​“Tako shpirtin tim”- QKRMT promovon librin me sytë dhe përjetimet e azilkërkuesve në Kosovë

Kultura

​“Tako shpirtin tim”- QKRMT promovon librin me sytë dhe përjetimet e azilkërkuesve në Kosovë

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 14:59
Foto nga vendi i ngjarjes

“Shpesh ulet në shkallët e kampit dhe pret që vëllai i tij të kthehet prapë”. Sytë gati të përlotur po tregojnë traumën që përjetoi ani pse është shumë i vogël. Larg nga vendlindja, pritjet e tij janë që ndoshta edhe do të takohet ndonjëherë me vëllain e tij. Me vetëm një fjali nëna e këtij fëmiu përshkruan atë që po përjetojnë, ndërkohë që gjithçka lë dëshminë e shumë përjetimeve. Më i vjetër se ky i mitur, dikush tjetër thotë shkurt- “A është shumë të kërkosh një jetë normale”. Ai dhe shumë të tjerë azilkërkues në Kosovë po bëjnë thirrje për siguri.

“Tako shpirtin tim”, është një libër me fotografi të syve të refugjatëve dhe azilkërkuesve në Kosovë. Libri i cili autor ka Maliza Zymberin nga QKRMT, synon të tregojë përmes syve dhimbjen, dashurinë, pikëllimin e njerëzve që janë duke e përjetuar nga vendi i tyre i origjinës ose gjatë udhëtimit në Kosovë.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka promovuar librin “Meet My Soul” në ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve. Libri është në tri gjuhë dhe azilkërkuesit kanë ndarë thirrjet, kërkesat dhe dëshirat e tyre.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se kjo ditë për kosovarët kthen kujtesën kur vetë ata dikur u dëbuan nga vatrat e tyre. Ajo e cila gjatë asaj kohe po ndihmonte në kampet në Kukës tregon se kjo ditë i kujton klithmat e mijëra refugjatëve.

Rushiti: Kjo ditë ma kujton klithmën, vuajtjen, dhimbjen e mijëra grave, vajzave

“Kjo ditë ma kujton klithmën, vuajtjen, dhimbjen e mijëra grave, vajzave, fëmijëve që e kishin lënë vatrën e tyre. Edhe pse kosovarët kishin gjetur strehën në vende fqinjë, prapë se prapë jeta e refugjatit ishte e vështirë, ishin një mori sfidash, kërkonte angazhim të vendeve ku ata ishin prezent. Duke punuar me QKRMT dhe duke i identifikuar nevojat e refugjatëve qysh në vendin ku ata kishin migruar kryesisht në Kukës ku unë po punoja në atë kohë, natyrisht që nevoja për t’iu dhënë përkrahje dhe mbështetje edhe personave që e atakojnë Kosovën, jo nga dëshira nga dhuna, persekutimi. Ne iu adresuam UNCHR-së në atë kohë për nevojën tashmë për të përfshirë aktivitetin tonë psiko-social edhe te ky grup i ndjeshëm që përballet me sfida. Nganjëherë ata janë edhe të padëshirueshëm fatkeqësisht”, tha Rushiti.

Klima stigmatizuese, siç tha Rushiti, po i bën edhe më të ndjeshëm dhe të pasigurt azilkërkuesit në Kosovë. Madje, thotë se çdo refugjatë në vete bart një histori të tmerrshme.

Rushiti: Ky libër në vetvete sjell mozaikun e dhimbjes dhe traumës

“Shumë herë jemi dëshmitarë që në zhargonin mediatik flitet për statistika, flitet për numra dhe krejt ky zhargon harron që prapa numrave ka vuajtje, dhimbje, shpirtra të lënduar dhe harrohet që të trajtohet si qenie njerëzore, i cili është detyruar ta lë vatrën e tij për shkak të persekutimeve të vazhdueshme. Pikërisht sot jemi mbledhur këtu për të shënuar këtë ditë në mënyrë më të veçantë. Përmes një libri i cili në vetvete sjell pjesë të mozaikut të dhimbjes, traumës, por edhe dëshirave që këta njerëz kanë”, ka shtuar ajo në promovimin e librit “Më shih”.

Më tej, drejtoresha e QKRMT-së, ka theksuar nevojën për siguri ndaj këtyre personave, e që sipas saj është edhe obligim shtetëror.

Shefi i misionit të UNCHR-së në Kosovë, Erol Arduç theksoi nevojat që kanë këta njerëz dhe rëndësinë për të ndihmuar dhe ofruar siguri për ta.

Arduç: Ky libër është kaq thelbësor sepse i paraqet dy elementët thelbësorë

“Ne si UNHCR ndihmojmë njerëzit, mijëra njerëz, thjesht duke u dhënë atyre pak ujë, kanaçe, ushqim, dhe kaq. Ne nuk kishim kohë ku duhet të kuptonim gjithashtu se njerëzit kanë nevojë për më shumë. Prandaj, ky libër është kaq thelbësor sepse i paraqet dy elementët thelbësorë, sytë-dritaret e shpirtit dhe gjendjen e shpirtit, se çfarë po ndodh në shpirt. Dhe kjo është ajo që ne duhet të kuptojmë, sepse ne gjithashtu do të zbulojmë se ata nuk ndryshojnë nga ne. Mirë? Ju mund të thoni se nuk ndryshojnë nga ne. Të gjithë e dinë. Të gjithë e dinë edhe se ata nuk janë as ndryshe nga ne, ata nuk janë. Ne të gjithë kemi frikën tonë, çfarëdo që të jemi, mund të jemi president ose çfarëdo tjetër. Ne kemi frikën tonë dhe ata kanë frikën e tyre. Dhe ne e kuptojmë krejt papritur në këtë, me këtë shembull, te gjithë janë të njëjte”, ka thënë ai.

Autorja e librit, Malisa Zymberi tha se dalja çdo ditë në terren e rrit ndjeshmërinë për gjithë refugjatët të cilët vijnë në Kosovë. Sipas saj, në Kosovë ka gjuhë të urrejtjes për këtë kategori.

Zymberi: Ka shumë gjuhë të urrejtjes për këta persona

“Meet my soul” ka ardhur prej idesë që ne si ekip dalim në terren çdo ditë edhe nganjëherë puna çdo ditë është më e ndjeshme, disa ditë e menaxhojmë më mirë. Edhe është e dhimbshme krejt ajo që të shuhet tu ardh në kerr, në zyre edhe me një takim me përfunduar komplet jeta e këtyre njerëzve, përjetimet, dhimbjet. Kur jemi ndal edhe kemi menduar për ditën e refugjatëve kemi dashur të sjellim diçka që i prek njerëzit. Sepse po shohim gjuhë të urrejtjes ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve”, shprehet ajo.

Shumë fëmijë të refugjatëve kanë lindur në Kosovë, e shumë të tjerë nuk arritën që asnjëherë të shkojnë në shkollë. QKRMT do të shpërndajë librin edhe në institucionet e Kosovës, e po ashtu edhe virtualisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat