Nikaj Merturi, djepi i eposit të kreshnikëve

Kultura

Nikaj Merturi, djepi i eposit të kreshnikëve

Nga: Gjon Necaj Më: 16 qershor 2021 Në ora: 18:10
Sokol Martini

1. DUKURI MBI SHTRATIN E EPOSIT NIKAJMERTURAS.
Mbaj mend se në fëmijërinë time të hershme, kur akoma nuk isha ulur në bangot e shkollës, nëna ime, ndjesë pastë, bijë e fisit dukagjinas, në netët e gjata të dimrit, këndonte ninulla kreshnikësh, çka më bënte përshtypje abstraksioni i saj, duke i përthyer fjalët dhe emrat e përveçëm me një kordë a thua ishte artiste operash. Ndër to përmendeshin më së shumti Gjeto Basho Muja, Ajkuna, Omeri, Balozi i detit e vajet në fund që përfundonin me oi oi oiiiiiiii. E ndoshta këto përjetime fëmijërore që nuk harrohen kurrë, ishin zanafilla e gërmimit tim poetik.

Këto frymëzime që më kane ndjekur tërë jetën, buronin nga magjia heretike e ambientit ku jetonin dhe ishin rritur të paret e mi, pikërisht në bjeshkët e maleve të egra të veriut të Shqipërisë, që për nga bukuria magjepnin këdo që vizitonte ato vende të pazbuluara. E pikërisht mbase këtu vonë, shumë vonë, një eruditë e magjishme, Edit Durham zbuloi virtytet dhe karakterin e këtyre malësorëve të ngjajshëm me kreshnikët e eposit.
Krahina e Nikaj Merturit është e rrethuar nga të gjitha anët me maja të larta, me bjeshkë të bukura alpine dhe me shkëmbinj të thepisur, të cilat me pamjet e tyre shpesh herë krijojnë figura mitologjike. Çdokush që e viziton përherë të parë këtë krahinë, por edhe ka lexuar më parë eposin e kreshnikëve, do ta besojë menjëherë se ky paska qenë vendi ku kanë jetuar kreshnikët.

Gjithsesi nikajmerturasit janë lindur e rritur me këngët e kreshnikëve ashtu si edhe këngët e kreshnikëve janë lindur e rritur në Nikaj Mertur. Këtë fakt e gjejmë të dëshmuar nga studiues të mëdhenj të folklorit si Kieut,1737, Ami Bue,1836, G.Majer,1896, M.Lamberc, G.J.Merturi, Sh. Gjecovit, B.Palaj, D.Kurti, M.Sirdani, L.Nosi etj., e deri te studiuesi më i mirë i këtij eposi Qamil

Haxhihasani. Shtëpia që s’kishte lahutë, bëhej me lahutë, malësori që nuk dinte këngët, i mësonte bashkë me lahutën sepse ishte i bindur së këngët e kreshnikëve e burrërojnë njeriun, e bëjnë trim, i japin zemër të durojë plumbin, gjakun, luftërat ku treteshin meshkujt.

Eposi i kreshnikëve e pasqyron jetën në formë tablosh të gjera "objektive". Frymëmarrja e gjere është e pranishme në çdo ind të tij : në përleshjet dhe dyluftimet homerike, në madhështinë e heronjve dhe të botës që i rrethon, në përmasat e larta dhe tradhtitë tronditëse, në ndjenjat dhe mendimet e thella (Muji, p.sh., kur mendohet "shikon barin kah po rritet"), në gjatësinë e poemave (mesatarisht dalin me 200, por edhe me 500, edhe me 1000 vargje), në gjatësinë e vargjeve (pëlqehet më shumë dhjetërrokëshi i bardhe - një varg me mundësi të gjera shprehëse) etj. 

Por epitetin objektive ne e vumë në thonjëza, sepse rapsodi shtiret sikur vetëm tregon objektivisht si kanë ndodhur ngjarjet, kurse në fakt ai mban një qëndrim të caktuar, qofte edhe duke lënë atë të nënkuptuar. Në të njëjtën kohë, në epos janë të pranishme, do të thoshim, me shumice, edhe detajet, situatat, trajtimet, personazhet e një reference lirike : dashuria midis vëllezërve e shokëve, dhimbja e humbjes së një personi të dashur, gëzimi i takimeve miqësore, ngjyrat plot shkëlqim të një peizazhi, portreti i një vashe. Një. shembull për shprehës lirizmi është, fjala vjen, vajtimi i thekshëm i Ajkunes, gruas së kryetrimit, mbi trupin pa jetë të djalit të saj të vetëm, Omerit. Veçse le të vihet re që edhe këtu gjithçka përthyhet nëpërmjet prizmit epik, ruan përmasat epike - dhembja e thelle e nënës, mallkimi i saj i fuqishëm, keqardhja e elementeve të natyrës dhe e bishave të malit : 

Qyqe vetëm rrugën paske marre, / 
Kan’zan’ vend yjt’ vajin me e ndie !/ 
Kur ka dalë nder Lugje t’Verdha, /
Ather’ nana hanen ka mallkue : / 
T’u shkri-mt’ drita ty, o mori hane, /
Qe s’ na çove atë nat’ nji fjale, / 
N’ Lugje, t’ Verdha shpejt me dalë, / 
Bashk’ me hy n’nji varr me djale !... 
Kur ka shkue te varri i djalit, / 
Ka pa ahin treqind vjeç ; / 
Ahi ishte rrema - rrema, / 
Nji mat’bukurin mbi varr po e shtin. / 
Mir’ po pshtetet për deg’ t’ ahit, /
Pikon loti mbi varr te djalit. 
Kanë lanë kangen zogjtë e malit, / 
Kanë lanë kangen me veshtrue ! / - 
Po a s’e din se kush ka ardhe, / 
Qe nuk çohesh për m’u fale, / 
More i miri i nanes - o ? / 
Amanet, o more bir, /
Dil nji here ksi burgut t’ erret, / 
Fol me nanen që t’ka rrite : / 
S’m’ ke lan’ kurrë kaq shumë më prite ! . . . / More Omer i nanes - o! / 
A thue Gjogun me ta prue ? / 
Dil nji her’ për me lodrue, / 
Bjer nder gurra me u freskuè , / 
Kërko majat bashk’ me zana, / 
Se ty varrin ta ruen nana, /
More i miri i nanes - oii oiiii !...

Nikaj Merturi kengën e ka pasë bashkëudhetare të jetës. Dasmori, festari, çobani, i pasuri dhe i varfëri, rapsodi dhe lahutari, të gjithë kanë kënduar dhe janë dashuruar me këngën, fyellin, lahutën e çiftelinë. Atje, në ato vise të largëta, ka kënduar i madh e i vogël.

Atje folku buroni pastër dhe i kristaltë si ujte e kulluar te gurrave bjeshkatare. Atje mes atyre kreshtave kreshtëbardha gjer të retë, ku bukuria e natyrës, paraqitja vizuale e nuses në krue, netët e acarta me bore e murlan, plakeshin në odën e miqve me lojra popullore, më lahutë, fyell e çifteli, aty lindi , u rrit dhe mori udhë kenga e këtij populli që zemra i këndonte dhe shpirti e ndiente.
Rapsodët e eposit të kreshnikëve që kanë jetuar këtu e një shekull më pare, rreth 125 vjet më parë, bëjnë pjesë në analet e interpretuesve të pavdekshëm të lahutës dhe rapsodive tona kreshnike. Atje kanë kënduar si zanat dhe shtojzovallet një armatë lahutarësh e rapsodësh të vjetër, si Mëhill Preka, Mirash Gjoni, Lekë Curri, Dedë Sokol Vukaj, Zef Avdia (Curraj Epër), Mitër Kola, Mark Ndou, Mark Mitri (Lekbibaj), Dedë Zefi, Lulash Zefi, Shan Zefi (Curraj), Ndue Delia (Tetaj), Mark Deda, Dedë Sokoli, Kolë Tahiri (Shëngjergj). Pal Kola Bushat, Nikë Çuni (Btoshë), Pal Progni, Ndue Gjeloshi (Salcë), Prelë Qerimi (Palç), Prënd Kukeli (Mserr), Dedë Rrustemi (Mulaj), Kacol Nika, Mark Gjoni, Gjon Uka (Rajë) etj.


2.SOKOL MARTINI DHE PASAARDHESIT E TIJ.
Sokol Martini i Brisës ka qënë mjeshtri i lahutës në Nikaj-Mërtur dhe një nga interpretuesit më të shquar të këtij instrumenti që i këndon brumit të vjetër të burrërisë së maleve, magjes së zakoneve bujare të shqiptarisë. Sokol Martini ka lindur në vigjilje të shekullit të kaluar në Brisë të Mërturit, në atë fshat të thatë shkëmbor të
varfër për toka dhe të pasur në kullota, atje ku mes barinjve tingëllon e shëmbëllen zëri melankolik i fyellit së bashku me fëshfëritjen e gjetheve të ahut. U lind dhe u rrit në një ambjent mitesh dhe legjendash, mësoi prej të moshuarve mijëra vargje rapsodish kreshnike, të cilave u dha jetë me zërin e ëmbël në akord me tingujt që lëshonte përmallshëm zharku i lahutës shqiptare.

Sokol Martini ka qënë këngtari më popullor në Nikaj–Mërtur, gjithnjë i pranishëm në dasma, gëzime e festa në odat e malësisë. Aty ku burrat shtruar, këmbëkryq kuvendonin urtisht, gjendej gjithmonë edhe Sokoli, të cilit i drejtohej i pari rendit: “Merre atë lahutë o Sokol Martini se t’ tanë ky rreth po don me ta ndigjue kangën e burrave të burrnisë së motit! Merre atë lahutë të këndoftë zemra, se me kanë nata 100 sahat nuk mërzitna duke t’a ndigjue zanin!”

Sokol Martini, siç e kish zakon e përkëdhelte lahutën e vet gjithë dashuri, ia gicilonte zharkun dalëngadalë dhe ja fillonte kënges herë me nota elegjike, herë me tinguj entuziast e krenar, ndërsa burrat mustaqegjatë e kapuçbardhë, pinin duhan e meditonin me ndjenjë zbutjen e trajtave shpirtërore që buronte nga këndimi i lëgjendave të madhnueshme të “Mujt e Halilit”,”Gjergj Elez Alisë”,”Martesa e Gjeto Basho Mujt”, “Rozafati”, “Ago Ymeri”, ”Halil Garria”, “Martesa e Plakut Qefanik” etj. 

Sokol Martini ka qënë jo vetëm një kengëtar i gdhendur mirë por edhe një aktor që i ka dhënë gjithë dramacitetin e duhur rapsodisë gjatë interpërtimit të saj. I mirënjohuri Sokol Martini ka arritur të bënte mrekullinë e kohës e të mbante mend mbi 3000 vargje rapsodish që këndoheshin me lahutë. Sipas kujtimeve të bashkekohesve te tij, Sokoli ka qënë një mësoburrë mustaqepërdredhur, i zeshkët në fytyrë dhe i veshur hijshëm. Goja i prsite mbarë por i avashtë në kuvend. Flokët e thinjur, rrudhat në ballë, buzqeshja e embël, lahuta e mbështetur në prehër, e gishtat i rrëshqisnin vetvetiu me zhdërvjelltësi mbi telin dhe kënga gjithë mall i gufonte nga shpirti e pastër si lulebjeshke në lëndinë. Ai ka mahnitur në dasma e festime 200 -300 burra me ligjërimin e vet. Tek Sokol Martini lahuta kishte gjetur ustain virtuoz me pamje fisnike, këngëtarin me dhunti dhe vokal special, rapsodia e maleve kishte gjetë iterpretin legjendar me kujtesë të jashtëzakonshme. Sokol Martini e lnurte kengën, prandaj ua ka harxhuar fishekët e pishtoleve burrave më të përmendur të Nikaj- Mërturit, Shalës, Shoshit, Berishës, Iballës
kur perpiqeshin në festa e gëzime, thonë adhuruesit e tij.

Sokol Martini së bashku me Mëhill Prekën e Currajve të Epër do të befasonte At Benardin Palajn i cili do të theksonte se sa herë që i lypa rishtas diktimin e ndonjë rapsodie, s’u shmangën, as me thanë asnjë frazë, prej kallzimit të mëparshëm. Për tu theksuar eshte edhe ky fakt, se kur marrin lahutën në dorë, e kanë një publik interesant, n’at kohë fantazia e gjallë e tyre i endë rapsoditë fort me bukur se ku diktojne. 

Një nga ish nxënësit e tij, rapsodi i njohur i Nikaj Mërturit, Mark Mitri, ndjese paste, duke kujtuar Sokol Martinin, ka thene se "Sokoli ka qënë një rapsod popullor i shquar dhe i papërsëritshëm i rapsodive tona, ku zerin
dinte ta dridhte me lehtësi, e ishte aq i zoti sa gjithë natën nuk lodhej së kenduari mijera vargje, të cilat askush si ai nuk i mbante mend aq saktë. Sokoli nuk ka qënë krijues kengësh po interpretuesi dhe njohësi me i mirë i rapsodive tona. Kengët më të mira që kam kënduar me lahutë i kam mësuar nga ai. Kur isha i ri nuk kam ditë me ndejtë sa duhet afër tij, por me vonë, kur Sokol na la, unë e kuptova se vendi i parë i Sokol Martinit në çetën e lahutareve të Nikaj-Mërturit ishte i pazëvendësushëm".

Çdo katund në Nikaj- Mërtur ka pasë këngtarët e vet me të cilët mburrej, ndërsa të gjithë së bashku i kanë dhënë Nikaj –Mërturit vendin e kreut në viset e Alpeve tona. Në vitet 60-të te shekullit te kaluar, e në vazhdim, kënga me çifteli mori një hov të ri duke kapërcyer kufijtë krahinor të trevës në fjalë.

Në vijimesi do të shquhej një brez më i ri ku spikasin Ndoc Marku e Pjetër Ymeri si dhe këngëtarët më të formuar me çifteli, ku dallohen fylltarët Lazër Mitri, Dedë Ymeri (Lekbibaj), Beqë Çuni, Mark Gjoni, Martin Prendi e Simon Gjoni (Rajë). Rapsodët, instrumentistët dhe valltarët e Nikaj-Mërturit nuk do të mungonin në asnjë nga festivalet folklorike kombëtare, madje kanë poseduar çmimet më të larta edhe trofe, si Syk Papleka, Gëzim Nika, Zef Beka etj. 

Syk Papleka, djali i Mark Mitrit, ka qënë rapsodi më i talentuar në gjeneratën e re të viteve tetëdhjetë, vigan në skenë, me një timbër dhe vokal të mrekullueshëm me diapazon të lartë artistik, interpret i perlave të epikës dhe lirikës të trevave të Dukagjinit dhe të Tropojës, fitues në festivalin folklorik të Gjirokastrës me 1982 me këngën “Ka pa andërr Sulltan Murati” të kënduar së bashku me Zef Bekën e Xhevahire Malajn.

Në udhën e këngës ecën të sigurta edhe femrat si Shkurte Marku (Mserr), Bore Papleka, Dila Geci (Palç), valltarja e talentuar nga Raja Bubë Dedë Mici iterpretuese nga më të spikaturat e vallës tropojane, pjesmarrëse në disa festivale kombetare. Traditën e pasur të Sokol Martinit dhe bashkohësve të tij e vazhduan e pasuruan dhe ngritën në nivelet më të larta artistike  nje plejade te tere nga djepi i Eposit te Kreshnikeve, nga Nikaj Merturi.

Hulumtimet dhe gjurmimet tona per Nikaj Merturin ne shtartin e te cilit kane bashkejetuar historia, Eposi i Kreshnikeve dhe dimensioni njerezor i pakrahasueshem me virtytet me te cmuara te races se saj njerezore prej shekujsh nen trysnine e perhershme te evazioneve te ndryshme gjakatare per te permbysur jo vetem racen e tyre, por zakonet dhe mbase edhe jeten ne keto regjione te Shqiperise Veriore.

Karakteristike e vecante e krahines Nikaj Mertur eshte se banoret e ketyre aneve jo vetem i ruajtjen traditat shumeshekullore te te pareve te tyre, diten t’i kultivojne ato tek pasardhesit e tyre dhe ne koherat me te zymta te pushtimeve te shumta, thuren kenge, vaje e rapsodi dhe aedet e mrekullueshem te krahines i ruajten te paprekura deri ne ditet e sotme.

Kenget, vajet dhe rapsodite e kreshnikeve i bene ata qe te personifikohen me Gjeto Basho Mujin, Halilin, Gjergj Elez Aline, Ajkunen, Omerin, duke treguar heroizma dhe virtyte te pashoqe gjate rrjedhave te histories se ekzistences se tyre. Ndaj jo rastesisht kane lidhur dhe u kane kenduar kreshnikeve kenfgetare te tille si Sokol Martini, Mehill Preka, Mark Mitri, Prend Kukeli, etj.etj.

Ne ditet e sotme,krahina e Nikaj merturit, fatkeqesisht eshte braktisur nga banoret e saj dhe nga 9000 banore qe kishte ne fillimvitet nentedhjete te shekullit te kaluar, aktualisht aty jetojne 300-400 banore, duke krijuar keqardhje per Currajn e Eper, ku bash aty eshte djepi I kreshnikeve, e tashme nuk ka banore, apo Brisa e Sokol Martinit qe jetojne vetem disa shtepi, e shume e shume fshatra te tjere me kullat karakteristike.

Ne gjurmimet tona te ketyre koheve, kemi konstatuar dhe arritur ne perfundim, se ndonese qe ne vitet 60-te shekullit te kaluar, me Zihni Sakon, Qemal Haxhihasanin, e te tjere, jane krijuar ekspedita dhe jane dokumentuar me qindra e mijera vargje te eposit te kreshnikeve, prape ekzisotjne variante te shumellojshme, ndonese tashme pak me vonese,pasi kane ikur nga kjo jete rapsodet qe i kenduan dhe i poseduan si Mark Mitri, Zef Doda, e shume te tjere qe I kemi takuar gjate viteve, na kane dhene vargjet e tyre qe i kane kenduar.

Tashme
rralle rapsodet e Nikaj Merturit interpretojne virtuozet Sokol Martini, Mhill Preka, Mark Mitri, ndonese kane trasheguar interpretin e tyre. Mendojme se kantautori Gjoke Mulaj apo disa kengetare te rinj nga krahina e Nikaj
Merturit, mund te pervetesojne traditen e kesaj zone, duke vazhduar ne hulline qe lane Sokol Martini, Mhill Preka, Mark Mitri, Dede Sokoli, Prend Kukeli, e shume e shume te tjere.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat