Kush e di ku gjendet Tafi

Kultura

Kush e di ku gjendet Tafi

Nga: Ibrahim Berisha Më: 18 qershor 2021 Në ora: 19:25
Ibrahim Berisha

U riktheva duke ringjallur pamjet ku do të gjeja sërish, Tafin, pronarin trupmesëm e shëndetlig të moteleve Joni e Ejona.

Pas njëmbëdhjetë vjete e kërkoja aty në hijen e pishave ku ai i vetëm pinte kafenë e mëngjesit.

Nuk vjen këtu ka vite, më tha rojtari i parkingut përballë dy ndërtesave të braktisura të moteleve të dikurshme.

Lin, më duket jeton në Paris, po ndoshta edhe ka vdekur, e plotëson polici që rri përpara derës së parkingut të marketit ”Ola”. 

Ka vite nuk ka pyet njeri për Tafin, thotë Lini dhe largohet. Shumë vite. Shton habitur: Ku të bie ndërmend, për Tafin!

Vera e parë

Mos kërko të marrësh vesh asgjë nga unë, ti them kur dua, më tha pas ditës së katërt të njohjes.   

Shërbyesja, gruaja që vinte nga qyteti për të pastruar çdo mëngjes dhomat, më mori ditën e katërt të pushimit, orën Omega. I pagjetur nga ankesa ime për të sqaruar rastin, se shërbëtoren e kishte familjare, Tafi më hapi një fletë të vogël të jetës që ishte vështirë për ta lexuar nga jashtë.

E paguaj unë, por lëre, më tha shkurt. Sa kushton ora?

E kam kujtim nga baba, i thashë.

Ora nuk paska çmim, tha dhe me shkëputje të ngadalshme të fjalëve, vazhdoi: Babai im më la shumë kujtime të bukura.

U ngrys, përbiu fjalët, dhe me mund fshehu pikëllimin.

Vera e dytë

Biznesin e ngrita pas shpërthimit të burgjeve komuniste. Këtë e bëra për të harruar urrejtjen se urrejtja është, nuk di, instinkt apo emocion dërrmues. Thashë të ik nga realiteti, të largohem në botën ku të shikojnë shumë sy fatalë pa të parë asnjëherë. Pa të njohur askush. Ndërsa, unë i shihja ata. Përpara tyre rrinte deti provokues i gatshëm për të fshehur përherë trishtimin e pakthyeshëm. E kupton, biznesi në det përgjithmonë ka pengesa të tmerrshme. Nuk ka vijë të qartë ndarëse me krimin.

Të duket mirë kur përmend fjalën biznes. Mendon në para, në botë me plot beteja, të kesh shumë pengesa, të hysh në një proces evolucioni nga i cili nuk trembesh se do të të largojë ndokush, mbasi nuk të mundësohet dhe as lejohet të kthehesh mbrapa. Ose fundosesh e të hanë peshkaqenët ose del matanë në breg me thesin plot para. Kështu, je i bllokuar nga të gjitha anët dhe papritmas sheh rrugën e vetme, të dalësh në bregun tjetër fitimtar.

Nuk e mohoj, biznesi im ishte larg nga nënshkrimet zyrtare. Mos mendo ta kem lajmëruar në ndonjë regjistër, llogari a zyrë ndonjë gjë. Biznesi im i tëri ishte rrëshqitje e gjallë nëpër ferr, më skafe dhe sy të tmerruar, me zëra të pafund të pashpresë, të padëgjuar ndihme, një shkretëtirë e lodhur nga thatësira e pritjes dhe padurimit.

Dua të mos e kujtoj, por nuk mund të harroj asgjë.

Mbante me dorën e djathtë pjesën e gjoksit, nën të cilin, thoshte, janë therjet e zemrës.

Vera e tretë

E kam të pamundur të mendoj kthjelltë, kjo më dhemb. Prindërit e mi mendonin dhe flisnin me zemër, por asgjë që deshën nuk iu kthye për të mirë të tyre. Secili lavdëron të vetët, për Tetoshët, dua ta besosh, unë kisha prindër për t’u krenuar, megjithëse jeta më bëri të jepja përgjigje të hidhur për ata dy të dashur që vuanin shumë pse nuk mbanin kurrsesi shtatë fëmijët në oborrin me fik e ullinj në Kavajë, përveç me lutje e shpresë. Tani ata janë të vdekur dhe do të doja të ishin këtu, të kënaqeshin ata dhe unë dhe të më tregnin çfarë të bëj me lirinë, me veten time të lodhur.

Fytyra e zbardhur si copë e hollë letre e Tafit, provon të mos ndryshojë kur ai ende më vendosur e shtyp me dhëmbë tronditjen e pakëndshme sjellur si fragmente të ftohta ajri.

I ndërtova, ja i sheh këto dy motele, jo për të jetuar se jetoja mirë me paratë e dërgimit të njerëzve matanë: shqiptarë, kurdë, iranianë, në Itali, por për të zënë këtë hapësirë, që ishte e shtetit dhe donin ta merrnin njerëzit që kanë ngrënë jetën e të tjerëve, edhe timen, në emër të vuajtjes së të pafajshmëve. Desha të hakmerrem për vuajtjet në burgje dhe punën përditë të vdekshme në tharjen e kënetave, nga të cilat nuk pushonte kurrë të dilte vrullshëm ujë dhe vetëm ujë i trashë, ja si gjaku i zënë tashti në damarët e gjymtyrëve të mia.

Tafi vështron pikëlluar nga motelet, vendi ku rri është anash, mu pamje buzë plazhit të Malit të Robit. Joni dhe Ejona janë midis pishave të mbjella nga nxënësit e Shkollës Teknike Amerikane Hari Fullc që para Luftës së Dytë Botërore, me bukurinë më të rrallë në vijën e mesme të bregdetit shqiptar. Nga kati i dytë i Jonit pishat duken si valëza të renditura.

 Kënaqu thotë, Tafi, me valët e kaltra të këtij deti që na kujton fundin me shkumë e gjethe të thara.

Vera e fundit

Njeriu është dhe nuk është një qenie e vërtetë. Asnjëherë s’ka të drejtë të abuzojë me të tjerët, më kupton. Po, por në sytë e të gjithëve duket dhimbja e keqkuptimi kur i hyjnë aventurës më të rrezikshme dhe më të mirë të kapërcejnë detin  pa u vërejtur nga askush. Të kalosh detin si mister, padënueshëm. Edhe vet pastaj shndërrohesh në mister dhe enigmë të pazbërthyeshme.

Po të dilja një herë nga ky fund tuneli, do të ecja në rrugë tjetër.

Unë kam dhimbje, më thoshte dhe t’i  nuk e di shfryrjen e saj. Shkon të flesh dhe atëherë përpara gjumit e ndjen gjithë tmerrin në shpirtin tëndë. Je i lodhur, por ende më i lodhur zgjohesh. Secilën ditë zbret më i pamundur.

Mendoj të ikë, ndoshta në Kanada a në Paris. Nëse pyet përse, kuptohet, psenë nuk di të ta them.

Pa verë

Tafi për zbrazëtinë: Babai ishte anëtar i Bandës Muzikore të Oborrit Mbretëror. Në varfërinë e madhe, në mbrëmje, te fiku, merrte ca kokërr ulliri e rakinë dhe ia thoshte këngës me mandolinë. Mua sot nuk më këndohet, jo pse nuk kam zë, por nuk kam shpirt. Shpirtin e kam bosh, më të trazuar edhe se deti me gjashtë ballë. Kam plot para që nuk më duhen tjetër përveç të kujtoj mënyrën tragjike të kapjes së tyre. Rrugë të pastër për fitim të madh nuk ka. Babai nuk kish para, por shpirtin kish sa deti, thoshte, Tafi.

Tafi, po kush e di ku gjendet Tafi, vazhdon të mërmërisë vetëmevete rojtari i parkingut. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat