Në shenjë kujtimi e mirënjohje të ndjerit mik, Ali Gagica

Kultura

Në shenjë kujtimi e mirënjohje të ndjerit mik, Ali Gagica

Nga: Bajram Sefaj Më: 20 qershor 2021 Në ora: 09:45
Bajram Sefaj

Para një kohe, miku dhe fqinji im fort i dashur, Ali Gagica ndërroi jetë. Miqtë e mirë, gojëmbël e fisnik, sikurse ishte z. A. Gagica, nuk vdesin kurrë. Ata prej një jete të përkohshme, sikur ndërrojnë vendbanim. Ikin në një jetë tjetër, Jetë të matanshme, të amshueshme, të përjetshme. Aliu i ndjerë, ndonëse ishte ekonomist i shquar, magjistër i ekonomisë, ai ishte edhe dashamir i paepur i letërsisë. Mik besnik i librit. Me zell e pandërprerë lexonte. Me pasion e vëmendje, përqendrim lexonte shkrimtaret shqiptarë. Nga Kosova dhe Shqipëria, por edhe letërsi botërore. Duke e pasur mik, deceniet e fundit edhe komshi ta dashur, shumëherë ndërronin librat e preferuar. Në ditë prej ditësh, duke njohur mirësinë e bujarinë e tij ia besova një dorëshkrim bajagi të gjatë (afro 800 faqesh!), bindur se, po të jetë teksti im, akoma më i vëllimshëm, Aliu e lexon pikë për pikë e fjalë për fjalë, në cilësinë e recenzentit. Në shenj mirënjohjeje dhe kujtimi të paharrueshëm për te, e riprodhoj në tërësi këtë tekst të tij..

Kështu u shpreh, i ndjeri Ali Gagica, në cilësinë e recenzuesit të librit tim (në dorëshkrim), “Shpen’ udhëtar”.(Shtëpia botuese “Rosafa”, Prshtinë – 2014)

Ali Gagica:

Reportazhet, si tregime të ishin, e Bajram Sefajt, të përmbledhura e të seleksionuara me kujdes, në një libër me titull “Tregime udhëtimi”, janë një margaritar i vërtetë në zhanrin e këtij lloj shkrimi. Ato kanë një shtrije kohore të gjatë. Nga të shtatëdhjetat deri në fund të viteve ’90 e më tutje, deri në ditët sotme, kur ishin një pasuri e mirëfilltë në gazetat dhe revistat tona.

Vrojtues i vëmendshëm e kronist i regjur, autori i takon plejadës së gazetarëve të shquar të këtij lloj shkrimi, gjatë gjithë jetës si gazetar, si reporter i lirë dhe si krijues, e ka dëshmuar se reportazhi, si lloj i veçantë i gazetarisë, për të nuk është vetëm detyrë, por, në rend të parë, është pasion, dashuri dhe shtytës hulumtimi dhe kërkimi gjithnjë me qëllim që të realizojë diç të re, tërheqëse dhe interesante për lexuesin. Ai e ka shfrytëzuar më së miri pozitën e tij, në redaksitë e Rilindjes dhe të Radio Televizionit të Kosovës, që çdo udhëtim dhe “ikje” nga redaksitë ta shfrytëzojë për të sjellë diç të re e të dobishme, si për redaksitë, po ashtu interesante për lexuesin.

Rrëfimet e autorit gjatë bredhjeve të tij, herë me detyrë nga redaksitë ku punoi e herë në regji të vetë, i shtyrë nga pasioni për të udhëtuar, gjithmonë i nxitur nga e panjohura, nga hulumtimi dhe nga sensacioni që do t’i ofrojë lexuesit besnik e të vëmendshëm të tij, ishin dhe mbetën perla të zhurnalistikës së Kosovës.

Rrëfimet e rreshtuara sipas udhëtimeve nëpër “katër anët e botës”, janë një mozaik i vërtetë i këtij zhanri të rrëfimeve, si vrojtime, biseda, intervista apo përshkrime të ngjarjeve dhe përjetimeve të tij nga ato vende apo ngjarje. Autori është gjithnjë i etshëm dhe në vëzhgim për të paraqitur jetën e njerëzve tanë nëpër botë në të gjitha nivelet sociale, nga punëtori i thjeshtë, mjeshtri i zejeve të ndryshme, intelektuali, e deri te personalitetet më të shquara të popullit tonë, kudo qofshin ata.

Bajram Sefaj, si pakkush, ka arritur shumë në gjininë e këtij shkrimi. Duke lexuar këto reportazhe, apo rrëfime të ndryshme, të cilat autori i përmbledh në këtë libër, lexuesi vetvetiu provokohet të mendojë dhe të pyesë për atë se si është e mundur që gjatë jetës sonë kalojmë shkarazi pranë ngjarjeve të tilla, pa i hetuar fare. Vlen thënia se “një ngjarje e vërejtur, por e pashkruar, doemos është e harruar”. Autori i librit në shqyrtim, e thotë edhe më mirë “Udhëtoj – do të thotë jetoj”. Prandaj, reportazhi i tij, herë-herë i letrarizuar, i emocioneve hedhur në letër, ngacmon vëmendjen e tij. Kështu gjen shprehje fuqia retorike e të shprehurit, duke hedhur dritë në të panjohurën, në të brendshmen e temës.

Gjatë leximit të këtij libri, fitova bindjen se, siç ka lundruar (lexo: udhëtuar) autori nëpër botë, edhe lexuesi do të lundrojë në anijen e ngjarjeve që provokojnë dhe nxisin, duke lexuar shkrimet që të përplasin në çdo skaj të botës me civilizime të ndryshme. Duhet përmendur gjithashtu se gjatë punës së tij jo të lehtë, jo rrallë vërehet se autori bie në eufori, e cila e tërheq nga irrealja dhe hiperbolizimi, qoftë i ngjarjeve apo personave, që janë temë trajtimi në këto shkrime. Mirëpo, kjo aspak nuk ia zbeh vlerën artistike këtij libri. Dalja në dritë e këtij libri, me tërë koloritin e shkrimeve, që atëbotë janë botuar kryesisht në të përditshmen Rilindja, është e udhës, në mos për tjetër, si shprishje kujtese për një kohë të afërt e të largët.

Mendoj se numri jo i vogël i veprave të këtilla të krijuara ndërkohë, në gjuhën shqipe do të ishte i mangët, pa botimin e këtij libri të arrirë. Krejt në fund, si të mos pajtohem(i) me autorin, kur thotë se: “Ajo për të cilën nuk shkruhet ... as që ka ngjarë fare”!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat