De Rada, në mes matematikës dhe poezisë

Kultura

De Rada, në mes matematikës dhe poezisë

Më: 15 qershor 2021 Në ora: 23:01
Jeronim De Rada

Në dosjet e shumta të Jeronim de Radës në Arkivin e Shtetit, që i shfletoja në fillim të viteve 1980 ndërsa përgatitesha për romanin “Shtrati i Prokustit”, bien në sy disa dorëshkrime të rinisë së tij të mbushura anash me formula matematikore.

Askush nuk qe marrë ndonjëherë me to. Kështu ndodhi që pak kërkime të mëtejshme na njohën me një pasion krejt të pazakonshëm të poetit të Makjes.

E vërteta është që në fillimet e tij ai nuk u shqua në asgjë. Madje, në fund të vitit të parë në kolegj (pasi ngeli në klasë), Mikel Belushi, drejtori i Shën Adrianit, e këshilloi të atin ta hiqte fare nga shkolla dhe ta mbante në shtëpi që të merrej me punët e bujqësisë (shkurt, të ruante delet). I ati kërkoi edhe një vit provë, që të bindej për paaftësinë e të birit. Pikërisht, vitin që përsëriti, De Rada pati ecuri mjaft të mirë dhe në përfundim të Kolegjit cilësohej si krenaria e tij. Drejtori, ai që donte ta çonte të ruante delet, e mbante gjithnjë pranë vetes.

Së pari të bie në sy kujtesa dhe aftësia e tij për të kryer veprime të ndërlikuara krejt përmendesh. Bashkëkohësit thonë se poeti ynë i ardhshëm, gjatë viteve të shkollës, ishte në gjendje të shumëzonte përmendësh edhe numra natyralë prej shtatëmbëdhjetë shifrash dhe të nxirrte saktësisht shumën e tyre prej disa milionësh.

Të dhëna të tjera më tregonin se ai kishte fuqi kujtuese ende më fenomenale, për veprime mjaft më të ndërlikuara, siç do të shohim.

Këto zhvillime nuk mund të kuptohen të shkëputura nga ajo vatër dijesh siç ishte seminari i Shën Adrianit. Ndryshe nga shumë shkolla tradicionale të kohës, ku mësimdhënia e matematikës përqendrohej në njohuritë që jepnin kryesisht matematikanët e lashtësisë (sot nuk e kujtoj nga e kam nxjerr këtë përfundim), në Shën Adrian futeshin në programet shkollore mjaft prej koncepteve matematikore moderne që kishin marrë zhvillim të madh, veçanërisht me punimet e Gausit.

Tamam në ato vite De Radës i lindi pasioni i fuqishëm për matematikën që, siç thotë vetë, ishte “jo më pak i zjarrtë se ai për letërsinë”. Dhe, pati mëdyshje të fortë për të zgjedhur midis poetit e matematikanit.

Me sa del nga shënimet e tij autobiografike, dashurinë për matematikën atij do t’ia ketë ngjallur profesor Gaetano Çerri nga Marturano, i cili kishte dhënë lëndën e matematikës në Institutin Nunciatello të Napolit. Duke qenë i ushqyer me idetë e Revolucionit Francez dhe madje si pjesëmarrës në Revolucionin e vitit 1821 (i cili pati si forcë lëvizëse organizatën konspirative të karbonarëve) që dështoi në gjak, Çerri u detyrua t’ia mbathë nga kryeqyteti i Mbretërisë së dy Siçilive dhe të gjejë strehim në Kalabri, ku jepte mësim në Shën Adrian.

Si mêsimdhênës pasionant, ai mbante lidhje me matematikanët më në zë të kohës. Madje, në disa raste ua merrte që në dorëshkrim studimet të cilat ua paraqiste nxënësve të tij të Shën Adrianit. Në një rast, pas gjeometrisë plane të Euklidit dhe gjeometrisë së trupave të ngurtë, ai u shpjegoi nxënësve të tij leksionet konike të Karavelit (mbase duhet të jetë fjala për leksionet sferike të Vito Caravellit), që e kishte pasur mik, siç thuhet.

Nxënësit hasnin vështirësi në të kuptuarit e tyre, sepse nuk kishin njohuri të mëparshme për teoritë e tij. Për këtë ngjarje De Rada shkruan: “Në nëntor 1832, profesor Çerri, thuajse i dëshpëruar më thirri në dërrasë të zezë dhe pasi e shpjegoi lëndën në mënyrë të shkoqur, si mjeshtër që ishte, kërkoi që ta përsërisja edhe unë. Unë e përsërita, por me disa pasaktësi të vogla. Këtë pastaj e hodha në të pastër në sallën e studimit dhe ua kalova shokëve për ta mësuar”.

Është tamam kjo periudhë kur ai vazhdon ta studiojë në mënyrë më të ethshme matematikën dhe nuk ngurron të mbushë anët e fletoreve të tij me figura gjeometrike dhe formula matematike. Këtu përmendim se ai arriti kulme të tilla saqë mund të nxirrte përmendësh rrënjën katrore të një numri me njëzet e katër shifra numër ky që, po të shkruhet, i bie të jetë prej disa biliardësh.

Një rast i tillë mbase nuk është unik në botë, por ama mbetet tejet i rrallë.

Biografi bashkëkohës i de Radës, M. Markianoi (që ishte edhe kushëri i tij), përmend dy tre raste të tilla, gjë që provon se ai kishte me të vërtetë talent të rrallë në këtë fushë.

Thamë në fillim se De Rada dikur ka ndjerë mëdyshje për të zgjedhur midis matematikës dhe poezisë. Por, mbase kontradikta do të ketë qenë vetëm në dukje.

Nuk janë të rrallë ata që shohim mjaft poezi te matematika.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat