshati Poroj i Tetovës (1965), u vra derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave, në vitin 1985.

NË KAPITULLIN E GJASHTË janë evidentuar biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë vitit 1986: Haki Rexhep Shatri u lind në korrik të vitit 1958, në fshatin Tomoc të Istogut. Shkoi ushtar në Novi Sad, më 2 shkurt 1985, e pastaj transferohet në P.U. 4911 të Sarajevës. Një ditë para se ta kryente shërbimin ushtarak, kthehet i vrarë, i mbyllur në arkivol, më 3 shkurt 1986; Muhamet Osmani u lind më 10 dhjetor 1968, në fshatin Ballofc të Podujevës. Vdiq në spital të Prishtinës, më 1986, nga pasojat e shëndetit të rrënuar në burgun ushtarak të APJ. Pat shërbyer në në Shibenik të Kroacisë; Erdogan (Alajdin) Morina (1 maj 1958), nga Prizreni, u vra në kazermën e Batajnicës, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Ushtrinë Jugosllave, më 2 dhjetor 1986; Inajet (Fuad) Itsrefi, (1966), nga fshati Veleshtë e Strugës. Në janar të vitit 1986, dërgohet për ta kryer shërbimin ushrak në Kazermën e Petro Varadinit, afër Novi Sadit (Vojvodinë). Më 12 qershor 1986, derisa gjendej në roje, një dorë e fshehur e zbrazi një karikator plumba në trupin e tij; Sami Daut Shabani u lind më 1961, në Zaskok të Ferizajt. Në maj të vitit 1985 shkoi ushtar në Kazermën ushtarake të Koprivnicës (Kroaci), VP 3790/42. Më 9 janar 1986 vritet pas shpine. U varros pa asnjë dëshmi dhe nënmbikqyrje ushtarake.

TE KAPITULLI E SHTATË i gjejmë biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1987, ku bëjnë pjesë: Fatmir Kurti, u lind më 1 mars 1966, në Smolicë të Gjakovës. Ai shkoi ushtar në Garnizonin e Lubjanës. Po kthehej nga shërbimi ushtarak, me një shëndet të rrënuar. Mjekët e Prishtinës i kishin sugjeruar familjes që ta dërgonin në spitalin e Shkupit. Atje mjekët kishin konstatuar se vuante nga leokemia. Ishte 5 maji i vitit 1987, kur pushojnë vuajtjet e Fatmirit, ngase ai nuk arriti ta fitonte betejën me atë sëmundje të rëndë; Miftar Sylë Tali lindi më 15.2.1965, në Babaj të Bokës, Malësia e Gjakovës. Më 20 qershor 1986 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Garnizonin e Pazinit, në Istri të Kroacisë, VP 6116/11, ndërsa më 15.1.1987 transferohet në VP 4969 të Pazinit. Për shkak se ishte familje kufitare, në Miftarin bëhet presion që të bashkëpunojë për nevoja ushtarake kundër popullatës kufitare. Qëndon më shumë në burgje e spitale se sa në ushtri. Më 23 prill 1987 e njoftojnë familjen dhe e lëshojnë Miftarin me shumë plagë në trup. Në trenin Zagreb –Beograd Miftari ishte bashkë me vëllaun Haxhiun. Policia speciale u hodhi sprej syve dhe tërhoqi Mitarin duke e hedhur për dritare nga treni afër qytetit të Kutinës (Kroaci). Vetëm tri ditë më pas trupi i shkatërruar i Miftarit kthehet në shtëpi; Ramush Shala, u lind në vitin 1967, në fshatin Ponesh të Gjilanit, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Sarajevë, me 1987; Aziz (Sadik) Kelmendi (15 janar 1967), nga fshati Karaçicë i Lipjanit, me banim në Prizren, më 1986 dërgohet për ta kryer shërbimin ushtarak në Leskovc (Serbi). Emri i tij lidhet me inskenimin e “Masakrës së Praçinit”, të cilën e bëri KOS-i ushtarak jugosllav. Azizin e ngarkuan për këtë rast, dhe e vranë pas shpine, më 3 shtator 1987, jashtë kazermës, ndërsa zyrtarisht njoftuan “bëri vetëvrasje” (!); Esat Ferati u lind më 5 janar 1967, në fshatin Vërbnicë të Mitrovicës. Në janar të vitit 1987, shkoi ushtar në Boinska Bello të Sllovenisë. Pas gjashtë javësh kthehet, i mbyllur në arkivol. Versioni zyrtar: “Ka vdekur nga leukemia”; Tafil Zahir Hyseni u lind më 7. 5. 1962, në Lumbardh (ish-Velikorekë) të Podujevës. Më 3 dhjetor 1984 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, por i dërrmuar nga jeta në burgje, lirohet përkohësisht. Më 17.12.1986 regrutohet në Ajdovqinë të Sllovenisë VP 1266/8B. Nuk e lejojnë të vizitohet asnjëherë nga familja, prandaj më 4 shtator 1987 largohet nga kazerma pa leje drejt shtëpisë. Sigurimi ushtarak e kap dhe e kthen në kazermë, ku ushtrohet dhunë deri në vdekje. U tha se bëri vetëvrasje; Besim Hashim Fazliu u lind më 15 janar 1967, në Prishtinë. Më 19. 1. 1987 u mobilizua në Garnizonin ushtarak të Lublanës, VP 50028. Më 13. 12. 1987 u dërgua për të ngrënë më heret, se gjoja kishte punë në magazinë. Ishte helmuar, ndërsa arriti t’i shoh edhe sigurimin ushtarak që po e përcillte. Vdiq më 31 dhjetor 1987; Ibrahim Isuf Kastrati u lind më 1 janar 1961, në Turjakë të Rahovecit. Më 1984 mobilizohet në Garnizonin e Suboticës. Pas një përleshjeje ushtarësh, intervenon dhe shuan rrahjen, por pasi kjo rrahje ishte e programuar nga policia sekrete, ai dënohet me pesë vjet burg të rëndë. Nga burgu i Pozharevcit kthehet i vdekur, më 22 shtator 1987, në arkivol, hermetikisht të mbyllur; Qani (Muharrem) Shabani (1965), nga Rahoveci, u vra më 5 nentor 1987, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Pulë (Kroaci); Raif Adem Isufi u lind më 5 maj 1960, në Kotorr të Skënderajt. Në tetor të vitit 1986 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave në Bileçe të Bosnje Hercegovinës. Pastaj u aktivizua komandant reparti në Bohinjsko Bello të Sllovenisë. Më 5.12. 1987, në ora 22:00 e njoftojnë se gjoja ushtarët shqiptarë në Kazermën e Bohinjsko Bellos po rrahen me ushtarët tjerë. Raifi gjendej në kazermën e Bledit. E urdhërojnë të shkojë atje, por veturë nuk i japin. Niset këmbë me dy shokë të tjerë. Rrugës e sulmojnë me një xhip ushtarak dhe e mbysin, ndërsa plagosin rëndë një ushtar tjetër nga Koshutova e Mitrovicës, që mbetet invalid i përjetshëm dhe me plagë më të lehta një ushtar nga Presheva; Mustafë (Mumin) Ramadani, (1967) nga fshati Bozofc i Tetovës, u vra më 27 prill 1987, dersisa po e kryente shërbimin ushtarak në Garnizonin Ushtarak te Strumicës (Maqedoni e Veriut); Bedri Niman Bajgora u lind më 5.3.1959, në Vushtrri. Më 1986 mobilizohet ushtar në Garnizonin Ushtarak të Pirotit (Serbi), VP 8297/39. Në tre muajt e fundit merret vazhdimisht në biseda informative. Më 14 janar 1987 gjendet i varur në parkun e makinave.

NË KAPITULLIN E TETË gjenden biografitë e ushtarëve shqiptarë, të vrarë gjatë vitit 1988: Neshat Xhafer Gashi, u lind më 1969, në Orrobërd të Istogut. Në mars 1988 mobilizohet në Ribnicë të Sllovenisë, VP 1297/24. Pas shumë përndjekjesh dhe detyrimesh që çdo ditë të mbajë roje në kazermë, e njofton të motrën se i është përgatitur vrasja. Më 16 maj 1988 u sulmua, por kishte fat dhe nuk u qëllua. Më 18 maj 1988, po në të njëjtën roje sulmohet me breshëri armësh dhe vritet. Nuk u dha asnjë shpjegim; Osman Hajdar Ismajli u lind më 20 gusht 1968, në Gërbavc të Medvegjës. Shkoi në Armatën Jugosllave në Kazermën “Marshal Tito” në Titograd (sot Podgoricë) të Malit të Zi. Më 8 korrik 1988 u gjet i masakruar në lumin Moraça. U tha se kishte bërë vetëvrasje; Afrim Muhamet Lushtaku u lind më 21 janar 1966, në Prekaz të Skënderajt. Më 14 qershor 1988 mobilizohet në Kranj të Sllovenisë, VP 1098. Më 28 qershor 1988, në poligonin e kazermës fshehtas u sulmua me thikë nga mbrapa. U tha se vdiq nga infarkti!

NË KAPITULLIN E NËNTË hyjnë biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1989: Qamil Ramadan Thaçi, i lindur më 26 korrik 1968, në Demjan të Hasit të Thatë (Gjakovë). Në qershor 1988 e mobilizojnë në armatë, në Osjek të Kroacisë, VP 5530/41. Mbi Qamilin u bë një provë helmi. Papritmas iu dhanë 7 ditë pushimi. Dy veta e sollën deri në të hyrë të fshatit dhe pastaj u zhdukën. Në natën e parë filluan dhembjet e forta, ndërsa ai arriti vetëm të thoshte se “Më helmuan!”. Vdiq më 25 mars 1989, në Spitalin Ushtarak të Shkupit. Ushtria nuk dha asnjë shpjegim; Halim (Shaqir) Litaj (1970), nga Klina, vdiq në rrethana te pasqaruara, më 4 shtator 1989, derisa po e kryente shërbimin ushtarak në Doboj (Bosne e Hercegovinë); Xhavit Alush Berisha u lind më 16. 11. 1967, në Prugovc të Prishtinës. Më 17 shtator 1989 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Sombor të Kroacisë, VP 3065/4-3. Vetëm dy muaj më vonë e dërgojnë në klinikën ushtarake të Beoradit. Më 12.12.1989 vdes dhe dërgohet pa asnjë shënim për varrim. U helmua; Enver Shaban Ramadani u lind më 5 maj 1970, në Brojë të Skënderajt. Më 1988 mobilizohet në ushtri, në Vitoviricë të Kroacisë. Në dhjetor 1988 i shkon për vizitë i vëllai, por nuk e lejojnë ta shoh, sepse sipas oficerëve Enveri ishte kokëfortë. Më 14 janar 1989 oficeri i tij e nxjerr nga dhoma në mesnatë, me arsyetim se duhet të shkojë në raport. Në mëngjes ushtrarët lajmërohen se ai bëri vetëvrasje; Izet Ismaili u lind më 11 shkurt 1949, në fshatin Banjë të Vushtrrisë, ishte major dhe së fundi shërbeu në Nish. Më 2 shkurt 1989, ishte kujdestar në kazermë. Dyshohet se atë natë ia kishin helmuar ushqimin. I kishin filluar dhembje të mëdha në stomak, prandaj kishte shkuar në Spitalin Ushtarak në Beograd. As familja nuk arriti ta nxirrte nga spitali dhe ta dërgonte diku jashtë. Vdiq më 16 mars 1989.

KAPITULLI I DHJETË përmban biografitë e ushtarëve që u vranë gjatë vitit 1990: Vahedin Xhimshit Hajrizi u lind më 22 tetor 1969, në Kuklibeg të Dragashit. Më 18 dhjetor 1989 urgjentisht mobilizohet në ushtri, së pari në Sombor e pastaj në Divulja të Trogirit (Kroaci). Ishte i rrezikuar vazhdimisht dhe këtë ia kishte thënë babait në telefon, por nuk arriti ta tërhiqte. Bisedat e tij i përcolli sigurimi ushtarak dhe Vahedinin e vrau vetëm pas tre muajve më 26 prill 1990; Hamit Jahë Haxhiu u lind më 1. 5. 1957, në Batushë të Gjakovës. Ishte kapiten i klasit të parë në Garnizonin e Nishit. Më 1 .2. 1990 një ekspeditë tankiste nga Nishi pa pjesmarrjen e tij kishte hyrë në Podujevë dhe kishte vrarë një qytetar para shtëpisë (Fadil Tallën). Në shenjë aktiviteti për të mbuluar reagimin e mëvonshëm të Hamitit, atë e helmojnë dhe vdes më 22 qershor 1990; Jetullah Haxhi Desku u lind më 15. 05. 1970, në Siçevë të Klinës. Më 18 mars 1990 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave VP 5920/12D të Suboticës (Vojvodinë). Pas dy muajve vritet në Kazermën “14 vojvigjanska divizija”, më 18 maj 1990; Halim Halil Gashi, u lind më 1969, në fshatin Akllap të Lipjanit. Ishte janari i vitit 1990, kur i refuzoi urdhërat e eprorit që të luftonte kundër forcave çlirimtare kroate. Atëherë, oficeri i tij i pashpirt ia drejton armën dhe e qëllon në kokë, duke e lënë të shtrirë në tokë, në Gospiq të Kroacisë; Xhevdet Hajredin Aruçi u lind më 12 qershor 1966, në Rrezallë të Skënderajt. Më 19. 5. 1990 urgjentisht u mobilizua në Tuzlla të Bosnje Hercegovinës. Më 27 qershor 1990 një bandë ushtrarësh, të drejtuar nga një oficer i garnizonit, me shufra hekuri e masakruan deri në vdekje; Fatmir (Adem) Tafaj (8 tetor 1970), nga fshati Grejkoc i Suharekës, derisa po e kryente shërbimin ushtarak, u masakrua më 27 gusht 1990, ne Sisak (Kroaci).

NË KAPITULLIN E NJËMBËDHJETË paraqiten biografitë e ushtarëve të vrarë më 1991 Xhevdet Pomak (1970), nga fshati Brod i Sharrit, u vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, në Pakrac, më 1991; Agim Salih Gllareva u lind më 7 korrik 1971, në Vërbovc të Drenasit. Në Armatën Jugosllave shkoi më 1990. në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut. Prej këtu e transferojnë në Dvor na Uni të Kroacisë. Aty vritet më 16 tetor 1991, në rrethana të pasqaruara; Lulzim Faik Rexhepi u lind më 19 shtator 1969, në Zabel të Epërm të Drenasit. Më 16. 12. 1990 mobilizohet dhunshëm në Ushtrinë Jugosllave. Shkon në Vutoviricë të Kroacisë, VP-1530/16. Më 16 1. 1991 Lulzimin e vranë njëherë e pastaj e hodhën nën rrotat e trenit, për të thënë se bëri vetëvrasje; Tahir Azem Gashi u lind më 25. 7. 1971, në Vërbovc të Drenasit. Më 16 qershor 1991 mobilizohet në Ushtrinë Jugosllave, në Osjek të Kroacisë, VP 5530/10. Vetëm një javë pas fillimit të ushtrimeve dërgohet në frontet e luftës kundër forcave çlirimtare të kroate. Më 16 shtator plagoset rëndë dhe pas tri ditë vuajtjeje vdes në një veturë, ku e gjejnë ushtarët kroatë dhe e varrosin në varrezat qëndrore të Osjekut; Ali (Nazif) Sahiti (24 maj 1971), nga Komogllava e Ferizajt, më 15 mar 1991, e derguan me dhunë për ta kryer shërbimin ushtarak në Garnizonin e Shtipit (Maqedoni e Veriut), VP-6381/3, ndërsa më 22 mars 1991, e transferojnë në frontet e luftës në Shtunj (Kroaci), VP-7260/5. Më 19 dhjetor 1991, një ushtar nga Rashka (Serbi) e vrau mu në mes të poligonit të kazermës. Kufomën e tij ushtria e mbajti në morg 26 ditë me radhë, pa e njoftuar familjen; Muharrem Faik Muharremi u lind më 28 prill 1971, në Katundin e Vjetër të Ferizajt. Më 5 tetor 1991, u vra me breshëri plumbash, në vendin e quajtur Bokanjac të Zarës (Kroaci); Sherif Kashtanjeva u lind më 19 prill 1970, në fshatin Nerodime të Ferizajt. Shkoi ushtar më 15 dhjetor 1990, në Shabac të Serbisë. Dy javë pa e kryer shërbimin ushtarak, ai kthehet i vrarë, në shtëpi, më 2 dhjetor 1991; Abedin Krasniqi u lind më 17 prill 1970, në Bardh të Vogël të Fushë-Kosovës. Pas 143 ditësh shërbim ushtarak në A(P)J, e kthejnë të vrarë, të mbyllur në arkivol, më 3 nëntor 1991 nga Knini i Kroacisë; Ejup Gashi u lind më 10 maj 1970, në fshatin Bardhi i Madh të Fushë-Kosovës. Ushtar shkoi në Llastovo të Kroacisë, më 24 dhjetor 1990. Pesëmbëdhjetë ditë pa e kryer shërbimin ushtarak, i kthehet familjes i vrarë, i mbyllur në arkivol, më 21 nëntor 1991; Setar Mustafë Ramadani u lind më 1972 në Osek Hilë të Gjakovës. Më 1991 u mobilizua në Armatën Jugosllave, të cilin e dërguan në frontin e luftës serbo-kroate. Nga mbrapashpina u vra më 1 shtator 1991 në Trebinje të Kroacisë, “sepse nuk kishte zbatuar urdhërat serbe!”; Vesel Duraku u lind më 1972, në fshatin Demjan të Gjakovës. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, më 15 dhjetor 1991, nga snajperisti kroat, në Turanj, meqë serbët e kushin vënë dhunshëm në vijë të parë të frontit; Fadil Salihu, u lind më 27 korrik 1971, në Livoç të Poshtëm të Gjilanit. U vra gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, në çlirimin e Gospiqit (Kroaci), më 23 tetor 1991; Elez Halipi u lind më 1991, në Kumanovë. U vra në Trebinje të Kroacisë, në vitin 1991; Taip Aliu u lind më 1972, në Forinë të Gostivarit. U vra në fillim të tetorit 1991, në një fshat të Dubrovnikut, ku po zhvillohej luftë e ashpër mes forcave çlirimtare kroate dhe tyre okupatore serbosllave; Abedin Buleshkaj u lind në vitin 1969, në lagjen Buleshkaj të Istogut. Pëson nga traumat që kishte duke parë skena të llahtarshme se çfarë po bënte ushtria fashizoide serbe ndaj popullatës kroate, më 1991, kur po shërbente në Pulë të Kroacisë Pas disa muajsh, ai kthehet në shtëpi, por i traumatizuar e vret veten; Enver Maksutaj u lind më 12 shkurt 1990, në Orrobërd të Istogut. Ushtar shkoi në Gjakovo të Kroacisë, në P.U.6318/18, më 18 nëntor 1990. Më 15 shtator 1991, dy muaj para se ta përfundonte shërbimin ushtarak, kthehet i vrarë në shtëpi; Selman Metaj u lind më 18 shtator 1971, në fshatin Shushicë të Istogut. Shkoi ushtar në mars të vitit 1991, në Knin të Kroacisë, në P.U. 1318/14. Pas shtatë muajsh shërbim ushtarak, i kthehet familjes i mbyllur në arkivol, më 20 shtator 1991. Versioni zyrtar ishte se gjoja duke u kthyer nga stërvitjet ushtarake, transporteri i ushtarëve ishte rrokullisur; Izet Bushi u lind më 1971, në fshatin Puset e Nikës. Më 28 qershor 1990, i vjen thirrja për shërbim ushtarak. Ai ishte caktuar të shërbente në Kazermën Ushtarake të Çuprisë së Serbisë, në P.U.4418/7. Në mëngjesin e hershëm të 1 janarit 1991, rreth orës pesë të mëngjesit, nga prapashpina u zbrazën breshëri plumbash në trupin e njomë të tij. Thuhet se këtë akt kriminal e kreu eprori serb, Predrag Nikoliq; Florim Kosumi u lind më 25 mars 1971, në fshatin Tugjec të Dardanës (ish-Kamenicë). Ai ishte caktuar ta kryente shërbimin në Karllovc të Kroacisë, në P.U.3293/23. Pas gjashtë muajsh shërbimi në Armatën Jugosllave kthehet i mbyllur në arkivol, më 23 qershor 1991; Muhamed Biçku u lind më 1 nëntor 1971, në fshatin Hogosht të Dardanës (ish-Kamenicë). Më 14 qershor 1991, ai shkon ushtar në Garnizonin Ushtarak në Dugo Sello. Pas dy majsh shërbim ushtarak, kthehet i vdekur, në arkivol; Muharrem Robelli u lind më 7 mars 1971, në fshatin Lajqiç të Dardanës (ish-Kamenicë). Ushtar shkoi më 17 mars 1991, në Kazermën ushtarake “Boshko Zhuniq” në Knin të Kroacisë, në P.U. 1318/18. Nga arma e një eprori maqedon, më 10 shtator1991, po jepte frymën e fundit në spitalin e Splitit të Kroacisë; Mursel Xhambazi u lind më 1971, në Cërvicë të Kërçovës. Ai ishte caktuar të shërbente në Kroaci. Atje po bëhej një luftë në mes forcave çlirimtare kroate me forcat tjera okupuese serbosllave. U vra më 1991, afër Dermishit të Kroacisë; Haki Dinë Morina u lind më 26 nëntor 1970, në Gllarevë të Klinës. Më 19 mars 1991 mobilizohet në Garnizonin ushtrak të Tivarit, VP-6330-20/4. Më pastaj e transferojnë në Trebinje (Bosnje e Hercegovinë) VP-6143/6. Më 23 tetor 1998 e nxorën në vijën e parë të luftës dhe e vranë pas shpine. U tha se shkeli në minë, por kur u hap arkivoli u gjetën plumbat në trup nga mbrapa; Nexhmedin Osmani, u lind më 1971. Shkoi në ushtri më 1991, kur vra gjatë kryerjes se shërbimit ushtarak, ne Novo Mesto (Slloveni), më 1991, pa u dhënë sqarime se si u vra dhe kush e vrau; Afrim Zylfiu u lind më 1970, në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut. Ushtar shkoi në Trebijne të Kroacisë, më 1991, kur vritet me plumba në kraharor nga një armatë fashiste serbosllave, po atë vit; Ejup Bedrolli u lind më 20 mars 1971, në fshatin Qellopek të Lipjanit. Ushtar shkoi më 24 dhjetor 1990, në Bjellovar të Kroacisë. Në mëngjesin e hershëm të 29 shtatorit 1991, Garda Çlirimtare Kroate e kishte sulmuar me raketa Kazermën e Bjellovarit. Ai sulm i rrufeshëm e kishte gjetë në tank Ejupin, të cilin e kishte kapluar zjarri; Samedin Fazli Krasniqi u lind më 26 shtator 1963, në Tërpezë të Malishevës. Më 24 dhjetor 1990 pas shumë ikjesh, mobilizohet në Llastovë të Kroacisë. Më 17 gusht 1991 e transferojnë në Shibenik. Samedini ishte ushtar i pasigurt, sikur edhe gjithë ushtrët shqiptarë. Sipas ushtarit Muharrem Ahmetaj nga Korisha, oficeri Urosheviq e nxori nga rreshti Samedinin dhe e dërgoi në raport me akuzën se po e organizonte dezertimin e ushtarëve shqiptarë. Natën kazerma rrethohet nga ushtarët kroatë të lirisë. Urosheviq i nxjerr ushtarët në vijën e parë dhe jep urdhër që të qëllojnë kroatët por Samedini nuk gjuan. Eprori e sulmon me armë automatike dhe pasi e palgosë ikë duke e lënë ushtrinë vetëm; Raif Miftari u lind më 23 gusht 1962, në fshatin Kapit të Medvegjës. Në vitin 1984, caktohet të shërbejë si kapiten në Tuzlla, deri më 27 prill 1991, kur vritet nga Armata Jugosllave; Burim Behrami u lind më 25 tetor 1972, në Mitrovicë. Ushtar shkoi më 17 mars 1991, në Osjek të Kroacisë. Pas shtatë muajsh shërbim ushtarak, vritet, atë ditë kur po i mbushte 21 vjet, më 25 tetor 1991; Rasim Istrefi u lind më 10 mars 1963, në Kovaçicë të Mitrovicës. Ushtar shkoi në Kërçovë të Maqedonisë së Veriut, më 15 dhjetor 1990. Pas disa muajsh transferohet në Karllovc të Kroacisë, ku vritet më 23 dhjetor 1991; Xhevdet Muzliukaj u lind më 20 mars 1971, në Shipol të Mitrovicës. Ishte 21 dhjetor 1991, kur erdhi kumti i zi se ishte vrarë në front të luftës, afër Karllovcit të Kroacisë; Mirsad Çekiç u lind më 1970, në Pejë. Ushtar shkoi në vitin 1991, në njërën nga kazermat e Beogradit. Ai, pas disa muajsh i kthehet i vdekur familjes Çekiç nga Peja; Afrim Bahtir Hyseni u lind më 1. 7. 1970, në Lumbardh (ish-Velikorekë) të Podujevës. Më 17 mars 1991 mobilizohet dhunshëm në Armatën Jugosllave në Vernik të Vojvodinës. Ndërkohë në kazermë kupton se do t’i dërgojnë në luftë në frontin e Vukovarit. Në fillim të prillit heq uniformën ushtarake dhe ik nga kazerma dhe vjen në vendlindje. Dy javë qëndron në ilegalitet, por pas dy javësh policia rrethon fshatin dhe ekzekuton Afrimin me rafal automatiku, duke e lënë dy ditë, për ta parë të gjithë; Rexhep Ahmeti u lind më 30 prill 1972, në Dobratin të Podujevës. Ushtar shkoi më 15 prill 1991, në Mostar të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U. 7394/13. Pas dy muajsh shërbim ushtarak, kthehet, i vrarë nga armata serbosllave, më 3 gusht 1991; Shaip Behrami u lind më 20 mars 1971, në fshatin Pakashticë të Podujevës. Ai shkoi ushtar në dhjetor të vitit 1990, në Valevë. Pas disa muajve e transferojnë në Knin të Kroacisë, në P.U. 7280, prej nga kthye i vrarë, në arkivol; Fatmir (Nezir) Krasniqi, u lind më 9 maj 1967, në Prishtinë. U vra në kazermat e Smederevës, më 23 maj 1991, derisa po e kryente shërbimin ushtarak; Shukri Kelani u lind më 1971, në Prishtinë. Ishte fundi i shatorit 1991, kur Garda Kroate i kishte intensifikuar sulmet në kazermën që mbahej nga forcat okupatore serbe. Kazerma sulmohet. Ushtarët ishin nëpër tanke, kështu që tanku, ku ishte Shukriu, përfshihet në flakë, prej nga ai nuk mundi të largohej, por u dogj i tëri, me shokë; Skënder Kryeziu u lind më 8 mars 1969, në fshatin Capar të Prizrenit. Ishte 16 shtatori 1991, kur Skënderin e vranë, pse nuk deshi t’u përgjigjej urdhrave të eprorit gjakpirës që të luftonte kundër forcave çlirimtare kroate; Xhiman Alia u lind më 1971, në fshatin Skrobisht të Prizrenit. Ai shkoi në Pakrac të Kroacisë, në vitin 1991. Nuk kemi të dhëna se në çfarë rrethanash u vra. Vetëm dihet se ai humbi jetën atje; Bashkim Krasniqi u lind në vitin 1972, në fshatin Qifllak të Rahavecit. Prej Pozharevcit të Serbisë e dërgojnë në front me kroatët. Ishte 23 shtatori 1991, kur po kthehej trupi i pajetë i djaloshit të Qifllakut, për të rënë në shtratin e përjetësisë; Elmi Popaj u lind më 1 korrik të vitit 1971, në fshatin Fortesë (ish-Bellacërkë) të Rahovecit. Në vitin 1990, detyrohet t’i përgjigjet thirrjes për kryerjen e shërbimit ushtarak. Ai u vendos në garnizonin ushtarak Shën Pjetër, në Goricë, në Slloveni. Kur i kishin mbetur edhe pak ditë për përfundimin e shërbimit ushtarak, e kur familja po përgatitej për rikthimin e tij, ai vritet (28 qershor 1991), në agresionin e armatës serbe ndaj Sllovenisë; Vesel Gashi u lind më 1970, në fshatin Studençan të Suharekës. Shkoi ushtar në Bjellovar të Kroacisë, më 30 qershor 1991. Atje kishte mbetur në luftën kroato-serbosllave, bashkë me shumë shokë shqiptarë; Ilaz Fazliu u lind më 1970, në fshatin Polaticë të Tetovës. Nuk kemi të dhëna se ku shërbeu, vetëm dihet se në vitin 1991, kthehet i vrarë nga Armata Jugosllave, pas disa muajsh shërbimi; Numan Rexhepi u lind më 1971, në Tetovë. Trebinja u bë varr për ushtarët shqiptarë. Nga ai vend u kthyen të vrarë shumë ushtarë shqiptarë. Ishte viti 1991, kur ra ushtari shqiptar, Numan Rexhepi nga Tetova; Farush Emini u lind më 1 dhjetor 1971, në Zhiti të Vitisë. Shkoi në Armatën Jugosllave, në P.U. 8840/10, në Derventa të Bosnjes e Hercegovinës, më 16 mars 1991. Më 16 shtator 1991, ai u vra me një plumb në kokë, nga prapa, ngase e refuzoi luftën me kroatët; Mumin Shkodra u lind më 8 mars 1970, në fshatin Sadovinë të Vitisë. Më 1991, shkoi të shërbente në Garnizonin e Mitrovicës së Sremit, në Vojvodinë, në P.U.7375/2. E transferojnë në Vukovar të Kroacisë, në vatër të luftës. Ishte 2 tetori 1991, kur në një lokalitet të Shidit, vritet me plumba pas shpine nga eprorët shovinistë serbë, sepse nuk deshi të luftonte kundër forcave kroate; Samet Bogujevci u lind më 1 korrik 1967, në fshatin Pozharan të Vitisë. Më 13 tetor 1991, luftëtari i lirisë së Kroacisë, ra në altarin e lirisë. Ai ishte pjesëtar i Brigadës 118 të luftëtarëve vullnetarë shqiptarë; Shaban Bajrami u lind në vitin 1968, në fshatin Kapit të Medvegjës. Kishte ikur nga kazermat e Beogradit dhe në përleshje e sipër, vrau dy oficerë ushtarakë dhe plagosi dhe të tjerë, duke mbetur mbeti edhe vetë i vrarë, në qeshor të vitit 1991; Selajdin Rizvani u lind më 1971, në Reçicë të Tetovës. Shërbente në Dubrovnik të Kroacisë, që ishte në shënjestër të forcave okupatore serbosllave. Aty ishte i pozicionuar edhe Selajdini dhunshëm nga serbët, ku vra, më 1991.Vrasja e tij ishte e planifikuar për ta akuzuar ushtrinë kroate.

NË KAPITULLIN E DYMBËSHJETË (TË FUNDIT) janë përfshirë biografitë e ushtarëve që u vranë në vitet 1992-1993: Ali Rrustemi u lind më 1972, në fshatin Reznik të Vushtrrisë. Ai shkoi ushtar më 28 qershor 1991, në Trebinje të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U.6143/8. E e transferojnë në Prevllakë e në fund, në Knin të Kroacisë. Ai vritet më 27 maj 1992; Gëzim Hasani u lind më 11 nëntor 1971, në fshatin Strofc të Vushtrrisë. Ushtar shkoi më 15 qershor 1991, në Bërçko të Bosnjes dhe Hercegovinës, në P.U.9840/6. Pas gjashtë muajsh shërbimi, e transferojnë në Bllazhujë të Sarajevës, në P.U. 9785. Pas nëntë muajsh shërbim ushtarak në Armatën Jugosllave, kthehet i vrarë nga eprorët shovinistë serbë, i mbyllur hermetikisht në arkivol, më 16 prill 1992; Sefer Çukoci u lind më 10 dhjetor 1976, në fshatin Cërnillë të Ferizajt. Vritet më 23 gushtit 1993, kur heret në mëngjes rrethohet Familja Çukoci nga një ekspeditë policore; Enver Aliaj u lind më 27 janar 1969, në fshatin Sallagrazhdë të Suharekës. Në vitin 1984, u regjistrua në Shkollën Ushtarake të Kadetëve në Beograd, në drejtimin e kimisë. Ishte 8 qershori i vitit 1993, kur Enveri njëherë e përgjithmonë mbylli sytë nga një helmim vdekjeprurës; Isuf Krasniqi u lind më 15 prill 1965, në fshatin Gllobar të Drenasit, i vetmi djal ne familje, vdiq më 1996 si pasojë e presioneve dhe keqtrajtimeve të rënda gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak; Muhamet Osmani u lind më 10 dhjetor 1968, në fshatin Ballofc të Podujevës. Më 18. 06. 1988 shkoi ushtar në Shibenik të Kroacisë. Muhametin dhe disa ushtarë tjerë i burgosën me pretekst se kishin kontaktuar me Afrim Zhitinë. Nga pasojat e torturave në burg, vdiq më 20 prill të vitit 1996.

Kjo kaptinë mbyallet me shkrimin e prof. Qazim Berisha “NJË SEGMENT JETE I AUTORIT TË LIBRIT NË A(P)J “, për të përfunduar me disa poezi të tematikës së njëjtë.

3.

Armata Popullore e Jugosllavisë, gjithmonë ishte e dominuar nga strukturat politike dhe komanduese serbe, e cila për shumë ushtarë shqiptarë u bë varr i tyre, sepse ata po ktheheshin në arkivole, me “diagnozë – vetëvrasje”! Prej asaj ushrie me doktrinë fashishte dhe shoviniste, për çdo vit ktheheshin të vdekur mesatarisht nga 115 deri 125 ushtarë, shumica dërrmuese e tyre, të vrarë në mënyra të ndryshme (të kurdisura), por që mënyra e vdekjes mbahej në fshehtësi, përveç në rastet e fatkeqësive të komunikacionit. Organet kompetente kurrë nuk e kanë treguar të vërtetën për ushtarët e vrarë, as nuk ia kanë lënë vetes fajin. Gjithmonë “e kanë gjetur” fajtorin tek i vrari ose te ndonjë person tjetër “me çrregullime mendore”. Vrasjet e tilla heshteshin dhe askush nuk përgjigjej për ushtarët e rinj, për kadetët dhe as për oficerët shqiptarë të burgosur, të ekzekutuar, të masakruar dhe të helmuar.

Dukuria e ekzekutimit, e helmimit dhe e masakrimit të ushtarëve shqiptarë, në A J është e gjatë. Veç vrasjeve, që pësonin në kazermat serbo-jugosllave, në kazamatet e tmerrshme serbe, në burgjet e tyre shqiptarët kanë përjetuar tmerre, që nuk kishin ndodhur as në kohën e Gestapos (Geheime Staatspolizei (Policia e Shtetit Sekret), që ishte policia sekrete zyrtare e Gjermanisë naziste, e formuar më 1933. Dëshmitë e të burgosurve janë tronditëse.

Si pasojë e një politike shoviniste ushtarake, si dhe trajtimi i egër antishqiptar që ndërmerrej në shërbimin ushtarak kundër shqiptarëve është fakt i pakontestueshëm që flet se gjatë viteve 1981-1991 nga shërbimi ushtarak u kthyen në arkivole 73 ushtarë shqiptarë, të martirizuar në kushte dhe rrethana të ndryshme. Prej tyre, 35 kufoma të ushtarëve të vrarë ishin të mbuluara në arkivole speciale dhe familjeve nuk iu lejua t`i shohin. Të gjitha këto raste janë trajtuar kryesisht, gjoja si vetëvrasje.

Vrasja e ushtarëve shqiptarë në APJ është një fakt tejet i fuqishëm që tregon se shqiptarët nën Jugosllavinë komuniste kanë qenë vazhdimisht popull i persekutuar, i diskriminuar, i përndjekur, i vrarë dhe, së fundmi (më 1999), u ushtrua edhe gjenocidi e spastrimi etnik nga armata dhe policia serbe.

Asnjëherë shqiptarët nuk ishin trajtuar si të barabartë në Armatën Jugosllave, ashtu siç nuk trajtoheshin njëjtë edhe në sfera të tjera të jetës politike, arsimore, kulturore etj.

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak, ushtarët shqiptarë ishin të vëzhguar dhe të mbikëqyrur me kujdes, veçanërisht nga shërbimi sekret i APJ-së. Vrasja e shpeshtuar dhe sistematike e tyre nëpër kazermat serbosllave u bë veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981, kur u bënë shumë arrestime, burgosje, gjykime dhe dënime të rënda të tyre nga gjykatat ushtarake anembanë ish-Jugosllavisë, me procese të kurdisura, me motive gjoja armiqësore ndaj shtetit dhe armatës jugosllave. Ato shërbyen që shumë të rinj shqiptarë të kalojnë vite burgjesh të rënda kudo nëpër ish-Jugosllavi.

Se historia e Kosovës e shekullit njëzet ka qenë e përgjakshme dhe e stërmbushur me krime të llojllojshme, të bëra nga Serbia, dëshmon edhe ky libër i autorit Qazim Berisha, që flet për një seri vrasjesh të të rinjve shqiptarë (ushtarë, kadetë, ushtarakë) nga e ashtuquajtura Armata Popullore e Jugosllavisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat