Kostumografia në film dhe teatër

Kultura

Kostumografia në film dhe teatër

Më: 15 maj 2021 Në ora: 21:22
Foto ilustrim

Kur artistët e kostumografisë në Hollivud kanë nevojë për një veshje të periudhës së Mbretëreshës Viktoria të gjysmës së dytë të shekullit XIX apo nga periudha e Mbretit Eduard të Anglisë në fillim të shekullit XX për një film të ri, zakonisht frekuentojnë koleksionisten e objekteve historike Helen Uffner. 72-vjeçarja me banim në Nju Jork ka ofruar kostume e veshje për më shumë se 1000 filma, produksione teatrale dhe sfilata mode gjatë 45 vjetësh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Nina Vishneva njofton.

Një thesar i vërtetë me veshje të vjetra, ndër to kapelen e Rachel Brosnahan në serialin The Marvelous Mrs. Maisel, trikon që veshi Tom Hanks në filmin The Bridge of Spies, si dhe këmishën e natës me të cilën Angelina Jolie u shfaq në filmin The Original Sin. Veshje të tjera u shfaqën kohët e fundit në filmin 'US vs Billie Holiday’ dhe 'Ma Rainey's Black Bottom', i cili fitoi Oscar për kostumografinë më të mirë në 2021.

Helen Uffner është themeluese e kompanisë Vintage Clothing, koleksioni më i madh privat amerikan i veshjeve nga periudha të ndryshme. Dhjetëra mijëra artikuj veshmbathjeje dhe zbukurime shoqëruese nga periudha viktoriane e deri në vitet 1980.

“Në 1982, Woody Allen po punonte për filmin Zelig dhe kishte shkuar për të kërkuar veshje e kostume në Soho të Nju Jorkut. Ekipi i tij erdhi tek apartamenti im dhe bleu të gjitha rrobat që kisha në zotërim,” tregon zonja Uffner.

Ajo filloi të grumbullojë objekte të periudhave të shkuara që në moshë të re. Kursente para nga puna si kujdestare për fëmijët e fqinjëve. Fillimisht filloi të blinte libra të vjetër, pastaj unaza dhe më në fund kaloi te veshmbathja. Ajo thotë se ky interesim rrjedh nga fakti që familja nuk kishte pasur objekte të vjetra të trashëguara në breza. Pjesa më e madhe e paraardhësve ishin zhvendosur nga Polonia në Belgjikë, shumë prej tyre kishin vdekur në kampe përqëndrimi.

“Më pëlqejnë shumë gjërat e vjetra. Sikur dëgjoj prej tyre historitë e shkuara. Dikur këto ishin gjëra të dashura për dikë,” thotë ajo.

Zonja Uffner gjente thesare ndër zotërime të trashëguara dhe fillimisht i shiste. Por me kalimin e kohës iu bë e vështirë t’i nxirrte nga dora. Ajo filloi t’ua huazonte zotërimet e saj regjisorëve të filmave dhe organizatorëve të sfilatave. Pasi përfundojnë filmimet, aktorët duhet t’i kthejnë kostumet, por nuk ndodh gjithmonë.

“Ofruam shumë veshje për filmin The Irishman. Dy prej artikujve do të përdoreshin nga personazhi i interpretuar nga Robert De Niro. Një palë pizhama dhe një robdisham. Nuk na i kanë kthyer,” tregon ajo.

Veshjet mund edhe të dëmtohen gjatë xhirimeve. Ekipi realizues i filmit Titaniku nuk mund të garantonte se veshjet do të ktheheshin të padëmtuara, prandaj zonja Uffner vendosi të mos ofrojë gjë nga koleksioni i saj:

“Vendosa të mos jap për këtë film. Mësova më vonë se kishin dëmtuar shumë veshje”.

Falë realizimeve teatrale të Hollivudit, apo produksioneve televizive, si dhe sfilatave të modës, ka kërkesa të vazhdueshme për zotërimet unike në koleksionin e zonjës Uffner.

Për 45 vjet, zonja Uffner ka luajtur një rol kritik në mijëra filma, produksione teatrale dhe projekte të tjera. Pasioni i saj ka ndihmuar që klientët e saj të fitojnë katër çmime Emmy dhe një Oscar, si dhe vlerësime të tjera.

Pandemia e ka ulur kërkesën, por puna po rigjallërohet përsëri.

Zotërimet e saj gradualisht po rikthehen në vëmendjen e ekipeve realizuese që i sjellin pranë nesh përmes ekranit të filmit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat