Kosova në penën e shkrimtarit Kadri Tarelli

Kultura

Kosova në penën e shkrimtarit Kadri Tarelli

Bajram Gashi Nga Bajram Gashi Më 9 maj 2021 Në ora: 22:53
Kadri Tarelli

Titullin e këtij shkrimi e vendosa me mëdyshje dhe e kam ndryshuar disa herë. Mua më pëlqen kështu, ndërsa Kadriu në shumicën e shkrimeve dhe poezive, për Kosovën vendos emërtimin “Dardani”. Një emër i lashtë sa vetë jeta e shqiptareve në këto troje. Duhet ta pranoj, se zëri i Kadriut dëgjohet më larg, pasi nuk le pas dore edhe trojet shqiptare jashtë kufijve shtetëror, si shqiptarët e Maqedonisë apo Malit të Zi dhe Çamërisë. Nuk kam frikë se po nxitoj të them që në fillim edhe një shprehje, që miku im e përdor sa here bie fjala për Kosovën, sepse me këtë i bën nder e dritë edhe poezisë: “Komandant Jashari, të presim ku je? Kushtuar heroit legjendar Adem Jashari. “Dashtë Zoti, me Flamurin Kombëtar në krye, të marrim dhe Kosovën e Çamërinë. E nëse nuk do t‘ia arrijmë kësaj, brezat e ardhmë do na gjejnë në varr, me gishtin drejtuar nga këto vise”. Rauf Fico. (Diplomati më i njohur i Monarkisë shqiptare)

Jam njohur me Kadriun shumë vite më parë, si koleg dhe drejtues shkolle. Unë në Shënavlash, ai në Qerret dhe Katund të Ri, në rrethin e Durrësit, më pas në shkollën “Bajram Curri” këtu në Plazh të Durrësit. Ai ka lindur në Devoll, por u rrit dhe u shkollua në Durrës. Vitet e fundit kam bashkëpunuar me të, si redaktor dhe konsulent i dy librave të mi: “Një shekull në udhën e dijes”, libër historik i shkollës së Shënavlashit, dhe “Ah Shqipni mos thuj mbarova…..!”, kushtuar rapsodit Dervish Shaqa e Demush Neziri, legjendës së këngës popullore shqiptare tw Kosovës.

Çuditërisht, këtë e pranon edhe vetë, se rrjedha e fatit e ka sjellë që ai, gjithë jetën të punojë në komunitet kosovarësh. Si fillim në vitet 1960 e përtej, në Qerret të Kavajës, me kosovarë të ardhur në vitet 1923-24, dhe të sistemuar në toka që i dha mbreti Zog I. Ishte mësues i ri në ato vite, por i njohu nga afër ata njerëz mikpritës dhe punëtorë, që nuk e harronin vendlindjen, Kosovën, si në kuvend e oda zjarrit, ashtu edhe në veshje e zakone. Këtu e ka burimin shkrimi “Plisi dhe fëmijët”, botuar në gazetat. “Bota sot” dhe “Durrësi Bulevrd”. Shtator 2019.

Besoj se kjo është edhe arsyeja kryesore, që ai ka një nderim të veçantë për Kosovën dhe kosovarët, megjithëse kur e pyes, ai shton: - “Është edhe kjo, por ka edhe arsye të tjera, si bie fjala: Arsimi, meqë jam diplomuar për histori, dhe më kryesorja e kryesoreve, është edukata atdhetare në familje, që edhe kur flitej nën zë, në bisedat me të rriturit, përmendej me adhurim e keqardhje, Kosova dhe Çamëria”.

Kjo përmbledhje e shkurtër, më ndihmon të hyj në temën dhe brendinë e këtij shkrimi, duke shtuar edhe veprimtarinë politike dhe atdhetare, para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare që u zhvillua në Kosovë, e që solli mëvetësinë e saj. Ai ishte drejtor shkolle, por nuk u shmang të jetë në kryesinë e Fondacionit “Sulejman Vokshi”, të themeluar në Durrës, nga kosovari Qazim Kreka. Nuk u tërhoq, por u vu në ballë të mitingut madhështor “Një komb një qëndrim”, që u organizua në sheshin kryesor të Durrësit, në Maj 1998, ku ai mbajti fjalën e hapjes. Më kujtohen si sot ato fjalë magjike: “Për kombin, asnjëherë nuk është vonë, dhe gjithçka nuk është e tepërt”. Megjithëse ka kaluar mjaft kohë, unë nuk i heq nga mendja, shkrimet: “Një copë Drenice në Plazhin e Durrësit”, botuar në “Durrësi Bulevard” dhe “Pavarësia Neës”, në Nëntor 2005. “Gjeneralmajor Skënder Çeku”. Dëshmor i kombit. (Si e njoha unë). Gazeta “D. Bulevard”. Revista “Dituria”. Suedi. “Bota Sot”. Kosovë.. Maj 2006. Etj, etj.

Si koleg i vjetër, atij i shkon përshtat emri “Misionar i udhës së dijes”, kur kujtoj ato përpjekje për të ndihmuar fëmijët e ardhur nga Kosova, në prag të luftës së madhe. Nuk i tha kush, as e urdhëroi dikush, që të interesohej për ata fëmijë të traumatizuar e hallakatur nga lufta. Si fillim, gjatë verës 1998, ai gjeti mundësi dhe hapi një kamp veror për këta fëmijë, duke thirrur në ndihmë edhe mësues kosovarë. Në ato muaj të ngarkuar me shumë dhembje e të papritura, u organizuan disa takime në shkollën “B. Curri”, me prindërit dhe të afërmit e këtyre fëmijëve, që në qershor 1999, arriti numri rreth 750 nxënës e 35 mësues. Fati e deshte që Kosova u çlirua dhe fëmijët, si dallëndyshet fluturuan në folenë e tyre, në shumicën e herës të djegura e të shkatërruara nga lufta.

Kam përshtypjen, se gati të gjitha ngjarjet e mëdha të asaj periudhe të trazuar, e më pas, janë trajtuar nga pena e këtij kronisti të zellshëm e të kujdesshëm. Jam dëshmitar, se për të gjitha udhëtimet dhe takimet në Kosovë dhe në Durrës, ai ka publikuar shkrime, si në shtypin vendas ashtu edhe në Kosovë, madje edhe në Londër, SHBA, Zvicër, Suedi, etj.

Po përmend disa prej tyre: “Kosovë. E gëzofshi pavarësinë”! Veprimtari në shkollën “Rilindja”. Sallmone. Shijak. Durrës., “Kongresi i Manastirit”, “Shkolla e ShënVlashit në Durrës, pret miq nga Kosova”, “Luftëtarët e Batalionit “Atllantiku”, kthehen tek “Drenica” në Durrës, “Dy heronjtë e Kosovës, Haki Taha dhe Bajram Sali Gashi, mësues në Shënvlash të Durrësit”, “Sokol Demaku, “Model” i veprimtarit atdhetar”. “Kolegu ynë i çmuar. Drejtor Bajram Demaj”, “Një shekull në udhën e dijes”, (vështrim librit të Bajram Halil Gashit). Trimi “Bajram Sali Gashi. Mësuesi që këmbeu penën me pushkë për liri”, “Istog. Kuvend shkencor”. (Gjuha standarde dhe dialektet). Isha edhe unë i pranishëm në atë tubim të diturish, kur Kadriu në fjalën e tij të përshëndetjes, theksoi përafësisht kështu: “T’i ruajmë dialektet, sepse janë trashëgimi e mbijetesës së kombit, por të kujdesemi për gjuhën letrare, apo standarde, sepse jo vetëm lidhet dhe afrohet kombi ynë i çarë dhe përçarë nga historia, por rritet edhe hapësira e shpërndarjes dhe leximit të librit. Shkrimtari apo krijuesi, me librin e tij i përcjell mesazhe kombit, jo vetëm fshatit apo mëhallës së tij…….”.

Më tej po shtoj edhe të tjerë shkrime: “Niman Ferizi, Pishtar i arsimit shqip”, (Monografi) nga Shevqet Canhasi. “Hytbi Tarelli, sjell nga Toronto në Prekaz, shtatoren e Adem Jasharit”. “Unë kosovari Dush Zeqiraj, çdo fundmarsi jam në Durrës”. “Sadulla Zendeli-Daja. Hartuesi i fjalorit Suedisht-shqip”, “Arsimi shqip në Suedi. Vepra 2. Monument mësuesve të mërgatës shqiptare”, nga Hysen Ibrahimi, “Dervish Shaqa, Demush Neziri dhe Merushe Badolli, mbërritën në Deçan”, (Reportazh), “Merushe Badolli, Legjenda e valles kosovare”, “Komiteti “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” dhe Isuf Veseli”, “As Alia, as Ilia”, roman nga shkrimtari Hamit Gurguri. “Djemt e Podgurit do ta mbajn bajrakun”. (Baladë), “Të papriturat e udhëtimit Istog-Pejë”, “Emine Hoti. “Marigoja” shqiptare në Norvegji”. “Kim Mehmeti. Kuvend me lexuesit durrsak”, “Bajram Muharremi dhe libri “Vullkani i fjetur”, “Portreti i Isak Ahmetit, gdhendur në libër”. “Një urim me kripë deti”. Po citoj pak vargje: “Në Prizrend mblidhet kuvendi,/me poetë nga trojet mbarë./Jemi shumë e s’na nxen vendi,/shqip këndojmë, jemi një farë”.

Kështu siç e kam zënë, do më duhen faqe e faqe, për të shkruar listën e artikujve, takimeve, kuvendeve, udhëtimeve, konferencave, konkurseve dhe përshëndetjeve të rastit. Ndaj po e thjeshtoj mendimin: Një pjesë e mirë është përmbledhur në katër librat e tij: “Misionarë në udhën e dijes”, (portrete, reportazhe, tregime), më pas libri “Kur lexoj një libër”, (kritikë letrare). Studimi “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”. (monografi), dhe “Koha në vargje” (poezi). Të tjerë libra presin të mbushen me shumë shkrime, që i kushtohen Dardanisë. Më pëlqen mendimi i tij, kur thotë: - “Shkrimet, janë si kokrrat e grurit, mund të humbasin po nuk u mblodhën në thes, kështu i hanë mizat, apo kalben dhe harrohen. Ndërsa futja e tyre në libër është vlerësim, kujdes dhe domosdoshmëri. Libri është “Arka e kujtesës njerëzore”, që i reziston shekujve.

Në mbyllje të këtij shkrimi, më duhet të them, se: “Më vjen mirë, se ky autor, edhe sot e kësaj dite, po vazhdon të shkruajë me po atë ritëm, si 30 apo 20 vjet më parë, duke mbetur cilësor në tematikë dhe frymë atdhetare”.

Në bisedë, Kadriu rrëfen me modesti se ka edhe shumë shkrime që meritojnë dhe duhet të futen në libër, jo pak por mund të bëhen edhe katër të tillë. Veç duhet pak punë për t’i sistemuar, më tej edhe ca para.

Punën e ka vetë në dorë, ndërsa paratë duhen gjetur……!

Urime z. Tarelli! Presim shkrime e libra, me shumë përkushtim, dashuri e atdhetari, për Dardani e shqiptari.

Bajram Halil Gashi

Itali. Maj 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat