Kujtime nga fëmijëria - Mësueset

Kultura

Kujtime nga fëmijëria - Mësueset

Nga: Dibran Demaku Më: 8 maj 2021 Në ora: 08:44
Dibran Demaku

Shtatori i vitit 68 solli dy ngjarje në dhe për shkollën tonë: shkolla jonë u pavarësua nga ajo e fshatit Likoc dhe mori statutin e shkollës së plotë fillore apo tetëvjeçare. Kjo ishte një e arritur dhe një lehtësim i madh për nxënësit e klasave të shtata dhe të teta të cilët tash e tutje nuk ishin të detyruar që të bënin kilometra në këmbë deri në shkollën e Likocit. Ngjarja tjetër ishte ardhja e dy mësueseve të para në shkollën tonë. Ardhja e tyre ndryshoi shumëçka në jetën tonë. Si mësuesit dhe prindërit na porositën se tash e tutje do të kishim kujdes të shtuar, meqë në mesin tonë ishin dy zonja, dy mësuese. Dy zonjat-mësuese ishin një shqiptare nga Peja dhe një serbe apo  nga Mali i zi.

Derisa ne si fëmijë dhe si nxënës ardhjen e mësueses shqiptare nga Peja edhe mund ta akceptonim dhe  sepse fliste në gjuhën tonë dhe e kuptonim, ardhjen e asaj tjetrës, gjuhën e të cilës nuk e njihnim ne si fëmijë sikur nuk e akceptonim apo e pranimin me një vështirësi të llojit të vetë. Përveç kësaj me mësuesen shqiptare ardhur nga Peja nuk kishim të bënim drejtpërdrejtë (ajo kishte ardhur si mësuese për ciklin e ulët të fillores, ndërkaq me atë tjetrën kishim përballje të drejtpërdrejtë, pasi që ajo kishte ardhur që të na e mësonte gjuhën serbokroate(siç quhej atëherë)që ne nuk e dinim fare dhe të cilën siç na u tha duhej ta mësonim!

Përballja e parë me mësuesen e gjuhës serbokroate si të thuash ishte e vështirë për ne: së pari ne nuk e dinim gjuhën e saj dhe së dyti nuk ishim mësuar të shihnim femra me këmbë të zbuluara. Hyrja e saj në klasë do të na gjente me sy përdhe ,sepse në njëfarë mënyre kishim turp ta shihnim në sy. Por kjo gjendje ishte e tillë vetëm në fillim, sepse me kalimin e kohës e kaluam edhe këtë vështirësi.

Dy mësueset në fillim banonin në një shtëpi të braktisur që ishte pothuajse e ngjitur me oborrin e shkollës tonë. Që nga dita kur dy mësueset do të vendoseshin në atë shtëpi të braktisur, rruga e fshatit që kalonte andej sikur u braktis fare. Fshatarët (sidomos të moshave më të vjetra) i shmangeshin asaj rruge,

Kjo gjendje do të zgjaste dy apo tri vite. Mësuesja e ardhur nga Peja do të gjente punë diku afër apo në qytetin e saj dhe do të largohej nga shkolla jonë.

Mësuesja e ardhur nga Mali i zi,e mbetur vetëm do të ndërronte vendbanim: pas ikjes së koleges nga Peja, mësuesja jonë e gjuhës serbokroate do të banonte në shtëpitë dhe familjet e ndryshme të fshatit tonë. Ajo do të banonte tek familjet e kamura të fshatit, familje këto që do ta mbanin në shtëpitë e tyre pa një kacidhe të vetme. Se përse dhe si e kishin pranuar ato familje si anëtare të familjes një të huaj që nuk dinte gjuhën tonë, nuk dihej atëherë dhe nuk dihet as sot. Për vite të tëra mësuesja jonë e gjuhës serbokroate u soll e u mbështoll nëpër shtëpitë e fshatit tonë, ndërkaq misionin për të cilin kishte ardhur(të na e mësonte gjuhën serbokroate)nuk do ta kryente me sukses, pasi që nuk na e mësoi dot atë gjuhë. Dhe si për habi, kur na notonte kujdesej që notat në rubrikën e lëndës së saj, të ishin të barabarta me notat që kishte secili nxënës në lëndët tjera: nëse nxënësi në lëndët tjera kishte Pesa, edhe në rubrikën e lëndës së saj ajo do të shkruante notën Pesë(5) edhepse nxënësja apo nxënësja për diturinë që kishte për lëndën nuk mund të merrte as një notë kaluese që atëherë e tillë ishte dyshi(2).

Një ditë (siç ndodhë në jetë)edhe mësuesja e gjuhës serbokroate do të ikte nga fshati ynë dhe nga jeta jonë!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat