Arti i këndshmërisë dhe poeti i ndjesive të larta

Kultura

Arti i këndshmërisë dhe poeti i ndjesive të larta

Nga: Baki Ymeri Më: 11 qershor 2021 Në ora: 23:14
Kopertina e librit

Ja zëri i zemrës, buzët e femrës dhe çelsi i syve të botës! Duke udhëtuar nëpër faqe e këtij vëllimi poetik, duke përshkuar trajektoren e ndërlikuar të poezive të dashurisë, kuptojmë se Remzi Basha din ta kultivojë artin e këndshmërisë, të dashurisë idilike dhe të variacioneve befasuese. Lexuesi ka nderin të gjejë gjendjet e ndryshme emocionale që të përcjell ky mozaik i këndshëm me spektër të gjerë emocionesh, imazhesh, ndjenjash, përsiatjesh e adhurimesh, që dalin nga shpirti i ndjeshëm i poetit të dashurisë, për të komunikuar me të gjithë ata që i çmojnë librat e tij. Për të hyrë në universin e poetit, për të shijuar alkiminë e fjalës së tij poetike, ka shumë mënyra, ka shumë piketa dhe çelësa leximi, që gjenden të derdhura apo të skalitura nëpër vargje poezishë të ndryshme. Janë pikërisht këto një manifest i filozofisë së jetës dhe kredoja estetike e autorit, i cili spikatet si një romantik në kohët e moderniteteve poetike, si një pasagjer i romantizmit në terenin modern të artit poetik.

Manifesti artistik i këtij autori na shfaqet përmes shpirtit rebel, si një dashurues i zjarrtë dhe ëndërrimtar i papërsëritshëm, një adhurues i përjetshëm i bukurive të natyrës dhe të njeriut. Remzi Basha inkorporohet në kategorinë e poetëve të zjarrit të pasionit. Në konturet e hijshme të lirizmit të tij nëpërduket dhe qarkullon imazhi frymëzues i një femre më besnike dhe më të bukur se Beatriçja e Dantes apo Laura e Petrarkës. Duke lexuar e shijuar poezitë e Remzi Bashës, kuptojmë arsenalin e gjerë e të thellë metrik dhe prozodinë e pasur të një artisti të fjalës me pasion të madh dhe eksperienca të gjata leximesh e krijimtarishë, që nga vëllimi i tij i parë (Zëri i Atdheut) e deri te Mrekullia e dashurisë, Flaka e gjallë e dashurisë dhe Ti je drita e shpirtit tim.

Pa diskutuar vlerën e vargjeve të lira apo të parimuara, duhet çmuar rima si një nga elementët më të spikatur të muzikalitetit, të harmonisë e të kumbimit të këndshëm; si një ngjyrim i skicimeve poetike që memorizohen në kujtesën e lexuesit falë këtij elementi magjik, që vjen qysh nga lashtësia e deri te aktualiteti i denjë i artistëve të vërtetë të fjalës, duke u bërë një nga dëshmitë më konkrete të ekzistencës së talentit të tij poetik. Rimat në vargjet e këtij poeti vijnë vetvetiu, nuk kërkohen, por i bashkëngjiten strukturës metrike si tingujt e një muzike të harmonizuar nga një dorë hyjnore dhe e padukshme. Një aspekt tjetër i përveçën i këtij vëllimi, që është tipar që i bën nder autorit, është edhe ndikimi i thellë nga intonacionet artistike: Në shkëlqimin e azurtë/ Shoh kreshtat e bjeshkëve/ Që mbajnë mbi supe qiellin/ Duke përqafuar ballin e tyre,/ Kurse hapa t e mi/ Ngjiten ngadalë shtigjeve të njohura.

Megjithëse kryefjala e krejt vëllimit është dashuria, bipolariteti i saj, aspekti panteist dhe rravgimet ëndërruese në labirintet e unit poetik të udhëhequra fund e krye nga muza e tij, që është e pranishme, jo vetëm kur ëndërrohet por edhe kur shfaqet. Në fondin e këtij vëllimi shfaqen edhe motive filozofike, meditative, të plazmuara në mendime e vargëzime elegante, ndërtuar në paradokse dhe kundërvënie fine: Në shkëlqimin e azurtë/ Shoh kreshtat e bjeshkëve/ Që mbajnë mbi supe qiellin/ Duke përqafuar ballin e tyre,/ Kurse hapa t e mi/ Ngjiten ngadalë shtigjeve të njohura,/ Në qetësi, e zhytur në mendime,/ Vetëm një re a ardhur nga ku ta di unë/ O moj zana ime/ Edhe pikat e shiut/ I shndërron në rrokullime!

Forca e madhe, magjike e përjetuese, magjia e frymëzimit në trurin e poetit, shfaqet në formën e bukolikes, që epifanizohet në një gjurmë të shkëlqyer lirike: Zanë e shpirtit tim/ Po të shpie gjithandej/ Të ma përmbushish shpresën/ E fshehur në mendime./ Dhe po pres një reze dielli/ Të shkrijë dregzën e akullit/ Ta dijë se po të pres/ Në fushën e përmbushur me lule/ Të m’i kënaqë sytë shpati me ngjyra të blerta/ Mgadalë e lehtë të afrohem! Këto vargje përbëjnë një kënaqësi të pranisë në aktin magjik të nusërimit të fjalës me fjalë, të shndërimit të materjes së thjeshtë të fjalëve në mendime dhe ndjenja të thella, në tabllo të gjalla reale dhe origjinale.

Remzi Basha ka një biografi të bujshme në gjirin e komunitetit shqiptar të Suedisë. Kur e merr mikrofonin nëpër manifestime të ndryshme letrare, ai din të flasë aq bukur, rrjedhshëm e pastër gjuhën e ëmbël shqipe, dhe të gjithë të pranishmit e nderojnë me duartrokite frenetike. Ai buzëqesh në shenjë falënderimi dhe me një krenari shqiptare ta përkujton faktin se si ka arritur që të fillojnë punën me nxënësit e tij për t’ua mësuar e kultivuar gjuhën amtare. Këtë detyrë dhe obligim kaq të rëndësishëm e kemi amanet nga të parët tanë, që duhet ta përcjellim brez pas brezi. Autori i kësaj vepre nuk është vetëm poet, por edhe një veprimtar i shquar i mërgatës sonë. Shembulli i Remzi Bashës duhet t’iu shërbejë si model të gjithë mërgimtarëve tanë.

Poetit të dashurisë i duket jeta si një film në TV: Vjen mbrëmja. Qyteti fshihet nga sytë e tij. Kalimtarët i shpiejnë ëndërrat në kullotje. Heshtja vesh teshat e buçitjes së gruas së harlisur, që ka kundërmimin e një hapi të degdisur nëpër kujtimet e saj. Format e strofave dhe njësive poetike të këtij vëllimi janë të larmishme, spontane, të rastësishme dhe të lindura nga çaste të vërteta frymëzimi. Nganjëherë, një njësi poetike ka vetëm pak vargje, por nuk këputet. Pse? Sepse kur lexohet me kujdes, e kupton se aty është thënë gjithçka. Pra jemi tek poeti që nuk ka inflacion fjalësh, sepse marrëdhënia e gjuhës poetike me mendimin e formësuar në varg është e përsosur. Përfundimisht, mendoj që ky vëllim poetik është një eveniment i rëndësishëm, jo vetëm i autorit Remzi Basha, por sidomos i poezisë së mërgatës sonë, pasi jemi përballë artit të njëmendët të fjalës. (Bukuresht, 5 qershor 2021)

DASHURI E SHENJTË

Mbretëresha e qiellit

Buzëqeshjet e diellit

Lugina e lumturisë

Hyjnesha e vetmisë

Burimet e dritës

Zëri i Zotit

Pluhuri i yjeve

Shtëpia e shpirtit

Harresa e harlisur

Tërmet sentimental

Në festivalin e fjalëve

Je zana e frymëzimit

Drita e shpirtit tim

Zjarr i lumturisë

Dashuri e shenjtë

Mosha e artë e lumturisë

Metafizika e përjetësisë

Shpirt i shenjtë

Në kotarin e ëndrrave

Det i dallgëve të dashurisë

Pikturë poetike

Magji romantike

Dhe dashuri idilike

Ti je heroina kosovare

Shpirtluanesha ime

Zanë besnike e trime…

ME ÇMIMIN E JETËS

Ti je mbretëresha ime

Po të pres me mirësi

Me mirësjellje, modesti

Devotshmëria, çiltërsi

Dhembshuri, mirësjellje

Dhe me çmimin e jetës.

Ti je dashuria ime e çiltër

Ti je muza ime që më binde

Se pa dashuri jeta s’ka kuptim

Se pa dashuri nuk je trim

Se pa të nuke ke durim

Ti më dërgove në luftë

Të të mbrojë, të të lavdërojë

Se bota pa dashurinë tënde

Do të ishte diçka krejt tjetër!

PËRGJASIM

Dera e përgëzimeve

Ishte gjithmonë e mbyllur

Mundohej të kundrojë

Lumturinë e të tjerëve

Nëpër zgavrën e çelësit.

Qerpikët i ka të rëndë

Ia perdelojnë shikimin

Dhe një ofshamë e gjatë i del

Nga parzma e krahërorit.

ME QIELLIN NË SUPE

Në shkëlqimin e azurtë

Shoh kreshtat e bjeshkëve

Që mbajnë mbi supe qiellin

Duke përqafuar ballin e tyre

Kurse hapat e mi

Ngjiten ngadalë shtigjeve të njohura

Në qetësi, i zhytur në mendime

Vetëm një re a ardhur nga ku ta di unë

Pikat e shiut i shndërron në rrokullime.

DËSHIRA

Zanë e shpirtit tim

Po të shpie gjithandej

Të ma përmbushish shpresën

E fshehur në mendime.

Dhe po pres një reze dielli

Të shkrijë dregzën e akullit

Ta dij se nuk më dhemb

Ai grumbullim prej një jete.

Fusha e përmbushur me lule

Të m’i kënaqë sytë njësoj

Si shpati me ngjyra të blerta

Lehtë, te ai të afrohem.

Dhe kur do të vijë çasti

Të kem sallkëmin te koka

Si një çarshaf përjetësie

Me gërshetim blerimi

Me kolorit bardhësie…

NATA E SHTOJZAVALLEVE

Dielli është larguar…

Qiejt kanë filluar të hapen

Dhe për të ngritur këngëtimet

Për të gjetur shprehjet.

Është nata magjike e dashurisë

Në të cilën qielli dhe toka

Bëhen bashkë me fjalët -

Ndërtimtare të jetës.

Dhe në djepin e ëndrrës, ngadalë

Vjen ai dhe ajo në ritin stërgjyshor

Kurorëzohen nën shenjën astrale

Në Natën e Shtojzavalleve...


ORA E MURIT

Nuk do të ketë fare maska, dhe as mëkate

Një kohë e pezulluar do japë shi me yje të mençur

Duke na e ushqyer përmallimin tonë të uritur.

Do të digjen dritat në zjarrin e zemrës së rrënjës së etur

Dhe një pafundësi, duke hequr qafe të gjitha prangat

Do të fluturojë lirshëm nëpër mendje.

Ne, dy degë të rritura nga gjoksi i pyllit

Stërzgjatjet e orës që është duke pritur

Do të jemi borziloku i ikonave të botës

Dhe paradoks për pranverën e borës së proshkët.

Ne do të sjellim në shtëpi dashurinë e degdisur

Dhe do ta pimë nga kupat

Mbi lartësitë e lartësive do të dashurohemi

Kurse dritat e kuqe të fenerave

Do të na mbrojnë nga ato maska ​​dhe mëkate.

Do të bjerë shi e me zërin e kitareve, të uritur!

Dhe pastaj, në sytë e të gjithëve

Do lejojmë që dashuria t’na shpie përtej kufinjve.

Ti je qielli duke më thirrur në gjirin e ngrohtë

Kur koha do ta përkëdhelë orën e murit!

PYETJA E PËRGJIGJES

Përgjigje e bukurive të tokës jemi ne!

Nuk do të gjejmë ndonjë marinar pa det

As në supet e maleve s’do gjejmë një mbret

Duke i refuzuar pa mëshirë yjet e qiellit

Madje edhe rrezet e bekuara të diellit!

Dritat e verbuara do të harlisen

Do të shpërlajnë sytë me forma të hijshme

Të narcisistëve të ngjyrës së nuses

Duke e joshur në shtrat e në gjumë.

Pastaj do të lyhen me pluhur ylberi

Derisa armata mendimesh të çakërdisura

Do ta çarmatosin me buzëqeshje zhgënjimin

Pyetjen për bukurinë e tokës

Ko çdokush mund ta lansojë

Përgjigjjen vetëm ne mund ta japim!

MURET E HESHTJES

Birucat po e kërkojnë jehonën

E dëbuar nga pikëpyetja

Që e përkuli vetullën e orbitës.

Toka po i kërkon foshnjat

Nën dritën e fenerëve të verbër

Duke e pjekur gradualisht heshtjen

Më shumë se një forcë bërthamore.

Trupi ynë

I fshehur diku nën hijen e Universit

Gjithashtu po pret i përndjekur

Në makthin e tërbuar të natës

Engjëlli dëgjoi në muzg

Për të vendosur shpëtimin e orës.

Në një solfeggio fluturuese

Disa hije të lodhura

Pa patur bileta të dëshiruara

E prishin deliriumin e jehonës

Me frymë të rimishëruar

Në ëndrra në orët e zellshme.

Si një rrjet

Me boshtin kurrizor edhe ai i lakuar

Pasiguritë bien mbi statujat e lirisë

Duke na detyruar të asistojmë si do kukulla

Falë kërcimit vdekjeprurës të cirkeve...


HESHTJE TË HESHTURA

Jemi bërë zemra e gurit të mullirit

Fjalët dhe ato u veshën me heshtje

Pemët e akacies kanë sy prej shkrumi

Kurse largësia në krahët hapsanes.

Nëpër venat e zambakëve të trazuar

Që atëherë duke qarë për ne

Rrjedh gjak - i vetmi emërues i përbashkët

I bardhë në fytyrë si një refren akulli

Duke vallëzuar mjellmën e fundit.

E rëndë

Si një gur mulliri, fati

Është tingulli i mekur

Dhe zemra jonë e heshtur...

SOKOLESHA IME

Për ty një jetë nuk mjafton
Që të të them sa të dua
Të mbeta borxh përgjithmonë
Ti je frymëmarrje për mua

Ti e brishta, e qeshura ime
Ti e bukura që më dashurove
Që zbute zemrën time
Që familje më dhurove...

Ti që netëve m’u përkushtove
Më buzëqeshje e shpresë
Më fale ditët tua, jetën më shpëtove
Më ktheve të gjallë nga një harresë

Sikur çdo çast të them të dua
Prap për Ty kjo nuk mjafton
Për çdo stinë - lule sytë e tua
E zemra jote prore më fton

Ti e imja heroinë
Dashuri që lind për ditë
Si rrufe e vetëtimë
Si në zemër e në shpirt

Ti më e mira në galaktikë
E shtrenjta ime Afërditë!

VEPRAT E REMZI BASHËS

Zëri i Atdheut

Fire in My Hands,

Zëri i Kosovës

Ringjallja e Atdheut

Nusja nga Çamëria

(Dy)Ademat

Në tokën amë

Zjarr në duart e mia

Testamenti i dashurisë

Gëzimi i ëndrrave

Trimat e Dardanisë

Merrmë me vete

Drita e dashurisë

Gjeografia e atdheut

dhe alfabeti i atdhedashurisë

Poezi bashkëkohore shqipe

Mbretëria e dashurisë

Fuqia e dashurisë

Bota e bekuar e dashurisë

Fuqia mgjike e dashurisë

Pranvera e dashurisë

Parajsa e dashurisë

Shpirtluanesha e Dardanisë

Perandoria e dashurisë

Porta e lumturisë

Me ty vjen pranvera

Vetëm për ty jetoj

Afërdita ime

Shpirti im i shenjtë

Ti je mrekullia ime

Dallgët e dashurisë

Lumturi hyjnore

Delta e dashurisë

Shtrati i dashurisë

Zjarri i dashurisë

Mosha e artë e dashurisë

Nuset e fjalës

Shija e dashurisë

Zanat e dashurisë

Nektari i dashurisë

Dallgët e dashurisë

Mjalti i buzëve tua

Lumturia

Perëndesha e dashurisë

Zemërzana a dashurisë

Stina e Dashurisë

Perlat e Shpirtit

Lugina e lumturisë

Mrekullia e dashurisë

Flaka e gjallë e dashurisë

Ti je drita e shpirtit tim

Dashuri e shenjtë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat