Prizreni në ditën e shenjtë të lidhjes shqiptare

Kultura

Prizreni në ditën e shenjtë të lidhjes shqiptare

Nga: Kadri Tarelli Më: 17 qershor 2021 Në ora: 17:10
Festivali poetik “Ditët e lidhjes”

Në Prizren, një ngjarje e shënuar për jetën artistike dhe letrare të mbarë trojeve shqiptare. Shoqata për kulturë dhe art “Fidani”, në Prizren, bash në ditën e shenjtë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, më 10 Qershor, 2021, organizoi konkursin poetik “Ditët e lidhjes”. 

Të gjitha veprimtaritë në përkujtim të kësaj dite, janë detyrë dhe nderim mbarëkombëtar, për gjithë ata burra të rëndë, të fjalës e të besës, të dyfekut e jataganit, që u mblodhën në kuvend nga të gjitha krahinat shqiptare, dhe vendosën të lidhin besën e të bashkojnë forcat për të mbrojtur trojet nga copëtimi, veprim ogurzi që kënaqte lakminë e fqinjëve dhe përmbushte orekset e të mëdhenjve të Europës. “Dita e lidhjes”, është ngjarja më madhore dhe më e ndritur e historisë sonë, që shërbeu dhe shërben, si gur themeli në të gjitha ngjarjet që pasuan;

Mëvetësinë e Shqipërisë, dhe deri në çlirimin e Dardanisë në ditët e sotme. 
Tematika e konkursit ishte e lirë. Isha pjesëmarrës në këtë kuvend poetësh, ndaj e përjetova madhërisht festën, njëkohësisht i shijova edhe ndjesitë që sjell një takim me poetët. 

Është bukur të ndodhesh mes poetësh të njohur dhe të pa njohur, që i bashkon poezia dhe arti të shkruarit, ku nuk mungojnë bisedat, shakatë, dhurim librash, diskutime letrare, fotografi dhe shkëmbim numrash telefoni. Ndodhesh ballë për ballë dhe zë miqësi të re, ku secili sjell e përcjell një botë të madhe shpirtërore mes krijuesish, si një gur të çmuar në fushën e letrave shqipe. Për një të tillë ngjarje poetike, kam shkruar do kohë më parë, ndaj po mjaftohem të vendos vetëm pak vargje: nga poezia”: “Në Prizren mblidhet kuvendi,/Me poetë nga trojet mbarë,/Jemi shumë e s’na nxë vendi,/Shqip këndojmë, jemi një farë”…., duke vazhduar më tej: Një urim me kripë deti,/Po ta nis nga Durrësi plak….”. K. Tarelli. Libri “Koha në Vargje”, poezia “Një urim me kripë deti”. Faqe 92.

E gjithë veprimtaria u zhvillua në mjediset e kompleksit historik të Lidhjes, që për hir të së vërtetës i bën nder qytetarisë së Prizrenit, për kujdesin që tregojnë për ta mirëmbajtur dhe pasuruar këtë qendër muzeale me vlera kombëtare, që dora shkatërrimtare serbe e dëmtoi rëndë, duhet thënë e shkatërroi tërësisht, në vitet e luftës 1998-1999. Ishte merita e qytetarisë prizrenase, që të parën “shtëpi” që ringritën pas fitores, ishte “Shtëpia e lidhjes Shqiptare”, simbol i qëndresës dhe i besës mbarë kombëtare.   

Në ligjëratën e përshëndetjes, para se të lexoj poezinë time, thashë këto fjalë: Kombi ynë ka disa dit, apo data, që janë të shenjta dhe duhen shenjtëruar si të tilla: “Besëlidhja e Lezhës”, që shenjtëroi historinë tonë, si pikëmbështetje në udhën drejt bashkimit dhe luftës për liri. Po kështu e shenjtë edhe “10 Qershori”, dita e “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, që shenjtëroi bashkimin e shqiptarëve të të gjitha trojeve arbërore.

Pa këtë ngjarje madhore, nuk do të kishim as shkollë të parë shqipe, edhe kjo është “ditë e shenjtë” e arsimit shqip, as Kongres të Manastirit, që i çeli udhë alfabetit dhe shkrimit të gjuhës shqipe. A mund të ketë komb pa gjuhë të shkruar? A nuk është e dhe kjo ditë e shenjtë? Sepse i treguam botës se raca shqiptare, në shekuj jeton autoktone në trojet e veta. 

Pa këtë ditë të shenjtë, pa jehonën e luftës të atyre viteve, s’do të kishte as kryengritje në vitet 1910-1911-1912, madje as shpallje të “Mëvetësisë”, duke u shtyre në kohën e sotme, nuk do të kishim as Dardani të çliruar e të pavarur. Mbase e teproj duke renditur disa data, po kjo është historia jonë e trazuar, që u ndesh me shumë armiq, afër dhe larg nesh. Secila ditë apo datë ka vlerën e vet, por të gjitha së bashku madhështojnë historinë e kombit, ndaj duhen kujtuar e festuar madhërishëm, siç po bëjmë sot edhe ne.  

E besoj, se këto janë shumë fjalë që i përkasin historisë dhe kanë pak lidhje me konkursin poetik, ku unë lexova poezinë time: “ E pabesë është dashuria”. Po përmend vetëm disa vargje: …….
“Mos mbyll sy, mos rrudh ballë,
S’shuhet prushi nën hi,
Dashuria mbetet gjallë,
Në çdo shpirt ndez një qiri.

Poetët e pranishëm lexuan poezitë e tyre. Një galeri e tërë ndjenjash, mendimesh dhe frymëzimesh, që na detyrojnë të përulemi me urtësi dhe nderim. Ishte kënaqësi vazhdimësie, pasi në këtë kuvend u përfshinë edhe pena të reja, që guxojnë të ndjekin vargëzimin, në udhën e artit të fjalës. Juria pas një pune shumë të ngjeshur, brenda pak ditësh, vlerësoi të 53 poezitë e para qitura, katër prej tyre nga krijues durrsak, si

Trandafile Molla (Baja), Merita Kuçi-Thartori, Agim Bajrami dhe unë Kadri Tarelli. 
. Në përfundim u dhanë këto çmime: 
. I. Hylki Rexhepi. “Diskutim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”
. II. Sahit Osmani "Liria nuk është vetëm statujë" 
. III. Selim Tahiri. “Kur ti më godet mua”. 
I përshëndes fituesit, duke shpresuar që në të tjera festivale poezie të ketë më shumë pjesëmarrës, gara të jetë edhe më e fortë, njëkohësisht cilësia e krijimeve të arrijë nivele të larta. 

Të gjitha punimet u përfshinë në librin: “Ora e lidhjes” (Poezi nga konkursi letrar-2021”, botuar nga Shtëpia botuese, “Fidani”. Një mundësi e dobishme, që këto krijime të mos humbasin si kokrra gruri të rena nga kalliri, por të mblidhen në një libër që unë e quaj “Arka e kujtesës”. Është një dhuratë e bukur dhe kujdes i merituar ndaj çdo krijuesi, pasi aty secili njeh të tjerët, fiton përvojë, po ashtu mund të peshojë veten, forcën e mendimit, gjetjen e fjalës dhe bukurinë vargut, për t’u afruar e ngritur në fron të perëndisë. 

Është rasti të falënderoj dhe të shpreh mirënjohje z. Berat Batiu dhe bashkëpunëtorëve të tij, që organizuan këtë veprimtari me vlera letrare dhe atdhetarie. Njëkohësisht t’i shpreh mirëkuptim për lodhjen e madhe, në përgatitjen brenda një kohe të shkurtër të librit. Meqë unë i kam lexuar që në dorëshkrim të gjitha poezitë, e di se sa mund i është dashur për t’i sjellë në vijë të gjitha shkrimet, qoftë si redaktim letrar, po ashtu edhe korrektim gjuhësor, pasi poetët, siç janë të çliruar nga natyra, harrojnë, apo nuk i kushtojnë vëmendje këtyre vogëlsirave teknike, por që libri serioz nuk i pranon.

Uroj që Prizreni, si qytet “Prijëtar” i historisë dhe kulturës, të jetë kurdoherë në ballë të festivaleve e kuvendeve letrare dhe poetike.
Urime të gjithë pjesëmarrësve. Gjatë do të mbeten në kujtesën e secilit nga ne, të gjitha emocionet që përjetuam.
Mirë u takofshim me krijime edhe më të mira e më të bukura. Me bindje se, secili ka vënë një gur në themelet e kulturës mbarë kombëtare.
Urime!

Image
Festivali poetik “Ditët e lidhjes”
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat