Përse s’u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”?!...

Kultura

Përse s’u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Drini poetik”?!...

Nga: Zymer Mehani Më: 10 qershor 2021 Në ora: 18:26
Zymer Mehani, shkrimtar

Sot është 143-vjetori i themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur më 10 qershor 1878, në Prizren filloi organizimi dhe themelimi i saj. Është kjo njëherësh një ndër lidhjet më të organizuara politike gjithëkombëtare pas Lidhjes dhe themelimit të Kuvendit të Lezhës të 2 marsit të vitit 1444, nën organizimin e Skënderbeut dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptarë në shekullin XV.

Në këtë përvjetor, në shenjë respekti të thellë për këtë ngjarje të rëndësishme historike të kombit shqiptar dhe për ideologët dhe prijësit e LSHP, sot më 10 qershor 2021 është dashur të mbahej Festivali Ndërkombëtar iI Poezisë “DRINI POETIK”, Prishtinë-Prizren-Kukës, për të dymbëdhjetën herë me radhë.

Festivali, tanimë tradicional mbahet në nderim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe organizohet nga Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë- Dega e Kukësitt, por këtë herë, si duket, për shkaqe buxhetore (të paktën sot më 10 qershor) ky takim i shkrimtarëve s’u mbajt, edhe pse kryetari i LSHK-së, Prof. dr. Shyqri Galica, me kohë ka adresuar kërkesën për përkrahje me mjete financiare për organizim të këtij manifestimi kulturor. Kërkesa i është bërë më 21 maj 2021, z. Hajrullah Çekut, ministër i   Ministrisë së Kulturës të Republikës së Kosovës.

Ky festival tradicional, siç thamë edhe më lart, organizohet për nder të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe ka një shtrirje të gjerë kombëtare dhe me krijues edhe nga bota. Zakonisht mbahet më 9 e 10 qershor për çdo vit. Për kundër këtij fakti, kësaj radhe, siç jemi të informuar nuk ka asnjë njoftim nga Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës për ndihmën materiale që gjithmonë ka qenë subvencionuese e këtij festivali.

Siç njofton kryetari i LSHK-së, prof. dr. Shyqri Galica, gjithmonë, “pavarësisht nga rrethanat, kemi gjetur mundësi t’i organizojmë veprimtaritë tona, natyrisht me kufizime sipas rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë, por që kemi arritur të mbajmë kontinuitetin e veprimtarive letrare e artistike duke shënuar data historike e kulturore”.

 Pa I paragjykuar gjërat se si kanë ndodhur, mendojmë se shkrimtarët duhet të përkrahen për organizime kulturore, ngase ata janë ndërgjegjja e kombit, të cilit i takojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat