Un(i)teti

Kultura

Un(i)teti

Nga: Sevdail Hyseni Më: 8 maj 2021 Në ora: 09:23
Karikatura marrë nga interneti

Ku mbeti uniteti

Që u tret për fije,

Na ndjek hasmëria

Nga prapa si hije !

 

Përçarja, hakmarrja

Veset inatkeqe…

Nuk na lënë rehat

Si morri n’musteqe !

 

Mbi Atdheun tonë

Të cunguar fare,

Ndjenjat primitive

Lodrojnë ashiqare!

 

Këndej në Luginën

E njohur për sherr

Më lehtë kopili

Të vihet në derë!

 

Sa për Unitetin

Si të themi ndryshe,

Kërkon të ushqehet

Me qumësht dallëndyshe !

 

E me vezë këndesi

Që s’gjenden për farë,

Përveç në godinën

E Këshillit Kombëtar !

 

Pa i lënë anësh

Pushtetet lokale,

Të kapura n’afera

Tenderë e skandale!

 

Shqiptari – Shqiptarit

Për një gram pushtet,

I kërcen si mëzati

Edhe nënës së vet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat