Romani i cili ndryshoi mënyrën se si ne e perceptojmë kohën

Kultura

Romani i cili ndryshoi mënyrën se si ne e perceptojmë kohën

Më: 9 qershor 2021 Në ora: 23:20
Foto ilustrim

Romani “Uliksi” i shkrimtarit irlandez James Joyce na jep një perceptim tjetër mbi kohën. Ka ditë kur na duket sikur nuk kalon kurrë dhe ditë të tjera kur akrepi i orës duket sikur lëviz aq shpejt saqë nuk arrihet të ndiqet. Fakti që koha është relative është sot një koncept i pranuar gjerësisht. Por, nuk ka qenë gjithmonë kështu…

Nëse lexojmë një libër ku ngjarjet vendosen në shekullin XIX, do të shohim se si dimensioni i kohës përfaqësohet në një mënyrë objektive dhe lineare.

Një përvojë krejtësisht e ndryshme kohore na pret kur lexojmë një libër nga Joyce. Në vazhdën e revolucionit të ndërmarrë nga Sigmund Freud (dhe zbulimi të nënndërgjegjes), “Uliksi” ishte përcaktuar që në ditën e botimit të tij, 2 Shkurt 1922, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore. Dhe le të shohim arsyen pse:

Sepse perceptimi ynë mbi kohën ka ndryshuar: Shekulli XX-të lindi nën shenjën e shpejtësisë dhe përshpejtimit, që dhanë menjëherë efektet e tyre edhe në art dhe letërsi. Autorët e mëdhenj të fillim të shekullit XX, si Marcel Proust, Virginia Woolf dhe James Joyce, përshkruajnë copëzimin dhe kaosin e së tashmes përmes metodave të reja të shkrimit, të cilat arrijnë kulmin e tyre shprehës në teknikën e “rrymës së ndërgjegjes”.

Koha ndryshon në varësi të asaj që po përjetojmë: Koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes. Personazhet e lindur nga pena e Joycet, zbulojnë se përvojat e kaluara janë çimentuar në nënndërgjegjen tonë.

Pra, nga e pavetëdijshmja, nga e cila dalin vazhdimisht fragmente të së kaluarës tonë dhe që përzihen me të tashmen në një mënyrë që nuk është gjithmonë e vullnetshme. Në fakt, koha e ndërgjegjshme është e përbërë nga momente të padallueshme që kalojnë nga njëri tek tjetri dhe që formojnë një rrymë që pasurohet vazhdimisht “rrymën e ndërgjegjes”.

Koha pëson transformime të dukshme tek personazhet e këtyre veprave:krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, shfaqet ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.

“Uliksi” është arketipi i njeriut bashkëkohor: Me një bukuri të pa rezistueshme dhe simbol i etjes për dije, Uliksi është heroi me shumë fytyra. Nëse cilësitë e tij pozitive u lartësuan në poezitë homerike, ato negative u theksuan në letërsinë e shekujve në vijim, si mashtrimi dhe cinizmi, deri në rishkrimin që i bëri këtij personazhi Joycet në shekullin XX. Kështu, Uliksi bëhet arketipi i përsiatjeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës.

Por, për çfarë flet romani?

“Uliksi” është historia e vetëm një dite, 16 qershorit 1904, e një grupi banorësh nga Dublini i Irlandës. Personazhet që hyjnë në mënyrë rastësore me jetën e të tjerëve, por që përcaktojnë zhvillimin e saj, përmes një monologu të brendshëm të vazhdueshëm. Protagonisti kryesor, hebreu irlandez Leopold Bloom, nuk është një hero apo antihero, por thjesht një njeri me mendje të hapur dhe një humanizëm të madh, gjithnjë i vëmendshëm ndaj më të dobëtit dhe të ndryshmit, si dhe i aftë për të qenë i sjellshëm edhe ndaj atyre që këto cilësi nuk i shfaqin ndaj tij.

Protagonistët e tjerë janë intelektuali i ri, brilant, por i kompleksuar Stephen Dedalus dhe Molly Bloom, gruaja e hebreut, mbretëresha e vërtetë e romanit. Në fund të romanit, e shtrirë në shtratin e vjetër martesor, ajo reflekton në një monolog prej më shumë se 20 mijë fjalësh pa asnjë shenjë pikësimi midis tyre – mbi ditën që sapo kishte kaluar, mbi tradhtinë e bashkëshortit të saj, mbi çdo kujtim të së kaluarës dhe mbi të ardhmen e mundshme të imagjinuar. Molly është një grua shumë instinktive, por edhe rezistente ndaj çdo forme të karakterizimit kategorik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat