Kujtime nga fëmijëria - Rebeli i fshatit dhe ish bashkëfshatari

Kultura

Kujtime nga fëmijëria - Rebeli i fshatit dhe ish bashkëfshatari

Nga: Dibran Demaku Më: 14 maj 2021 Në ora: 10:21
Dibran Demaku

Një bashkëfshatar yni kishte shitur tesh e kotesh siç thuhet në popull dhe kishte shkuar të jetonte në qytet. Herë pas here kthente në fshatin e tij edhe t‘i vizitonte ata më ta afërmit e tij edhe të shiste ndonjë nga arat apo livadhet që i kishin mbetur pa shitur. Që t‘ua rriste çmimin e shitjeve arave dhe livadheve të tij, kur takohej me ish bashkëfshatarët fliste në supërlativ për tokën, ujin e ajrin e vendit nga kishte ikur vetë.

Në një takim të tillë ai po fliste e fliste se si ekspertë të lëmive të ndryshme jetësore kishin ardhur në përfundim se ishte vendlindja e tij ishte vendi më ideal për jetesë. Bashkëfshatarët e tij do ta dëgjonin të mahnitur dhe me gojë hapur. Dhe fjalimi i tij do të zgjaste e zgjaste sikur njëri nga bashkëfshatarët, që të gjithë e quanin rebel mos t‘i drejtohej me fjalët:-Kur qenka kaq mirë të jetohet në fshatin tonë, përse ike ti o kusho dhe shkove të jetosh në qytet! Dhe nëse është ashtu siç po thua përse nuk po kthehesh të jetosh këtu bashkë me ne?!

-Gabova!-ishte përgjigjur ai.

Rebeli ia kishte kthyer:-Njeriu në jetë edhe mund të gabojë, por kur do gabimi përmirësohet. Eja, kthehu dhe jeto këtu bashkë me ne!

-Nuk mund të kthehem, nuk kam ku të kthehem, sepse i kam shitur tokat e mija!-kishte filluar të belbëzonte ish bashkëfshatari.

-Jo e ke gabim!-ia kishte kthyer rebeli i fshatit dhe pa një pa dy kishte shtuar:-Eja dhe që të gjithë ata që ua ke shitur tokat do të t‘i kthejnë vetëm ti duhet t‘a kthesh paratë, me çmimin e sotëm!

Ish bashkëfshatari që nuk e kishte pritur një reagim të tillë nga asnjëri nga ish bashkëfshatarët e tij, aq më pak nga rebeli, nuk dinte se si të vazhdonte më tutje. Sikur i kishin mbetur fjalët në grykë dhe nuk po i nxirrte dot nga gryka. Kishte nisur të djersinte. Po e kuptonte se i tërë mundi do t‘i shkonte huq. Si zgjidhje kishte zgjedhur të lëshonte takimin dhe të ikte.

Dhe nuk ishte dukur kurrë më në takime të këtilla me ish bashkëfshatarët e tij. Nëse kishte ndodhur të kthente në ish fshatin e tij(tonë) ishte takuar vetëm me atë që do të bënte pazare për shitjen e ndonjë livadhi apo are.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat