Pishina e Kleopatrës dhe Mark Antonios

Kultura

Pishina e Kleopatrës dhe Mark Antonios

Nga: Merxhan Jakupi Më: 18 qershor 2021 Në ora: 11:02
Kleopatra

Pamuk-Kalaja, kjo banjë antike që ishte gdhendur në një pllakë graniti, quhej me emërtimin antik, Hirapolis. Banjat dhe pishinat deri në vitet 1960 nuk ishin të hapura. Këtu, në këto banja dhe pishina kishin kaluar pushimet dhe ditët e mjaltit, perandori romak Mark Antonio dhe mbretëresha egjiptiane, Kleopatra. Në mëngjes vizituam rrënojat e këtij qyteti, varrezat dhe teatrin. Pas kafjallit, të gjithë shkuam në banje, me ujëra terminalë, si dhe në pishinën që e kishte marrë emrin e Kleopatrës.

Pas ekspeditave, të fascinuar dhe të emocionuar, të gjithë ishim kthyer në hotel, duke pritur darkën. Vizitorët që ishin nga ish-Jugosllavia, identifikoheshin lehtë, sikur të kishin nga një flamur identifikimi. Përveç çiftit nga Beogradi, Millutinoviq, që tashmë e njihja, ishte edhe një oficer, epror ushtarak i ish-armatës jugosllave, i cili në fillim të luftës kishte dezertuar, një çift nga Novi-Sadi, profesor në universitet dhe dy motra që ishin refugjatë nga Kroacia. Ishte edhe një çift i ri kroat nga Bosnja që ishte shpërngulur në Kroaci, si dhe ne, dy shqiptarë nga Maqedonia. Të gjithë ata ishin refugjatë dhe pas mbarimit të luftës kishin kërkuar azil në shtetet perëndimore. Duke pirë verë dhe kafe, në një moment i bashkuam tavolinat. Z. Millutinoviq, ish-gazetar, redaktor dhe politikan, ishte i vetmi që nuk ishte refugjatë, sikundër dhe ne që ishim nga Maqedonia.

Pas shpine dëgjoja njërën nga dy motrat serbe që ishin nga Karllovci. I ati i tyre kishte qenë gjeneralmajor, i cili në fund e kishte dorëzuar kazermën e qytetit. Ajo rrëfente se si refugjatë ishin shpërngulur në Beograd. Në kohën e ish-Jugosllavisë i kishte kryer studimet në Zagreb, ndërsa motra ende vazhdonte me studimet. Kur kishte filluar lufta, ajo ishte shkurorëzuar nga burri, sepse kishte qenë kroat dhe kishte shkuar në front. Pas gjashtë muajsh, në kohën e regjimit të Millosheviqit, babai i saj kishte bërë vetëvrasje, pasi që si veteran lufte kishte vetëm 50 marka gjermane pension. Pastaj kishin dalë refugjatë në Zvicër.

Duke pirë sharap (verë turku), me gjithë gotën që e kishte në dorë, u afrua një person. Si duket, jeni jugosllavë, iu drejtua njërit në tavolinë. Unë jam gazetar, por kam ardhur me pushime këtu në regji private. Ishte një gazetar francez. Kur mësoi se ne të gjithë ishim nga i njëjti vend, mbeti i habitur: "Të gjithë keni mësuar, studiuar dhe jetuar një kohë së bashku dhe përsëri keni bërë një luftë ndërmjet veti si armiq?" Profesori nga Novi Sadi i tha gazetarit: është një frazë e shkëlqyer e Aristotelit, "zoo politicum" (kafshë politike)". Ne që jemi ulur sot së bashku, ndërsa në kohë lufte ndoshta dikush nga ne ka qenë në front, të gjithë sipas frazës së Aristotelit jemi "kafshë politike". Ata të cilët, sipas Aristotelit, quhen polisë, nuk merrnin pjesë në luftëra, as fëmijët e as ndonjëri nga familja. Ndërkaq, z. Millutinoviqi i tha gazetarit francez se shtetasit e ish-Jugosllavisë edhe pse kanë qenë armiq ndërmjet veti, kur dalin jashtë afrohen si me magnet. Gazetari francez, duke na përshëndetur, i emocionuar na premtoi se ishte motivuar prej nesh dhe se do të shkruante një artikull për takimin dhe bisedat me ne.

Ish-oficeri i armatës jugosllave, boshnjaku Muharemoviq, i tha një kolegu që fliste frëngjisht me gazetarin, që ai duhet t'i ndajë protagonistët që ishin si viktimë prej agresorëve. Millutinoviqi iu drejtua gazetarit: "Serbët ishin drerë, ndërsa boshnjakët dhe shqiptarët ishin pëllumba, drerët i gjuanin pëllumbat" (jastrebovi i golubovi). Ju francezët përherë keni qenë miq me serbët, për çka ne nuk jemi kundër, madje Zhak Shirak e ndaloi bombardimin e Beogradit. Kur serbët jepnin garanci nga Palja dhe rrethakuan Sarajevën, presidenti francez Miteran, gjatë një vizite që i bëri Sarajevës, tha se nuk do të ketë bombardime nga NATO-ja mbi pjesën prej nga vinte granatimi. Gazetari kishte thënë se ai do të shkruaj, duke potencuar shembullin tonë, njësoj si e luftës mes francezëve dhe gjermanëve, të cilët sot janë motoja e bashkimit dhe e paqes në Evropë, në mënyrë që edhe ne ta ndjekim shembullin e tyre.

Ishte mesnatë, kur erdhi kamerieri, bashkë me mua ishin edhe z. Millutinoviq, z. Muharemoviq dhe profesori nga Novi-Sadi, na tha që nëse duam ta vazhdojmë bisedën duhet të zbresim poshtë te kafe-bari, që punon deri në orën katër të mëngjesit. Të gjithë shkuam atje dhe vazhduam bisedën deri në mëngjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat