Vendet e shenjta, mesazhe dashurie dhe bashkimi

Kultura

Vendet e shenjta, mesazhe dashurie dhe bashkimi

Nga: Gjon Neçaj Më: 3 maj 2021 Në ora: 12:27
Gjon Neçaj

Shoferëve të linjave ndërqytetëse dhe Tiranë,u sheh shpesh disa varëse-fotografi ku dallohet një portret njeriu mjekër-gjatë e flokëthinjur. Po t’i pyesësh, merr përgjigjen që mbajtja e asaj fotografie në makinë sjell fat. Të njëjtat portrete mund t’i shohësh edhe në varëse, byzylykë dore, mbajtëse çelësash etj. Shiten në rrugë dhe kudo në “Bajram Curri”.

Në Tropojë janë shtuar shumë tyrbet ose vendet e mira. Për çfarë bëhet fjalë? Këto vende u përkasin atyre që komuniteti i këtyre anëve i quan njerëz të mirë dhe besohet masivisht që frekuentimi i tyre shëron sëmundje dhe siguron qetësi shpirtërore. Tyrbet janë godina të ngritura “rreth” një varri, i cili gjendet në qendër të tyre, i rrethuar me dërrasa 80-100 cm dhe mbulohet me copa të bukura mëndafshi apo basme me ngjyra karakteristike. Te koka, ku ngrihet në një lartësi më të madhe, vendoset kapuçi i shehut. Rreth varrit lihen korridore të mjaftueshme që vizitorët të qarkullojnë lirshëm. Këto vende vizitohen përgjithësisht të premteve, më shumë në muajin maj dhe shpesh kur është ditëlindja e njeriut të mirë apo përvjetori i tij i vdekjes. Për njerëzit e mirë këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme të veprave që kanë bërë kur ishin gjallë. Besimi thel- lohet me legjenda mbi njerëz që janë shëruar për shkak të vizitave në këto vende dhe histori të tjera të cilat qarkullojnë dhe amplifikohen nga një familje në tjetrën.

Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende. Madje janë hapur edhe faqe në facebook, me emrat e tyre, ku hidhen foto dhe pjesëmarrësit komunikojnë me njëri-tjetrin. Bisedat apo komentet janë të ndryshme dhe përfundojnë me “Të ruajt tyrbja e dervish...!” Njëra nga këto faqe, përshembull, quhet Tyrbja e Dervish Luzhës dhe ka qindra e qinda pëlqime. Në faqe shihen fotografi të Dervish Luzhës dhe vendit ku njerëzit i luten. Emri i vërtetë i tij është Rexhep Tarçuk Bala. “Pasha Dervish Luzhën”, “Pasha tyrben e Dervish Luzhës”, - janë shprehje që i dëgjon gjithmonë e më shpesh, madje njerëzit besojnë se ai është gen prej gjakut të Nënë Terezës.

Image

Dervish Luzha, i famshmi

Sipas studiuesve lokalë, Rexhep Tarçuk Bala (i pagëzuar si Dervish Luzha), ka lindur në fshatin Luzhë,Tropojë më 15 korrik 1904. U bë i njohur për aftësinë për të shëruar disa sëmundje, largimin e shqetësimeve të ndryshme të njerëzve, mënjanonte rreziqet, konfliktet dhe ngatërresat në malësi, etj. U bë një lloj mjeku dhe psikologu popullor në zonë. Tregojnë se ai udhëtonte shumë dhe mbante me vete, një çantë, një lahutë, një kazmë dhe një lopatë. Pas vitit 1967 kur u ndaluan besimet fetare, dervish Luzha pati probleme. Njerëzit tregojnë se mbante mjekër, po disa herë ia qethën. Sa herë ia qethnin aq herë ai e linte të rritej. Legjenda zonale thotë se personave që i qethnin mjekrën, u ndodhnin më pas histori fatkeqe. Ai vdiq më 4 nëntor 1985 dhe u varros në Luzhë. Mbi varrin e tij është ndërtuar tyrbja me emrin tashmë të njohur në këto zona, “Tyrbja e Dervish Luzhës” si dhe një bust i tij. Është një vend pelegrinazhi tashmë. Çdo ditë të javës aty ka njerëz të moshave dhe feve të ndryshme

Duhet hyrë me këmbën e djathtë, sillesh tre herë rreth vendit duke u lutur për atë çka ke më shumë nevojë. Ka raste që njerëzit flasin me zë të lartë. Më pas ndizet një qiri dhe hidhen lekë. Këto të fundit kanë histori më vete. Duhet ta vendosësh një natë më parë çfarë shume do hedhësh dhe duhet t’i kesh mbajtur poshtë jastëkut natën para shkuarjes në tyrbe.

UJË- Më pas njerëzit pushojnë aty, (të sëmurëve u këshillohet që të flenë pak gjumë në afërsi të njeriut të mirë) dhe në fund në një shishe hedhin pak dhe. Atë e cilin e marrin nga varri, ose një zonjë që qëndron vazhdimisht aty u jep një shishe me ujë. Nga ky ujë duhet pirë fare pak. Mund të merren edhe gurë të cilët mbahen në portofol si fatsjellës.

FOTOT - Janë të shumtë ata që sjellin fotografi të tyre dhe i lënë aty. Besojnë se kjo i ndihmon që çdo gjë në jetën e tyre të shkojë mirë. Kur del nga tyrbja duhet të ecësh mbrapsht, nuk duhet t’i kthesh kurrizin, derisa kalon portën kryesore.

USHQIM - Në tyrbe nuk mund të futen ata që janë në gjendje të dehur, apo ata që kanë ngrënë hudhër ose qepë. Por nuk duhet të hynë as ata persona të cilët janë pa ngrënë. Thuhet që është gjynah. Prandaj edhe vizitorët marrin ushqime me vete dhe përpara se të hynë brenda, e konsumojnë atë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat